E merkure, 24.04.2024, 11:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhemaledin Salihu: Valle (valltarë) dhe këngë (këngëtarë) popullore të vjetra në Preshevë

E hene, 17.05.2010, 09:59 PM


VALLE(VALLETARE) DHE KENGE (KENGETARE) POPULLORE TË VJETRA NE PRESHEVE

 

Shkruan: Xhemaledin Salihu

 

Aspekte të pozitës së kulturës të Shqiptarëve në Preshevë

 

Popullata shqiptare e Preshevës, me xhelozi të madhe dhe mund të madh ruajti traditën e saj të kulturës popullore gjatë shekujve. Sidomos ruajti vallen dhe këngën e vjetër popullore.

Presheva bujare dhe kreshnike, e kohës antike i takonte Dardanisë. Preshevën në kohëra të ndryshme e sunduan Romakët, Bizantët, Sllavët, Turqit, Jugosllavët, mirëpo ajo anjëherë nuk u dorëzua dhe me dinjitet dhe xhelozi ruajti traditën e kulturës popullore.Ajo nëpërmjet vallës dhe këngës protestoi, kundërshtoi, por edhe luftoi pozitën e saj të prapambetur shekulloredhe ditti që nëpërmjet valles dhe këngës të gëzohet në dasma, gazmende e festa familjare e kombëtare. Pra Presheva ishte e njohur për trimëri, bujari, solidaritet, humanitet, por edhe për kultivimin e valles dhe këngës së pastër popullore shqiptare. Ajo me xhelozi ruajti dhe mbrojti vallen dhe këngën e vet popullore dhe nuk lejoi  përzierje me melosin  e popujve fqinjë.

Publicisti i njohur Mehmet Kajtazi i Kosovës shkruan : Vallja preshevare si protestë. Më 1908, në Prishtinë ishte sulltan Reshati/emisari special, i dërguari i tij-autori/. Para se të vinte ky sulltan në vilajetin “e vet”, kishte ardhur porosia e tij “Dua që tokat që i kam bërë fet” t’i zgjojnë njerëzit nga gjumi dhe ta shprehin gëzimin e tyre që po i viziton një sulltan...”

Porosia kishte arritur edhe në Preshevë, siç kishte arritur më parë në Prishtinë, në Shkup dhe në Vilajetin e Kosovës dhe në tërë Shqipërinë. Shqipëria ende nuk e kishte shpallur pavarësinë./Atëherë Kazaja e Preshevës i takonte Sanxhakut të Prishtinës, Vilajetit të Kosovës që nga viti 1878-autori).

Për t’i shprehur  “nderim të madh madhërisë së tij, sulltan Reshatit, ishte caktuar Presheva. Për sulltanin ishte njësoj, o i shprehu “nderim” Presheva, o i shprehu Prishtina e Shkupi, apo të gjitha qytetet përnjëherë. Sulltani donte ta shihte një valle të Shqiptarëve që do të luhej para tij. Dhe në Prishtinë erdhën valltarët nga Presheva. Para suitës së sulltanit u luajt vallja preshevare, së cilës i printe Lutfi Ahmeti. Sulltan Reshati iu përul valles dhe tha se kur shqiptarët vallëzojnë kur vijë në Prishtinë, do të thotë pushteti im nuk do të venitet kurrë në Ballkan.

 

Le të më gjunjëzohet Shqipëria, siç m’u gjunjëzua sot në Prishtinë, shtetet e tjera  të Ballkanit edhe më lehtë i mbaj nën këmbë. Por, keq ishte mashtruar sulltan Reshati. Ai nuk kishte njohuri për vallet tona. Vallja preshevare ishte një protestë, ai këtë nuk e kuptonte. Vallja preshevare që u luajtë para sulltan Reshatit ishte krijuar mu në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur Shqiptarët kërkonin vetëvendosje... /Bujku, Prishtinë, 12 gusht 1994/

Popullata shqiptare, në përgjithësi, sidomos ajo e Preshevës ishte më e prapambetura gjatë sundimit Otoman dhe në Jugosllavinë e Vjetër, si në pikëpamje ekonomike, sociale, arsimore e sidomos ate kulturore. Kjo prapambeturi vazhdoi edhe  në Jugosllavinë socialiste. Për këtë arsye, Presheva , mbeti komuna më e pazhvilluar.

 

Fillet dhe histori e valles dhe këngës popullore në Preshevë

 

Presheva, përkundër gjendjes së rëndë ekonomike, sociale e arsimore gjatë sundimit pesë shekullor të Perandorisë turke dhe shtypjes së borgjezisë serbomadhe pati jetë kulturore, ajo në periudha të caktuara vallëzoi dhe këndoi.

Presheva, gjithmonë është e njohur për talentët e saj, këngëtar, vallëtarë e tjerë. Vallja dhe kënga e Shqiptarëve të kësaj ane është dëshmia më e mirë e ekzistimit në trojet e veta etnike shekullore. Vallja dhe kënga ishte motiv i jetës dhe ekzistencës, por edhe shpesh protestë e luftë kundër regjimeve dhe sunduesve të ndryshëm.

Në Preshevë, kaherë në traditën popullore, dasmat dhe gazmendet familjare, por edhe kombëtare bëhen me daulle e zurle, ndërsa tek gratë ato bëheshin me dajre. Madje, familjet e pasura në ditën e marrjes së nuses organizonin tubime popullore gazmendi në pritje të ardhjes së krushqëve. Gazmendet organizoheshin në vende të caktuara, kështu në Preshevë, ato organizoheshin te vendi i quajtur Allajtë. Në pritje të vrapuesve dhe kuajve vrapues, luhej edhe vallja shqiptare e burrave. Më e njohura, Vallja e Mahramës, apo vallja prej Moravës, me një ritëm, së pari të ngadalshëm, deri sa priteshin vrapuesit, me afrimin e tyre për në cak përshpejtohet edhe ritmi i valles.

Poashtu në këto gazmende organizoheshin vrapime të kuajve dhe të vrapuesve më të mirë, të cilët merrnin shpërblime nga nikoqiri i dasmës.

Vrapuesi më i njohur preshevar, që nga Shkupi deri në Vranjë ishte Qamil Jusufi-Tampërri i Preshevës, i cili shumë herë në Preshevë, Llojan e gjetiu zuri vendin e parë në vrapime. Në Llojan, për Vitin e Ri më 1953/54 zuri vendin e parë dhe u shpërblye me një dash. Në bisedë me Qamil Jusufin, ai thotë se fillova të vrapojë qysh në vitin 1950, kur i kisha 14-15 vjetë. Bile paska vrapuar edhe gjatë shërbimit ushtarak.Pastaj të përmendim Rexhepin e Dikës, Durakun e Zhunicës, Shabanin e Breznicës dhe Hajredinin e Rahovicës.

Ndërsa prej kuajve ishin më të njohur kali i Nijazi Kishës, ishte kalë shale dhe vrapues, ishte i njohur për elegancë dhe hijeshi, sa që ia kishim shumë lakmi,në Llojan për Vitin e Ri më 1953/4, zuri vendin e parë dhe u shpërblye me një lopë dhe kali i ashtuquajturi “Gjoku” i Xadit të Miratocit.

Presheva vallëzoi dhe  këndoi gjatë përcjelljes së delegatëve preshevarë  për në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare në Prizren, por edhe përfundimit dhe pritjes së rezultateve të Kuvendit, që ishin me rëndësi edhe për fatin e Preshevës. Pra është e njohur se Presheva që nga viti 1878 u bë qendër e Kazasë së Preshevës.

Sipas të dhënave dhe kujtimeve në këtë kohë  thuhet se lindi edhe vallja e njohur preshevare, vallja e Miratocit, e ashtuquajtura “Miratocka”.

Në Preshevë pas viteve 1908-10 ka ekzistuar Semahanja(sallë-lokal për ceremoni fetare) afër Teqesë së Preshevës, ku janë tubuar rinia e asaj kohe. Aty pas lutjeve dhe ceremonive fetare, këndoheshin edhe këngë lirike, patriotike si dhe recitohej. Ky aktivitet ndërpritet me ardhjen dhe vendosjen e familjes së Popoviqëve, në qendër të qytetit, te Kafja e Tozës.

Sipas kujtimeve të Mulla Tefik Osmanit nga Presheva, në qershor të vitit 1930, Grupi i Vallëtarëve dhe i Këngëtarëve nga Presheva, ndër të tjerët ishin edhe Selim Osmani dhe Zejdi Ahmeti, vallëtarë dhe këngëtarë, shkojnë në Beograd dhe marrin pjesë në manifestimin kulturor dhe gjimnastikor të organizatës “Soko” të Jugosllavisë Mbretërore të Jugosllavisë. Grupi i vallëtarëve ishte i veshur me veshje kombëtare, tirqi e xhamadanë. Bile tirqit e zezë vallëtarit Selim Osmanit ia siguroi  Emin Kurbaliu i Preshevës. Pjesëmarrjen e Grupit të vallëtarëve dhe këngëtarëve e shënoi edhe shtypi i atëhershëm jugosllav : pjesëmarrjen e grupit e vërteton edhe fjala përshëndetëse e kryetarit të Shkupit, kur thotë, se në këtë manifestim të forcës dhe të disciplinës nacionale, bashkimit dhe përpjekjeve për një të ardhme më të mirë marrin pjesë të gjitha viset e Banovinës së Vardarit me veshjet e tyre kombëtare/Presheva deri më vitin 1945 i takoi kësaj banovine-autori/.

 Hapat e parë të themelimit të orkestrinës popullore filluan me formimin e shoqërisë muslimane “Hamijet”, nëpërmjet të së cilës zhvilloheshin aktivitetet muzikore. Grupin muzikor e përbënin : Haki Liça-harmonikë, Zenun e Ibrahim Meça nga Gjakova, por jetuan në Preshevë-mandolinë, Sadri Qazimi i Mulla Qazës-def, etjerë.

 

Vallet popullore në Prshevë

 

Vallet popullore të Preshevës janë :

Vallja e Preshevës, e cila ka hap të rëndë, me figura të pasura dhe në këtë valle, vallëtarët lëvizin para dhe pas, sipas ritmit të muzikës. Vallen e kanë luajtur edhe grupi i burrave, edhe grupi i femrave, por ndaras.

Vallja më e njohur preshevare, Vallja e Miratocit “Miratocka” e cila lindi në kohën e mbajtjes së Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mehmet Kajtazi kur shkruan për vallen protestuese mendon në këtë valle. Vallja në fjalë ka dy etapa ritmike, në fillim të valles ka një ritëm të ngadalshëm muzikor e të hapit, ndërsa pjesa e dytë apo e fundit e valles ka ritmin më të shpejtë, por në të dy etapat nuk humbet hapi i rëndë burrëror dhe krenar i valles shqiptare. Vallja ka lidhëshmëri me përcjelljen dhe pritjen e delegatëve preshevarë për në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në shumicën e rasteve, vallja luhet në dasma shqiptare dhe gazmende, por kohëve të fundit luhet edhe koncerte, me koreografi dhe me grupin e femrave.

Vallja preshevare “Ani jam e ligë, ani jam tue dekë” është valle e vjetër, e cila luhet dhe gjatë vallës këndohet. Ka hap të rëndë dhe e luajnë grupi i burrave.

Vallja e Marhamës apo prej Moravës është valle me hap të rëndë, e cila luhet nga grupi i burrave, luhet në dasma gjatë pritjes së nuses dhe gjatë vrapimit të kuajve dhe vrapuesve.

 

Vallja e Deli Agushit, e cila luhet në Preshevë, e lindur në Bilaç, luhet dhe këndohet me tekst mbi legjendën e Deli Agushit në rajon të Luginës së Preshevës, në Karadakun e Preshevës, Gjilanit dhe Shkupit, e ka vua me koreografi edhe Ansambli “Kollo” nga Beogradi.

Vallja “Tarazejbek” është valle e lehtë, qytetare, e cila luhet nga një çift burrash edhe ate karshi-karshi, ballë për ballë. E kanë luajtur vallëtarët e mëhallës së Doganëve dhe Shehlerët /të dhënat gojore mbi vallet i mora nga Sylejman Ahmeti, vallëtar nga Presheva dhe shënime të tjera/.

 

Vallëtarë të vjetër në Preshevë

 

Kadri Halimi në librin e tij : Studime etnologjike, Prishtinë, 1994 shkruan : Vallja e Shpatave /Vallja e Rugovës/ndër shqiptarë është praktikuar në një hapësirë më të madhe e jo vetëm në Rugovë. Ajo ka qenë luajtur e luhet edhe sot në malësinë e Shqipërisë së veriut dhe në shumë vise të Kosovës, në Malësinë e Madhe e trevën e Tuzit, në Dibër e rrethinën e saj. Kjo valle është luajtur edhe në Preshevë e në Karadak. Për virtuozitetin e tij në vallen e shpatave ka qenë i njohur preshevari Xhemajl Dogani. Nëpër dasma, i shoqëruar nga tupani e surlat e luante shumë bukur me një lojtar tjetër. Deri në vdekje ky ruajti shpatën dhe kavallat. I përkiste fisit Këlmend dhe ka vdekur para 3-4 vjetësh.

 Në Preshevë vallëtarë ishin :

Osman Selimi-Zubi i Hallaçëve, Zejdi Ahmeti ishte boem i vërtetë, virtuoz në valle dhe në këngë.Pastaj Lutfi Ahmedi, hoxhë i cili si fëmijë me grupin e vallëtarëve ishte caktuar të merrte pjesë në pritjen e emisarit të sulltan Reshatit në Prishtinë. Ata i bënë përgatitjet e duhura, mirëpo i ati, Aziz Ahmeti nuk e lejoi mulla Lutën të shkojë në Prishtinë. Atëherë edhe grupi i vallëtarëve dhe fëmija Lutfi Ahmeti programin me valle dhe këngë shqipe e paraqitën në qendër të Preshevës.

Më vonë grupi i vallëtarëve, pesëshi i njohur : Demir Demiri – Dema i Alimetëve, Ali Derri, Durak Kasapi i Mullabeqirëve, Hysi i Nijazi Agës së Shehëlerëve dhe Raif Selimi i Llullecëve. Grupi luajti në dasma dhe manifestime të ndryshme në Preshevë e më gjërë.

Pastaj Nuri Aga-Qerimi, Selim Selimi, Ismail Bakllava, muhaxhir i ardhur në Preshevë dhe pastaj shkoi për Turqi.

Grupi i Vallëtarëve i Shoqërisë kulturo-artistike “Abdullah Krashnica” në Preshevë, i cili vallen popullore shqiptare sidomos të Preshevës e bëri të njohur në Luginë, në Maqedoni, Bosnjë e Hercegovinë, në Serbi , në Belgjikë e më gjërë  ishin :

1.Sylejman Ahmeti, vallëtar me një hap të rëndë të valles shqipe, i njohur vallëtar dhe asistent i koreografit të Ansamblit “Shota” në Prishtinë,

2.Ymer Shabani 3.Myfid Aliu 4. Orhan Shabani 5.Durgut Krashnica 6. Veli Veliu 7. Vebi Aliu-Dasa 8. Vahid Mustafa 9. Ramiz Kamberi 10. Muhadin Hyseni dhe 11.Musa Hyseni, i cili ishte i njohur si vallëtar i Ansamblit Akademik “Ramiz Sadiku” në Prishtinë.

 Në fotografi : Ymer Shabani, Durgut Krashnica, Veli Veliu, Myfid Aliu dhe Vebi Aliu-Dasa
Ymer Shabani, Durgut Krashnica, Veli Veliu, Myfid Aliu dhe Vebi Aliu-Dasa
            

Më vonë Në Preshevë kemi një plejadë vallëtarësh të rinjë.

Nga vallëtaret femra ishin më të njohura : Mubera Qerimi, Ifekate Shabani, Zeqavete veliu, Feimja e Rrahmanëve, sidomos u dallua më vonë Çelebije Shehu me virtuozitetin e saj në vallen gjithëshqiptare “Shota”.

Gjithashtu në Preshevë duhet përmendur edhe Ismail Bakllavën, i ardhur muhaxhir në Preshevë, pastaj shkon për Turqi. Për te flitet se ka qenë boem i vërtetë.

Në Rahovicë ishte i njohur Grupi i vallëtarëve të vjetër që e përbënin : Hysen Pajaziti/Cen Paja/ vallëtar i talentuar, humorist dhe këngëtar, Selver Sadiku, Fejzi Hajrullahu, Hasip Kadriu-Bulla dhe Mustafë Kamberi. Grupi i përmendur mori pjesë, në Leban në vitin 1981, në Garat Rajonale të Fshatrave, me programin e valleve burimore preshevare dhe të veshur me tirqi të zi, si në defile në qytet, poashtu edhe në sallën e Shtëpisë së kulturës i mahniti qytetarët e Lebanës me virtuozitetin dhe cilësinë e valleve. Këta në defile, duke luajtur me daulle dhe zurla mbushën qytetin e Lebanës me valle dhe ritme të vallës shquipe, duke defiluar u shkëputën nga grupi dhe filluan të luajnë vallën shqipe sikur shqiponjat me krah hapur dhe duke formuar figura të ndryshme secili në vete, mahnitën gjithë publikun e këtij quteti.

Në Corroticë : Sherifali Ismaili, Hetem Hetemi dhe Mehmet Bajrami

Në Shoshajë : Fejza i Shoshajës.

 

Në Raincë : Ibrahim Ramadani-Ibra i njohur, boem dhe virtuoz në valle, sidomos virtuoziteti i tij shihej dhe vinte në shprehje në vallen e Deli Agushit, që rrallëkush mund ta luante këtë valle sikur ai. Ky ishte i pashëm, me trup të gjatë dhe lehtë luante vallet. Bile shpesh Vallen e Deli Agushit e luante me aq elegancë dhe lehtësi, sa që lirisht duke luajtur shetitte nëpër tavolina në dasma e gazmende. Poashtu për te Sylejman Ahmeti tha se ka pasur hap më të rëndë të valles shqipe dhe më të mirë se çdo vallëtar tjetër. Nijazi Bakani, Çali i Ukajve dhe Haxhi Zejna Abdulli.

Në Zhunicë : Muhamedi i Mullaramëve

Në Bushtran : Shaban Bushtrani, vallëtar me trup të gjatë dhe virtuoz në valle dhe Jahi Bushtrani.

Në Karadak : Xhelil Seferi i Seferëve, vallëtar i njohur.

Në Miratoc :  Destan Miratoci, për të cilin Sylejman Ahmeti thotë se ishte vallëtar i shkëlqyeshëm, i rrallë në rajon.

Pastaj të përmendim edhe Rrustë Latifin dhe Sefer “Capin”. Të themi se valle shqipe  luajtën edhe Dushan Iliq-Tojaga dhe motrat Arizanoviq të Preshevës.

Vallet popullore më së shumti i përcolli daullja dhe zurla, ndër ta më i njohuri ishte daullxhiu Sahiti i Bujanocit.

 

Këngë dhe këngëtarë popullorë në Preshevë

 

Në Preshevë në dasmat, gazmendet e ndryshme shqiptare këndohej epika polifonike me e pa instrumente muzikore(çifteli, sharki, kavalla etj.). Këngëtarët më të njohur të Preshevës dhe të asaj kohe pa dyshim se ishin :

Në Preshevë : Nevzad Halimi i Tërrnavalive, i shkuar më vonë në Kumanovë, Ismail Reka, Shaip Halimi i Tërrnavalive dhe Zijadin Ahmeti i Majancës, Selver e Shukri Emini i Hamishëve, Sylejma Ismaili i Alimetëve. Shumica e këtyre këndonin në duet dhe këndonin këngë kreshnike të quajtura “krahina”, të cilat jo rrallë zgjatnin 15-20 minuta.

Mirëpo ndër ta më i njohuri ishte Selver Ramadani i Kajallarëve, rapsod dhe virtuoz i rrallë me çifteli, i njohur me “zogun” në çifteli që kërcente nën ritmin e çiftelisë. Për herë të parë filloi të këndojë në dasmën e kushëririt Izeir Ahmetit të Kajallarëve, ku i biri ia solli çiftelinë dhe aty këndoi sëbashku me Qamilin e Vogël, i cili kërkoi nga Selveri që të shkonte për të kënduar edhe në Prishtinë. Aty këndoi : “Këngën e Xhamisë” aktuale për atë kohë dhe shumë të njohur. Selver Ramadani këndoi  29 “krahina”. Sipas djalit të tij Sylejman Ramadanit, ai nuk këndoi në dasma, pos asaj tek kushëriri, vetëm këndoi në mëhalla dhe farefis, në ndeja dhe gazmende.

Teksti i “Këngës së Xhamisë së Poshtme” shënuar nga djali i Selverit, Sylejmani :

Hej, se në Preshevë, çka ka bo vaki,

Ishin mbledh dy tri shki të zi,

Në kafe të Tozës paskanë hi,

Në kafe Tozës paskanë bisedue,

Hej xhamisë poshtme me i mshue,

Se xhamisë së epërme s’po guxojmë me i ra,

se shqiptarët po bojnë dervi,

Ky Jagoshi foli, xhamisë së poshtme me i ra,

Se në këtë xhami nuk ka dervi,

Po jut hot Jagoshi i zi,

N’katër anët me ndu dervi,

Kur t’vin shiptart në jaci,

Hudhni bombat në xhami,

Mloni ftyrat me shami,

Shiptart duhet krejt faru,

Hi e pluhun mej maru.

Vargjet e fundit autori i mori nga Arkivi i Institutit Albanologjik në Prishtinë(dosja këngë historike). Kjo ngjarje ndodhi në Xhaminë e Poshtme të Preshevës, ku shumë shqiptarë u plagosën dhe një vdiq nga bombat e hedhura.

Presheva është e njohur për këngë lirike, të kënduara në dasma dhe gazmende. Mirëpo këto janë të shënuara nga hulumtues të tjerë dhe kësaj here nuk do të merrem me to. Por Presheva është e njohur më një këngë lirike, autor i së cilës është Hysen Nexha i Rahovicës. Këtë tekst nga i përmenduri e mori Sylejman Ahmeti, të cilin e përcolli baba Lutfi, mirëpo në vend të tij këngën : „ Gjithë ditën si shotë moj bijë“ e këndoi i vëllau Ihsan Ahmeti i Shehlerëve.

Tekstin ma diktoi Sylejman Ahmeti dhe ia teksti i këngës :

Gjithë ditën si shotë moj bijë, këmbët nëpër ujë,

Mos ia luaj synin djalit të huaj,

Do t’ja luaj, zemrën t’ja pëlcasë,

Ani ish i mirë, e po m’vjen mbas.

Punë e pa punë moj bijë, çka po del tue gardhi,

ja kam dhanë besën ç’atij djali,

ç’atij djali, djalit të ri, o ka po vjen sherri me sapuna n’xhi.

Më vonë këtë këngë e këndoi edhe Qamili i Vogël, me këtë tekst, por pak të ndryshuar.

Këngëtarë të njohur ishin :

Në Preshevë : Sylejman Ahmeti, Faruk Veliu, Musa Hyseni, Jusuf Jusufi, Ali Mustafa e shumë të tjerë.

Në Rahovicë : Tahir Syla dhe Hysen Nexha,

Në Miratoc : Talat Mehmeti,

Në Ranatoc : Aziz Zeqiri, rapsod me kavall dhe çifteli, në duet këndoi me Shefki Aliun.

Në Depcë : Vebi e Latë Ukë Mehmeti.

 

/Kontakti : e-mail :xhemaledin_s@hotmail.com ; mobili : 063 8771423/

 



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora