Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: Përkujtohet Dëshmori nga Llapi, Muharrem Mehmeti

| E diele, 16.05.2010, 09:02 PM |


Në 11 vjetorin e rënies në Koshare

 

PËRKUJTOHET DËSHMORI NGA LLAPI, MUHARREM MEHMETI

 

Nga Milazim KADRIU

 

Në Koshare është përkujtuar në 11 vjetorin e rënies dëshmori nga Llapi, Muharrem Mehmeti. Në betejën e zhvilluar dhjetë vite më parë në Koshare në një dy luftim me forcat serbe në mesin e shumë dëshmorëve bie dëshmorë edhe Muharrem Mehmeti nga Albona (ish Pakashtica) e Besianës. Andaj për të nderuar jetën dhe veprën e dëshmorit në 11 vjetorin e rënies pranë varrit të dëshmorit në Koshare do të bëhen  homazhe dhe do të  vendosën kurora lulesh nga familjarët, të afërmit dhe bashkëluftëtarët e dëshmorit nga Llapi. Muharrem Mehmeti ishte pjesëtarë i Brigadës 138 "Agim Ramadani" të UÇK-së. Jehona e pushkëve për liri bëri që ai të lerë punën dhe jetën luksoze në perëndim, për tu bashkuar shokëve për çlirimin e vendit nga okupatorit serb. Ai ra heroikisht në Koshare më 15 maj 1999 në vendin e quajtur "Rrasa e zogut", aty ku ranë edhe shumë dëshmorë të tjerë në mesin e të cilëve edhe disa nga Llapi. Pas rënies  fillimisht është varrosur në Bajram Curr të Shqipërisë, mirëpo më pas është rivarrosur në Koshare me nderime të larta ushtarake bashkë me dëshmorët  e tjerë të rënë këtu. Muharremi është i vetmi dëshmor llapjanë që është varrosur në Koshare dhe çdo vit në përvjetorin e rënies për të bërë homazhe dhe vendosur kurora lulesh përpos familjarëve shkojnë edhe bashkëluftëtarët e tij , përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetar të tjerë nga Llapi dhe vise tjera të Kosovës.

 

Familja Mehmeti nga Albona (ish Pakashtica) e Llapit ishte e njohur për trimëri. Gjyshi i dëshmorit të kombit, Mehmeti ishte pjesëmarrës i Luftës së Dytë Botërore i radhitur në anën e Ballit Kombëtar. Ai ishte një ballist i shquar gjatë LDB i cili ka marr pjesë në luftë kundër partizanëve shkie të në Brigadën e Hakif Rimanishtës, pastaj në atë të Shaban Polluzhës e pas marrjes së pushtetit nga ana e partizanëve ai del në mal dhe bënë jetë kaçaku bashkë me Ukë e Tal Mavriqin, Avdi e Sejdi Tashefcin, Jahir Metollin, Ismail Thaçin, Ali e Brahim Sollovën, Behram Halitin etj.

 

Babai i Muharremit, Fadili ishte martuar me Fahrie Mustafën nga fshati kufitar Tashefc. Atyre u lindën 10 fëmijë, gjashtë djem e katër vajza : Ekremi, Muharremi, Gazmendi, Latifi, Kujtimi, Shpëtimi, Antigona, Liridona, Marigona dhe Syzana. Muharremi ishte djali i dytë i cili u lind më 3 shkurt të vitit 1981, pra në vitin e demonstrative të mëdha shqiptare masive ku kërkoheshin të drejtat e barabarta të popullit shqiptar me popujt tjerë.

 

Shkollimin fillor Muharremi e filloi dhe e kreu në shkollën e fshatit,shkollimin e mesën e nisi në Shkollën e Mesme Ekonomike "Isa Boletini" në Besianë. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike ai e lë përgjysmë shkollimin e mesëm dhe në vitin 1997 kur kishte vetëm 16 vjet, shkon në Gjermani tek i vëllai Ekremi, për ti ndihmuar familjes. Muharremi fal të vëllait Ekremit nuk e pati vështirë që të gjej punë dhe fitoi leje qëndrimin në Gjermani. Atje filloi një jetë të re por e cila nuk zgjati shumë. Pas një qëndrimi prej dy vjetësh në Magdeburg të Gjermanisë, kur në Kosovë kishte krisur lufta dhe jeta ishte bërë e padurueshme nënë çizmen serbe , dhe kur tani trimat e lirisë të organizuar në UÇK-së , Muharremi dëgjoi thirrjen e Atdheut për Liri, ai iu përgjigj asaj duke lënë punën, vëllain, axhën, shokët dhe jetën luksoze në Gjermani.

 

Masakrat në Drenicë e Dukagjin nga forcat serbe e trazuan shpirtin e njomë të Muharrem Mehmetit. Në atë kohë UÇK-së kishte dal në skenë kudo në Llap, Drenicë, Dukagjinë, luftohej në çdo anë.

 

Muharremi nuk mundi të qëndroi më në Gjermani dhe vendosi të kthehet e të luftoi okupatorin ashtu si e kishte luftuar dikur gjyshi i tij Mehmeti. Po ashtu në luftë ishte i angazhuar edhe i ati Fadili i cili ishte i sistemuar në njësitin e fshatit Albonë. Fadili UÇK-së e ka ndihmuar shumë edhe materialisht.

 

Pasi Muharremi kishte vendosur definitivisht të hynte në luftë ai ishte pajisur me uniformë të UÇK-së. Ishte plot entuziazëm dhe ndihej shumë krenar se po kthehej të luftonte për idealin më të lartë, për më të çmuarën lirinë e vendit. Ai jo vetëm për vete por edhe për shumë shokë kishte blerë uniforma të UÇK-së dhe një sasi të konsiderueshme të armëve. Muharremin e kishin lutur i vëllai dhe axha që ai të qëndronte në Gjermani e ata të vijnë në luftë por ai këtë e kishte kundërshtuar kategorikisht duke u thënë se ai do të shkon në frontet e luftës.

 

Muharremi nga Gjermania së pari vjen në Shqipëri në Burrel, ku bënë përgatitjet e duhura ushtarake 30 ditore. Pas kësaj kohe aty vjen komandanti i Brigadës 138 "Agim Ramadani" për të marr ushtarë shtesë për luftë edhe pse ata kishin bërë ende pak ushtrime ushtarake. Muharremi ishte lajmëruar ndër të parët vullnetar që të shkoi menjëherë në Koshare sepse ai ishte i përgatitur fizikisht dhe moralisht për të kryer detyrat ushtarake. Muharremi u rreshtua në Brigadën 138 "Agim Ramadani", në Batalionin që e komandonte Rrustem Berisha, në njësitin apo skuadrën e Xhabir Toçanit.

 

Muharremi ishte pjesëmarrës i Betejës për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar në Koshare ku luftoi me guxim dhe heroizëm  derisa bie heroikisht në vijën e frontit. Ai ndërroi jetë më 15 maj 1999 pas mesnate në ora 2 e 15 minuta në vendin e quajtur "Rrasa e zogut". Pas rënies ai fillimisht është varrosur në Bajram Curr të Shqipërisë, mirëpo më pas është rivarrosur me nderime të larta ushtarake bashkë me dërshmorët  e tjerë të rënë në Kosohare. Edhe pse Muharremi ishte nga Zona e Llapit ai nuk është tërhequr nga atje ngase familja nuk ka dashur ta ndaj nga shokët me të cilët ka rënë bashkë në këtë betejë.

 

Sa ishte gjallë pasion i tij ka qenë sporti, ku si thonë të afërmit e tij pothuaj se në vendlindjen e tij në Albonë nuk ka lisë që ai nuk i ka hipur në maje. Ai ishte shumë i afërt si me familje ashtu edhe me shokët e tij dhe askush nuk mban mend që dikujt i është hidhëruar ndonjëherë.

 

Njësiti ku ishte i sistemuar Muharremi për komandant kishte Xhabir Toçanin i cili duke kujtuar veprën e dëshmorit ndër tjera thotë se Muharremi një flok kaçurrel të cilat rrallë mund t’ia shihje nga bereta e kuqe me emblemën e UÇK-së, ishte një djalë shumë i lezetshëm, i bukur dhe simpatik me një trup sportisti. Kishte një shkathtësi të madhe fizike dhe mendore . Me ushtrimet që bënte na fascinonte të gjithëve . Fliste në të folmen e Llapit dhe kishte një vokal të këndshëm që shpeshherë mezi prisja ta dëgjoja duke folur. Ushtrimet që ai i bënte gati asnjëri ushtar tjetër nuk mund ti bënte. Ishte vështirë ti ofrohej ndonjëri.

 

Njëri nga bashkëluftëtarët e tij që erdhi nga Gjermania bashkë me te Enver Glloboderi duke kujtuar ato ditë të kaluara bashkë me Muharremin thotë se ai kurrë nuk ka ditur ç'është frika. Ai ka pasur vetëm një frikë , atë se mos nuk do ta pranonin në radhët e UÇK-së, sepse veç sa i kishte mbushur të tetëmbëdhjetë pranverat e jetës së tij, shprehej Enveri.

 

Ndërsa babi i dëshmorit Fadili thotë se unë fare nuk e kam ditur për Muharremin se ka ardhur në luftë . Kam menduar se dikush nga ne duhet të bie për liri. Unë kamë qenë i gatshëm ta bëjë këtë , por doli kështu që ai të bie për liri e unë të jetojë. Nuk e kam ditur, nuk më ka pyetur por ani , se për liri nuk u dashka të pyetet as prindi , se ajo është çështje më e madhe dhe e kemi borxh të gjithë, thotë babai i dëshmorit Fadili që edhe ai kishte rrokur pushkën dhe e luftoi armikun duke mbrojtur fshatin e tij nga hordhitë çetnike.

 

Me rastin e rivarrimit të dëshmorëve të rënë të Brigadës 138 "Agim Ramadani" në Koshare më 23 gusht 1999 shumë nga bashkëluftëtarët me lot në sy janë përkulur para dëshmorit të kombit Muharrem Mehmeti.

 

U vra nga barbarët serb në moshën 18-vjeçare, duke lënë kujtimin e ëmbël për luftëtarët që me te luftuan krah për krah deri në momentet e fundit.

 

Pas vdekjes ai dhe familja e tij janë nderuar me shumë mirënjohje si ajo nga Komandanti i brigadës në Koshare, Rrustem Berisha, mirënjohje nga ZOD të UÇK-së, përkatësisht brigada 138 "Agim Ramadani" , ZOLL të UÇK-së, Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së të Dukagjinit, dhe të Llapit.

 

 

NË KOSHARE, RA TRIMI  NGA LLAPI

 

(Muharrem Mehmetit)

 

Kur Kosova përjetonte

Çaste të vështira të historisë

Nga Gjermania  erdhi

Muharrem Mehmeti, trimi i lirisë.

 

Edhe pse ishte ende i ri

Rroku pushkën në dorë për liri

Uniformën e UÇK – së

E barti me krenari.

 

Në një betejë të ashpër

Në kufirin shqiptaro-shqiptar

Në Koshare, trimi nga Llapi

Heroikisht ka ra.

 

Radhëve të UÇK-së iu bashkua

Me shumë shokë,me  vullnet e dashuri

Në luftë tregoi heroizëm e trimëri

Për veprën e tij, shokët  flasin me krenari.