E shtune, 20.04.2024, 03:02 AM (GMT+1)

Mendime

Pavarësia e njëanshme, një blof i djegur në pokerin për Kosovën, dhe zgjidhja

E marte, 20.11.2007, 07:27 PM


Nga Kastriot Myftaraj

Deklarimet e politikanëve shqiptarë të Kosovës për shpalljen e njëanshme të pavarësisë, në rast se për këtë gjë nuk arrihet një konsensus në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes që kanë tagër të vendosin për statusin e Kosovës, është në të vërtetë një bluff (blëf), me anë të së cilit politika shqiptare e Prishtinës, por dhe SHBA donin t’i bënin vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe në radhë të parë Rusinë, që të pranonin një pavarësi të modifikuar të Kosovës, të quajtur «pavarësi e mbikëqyrur».Por Moska rezistoi se e kuptoi që bluff-i ishte tejet i dukshëm. Një fjalë goje është të thuhet se do të shpallet pavarësia e njëanshme e Kosovës, por është një gjë krejt tjetër që pavarësia të formalizohet juridikisht, çka është e domosdoshme që pavarësia mos të mbetet një retorikë boshe. Por, aspekti juridik i kësaj çështjeje e fut politikën shqiptare të Kosovës në një labirint ku hyhet me shpalljen e njëanshme të pavarësisë, por nuk mund të dilet. Le të supozojmë për një moment se parlamenti i Kosovës do të bëjë shpalljen e njëanshme të pavarësisë pas 10 dhjetorit. Për këtë shpesh bëhet analogjia me shpalljen e pavarësisë nga Sllovenia dhe Kroacia në vitin 1991, gjë që u njoh gradualisht nga bashkësia ndërkombëtare. Por realiteti juridik i Kosovës është krejt i ndryshëm nga ai i Sllovenisë dhe Kroacisë në 1991. Sllovenia dhe Kroacia ishin njësi të federatës jugosllave në rang të republikës dhe kishin, sipas kushtetutës federale, por dhe asaj republikane, të drejtën e vetëvendosjes, deri në shkëputje. Parlamenti republikan i Sllovenisë dhe Kroacisë i kishte atributet kushtetuese për ta marrë vendimin e shpalljes së pavarësisë. Realiteti juridik i Kosovës është krejt i ndryshëm. Parlamenti dhe qeveria e Kosovës janë konstituuar dhe funksionojnë sipas Kornizës Kushtetuese të Kosovës, e cila i është dhënë Kosovës në vitin 2001 nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, në referim të Rezolutës 1244 dhe të cilën kornizë parlamenti i Kosovës thjesht e ka adoptuar, duke mos pasur të drejtë të bëjë asnjë ndryshim në dispozitat e saj. Kreu II i Kornizës Kushtetuese thotë: «Institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes dhe zyrtarët e tyre: Ushtrojnë pushtetin e tyre në përputhje me dispozitat e Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kushtet e përmendura në këtë kornizë kushtetuese». Institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes janë parlamenti, qeveria, presidenti, pushteti vendor, TMK, Shërbimi Policor i Kosovës. Dhe Rezoluta 1244, në nenet 10-11 të saj e përcakton statusin e tashëm të Kosovës si «autonomi substanciale nën administrim të përkohshëm ndërkombëtar të realizuar nga Sekretari i Përgjithshëm me autorizim të Këshillit të Sigurimit derisa të arrihet një zgjidhje përfundimtare». Pra, shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është dhunim i rezolutës 1244 dhe i Kornizës Kushtetuese të Kosovës, si derivat i kësaj rezolute. Në Kreun XIV (neni 1) të Kornizës Kushtetuese të Kosovës thuhet: «Në rast mospajtimi midis kësaj kornize kushtetuese dhe çdo ligji të Kuvendit, përparësi ka kjo kornizë kushtetuese». Kjo do të thotë se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga ana e Kuvendit të Kosovës, çka vjen në kundërshtim me kornizën kushtetuese, që në Kreun I (neni 1) thotë «Kosova është një entitet nën administratën e përkohshme ndërkombëtare», përparësi ka korniza kushtetuese. Në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë politika shqiptare e Kosovës do të gjendet para dilemës të përballimit të konseguencave juridike të këtij akti. Në Kreun 12 të Kornizës Kushtetuese thuhet: «Ushtrimi i përgjegjësive të institucioneve të përkohshme të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes nën këtë Kornizë Kushtetuese nuk ndikon ose nuk e zvogëlon autoritetin e PSSP (Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB- K. Myftaraj) në sigurimin e zbatimit të Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë mbikëqyrjen e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes, mbikëqyrjen e zyrtarëve dhe organizmave të tyre dhe marrjen e masave të duhura kurdo që veprimet e tyre janë të papajtueshme me Rezolutën 1244 (1999) ose me këtë kornizë kushtetuese». Kështu, në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë, sipas kornizës kushtetuese, kjo nuk influencon në statusin e tashëm të Kosovës sipas Rezolutës 1244 dhe Përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm, domethënë shefi i UNMIK, ka detyrimin që ta bëjë nul këtë akt të Kuvendit të Kosovës. Madje me shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga ana e Kuvendit të Kosovës, shefi i UNMIK ka detyrimin që ta shpërndajë Kuvendin e Kosovës dhe ta largojë qeverinë që do ta bëjnë këtë akt, si dhe Presidentin e Kosovës, në rast se pajtohet me këtë akt. Në rast të shpalljes së pavarësisë së njëanshme të Kosovës, do të mbahet mbledhje e jashtëzakonshme i Këshillit të Sigurimit të OKB, që është autoriteti i cili ka autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm të administrojë Kosovën me anë të një përfaqësuesi special. Në këtë mbledhje Rusia do t’i kërkojë Sekretarit të Përgjithshëm dhe përfaqësuesit të tij special në Kosovë, që do të thirret për të raportuar, që të marrë masa për t’i dhënë fund dhunimit të rezolutës 1244, duke shpërndarë Kuvendin e Kosovës dhe duke larguar qeverinë dhe Presidentin aktual të Kosovës. Si kompromis, shefi i UNMIK mund të zgjedhë që thjesht ta konsiderojë të pavlefshme shpalljen e njëanshme të pavarësisë, dhe të veprojë sikur ajo mos të ketë ndodhur. Çfarë do të bëjë në këtë rast Kuvendi, qeveria dhe Presidenti i Kosovës? Në rast se e kanë seriozisht shpalljen e njëanshme të pavarësisë atëherë duhet të abrogojnë kornizën kushtetuese të Kosovës, të shkëputen nga autoriteti i UNMIK dhe të fillojnë punën për të hartuar një kushtetutë të re, ku Kosova do të quhet shtet sovran dhe i pavarur. Në rast se nuk e bëjnë këtë gjë, atëherë shpallja e njëanshme e pavarësisë, nuk do të jetë gjë tjetër, veç një variant i bluff-it. Unë jam i sigurt se parlamenti i Kosovës, qeveria e re, presidenti, nuk do të zgjedhin që të përballojnë seriozisht konseguencat juridike të sfidës së shpalljes të njëanshme të pavarësisë. Kjo për faktin se, në rast se politika shqiptare e Kosovës do t’i hyjë një gueriljeje juridike me UNMIK, kjo do të ketë si pasojë të parë shpërbërjen e KFOR, që është dislokuar dhe vepron në Kosovë si forcë sigurie në bazë të Rezolutës 1244, duke shërbyer si krahu i armatosur i UNMIK, për zbatimin e kësaj rezolute. Por, pjesa më e madhe e vendeve që kanë trupa në kuadrin e KFOR do të gjejnë rastin që t’i tërheqin ato, në rast të një konfrontimi të Prishtinës zyrtare me UNMIK, duke e konsideruar të cënuar Rezolutën 1244. Shumica e vendeve që kanë trupa në KFOR, duke përfshirë dhe vende anëtare të Këshillit të Sigurimit si Franca dhe Britania e Madhe do ta perceptojnë konfrontimin për çështjen e statusit mes politikës shqiptare të Kosovës dhe UNMIK, si një lojë amerikane për të poshtëruar OKB, në dobi të unilateralitetit amerikan në botë. Për shumicën e vendeve që kanë trupa në KFOR, duke përfshirë Francën, Gjermaninë, dhe në sajë të shumicave të tashme parlamentare Italinë dhe Spanjën, ndërhyrja amerikane në Irak në vitin 2003, pa mandatin e OKB, ishte një poshtërim që iu bë qëllimisht OKB nga SHBA, që veproi me arrogancën e superfuqisë unilaterale për t’i dhënë të kuptojë pjesës tjetër të botës se vullneti i SHBA prevalon ligjin ndërkombëtar. Përshtypjet e kësaj janë ende hidhësisht të forta në Europë. Në fakt, për vendet europiane dhe vendet e tjera të botës që kundërshtojnë tendencën e Uashingtonit që vullneti i superfuqisë amerikane të prevalojë mbi ligjin ndërkombëtar, e shikojnë fushatën ushtarake kundër Serbisë, që u bë në 1999, pa autorizimin e OKB, si spektaklin e parë të imponimit amerikan. Tash këto vende nuk mund të rrinë e të shikojnë qetësisht kur një surrogat amerikan, çka është në sytë e tyre politika shqiptare e Kosovës, të poshtërojë OKB-në. Për ta kjo është një projektim në marrëdhënien politika shqiptare e Kosovës-UNMIK, i konfliktit mes SHBA dhe OKB. Në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë, thuajse të gjitha vendet europiane do të tërheqin jo vetëm forcat e tyre në kuadrin e KFOR, por edhe personelin e tyre në kuadrin e UNMIK. E vërteta është që për Kosovën është shumë më e lehtë që të bashkohet me Republikën e Shqipërisë, se të bëhet shtet i pavarur, pasi Shqipëria është tashmë anëtare e OKB. Madje, edhe shpallja e njëanshme e pavarësisë, dhe komplikimet që do të krijojë ajo, mund të ketë vlerë vetëm si justifikim i Prishtinës politike për të filluar të flasë hapur për opsionin e bashkimit me Shqipërinë, si rrugëdalja e vetme nga labirinti juridik ku ka hyrë procesi i definimit të statusit të Kosovës. Gjithsesi, shpallja e njëanshme e pavarësisë, nuk do të mund të materializohet kurrë duke u krijuar një shtet i pavarur i Kosovës. SHBA nuk mund ta bëjnë dot Kosovën të pavarur, por ato mund ta bashkojnë Kosovën me Republikën e Shqipërisë, si mënyra më e thjeshtë dhe më e drejtë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës. Në çështjen e Kosovës nuk janë në lojë thjesht interesat e SHBA në Ballkan, por edhe kredibiliteti i angazhimit amerikan në Europë. SHBA, pas Luftës së Ftohtë janë angazhuar në atë që quhet Europa e Re, një zonë nga Balltiku në Detin Jon, nga Estonia në Shqipëri, duke dalë si garant i sigurisë të vendeve të kësaj zone që tradicionalisht janë rrezikuar nga Rusia dhe Gjermani, ose aleanca e këtyre dy fuqive të mëdha. Në këtë angazhim SHBA kanë interesin e tyre strategjik për të krijuar një zonë-tampon mes Rusisë dhe Gjermanisë. Por, në rast se SHBA nuk tregohen konseguente në Kosovë, atëherë ato do marrin në sytë e vendeve të Europës së Re imazhin e Francës së Marrëveshjes së Mynihut që e humbi kredibilitetin e vet kur e shiti Çekosllovakinë ndaj së cilës kishte marrë detyrime sigurie. Shqiptarët e Republikës së Shqipërisë duhet ta kuptojnë se bashkimi me Kosovën është parakushti që SHBA ta ndihmojnë seriozisht Shqipërinë për të prosperuar ekonomikisht, dhe në çdo pikëpamje, siç kanë bërë dikur për interesa strategjike me Korenë e Jugut, Tajvanin etj. Shqipëria do ta zgjidhë krizën energjetike kur të bashkohet me Kosovën, me anë të centralit bërthamor, i cili do të ndërtohet në Shqipëri edhe për të furnizuar me energji elektrike Kosovën, ku për arsye se është një territor rreth të cilit ka pasur së fundmi kaq konflikte nuk mund të ndërtohet një central bërthamor. Kosova sot ka projekte ambicioze për të prodhuar energji elektrike me anë të termocentraleve të reja me qymyr, por kjo nuk i plotëson nevojat e saj që priten të rriten. I vetmi burim energjie i sigurt për Kosovën, por edhe për pjesën shqiptare të Maqedonisë në perspektivë të bashkuar me Shqipërinë, do të ishte centrali bërthamor i ndërtuar në Republikën e Shqipërisë. Në funksion të kësaj, edhe linja e interkonjeksionit të Shqipërisë me Malin e Zi është projektuar në formë Y, duke shkuar një degëzim nga Vau i Dejës në Kosovë. Rruga Durrës-Kukës (Tiranë-Prishtinë) së bashku em këtë linjë interkonjeksioni dhe në perspektivë edhe me një degëzim të naftësjellësit AMBO, me dalje në Vlorë, në drejtim të Kosovës, do të jenë arteret me të cilat do të ushqehet Kosova dhe që do të përbëjnë boshtin e ekonomisë nacionale shqiptare në aksin Tiranë-Prishtinë. Këto janë projektet ekonomike që do t’i sigurojnë Kosovës prosperimin ekonomik dhe jo utopitë e llojit të planit hipotetik për ngrirjen e çështjes së statusit deri në vitin 2020 në këmbim të një ndihme ekonomike nga Perëndimi për Kosovën, plan që u dha si scoop nga gazeta e Baton Haxhiut, duke iu referuar një burimi anonim ndërkombëtar, dhe për aspektin financiar të të cilit plan njëherë u tha se do të jetë 7 miliardë euro në vit (shumë krejt e pabesueshme), një herë 20 miliardë euro, e një herë 20 miliardë dollarë, shumë gjithashtu e pabesueshme. Bashkimi Europian, ka deklaruar se pas definimit të statusit të Kosovës do të jepte e shumta 1.5 miliard euro për Kosovën, pasi ka pretenduar se në periudhën 1999-2007 ka dhënë 2 miliardë euro (rreth 2.6 miliardë dollarë). Problemi me këtë propozim për ngrirjen e statusit me kundërshpërblim financiar, që në fakt nuk është i vërtetë, por është një truk për të mbështetur politikën e Behgjet Pacollit në Kosovë, është, edhe sikur të ishte i vërtetë, se veprimtaria e ndërkombëtarëve gjatë këtyre tetë viteve të administrimit të Kosovës prej tyre, u jep të drejtë shqiptarëve të Kosovës që të jenë shumë skeptikë ndaj suksesit të një nisme të tillë, edhe sikur të investohet një shumë e tillë. Gjatë këtyre tetë viteve që Kosova është nën administrimin ndërkombëtar, atje janë investuar jo pak para nga ndërkombëtarët, por megjithatë banorët e Kosovës, shumë pak të mira kanë parë prej tyre në realitetin kosovar. Një pjesë e mirë e këtyre parave janë shpenzuar për mbajtjen e burokracisë ndërkombëtare me rroga dhe benefice të tjera të larta, ose janë tretur nga burokratët ndërkombëtarë që vijnë e ikin njëri pas tjetrit dhe që kanë abuzuar shumë me këto para. Këto i kanë deklaruar vetë ndërkombëtarët, dhe ajo që ata kanë thënë dhe denoncuar është vetëm pjesa e dukshme e ajsbergut. Nëse do të fillojë të zbatohet projekti i zhvillimit të Kosovës, duke iu lënë zbatimi i këtij projekti burokracisë ndërkombëtare, qoftë ajo e Brukselit, atëherë me siguri që këto para do të treten dhe shqiptarët e Kosovës përsëri nuk do të shikojnë ndonjë rezultat kushedi se çfarë prej tyre kur projekti të ketë mbaruar. Burokracia e Bashkimit Europian në disa aspekte është dhe më e keqe se ajo e OKB, e cila ka fituar një emër të keq që në kohën e fillimit të shkolonizimit të Afrikës, në vitet pesëdhjetë. Deri më tash, të vetmit precedentë kur ka funksionuar një projekt ndërkombëtar ndihme ekonomike për një vend, janë ato kur partner vendor ka qenë një qeveri e përgjegjshme dhe me kompetenca të plota, siç ka ndodhur me Planin «Marshall», apo me financimet në shuma tepër të mëdha Bashkimit Europian për Greqinë, para dhe pasi kjo të bëhej anëtare e BE, dhe që vazhdojnë edhe sot. Në vende pa traditë të demokracisë dhe shtetit ligjor, që të minimizohen abuzimet e vendorëve, partnerët ndërkombëtarë kanë parapëlqyer një pushtet vendor autoritarist, me shtetarë vendorë sa më tepër puritanë që të jetë e mundur, siç kanë bërë SHBA në Kilin e Pinoçetit, Korenë e Jugut, Izrael apo në Turqi. Prandaj shqiptarët e Kosovës nuk kanë pse ta marrin me entuziazëm alternativën që u ofrohet, pasi me të duan t’i venë në pozitën e magjarit që i venë para syve karotën në majën e shkopit, karotë të cilën ai nuk e arrin kurrë ta shijojë. Kosova e pavarur është një utopi e parealizueshme. Tashmë, kur zgjedhjet e 17 nëntorit në Kosovë mund të konsiderohen si një referendum ku serbët e Kosovës, të cilët e patën dhe një shans për t’ u integruar në Kosovën shumetnike me shqiptarët, votuan (me mungesën e tyre) kundër Kosovës shumetnike, mbetet vetëm të hapet procesi i ndryshimit të kufijve, në mënyrë që Kosova të bashkohet me Shqipërinë. Kosovën shumetnike u përpoq ta krijonte bashkësia ndërkombëtare dhe e vranë serbët. Tashmë shqiptarët e Kosovës nuk mund të marrin pjesë në vuduizmin e ndërkombëtarëve për ta ringjallur këtë kufomë e për t’ia treguar botës si një ersatz-shtet-zombie. Pas Kosovës e ka radhën Maqedonia, së cilës Marrëveshja e Ohrit i dha një shtesë jete si një shtet-zombie, të cilën ajo e konsumoi pa sukses. Shqiptarët e Maqedonisë kanë të drejtë t’i bashkohen shtetit-amë, ashtu si dhe ata të Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës, me çmimin e së cilës Serbia do të paguajë shkëputjen e Kosovës veriore. Po Serbia? Serbia, së bashku me Rusinë, tashmë nuk u ka lënë shqiptarëve alternativë tjetër veç kësaj, dhe këtë alternativë ajo mund ta ndalojë vetëm me luftë, për të cilën ajo duhet të bëjë llogarinë e saj të riskut dhe përfitimit para se t’i hyjë, dhe ajo e di se kjo luftë nuk do të jetë aspak aq e thjeshtë sa ajo e vitit 1998 për të kur i shtypi lehtësisht shqiptarët e armatosur keq të Kosovës. Kjo do të jetë një luftë, ku humbjet e Serbisë do të jenë më të lartat se në luftërat në ish-Jugosllavi, për shkak se këtë herë shqiptarët do të jenë shumë më mirë të armatosur dhe nuk do të jenë të detyruar t’ i kalojnë armët me mushka shpateve të maleve, por do t’ i kalojnë me autokolona nga Republika e Shqipërisë në Kosovë. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora