E shtune, 20.04.2024, 02:53 PM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: IRJ e Maqedonisë para sfidave ekzistenciale

E hene, 17.05.2010, 10:00 PM


IRJ e Maqedonisë para sfidave ekzistenciale

 

Nga Valon Kurtishi

 

1. Situata momentale e sigurisë në vend

Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë është duke u përballur kohëve të fundit me sfida të rënda gati ekzistenciale për të. Gjendja e sigurisë nuk është aspak normale, incidente të armatosura ndodhin në të katër anët, vendi gjendet në prag të destabilizimit të plotë. Në javën e fundit kanë ndodhur tre ngjarje të rënda që janë bërë publike në mediat e këtushme dhe që kanë tronditur në themel marëdhëniet edhe ashtu jo të mira mes dy komuniteteve kryesore këtu. Në fillim ishte aksioni policor në Bllacë të Shkupit ku u zbulua sasi e madhe armatimi e fshehur në bunkerë të caktuar në këtë zone kufitare. Më 12 maj policia deklaroi se në një shkëmbim zjarri në fshatin Radushë afër kufirit me Republikën e Kosovës u vranë tre kontrabandistë armësh. Të nesërmen u kuptua se kemi të bëjmë me atentat terrorist dhe vrasje të organizuar shtetërore të kryetarit të Alternativës Kombëtare dhe njërit prej figurave kryesore të UÇK nga viti 2001 Harun Aliut, njërit prej komandantëve lokalë të UÇK nga Merova e Tetovës Shaban Zenunit dhe dy bashkëveprimtarëve të tyre: Xhafer Shalës dhe Qemal Fejzullahut. Një ditë më vonë në fshatin Novo Sellë të Tetovës, policia maqedonase ndërmori një aksion ndëshkues gjoja për kërkimin e armëve, ku u bastisën dhe u traumatizuan një numër i madh i familjarëve shqiptarë si dhe u arrestuan katër banorë të këtij fshati.

Përveç këtyre rasteve që u bënë publike nga vetë MPB, lajmërohet se kanë ndodhur edhe incidente të tjera në disa zona neuralgjike si në Tanushë të Shkupit apo në rajone malore në Tetovë të cilat nuk janë konfirmuar nga policia dhe as që janë publikuar në mediat e këtushme. Gjithë këto ndodhi janë tregues të qartë dhe të freskët se situata e sigurisë në këtë ish republikë jugosllave është shumë e rënduar apo në prag të shpërthimit të plotë e të pakontrolluar.

2. Tensionimi afatgjatë (hap pas hapi) i situatës

Përveç rasteve aktuale të përmendura më lartë, ka katër vite që vërehen provokime të fuqishme të kryeministrit aktual Nikolla Gruevski dhe partisë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE në drejtim të shqiptarëve. Këtu mund ti numërojmë shkurtimisht vetëm disa prej tyre:

Është bllokuar në shumë pjesë të tij implementimi i marëveshjes kornizë së Ohrit e cila i dha fund luftës së vitit 2001 dhe për të cilën garantoi edhe diplomacia ndërkombëtare.

Kuvendi republikan ka miratuar në vazhdimësi që nga viti 2006 një shumësi të ligjeve qartësisht antishqiptare. Përpjekja e fundit në këtë drejtim u pa me tentim-miratimin e Ligjit për denacionalizim, për bllokimin e të cilit u desh deri bojkoti parlamentar i partisë shqiptare në pushtet !!!.

Më herët, Gjykata kushtetuese ka abroguar përdorimin e flamurit shqiptar duke reduktuar përdorimin e tij gati në sferën private.
Miratimi i ligjit të ri për gjuhët e ka ulur statusin e gjuhës shqipe e cila nga zyrtare siç parashihet në kushtetutë është releguar realisht në zyrtare minoritare apo zyrtare rajonale.

Akademia e shkencave dhe arteve të këtij vendi ka botuar me para publike një enciklopedi antishkencore dhe gati raciste e cila mohon krejtësisht prezencën historike shqiptare në këto territore si dhe fyen rëndë ndjenjat kombëtare të komunitetit shqiptar këtu..

Me një vendim të çuditshëm, të shpejtuar dhe antidemokratik, si dhe pa asnjë konsultim me palët e interesuara, ministri i arsimit z.Nikolla Todorov, ka vendosur futjen e detyrueshme të gjuhës maqedonase për fëmijët shqiptarë që në moshën 6 vjeçare në arsimin e vendit. Ka vendosur gjithashtu, mbajtjen e obligueshme të evidencës pedagogjike në gjuhën maqedonase në shkollat me mësim në gjuhën shqipe.

Është miratur një plan për ndërtime masive historike kulturore i quajtur “Shkupi
2014” i cili anashkalon tmerrësisht kulturën shqiptare duke sllavizuar përfundimisht gjithë hapësirën publike të kryeqytetit të vendit.

Sa i takon fushës ekonomike, në gjithë periudhën kohore 2006-2010 vërehet qartë një bllokim total i investimeve publike apo private në zonat e banuara me shqiptarë dhe një koncentrim gjithashtu total i investimeve publike dhe private kryesisht në zonat e banuara me sllavë etnikë.

Investimet në arsim bëhen ekskluzivisht në zona të pastra etnike maqedonase duke përfshirë këtu meremetimin apo edhe ndërtimin e shkollave të reja, dallime të ëmdha në numrin e nxënësve nëpër klasa varësisht nga përkatësia etnike e tyre, pajisjen e shkollave me mjete të ndryshme teknike etj. Janë hapur në kohë eksprese dy universitete të reja maqedonase në Shtip dhe Ohër.

Në sferën kulturore është realizuar dhe vazhdon akoma implementimi i projektit gjigant për përkthimin e librave shkencorë të autorëve të huaj vetëm në gjuhën maqedonase. Numri i librave të përkthyer në gjuhën shqipe është i papërfillshëm kurse cilësia e përkthimit edhe të atyre pak librave shqip është më shumë se katastrofale.

Investimet në sport si ndërtimi i sallave sportive i ka anashkaluar gati tërësisht qytetet dhe fshatrat e banuara me shqiptarë etnikë. Stadiumi kryesor i Shkupit është rindërtuar tërësisht kurse në stadiumin e Tetovës nuk është vënë dorë që prej vitit 1983 kur e kanë ndërtuar qytetarët me vetëkontribut.

Është hapur tashmë një zonë e lirë ekonomike në Bunarxhik dhe pritet së shpejti inaugurimi edhe i dy zonave të tjera në zona ekskluzivisht të banuara me maqedonas etnikë. Zona e lirë ekonomike e Tetovës për të cilën flitet që nga viti 1992 është shtyrë për në “Calendas grecas”. Në pjesët lindore të vendit është në vlugun më të madh puna për ndërtimin e autostradave, aeroporteve, nyjeve të ndryshme të komunikacionit, gazsjellësve të ndryshëm, lidhjeve hekurudhore, vendkalimeve të reja kufitare, etj..etj.

Me një fjalë, gjithë kjo periudhë kohore është e mbushur me vendime, ligje, veprime konkrete në praktikë që i diskriminojë shqiptarët dhe si pasojë e ritjes së pakënaqësisë së komunitetit të dytë më të madh në vend, destabilizojnë shoqërinë tonë si të tërë, e destabilizojnë vetë shtetin. 3.
Kush është i interesuar për destabilizim dhe kush destabilizon?

Elementët e interesuar për shkaktimin e krizës së gjithmbarshme në vend mund ti ndajmë në tre grupe kryesore:

a.Faktorë të brendshëm
b.Faktorë të jashtëm
c.Grupe të armatosura

Faktorët e brendshëm

1.Qarqet nacionaliste maqedonase të cilat për momentin janë vetë qeveria e këtij vendi. Këta janë të interesuar për gjetjen e fajtorëve kujdestarë në mënyrë që të largojnë vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe të jashtëm nga procesi i bllokuar i integrimit euroatlantik. Këto segmente të errëta sllavo-maqedonase shantazhojnë në vijimësi Bashkimin Europian duke luajtur në kartën e integrimit në BE edhe pa përmbushjen e standardeve pasi, “jemi zonë e rrezikshme ballkanike me potencial për konflikt ndëretnik, ndërfetar” etj. Shihet qartë se Gruevski paraqitet si një një lloj “trouble maker” apo ngatërestari tipik ballkanik alla Sllobodan Millosheviq i cili duhet të shpërblehet sa më shpejtë që të jetë e mundur pasi ka mundësi për të hapur konflikte të reja të panevojshme në Ballkan, të cilat pastaj duhet ti zgjidhë me diplomacinë dhe shpenzimet e veta Bashkimi Europian. Një precedent i tillë tashmë ekziston. Vendi ka nënshkruar marrëveshjen e stabilizim-asocimit dhe ka fituar statusin e vendit kandidat duke iu falenderuar konflikteve ndëretnike të cilat pastaj janë eksploatur nga elita politiko-ekonomike sllave për të ecur para në rrugën e integrimit europian pa përmbushjen e asnjë standardi të vetëm të kërkuar nga Komisioni Europian.

2.Faktori i dytë i interesuar për destabilizimin e situatës në vend është opozita maqedonase e cila asesi nuk është duke gjetur forma për të ulur diferencën në popullaritet me qeverinë aktuale. Këtë e pasqyrojnë më së miri pollse-t apo anketimet e instituteve të ndryshme të vendit dhe të huaja që i japin përparësi të madhe në përqindje pozitës aktuale në kampin maqedonas.

3.Faktori i tretë në një skenar të mundshëm destabilizimi është edhe opozita e tanishme shqiptare. Ky opcion duhet pranuar më shumë rezervë pasi nuk besojmë dhe nuk duam të besojmë se opozita shqiptare është në gjendje të sakrifikojë jetëra shqiptarësh të pafajshëm apo vetë kauzën kombëtare vetëm e vetëm që të vijë në pushtet.

Qarqe të jashtme të interesuara për destabilizim të situatës

1.Është faktori sërb apo Republika e Sërbisë e cila është bllokuar nga ndërkombëtarët në Bosnjë dhe Kosovë dhe tenton që të krijojë turbullira në Maqedoni në mënyrë që të përfitojë në kushtet e reja të një destabilizimi afatshkurtër apo edhe afatgjatë të gjendjes së sigurisë në Ballkan. Ky vend shpreson që në ndonjë formë të mundshme të rihapet dialogu në lidhje me statusin e Kosovës dhe Republikës sërbe të Bosnjës apo edhe në lidhje me ndonjë ndryshim të mundshëm të kufinjve në rajon.

2.Është faktori shumë i fuqishëm me emrin Greqi. Edhe këta janë shumë të interesuar për ta paraqitur IRJM si një shtet të dështuar, “failed state”, i cili prodhon kriza të vazhdueshme etnike, politike, ekonomike si brenda vetes vetes ashtu edhe me fqinjët. Kjo më tepër për të justifikuar para bashkësisë ndërkombëtare bllokadën e paprinciptë dhe të pakuptimtë që ky vend i bën Maqedonisë që nga viti 1992 në çështjen e emrit.

3.Një ingredient aktiv dhe i rëndësishëm në këto relacione paraqitet edhe faktori bullgar i cili në shumë pika e mohon krejtësisht veçantësinë kombëtare të maqedonasve etnikë siç është rasti me gjuhën e njëjtë, heronjtë e përbashkët kombëtarë, kulturën e përbashkët dhe unike etj.

Grupet e armatosura

Një element i tretë i interesuar për destabilizimin e vendit janë grupet e armatosura të cilët do ti kishim ndarë gro në dy grupe të mëdha:

1. Organizata kombëtare shqiptare të përbërë nga idealistë dhe patriotë që punojnë për bashkimin kombëtar dhe janë në mbrojtje të popullsisë shqiptare dhe interesave kombëtare dhe

2. Grupe kriminelësh të rëndomtë që përpiqen të përfitojnë materialisht në një situatë të turbullt. Këta kontrollohen nga shërbime të huaja të inteligjencës shumë armiqësore ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Këto tre grupe faktorësh janë të interesuara për momentin për destabilizimin e këtij shteti të brishtë dhe të vogël ballkanik.

4.Zgjidhja apo rrugëdalja nga kjo krizë

Partia shqiptare në pushtet e cila e ka mandatin e popullit shqiptar në IRJM që të përfaqësojë interesat tona kombëtare, duhet përfundimisht të mbajë qëndrim serioz në këtë situatë të rëndë për gjithë ne. Ne dëgjuam dje për një kërkesë konkrete të kreut të BDI drejtuar VMRO në lidhje me rastet e Hagës, zgjidhjen e statusit të ish ushtarëve të UÇK, lirimin e të burgosurve të rastit të Sopotit etj..Mbetet vetëm të shpresohet që të jenë këmbëngulës në këtë drejtim sepse në të kaluarën janë nënshkruar shumë marrëveshje që nuk janë respektuar nga pjesa maqedonase e pushtetit. Nëse segmentet ultranacionaliste sllave me në krye Gruevskin nuk pranojnë të hapin kësi tema të rëndësishme për shqiptarët, atëherë faktorit politik shqiptar në pozitë i hapet rruga e drejtë dhe shumë legjitime për të kërkuar modalitete të reja të rregullimit të marrëdhënieve mes popujve këtu. Këto mund të variojnë nga autonomia politiko-territoriale apo bashkimi i komunave ekzistuese të banuara me shumicë shqiptare, federalizimi territorial apo funksional i vendit e deri tek kërkesa shumë demokratike për ndarje të shtetit në rrugë paqësore. Me një fjalë ato mund të jenë shumëçka dhe gjithçka. Në këtë drejtim, kërkohet që në koordinim të plotë me Tiranën dhe Prishtinën definitivisht të mbyllen çështjet e hapura të shqiptarëve këtu dhe të hapet një kapitull i ri në pozitën e shqiptarëve në këtë shtet. Në këtë duhet të jemi të kujdesshëm që të mos dëmtojmë imazhin tonë si komb dhe të mos pengojmë asesi, kurrësesi dhe në asnjë rrethanë rrugën e shtetit tonë amë
Republikës së Shqipërisë drejt integrimit sa më të shpejtë të mundshëm në BE si dhe stabilizimin përfundimtar të Republikës së Kosovës.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora