E premte, 29.03.2024, 10:40 AM (GMT)

Editorial

Pal Ndrecaj: Për një kritikë konstruktive ndërtuese dhe jorrënuese

E diele, 16.05.2010, 08:59 PM


PËR NJË KRITIKË KONSTRUKTIVE NDËRTUESE DHE JORRËNUESE

                      

Nga PAL NDRECAJ

 

Kritika ndaj qeverisë është duke u larguar nga funksioni i saj ndërtues dhe duke u shndërruar në kritikë në qëllim me vete.

Kritika që i bëhet Qeverisë së Kosovës në mjetet e informimit mbështet në dy teza:

1.         Qeveria e paafte per te udhehequr popullin dhe

2.         Qeveria e korruptuar

Ndonëse këto dy teza kanë edhe mjaft kontradikcion në vete, ndodh që të dyjave t`u bie i njëjti kritik a analist në të njëjten paraqitje publike.

Shkrimet kritike e analitike ndaj Qeverisë janë përditë e më të furishme dhe unë, i vetëdijshëm për të metat e shumta në punët e saj nuk e kam ndërmend ta mbroj atë, por do të merrem me kritikat kundër saj, me përmbajtjen dhe qëllimin e tyre.

Jo gjithmonë kritika që i bëhet Qeverisë në mjetet e informimit ështe qëllimmirë dhe jo përherë ajo synon të përmirësojë diqka. Ne atmosferën tonë kosovare ajo po frymëzohet, pos tjerash, edhe nga xhelozia, nga etja për pushtet si dhe nga një veti krejt tjetër që po bëhet dominuese, nga moda.

Sa kemi argument të konstatojme kritikën si mjet për t`i hapur kritikuesit rrugën për ngijte në pushtet na ndihmojnë disa raste kur kritikët më të ashpër të Qeverisë, pas realizimit të qëllimit të tyre, kooptimit në Qeveri, nuk bëzajnë më për asnjë dobësi, thuajse me hyrjen e tyre aty gjithqka ka marrë rrugë të mbarë!  Vetia tjetër që bëhet frymëzuese për kritika është xhelozia,e  cila eshte veti gjenetike jona. Kurse më e rrezikshmja është kritika për hir të “modës”.

Të kritikosh Qeverinë është modë dhe modë nga më të preferuarat!

E kaluara jo  e largët na ka treguar në shumë raste se sa shumë i ka bërë dëm popullit një kritikë e  tillë. Le të kujtojmë kohën kur para shpalljes së Pavarësisë kritikët e Qeverisë përhapnin panik duke vënë në pyetje shpalljen e saj, pas Pavarësisë panikun tjetër për gjoja hapjen e sërishme të temës së statusit, jo për të ndihmuar gjë por për ta rrëzuar Qeverinë. Një panik i tillë u përhap edhe para pak ditësh nga një publicist me zë, i cili tha se do të ketë prapë bisedime për statusin, ndërkohë që vetëm pak ditë më pas kjo u demantua nga amerikanët, të cilët punën e statusit e quajnë të mbyllur përgjithmonë. Nëse vërtetë të ashtuquajturit analistë a kritikë nuk e kanë besuar se Pavarësia do të shpallet, dhe këtë mu deri në momentin e shpalljes, pas shpalljes së saj ata nuk mbajnë më të drejtë morale te merren me atë punë.

Kosova vërtetë ka një Qeveri që ka dështuar në shumë sfera. Këtë të gjithë e dimë, por kritika duhet të përqëndrohet tek sferat ku ka aso dështime dhe jo  të kërkohet në mënyrë radikale ndërrimi i saj. Sepse edhe po të bëhej një gjë e tillë, edhee po të sillnim një tjetër qeveri, as ajo nuk do të jetë e pagabueshme dhe, sipas kësaj logjike, që në gabimin e parë do të duhej të kërkohej edhe ndërrimi i saj. E duhet të pyesim veten nganjëherë se a kemi kohë të ndërrojmë për çdo vit nga një qeveri dhe a është kjo një punë me mend? Duke e përqëndruar kritikën tek dobësitë kritika merr karakter ndërtues, duke e përqëndruar tek rrëzimi i Qeverisë, kritika humb kredibilitetin e saj dhe merr karakter shkatërrues. Afër mendsh, e humb kredibilitetin një kritikë që synon ta quajë të paaftë Qeverinë, e cila në radhët e saj ka intelektualë të sferave të ndryshme, ekspertë të zotë e njerëz të dëshmuar më shumë se çdo qeveri tjetër e mëparshme, sikurse ka edhe debillë e gjysmakë sa  të duash, në të gjitha nivelet, si në ato lokale ashtu edhe në ato qendrore.

Populli, fundi i fundit e votoi këtë Qeveri dhe ajo nuk erdhi me vota të vjedhura. Zgjedhjet qenë vlerësuar si reale dhe demokratike. Qeveria e sotme është ndër më properëndimoret në Ballkan. Me këtë Qeveri Kosova shpalli Pavarësinë e saj. Rruga deri tek Pavarësia nuk ishte edhe aq e lehtë. U deshën plotësuar disa kushte dhe u desh bindur miqtë ndërkombëtarë për disa kushte tjera, si përkujdesja për pakicat, etj. E ata i besuan kësaj Qeverie që ne nuk i besojmë! Nuk duhet harruar as faktin se shumë personalitete politike të botës, përfshirë Bushin dhe Merkelin, kanë potencuar se në Kosovë janë bërë përparime të dukshme. E këto përparime janë bërë me këtë Qeveri, nuk kanë ardhur vetiu. Nuk besoj se këto personalitete të shquara të botës kanë dashur ta gënjejnë popullin tonë e t`i lënë barrë një qeveri të keqe. Këso mbrapshtina dimë të bëjmë vetëm ne për veten tonë.

Atëherë, a e dinë kritikët e këtij kalibri sa pak u beson populli?

Personalisht më se paku e kam dashur politikën. Më së paku i kam dashur postet. Ato vërtetë më janë gërditur kur: në drejtorinë e  kulurës, p.sh. kam parë njerëz që nuk kanë lexuar KURRË  në jetën e tyre një roman, kur në drejtorinë e arsimit kam parë njerëz që KURRË  në jetën e tyre nuk kanë qenë në gjendje të shkruajnë një fjali pa një shumësi gabimesh gjuhësore, kur në shumë e shumë drejtori kam parë njerëz që nuk e njihnin rregulloren e atëhershme, që zëvendësonte ligjet e sotme, por punonin si nëpër mjegull. Pra njerëz me arsim të dyshimtë. Dhe ndonëse punoja si gazetar it ë përditshmes më të madhe, i “Kohës ditore”, kurrë nuk i kam rënë në qafë Qeverisë me të njëjtin qëllim që bëhet sot, rrëzuarjen e saj, por kam kritikuar sferën përkatëse ku manifestoheshin dobësi të tilla, që në kushtet e atëhershme kishin mundësi të evitoheshin.

Sot, kur lexojmë disa kritika, na duket sikur në Kosovë ende kemi qeverinë serbe, e cila me strategji pengon zhvillimin e vendit tonë.

Shoqëria pa kritikë  nuk mund t`i realizojë funksionet e saj si shoqëri moderne, por ajo (kritika) duhet të vetëdijesohet vet së pari për misionin dhe qëllimin e saj dhe jo kritikë “Futja kot!”.

Në rast të një ndërrimi radikal të Qeverisë, sot për sot alternativat e mundshme janë: LDK, AAK, AKR. Por, kush na garanton se me ardhjen e këtyre partive në pushtet punët do të shkojnë më mirë? Prandaj, o burra, të mbledhim mendtë e të presim zgjedhjet tjera. Deri atëherë mbajeni popullin të informuar në mënyrë të saktë për punën e Qeverisë dhe ai do ta ndërrojë vet atë në mënyrë paqësore, tek kutitë e votimit. Pra, nëse doni një qeveri më të mirë punoni ju  së pari mirë në informim, sepse, kështu, populli zor do t`u besojë dhe, dikush që nuk na beson, bën të kundërten e asaj që duam ne.

Është ligj i vjetër i njerëzimit ky.

Prandaj, kritikë me mend e jo “Futja kot!”



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora