Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shkëlqimi dhe rënia e Ansamblit Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore

| E hene, 19.11.2007, 10:01 PM |


Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore feston 50-vjetorin e krijimit

Nga Flori Slatina

Përvjetori i Artë, 50-vjetori, i AKVP është përjetësuar me një libër biografik për këtë institucion të rëndësishëm kombëtar. Është muzikologu dhe përgjegjësi i Arkivit të TKOB, z. Zamir Këlliçi i cili sjell për lexuesit dhe gjithë dashamirët e këtij institucion këtë libër të çmuar, ku përmblidhet e gjithë jeta, biografia, repertori, turnetë, sukseset dhe emrat e lavdishëm të AKVP në këto 50 vjet. Pas disa librave biografikë, ky libër i z. Këlliçi përmbledh në mënyrë të shpejtë e kronologjike gjithë veprimtarinë e institucionit. I ndarë në shtatë kapituj, libri përmbledh një historik të shkurtër të institucionit, më pas vijon lista emërore e artistëve dhe titullarëve, të shoqëruara me foto. Repertori dhe aktiviteti artistik i AKKVP në 50 vjet janë një tjetër pjesë e rëndësishme e librit. Ndërsa për të gjithë ata që kërkojnë të dinë më shumë, z. Këlliçi është interesuar dhe për bibliografinë, ku personalitete, gazetarë artistë kanë pasqyruar në faqet e shtypit veprimtarinë 50-vjeçare të institucionit.
“Që të shkruash një libër për AKKVP është përgjegjësi e madhe, - shprehet autori në parathënie, - mbasi në harkun kohor të 50 viteve kanë kontribuar dhe punuar me qindra artistë të niveleve dhe profesioneve të ndryshme, ku një pjesë e tyre sot janë në themelet e muzikës dhe koreografisë së kombit tonë. Jam munduar të shkruaj një libër sa më konciz e sa më realist”.
Duke ndjekur historinë e Ansamblit, e cila pasqyrohet gjerësisht në pikat më kulminante të saj në librin e z. Këlliçi, nuk ka sesi të mos shprehësh keqardhje për këtë institucion që sot e ka humbur lavdinë e dikurshme. Nuk është faji i shtetit, as artistët nuk kanë faj, por mesa duket, është çështje menaxhimi. Ansambli kërkon tjetër menaxhim, kërkon tjetër këndvështrim, kërkon artistë të rinj, personalitete, freski si në talente, ashtu edhe në repertor, pasi janë ato valle e ato krijime që i kemi parë që në kohën e Kanaçit, të shfaqura e stërshfaqura me qindra herë, ndaj del e nevojshme një organizim më rrënjësor. Bashkimi i tij këtë vit me TKOB, mund të sjellë një ndryshim, por që ky ndryshim të jetë i dukshëm, le të fillojë gradualisht e frutet e të cilit t’i korrim dekadën tjetër.
Merita e autorit qëndron në faktin se libri është i referueshëm, i shkruar me korrektësi, me ngjarje, fakte e dokumente të pakontestueshme, është një pikë referimi jo vetëm për vetë artistët protagonist; apo brezat që vijnë, por edhe ndihm; e çmuar për median dhe për të gjithë dashamirët e artit tonë.
Për lexuesin kemi shkëputur disa fragmente nga kapitiulli i parë i librit të shkruar me kopetencë e me mjeshtëri nga z. Zamir Këlliçi, një histori e përmbledhur e AKKV.

***
Fillimet e “AKKVP” janë që para formimit të “Filarmonisë Shqiptare” (1950), tek ato shfaqje dhe premiera që jepeshin në sheshe, stadiume, apo salla të ndryshme si: “Dasma shqiptare” (1947), “Vëllazërimi i popujve” (1950), “Flamuri i paqes” (1952) etj .. Shumë nga këta artistë amatorë të këtyre shfaqjeve (valltarë, këngëtarë, instrumentistë), si dhe një pjesë e artistëve të dalë nga “Filarmonia” dhe “Teatri i Operës dhe Baletit” (1953), në vjeshtën e vitit 1957 formuan “AKVP”, sot “AKKVP”. Në pesë dekada jete ky Ansambël ka formuar një autoritet dhe fizionomi të qartë kombëtare, ka ekzekutuar një repertor të gjerë dhe të larmishëm, ka gëzuar dhe inspiruar popullin tonë përmes këngëve e valleve të veta me ndjesi e pasione të mrekullueshme. Por pesëdhjetë vjet në jetën e një ansambli janë edhe pak, pasi gurra e pashtershme e krijimtarisë popullore, në të cilin u ushqye dhe ushqehet ky Ansambël, është shumëshekullore, e moçme dhe e re, e pashtershme si shpirti dhe gjenia krijuese e popullit tonë, që është një histori sa e lashtë aq dhe e re. Folku ynë shquhet nga ai i vendeve të tjera për origjinalitetin, lashtësinë si dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike dhe kostumografike. Shqipëria ka shumë zona etnografike, ku secila prej tyre ka veçoritë e saj në këngë, valle, rite, zakone, doke dhe kostume, të cilat edhe brenda një treve kanë origjinalitete dhe larmi të ndryshme. Ky folklor kaq i larmishëm dhe i mrekullueshëm, i shpërndarë në të gjithë territorin tonë, është aq i shumëllojshëm por edhe shumë i veçantë në të gjithë Ballkanin dhe më gjerë, saqë ky fenomen ka habitur shumë studiues të etnomuzikologjisë, koreografë dhe kostumografë. Ishte ky thesar i çmuar i folklorit tonë që nxiti kompozitorët, koreografet, valltarët, instrumentistët, këngëtarët, kostumografet etj., për të krijuar dhe interpretuar këngë, valle, pjesë instrumentale aq të suksesshme që “AKKVP” i pati dhe i ka në repertorin e tij gjatë këtyre pesëdhjetë viteve të aktivitetit të tij artistik si brenda dhe jashtë shtetit. Pra, vjeshta e vitit 1957 është stina e pagëzimit të “AKKVP”, ku në krye të cilit u vunë kompozitori i madh Çesk Zadeja (“Artist i Popullit”) dhe koreografi i talentuar Gëzim Kaceli (“Artist i merituar”). Sot ansambli ynë, me gjithë luhatjet e tij në vite, ka grumbulluar një përvojë tepër të vyer, është bërë një nga institucionet më të rëndësishëm të vendit tonë për ruajtjen, përpunimin dhe përhapjen mbi kritere shkencore të vlerave më të spikatura të folklorit tonë muzikor dhe koreografik, të transmetuara brez pas brezi. Mbështetja e ansamblit te kjo pasuri e pashtershme popullore, ekspeditat e ndryshme të zhvilluara në vendin tonë dhe në të gjitha trevat shqiptare (Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi)ë si dhe tek arbëreshët e Italisë, bëri që ky Ansambël të jetë jo vetëm krenaria e kulturës dhe muzikës sonë tradicionale shqiptare, por të jetë i suksesshëm edhe nëpër botë, duke mahnitur edhe studiues, kritikë, folkloristë etj. nga mbarë bota. “AKKVP” fëmijërinë e tij e nisi me një grusht artistësh të talentuar nga e gjithë Shqipëria, që ishin të apasionuar dhe të talentuar mbas muzikës dhe valles popullore.
Me punën e tyre të palodhur dhe shumë të suksesshme këngëtarët, valltarët, kompozitorët, koreografët, instrumentistët dhe kostumografët etj., vunë themelet e krijimit të një Ansambli me natyrë thellësisht kombëtare. Pa dyshim, për ta çuar përpara dhe për ta mbajtur lart emrin e “AKKVP”, një rol vendimtar kanë luajtur Artistët e Popullit: Çesk Zadeja, Tish Daija, Panajot Kanaçi, Vaçe Zela, Ibrahim Tukiçi, Ibrahim Madhië Artistët e merituar: Luçie Miloti, Fitnete Rexha, Naile Hoxha, Xhevdet HafIzi, Hafsa Zyberi, Irini Qirjako (Mjeshtre e Madhe e Punës), Milto Vako, Xhemal Laci, Agim Krajka, Aleksandër Peçi, Limos Dizdari, Haxhi Dalipi, Besim Zekthi (Mjeshtër i Madh i Punës), Lefta Mullisi, Enver Birko, Mediha Lubonja, Liljana Cingu, Rexhep Çeliku (Mjeshtër i Madh i Punës), Hysen Devolli, Ksenofon Dilo e shumë e shumë artistë të tjerë të talentuar. Puna pasionante e “AKKVP” është ndjerë dhe ka rrezatuar në krejt vendin tonë dhe më gjerë. Aktiviteti artistik i Ansamblit është ndjekur kurdoherë me dashuri, kërshëri dhe interes të veçantë nga spektatorët dhe artdashësit e shumtë, që gjenin dhe gjejnë te këngët, vallet dhe pjesët instrumentale të tij zjarrin e shpirtit mbarëshqiptar, mendimet e thella dhe ndjenjat e pastra të popullit, heroizmin dhe trimërinë, bujarinë tradicionale, lirizmin delikat dhe epizmin burrëror të zemrës së tij të madhe. Jeta dhe puna e palodhur e me ndjenjë të lartë përgjegjësie i mësoi dhe i edukoi artistët e talentuar të këtij Ansambli, se si të rrinin gju më gju me popullin, të merrnin nga populli krijimin burimor, ta ruajnë dhe ta mbajnë atë të freskët dhe kurdoherë vital këtë thesar, që përbën një pasuri të paçmuar kombëtare për mbarë vendin dhe popullin tonë dhe më gjerë. Sot ne krenohemi për vlerësimet që u janë bërë dhe i bëhen “AKKVP” si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij, për trofetë dhe çmimet e fituara në konkurset e festivalet e ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Është për t’u theksuar se ndryshe nga shumë institucione të tjera artistike, artistët e TKOB dhe të AKKVP u mblodhën rreth njëri-tjetrit dhe me këmbëngulje e vetëmohim vazhduan veprimtarinë artistike pa ndërprerje, duke dhënë shfaqje si brenda edhe jashtë vendit me gjithë mungesat e mëdha si njerëzore ashtu edhe në zbehjen e frymës artistike. Për kuriozitetin e lexuesit, gjatë viteve të tranzicionit (1991-2007) nga TKOB dhe AKKVP janë larguar jashtë vendit mbi 200 artistë dhe në rang vendi mbi 500 të profileve instrumentistë, valltarë, këngëtarë, kompozitorë, piktorë, regjisorë, shkrimtarë, kineastë etj. Nuk mund të anashkalohet vendimi i Ministrisë së Kulturës të atyre viteve që AKKVP të ndahej nga TKOB dhe ky vendim ishte shumë i drejtë dhe në kohën e duhur.
Gjatë këtij gjysmë shekulli Ansambli ka realizuar mbi 100 premiera me repertor nga më të zgjedhurit, të spikaturit, dhe të larmishëm, në këtë hark kohor ka realizuar dhe shfaqur nëpër skena të ndryshme të vendit mbi 10.000 shfaqje dhe mbi 600 shfaqje në të gjitha kontinentet e botës. “AKKVP” ka në repertorin e tij të artë mbi 100 valle me motive dhe muzikë nga të gj itha krahinat e vendit tonë dhe më gjerë, me tematikë të larmishme, me koreografi e muzikë të spikatur, ku shumë prej tyre kanë hyrë në fondin e artë jo vetëm të “AKKVP”, por edhe të vetë kulturës dhe muzikës mbarëkombëtare. Me mijëra janë këngët popullore, të përpunuara dhe të krijuara, që ka lëvruar dhe lëvron ky Ansambël 50 - vjeçar dhe te këto këngë këngëtarët e shquar (solistë), kanë pasur suksese në interpretimet e tyre të mrekullueshme. Vlera të mëdha artistike të padiskutueshme ka pasur orkestrina, ku në gjirin e saj ka pasur dhe ka instrumentistë virtuozë dhe të talentuar. Elementi këngëtar solist është shquar për talentin dhe individualitetin sipas krahinave të vendit. Repertori i pasur dhe i larmishëm i tyre ka bërë që një pjesë e këtyre këngëtarëve të mëdhenj të jenë krenaria e “AKKVP” dhe më gjerë. Trupa e korit (sot kompleksi vokal), me repertorin e tij, elementet përbërës, ka qenë dhe është një nga sektorët e suksesshëm të Ansamblit. Vlerë të madhe kanë këngët dhe koralet e përpunuara për zëra të ndryshëm, që për nga cilësia dhe profesionalizmi janë kryevepra të repertorit të artë të tij. Nuk mund të lëmë pa përmendur larminë e kostumeve popullore, lashtësinë, shumëllojshmërinë, bukurinë e origjinalitetin e tyre. Këto kostume popullore janë pasuria e paçmuar e Ansamblit, jo vetëm për ato çka theksuam, por edhe nga larmia e ngjyrave, modeleve dhe ornamenteve, ato janë çmuar si vlera të rralla të kulturës sonë tradicionale të kombit tonë, pse mos të themi dhe më gjerë.
Sot “AKKVP” ka në gjirin e tij artistë të talentuar si va11tarë, këngëtarë, instrumentistë etj.ë ai përbëhet nga grupi i valleve, kompleksi vokal me solistët, orkestrina dhe sektori i administratës, ku i gjithë elementi përbërës i këtyre sektorëve artistikë është nga më të zgjedhurit për talentin dhe nivelin e tyre artistik.
I gjithë ky aktivitet, i cili kërkonte larmi, disiplinë, përgjegjësi administrative dhe artistike ka pasur, qysh në themelim Selman Kasapin, drejtorin e parë të përgjithshëm të “AKKVP” në vitet 1957-1965. Në këto vite godina e Ansamblit ka qenë tek “Estrada e Tiranës”, dhe në vitin 1966 transferohet te “Pallati i Madh i Kulturës”, (T.O.B.) ku ndodhet edhe sot.
Më pas emërohen të tjerë drejtorë të përgjithshëm si: Koço Vasili, Mustafa Gërcalliu, Xhemil Simixhiu, Riza Hajro, Ermir Dizdari (Ansambli ndahet nga TOB). Agron Xoxa (Ansambli bashkohet me TOB), Vaso Tole, Zana Çela, Haxhi Dalipi (sërish Ansambli ndahet nga TOB duke marrë emërtesën “Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve Popullore) Lejla Agolli, Zhani Ciko (Ansambli sërish bashkohet me TKOB).
Kolektivi i tij sot përbëhet nga 48 persona nga ku 37 janë artistë dhe pjesa tjetër i përket administratës.
Grupi i valleve përbëhet nga 16 valltarë (8 çifte) nga këto 5 valltarë janë solistë me kooropetitor Rexhep Çelikun.
Grupi vokal ka 11 këngëtarë ku 3 vokalistë janë solistë me dirigjent Gramoz Burbën.
Orkestrina përbëhet nga 10 orkestrantë me përgjegjës Fatmir Fanin. Formacioni përbëhet nga këto instrumente: Fizarmonikë, violinë, f1aut, oboe, 2 klarineta, llautë, k:/bass, lodër, dajre.
Sektori i administratës dhe prapavijës ka në përbërjen e tij 11 punonjës.