E shtune, 04.02.2023, 06:45 AM (GMT)

Faleminderit

Mexhid Yvejsi: Shejh Ali Hormova (1902-1984)

E diele, 16.05.2010, 08:58 PM


SHEJH ALI HORMOVA (1902-1984)

 

“Sa të jetë mbi dhe teqeja,

aq do të jetojë dhe shkolla jonë shqipe.”

-  Shejh Ali Hormova

 

Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë

 

Ali Hormova është djali i  dëshmorit Shejh Sheip Veip Hormovës, i cili u vra në Masakrën e Madhe nga shovenistët grekë në vitin 1914.

Në këto luftime të pashembullta kundër pushtuesve grekë nga çeta e Hormovës u manifestuan trimëri të pashembullta: Kënga popullore e përjetësoi trimërinë e Shejh Sheip Veipit, shejhut të Teqesë Halvetiane dhe të Selam Musait, ku  ndër të  tjera thuhet:

 

“Sheip Veipi mjekërbardhë

gjithnjë sulmoi i pari.

Selamit në krahë i qëndrojë,

në ballë tua numërojë.”

 

U lind me 23 prill të vitit 1902 në katundin Hormovë në rrethin e Tepelenës. Rrjedh prej një familje fetare dhe atdhetare, prej së cilës kanë dalë pesë brezni shejhlerësh të tarikatit Halveti.

Ali Hormova, edhe pse kishte mbetur jetim qysh në moshën 12 vjeçare, arriti të shkollohet, të edukohet, të arsimohet.

Në vitin 1923, kur ishte në moshën 21 vjeçare, e hapi shkollën e parë shqipe në vendlindjën e tij, në Hormovë, ku ishte edhe mësuesi i parë në këtë shkollë,  shkollë e cila zhvillonte mësimet nëpër disa oda të Teqesë Halvetiane.

Në Teqenë Halvetiane, ku shërbeu si mësues, Ali Hormova ishte pishtar i arsimit  kombëtar, në rrethin e Hormovës deri në vitin 1930.

Prej vitit 1930 deri në vitin 1935, Ali Hormova ka shërbye, ka krye, detyra me rëndësi, me përgjegjësi nëpër Shqipni që nga Jugu deri në Veri. Ka qenë Kryetar Komune në Therepel të Skraparit, në Zharrës të Fierit, në Breg të Matës në rrethin e Lezhës.

Në rrugën shpirtërore u udhëzue nga Shejh Ibrahim Delvina, i cili ishte murshidi apo udhërrëfyesi i tij, të cilit i ka kushtue edhe një poezi, ku ndër të tjera shkruan:

 

“Kur piva shërbetin

në atë mejdan,

s’e harroj lezetin

hala në gojë e kam....”

 

Pas shtatë vjetëve shërbimi si mësues dhe pesë viteve shërbimi si administrues, në vitin 1936 Ali Hormova u gradue me titullin Shejh i Tarikatit Halveti në Teqenë e Hormovës, ku kishte shërbye babai i tij Shejh Veib Shehu, të cilin e kishin masakrue shovenistët grekë në vitin 1914.

Para Shejh Veibit, në Teqenë e Hormovës kanë shërbue edhe katër brezni shejhlerësh, prej të cilëve i pari apo themeluesi i Teqesë Halvetiane ka qenë Shejh Mehmet Hormova, të cilit Shejh Ali Hormova i kushton  një poezi, ku ndër të tjera thotë:

 

“Vetë më dërgove

në të madhen derë,

ti u garantove,

të pata rehber...”

 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1944), Shejh Ali Hormova  ishte pjesëmarës në luftë me armë në dorë kundër forcave pushtuese fashiste në Shqipni...

Në vitin 1950, Shejh Ali Hormova zgjedhet  Udhëheqës i Tarikatit  Halveti  të Shqipnisë, ku shërbeu deri në vitin 1967, viti kur ndalohet feja, kur “Nëna Parti” e shpalli  “shtetin e parë ateist në botë”, Nanën Shqipni....!

Shejh Ali Hormova ndrroi jetë në vitin 1984, në moshën 82 vjeçare, duke lënë gjurmë në jetën fetare-kombëtare... Për shërbimin e tij, Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës i ka akordue titullin “Nderi i Qarkut”.

Shejh Aliu, përveç shërbimit në arsim, edukim, administratë, besim, udhëheqje në Tarikatin Halveti, është marrë edhe me krijimtari. Ka shkrue shumë vjersha apo poezi, në frymën e bejtexhinjve, me ngjyrë mistike-filozofike....Pothuejse, të gjitha vjershat, poezitë apo ilahitë e tij kanë porosi, ...Porosi plotë frymëzim, të cilat, mjerisht, mbetën në dorëshkrim...

Dorëshkrimet, më në fund, dolën në dritë, që lexuesve t’iu çelen sytë...

Deri më sot, janë botuar katër vepra të Shejh Ali Hormovës, të cilat janë:

 

1. “Këshilla e të Urtit”, poemë, “Pegasi”, 2002

2. “Era e Sabahut”, poezi, “M.Barleti”, 2004

3. “Masakra”, poemë, “M.Barleti”, 2007

4. “Çelma perdenë”, ilahi, “Jonalda”, Berat, 2007

 

Lexues i nderuar! Për të pasë pakëz njohuri, qe disa vargje nga ilahitë e tij.

 

Njësia e Allahut

 

Njësinë e Allahut

Me shpirt vërtetova

dhe Resul’Allahut

vërtet i besova.

 

Besoj Pejgamberë

që Zoti dërgoi,

me Esma thërras

Kur’anin në gojë!

 

Ditën e Gjykimit

e besoj si drita,

është dit’e shpëtimit

është e hollë si sita....

 

 

Ilahia e Teuhidit

 

Mblidhuni ju, dervishanë

hallk në kët mejdan,

La ilahe il-la’Allah

Muhammedur-Resul’Allah!

 

Ziqri ynë, o ashikanë

ndihet në Arshi Ala,

La ilahe il-la’Allah!

 

Në ziqer kush bën devran’,

Ai ësht dervish tamam,

La ilahe il-la’Allah!

 

Kush bën ziqrin me usull,

pa shybe i bëhet kabull,

kush ka ashk në këtë teuhid

ai e bën natën ditë....

 

Këto vjersha të kënduara apo ilahi janë nga përmbledhja e fundit me titull:

“Çelma Perdenë...”, botuar nga “Jonalda”, Berat, 2007, botuar me rastin e 105 vjetorit të lindjes së Shejh Ali Hormovës...

Shejh Ali Hormova ndrroi jetë, kaloi në jetën e vërtetë, në vitin 1984, kur ishte në moshën 82 vjeçare, duke na lënë vepra të cilat e pasurojnë kulturën islamike-shqiptare...



(Vota: 10 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora