E premte, 29.03.2024, 01:13 AM (GMT)

Mendime

Ali Podrimja: Nëna Tereza dhe Kisha shqiptare

E hene, 19.11.2007, 10:42 PM


Nëna Tereza dhe Kisha shqiptare

Nga Ali Podrimja

Një i urtë ka thënë se gjuha e përcakton atdheun, prejardhjen… Po qe se vdes ajo, nuk ka gjë më të dhimbshme. Humbësit u ngjajnë patave në mjegull. Rreth kësaj plage njerëzore kam pas rast të dëgjoj gjëra rrëqethëse. Nuk mund të pajtohesha me fundin. Shikoheshim sy më sy dhe mbyllesha në dhimbje, derisa praninë e tyre nuk e ndieja më. Tek kujtoja njërën nga historitë e shumta, shikimet e lëvizjet memece të një vogëlushi me emrin Alban, që e kisha njohur në Këln të Gjermanisë, kap në telefon zërin nga një largësi e madhe. Me vëmendje përcjell theksimin magjik të fjalëve shqipe, një recitim i qetë. Ishin ca lutje e urata që nuk dija kush i thoshte. Fjalët më bëheshin se shpërthenin nga brendia e dheut tonë; se ngërthenin lashtësi dhe magji të veçantë e domethënëse rreth përcaktimit. Por, zëri i kujt ishte në anën tjetër të telit nuk e dija, megjithëse mesazhet më dukeshin të afërta.

E kisha lutur mikun të ma mundësojë dëgjimin edhe një herë. Kisha dëgjuar prapë lutjet me theksim karakteristik. Pas një kohe heshtja kishte rënë dhe ishte dëgjuar miku nga New Yorku: E dëgjove Nënën Terezë? Edhe një fakt i fortë për riatdhesimin e saj. Unë, zatën, nuk kisha pasur fat ta takoja, as ta dëgjoja të lumen, si i shqiptonte fjalët në gjuhën shqipe. Por, madhështinë e saj shpirtërore e kombëtare e kisha zbuluar në poezitë e lutjet e saj, që i përmblodha në një libër, i cili për pak kishte shkaktuar konflikt ndërshtetëror.

Ngritjen e Katedrales në Prishtinë e kisha bërë çështje. Ajo duhet ta mbajë dhe emrin e Nënës Terezë. Kisha hedhur idenë se zëri i kësaj të Shenjtëruere të dëgjohet në çdo meshë edhe në Kishën shqiptare, pra menjëherë pas Ungjillit, Fjalës së Zotit. Pas leximit të teksteve që disponoja isha përcaktuar për uratën "Puna e pendimit", që Nëna Terezë e kishte thënë vazhdimisht dhe në vetminë e madhe e skutat varfanjake të Kalkutës. Bile dhe në momentin e fundit, kur po kalonte në botën e tejme.

Arsyet se kjo uratë dhe zëri i saj duhet të dëgjohen në Kishën shqiptare janë: së pari, urata ngërthen në vete një sinqeritet dhe respekt ndaj Zotit. Së dyti, në religjion zëri është i veçantë, pra mund të jetë dhe zëri i vendit. Ç'është e vërteta, lutjet as uratat në gjuhën shqipe Ajo nuk i kishte harruar për të gjallë, as nuk mund t'i thoshte në një gjuhë tjetër. Nuk e kishin atë bukurinë që e kishte ndierë që në fëmijëri, as nuk mund t'ia përkujtonin vendlindjen, prejardhjen. Kemi të bëjmë me kujtesën dhe respektin ndaj të kaluarës, pra nuk kishte pranuar të shkëputet nga diçka e shenjtë që e lartësoi dhe në rrafshin kombëtar.

Është interesant të theksohet se botuesi i "Kanunit të Lekë Dukagjinit" dhe ca veprave madhore nga Kultura shqiptare në gjuhën angleze, Gjekë Gjonlekaj tregon si kishte arritur t'i incizojë lutjet dhe uratat e Nënës Terezë. Nga takimet që kishte pasur me të, ndodh që në vitin 1986, tek po zhvillonte një bisedë për "Zërin e Amerikës", Nëna Terezë papritur zë t'ia thotë ca lutje e urata në gjuhën shqipe. Kjo do mbetet ditë e paharruar për botuesin e publicistin e njohur. Me xhelozinë më të madhe i kishte ruajtur ato në arkivin e vet, nga i cili do i nxjerrë ditën, kur u shtrua çështja e riatdhesimit të saj nga një grup intelektualësh nga tërë hapësira shqiptare dhe kur gllabëruesit e historisë sonë filluan të hedhin hipoteza të shumta rreth origjinës së saj.

Teksti i uratës "Puna e pendimit" ka mesazh domethënës: shpëlarja e Njeriut nga të gjitha mëkatet dhe respekti ndaj të mirës që na ofron Zoti, i cili është i pranishëm dhe gjithmonë fuqishëm. Urata tërheq vëmendjen dhe te toleranca në mes të fuqisë dhe besimit. Mu për këtë Kisha shqiptare do e nderonte veten para së gjithash, se çdo meshë me besimtarët shqiptarë do të ishte e pranishme Nëna Tereze me zërin e saj.

Sipas njoftimeve, Gjekë Gjonlekaj, i cili pati nderin të inçizojë i pari dhe ndoshta i vetmi lutjet dhe uratat nga kjo emblemë kombëtare, çdo kishe në hapësirën shqiptare që do e vë këtë në kodin e vet do t'ia dhurojë disketën bashkë me ca lutje të tjera të thëna nga Nëna Terezë. Unë emrin e kam Ali, por nuk do të thotë se nuk kam të drejtë të jap ndonjë ide për të mirën e Kishës sonë. Nuk pranoj talabanizmin, as fërkimet mes besimeve tona. Të mos harrojmë se respekti dhe mirëkuptimi mes besimeve shqiptare kishte fascinuar dhe Tagoren e madh. Pra, nuk dua "dallimet (besimet, AP) t'i shndërroj në ndasi dhe këto ndasi (dikush) t'i përdorë si justifikim" (Salman Rushdie).

Ne shqiptarët nuk jemi parë, as duhet të shihemi në bazë të besimeve. Detyrë e akëcilit është të avancojmë dinjitetin dhe shqiptarinë. Shkaku i ndonjë çështjeje shpesh kisha pranuar dhe dorëshkrime bruto të religjionit t'i kthejë në normalitet. I liroja nga gjërat e tepërta, i sistemoja dhe u jepja fizionominë e librit. Punën time nuk e konsideroja kohë të humbur, sepse inkuadrohesha në çështje të popullit tim. E bëj këtë për arsye se mbështes: vlerat tona intelektuale e njerëzore, duhet t'ua ofrojmë dhe metropoleve, të dëshmojmë se kush jemi e nga vijmë; po ashtu personalitetin e Nënës Terezë e shoh në korniza të kombëtares me përmasa të universales e që njerëzimi e pranoi si vlerë të pakontestueshme.

E mbyll këtë ese me një thënie të Shën Gjonit: "Duani njëri tjetrin, siç ju kam dashur unë juve".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora