E marte, 19.03.2024, 05:25 AM (GMT)

Kulturë

Vlora

E merkure, 04.04.2007, 06:40 PM


Vlora në lashtësi quhej Aulona. Ajo përmendet nga shumë udhëtarë dhe kronikanë të huaj, si një nga qytetet - skelë kryesore të Ilirisë së Jugut, që lulëzoi pas rënies së Apollonisë dhe Orikut.
Emri i Vlorës është ndër të paktët emra gjeografike të bregdetit lindor të Adriatikut që i ka qëndruar kohës qysh nga lashtësia. Në bregdetin e banuar sot nga popullsia shqiptare, ky emër gjeografik del i një lashtësie pak a shumë të përafërt me ato të Durrësit, Shkodrës, Lezhës dhe Ulqinit. Këta emra gjeografik nuk do t'i kishin rezistuar kohës në rast se vendbanimet e emërtuara prej tyre nuk do të kishin pasur një vazhdimësi përdorimi në radhë të shekujve… Një pjesë e mirë e popullsisë së trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve mundi t'i rezistonte proçesit të romanizimit dhe më pas të sllavizimit, që përfshiu pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik", nënvizon në studimet e veta akademiku Prof. Shaban Demiraj.

Sipas materialeve arkeologjike, dëshmohet se në bregdetin e Vlorës, ashtu edhe në prapavijën e tij, për vendbanime parahistorike e zhvillime ekonomike-kulturore të shumë qytezave e qendrave urbane dallohej karakteri i tyre fortifikues-mbrojtës.
Të tilla janë ato të "Shpellave të Velçës", "Shpellave të shkruara të Lepenicës" (nga më të rrallat në Ballkan e Mesdhe), "Shpellat e Spilesë" (Himarë) apo "Mozaikët e Mesaplikut", pasuri e rrallë kombëtare. Vendbanimet tumulare të Vajzës, Dukatit, Mavrovës, "Pitosa" të Mallkeqit tregojnë për autoktoninë dhe vazhdimesinë etno-kulturore të ilirëve në periudhën e bronxit dhe të hekurit.
E njëjta gjë dëshmohet edhe në vendbanimet e tjera të lashtësisë që janë qytete-kala si Amantia, Olympia, Kanina, Himara, Cerja, Armeni, Hadëraj, Triporti dhe vet Vlora (Aulona) etj.

Amantia, e themeluar në shek. V p.e s., është një nga qytetet e pakta të Ilirisë jugore që ka pasur jetë 1000 vjeçare, ku spikat më shumë ndërtimi në terren malor i stadiumit antik madhështor, i ndërtuar me blloqe të mëdhenj gurësh.
Në jug të qytetit të Vlorës gjendet qyteti i Orikumit, i cili ka qenë një nga portet më të lashte të bregdetit të Vlorës, i themeluar si vendbanim në shek. VI-V p.e s.
Oriku u bë port i fortifikuar, bazë e rëndësishme ushtarake në Adriatik dhe në shek. II-I p.e.s ishte kantier i rëndësishëm detar për ndërtim e riparim anijesh, gjë që favorizohej nga prania e madhe e pyllit me pisha të Llogarase dhe Sera e Selenicës. Në shek.I p.e.s. Oriku shërbeu si kryeurë e fuqive pushtuese të kohës, arenë luftrash midis Romës, Maqedonisë dhe Ilirisë, si dhe në luftën rivale midis Çezarit e Pompeut që i solli Orikut shumë shkatërrime. Në shek.II p.e.s., Oriku u godit nga një tërmet i fuqishëm dhe u shkatërrua duke e humbur rëndësine e tij, pa mundur të rimbëkëmbej më. Ishte pikërisht koha kur në gjirin e Vlorës del në pah një tjetër qytet-Skelë, që ishte "Aulona - Vlora e sotme". Dëshmi arkeologjike e lashtësisë dhe autoktonisë është edhe vetë simboli i saj - "Vajza aulonase", një skulpturë "hyjnesh" 87 cm., e gdhendur nga mjeshtër vendas me gurin gëlqeror të Kaninës, që simbolizon veshjen e grave ilire.

Emrin e qytetit - Skelë të Aulonës së lashtë e gjejmë të përmëndur në shek.II e.s., nga shkrimtari Lukani dhe nga gjeografi Aleksandrin Ptolemeu. Këto të dhëna burimore përputhen me të dhënat e tjera të përafërta, siç janë dëshmitë arkeologjike për një kështjellë, port e bankinë të madhe (kështjella e Jangjeçit, Triport), që kanë ekzistuar ndoshta kur lumi Vjosa e kish grykëderdhjen aty në Lagunën e Nartës. Por,ndoshta kur Vjosa u largua në drejtimin verior,Triporti humbi mundësinë dhe rëndësinë. Pikërisht në këtë kohë duhet të ketë origjinën Aulona port i spostuar në JL, e cila del si skelë - qëndër tregëtare - dhe Kanina - qëndër administrative - ushtarake në shek. VI e.s. Fakti që në shek.V-VI e.s., ka pasur në Vlorë edhe një peshkop,varur nga metropoliti i Durrësit, tregon se Aulona ka qenë vendbanim me rëndësi. Këtë e mbështet edhe zbulimi i viteve të fundit i traktatit të murit rrethues mbrojtës, fortifikues në qëndër të qytetit të sotëm të Vlorës (pranë monumentit të Pavarësisë) si dhe zbulimi i disa dëshmive të reja për ekzistencën e molit të vjetër, në afërsi të stacionit të trenit.

Gërmimet e fundit në Kaninë dhe Himarë kanë dhënë dëshmitë e tjera për kulturën ilire të antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme, për autoktoninë dhe vazhdimesinë iliro-arbërore dhe mesjetare shqiptare. Në shek. VI e.s., dhe vazhdimisht gjatë mesjetës, Aulona përmëndet në listën e qyteteve bregdetare si port i rëndësishëm, me detari të zhvilluar, që tregëton vaj ulliri, kripë, valanidh, lëndë drusore, ullinj si dhe panairet që bëheshin në afërsitë e Vlorës, ashtu edhe në vende të ndryshme të Europës. Edhe në grykën e Vjosës ishte skela e Spinaricës, ku zhvillohej tregti dhe aty ishin të pranishëm edhe konsuj tregtarë të Raguzës, Venedikut etj.
Në mesjetë Vlora dhe viset e saj ranë nën pushtimin normand më 1081, më pas nën pushtimin e Venedikut më 1205 dhe atë të sundimit të Hohenstaufenëve gjerman, siç e përshkuan edhe Jireçeku në studimin e tij.
Si një qëndër e zhvilluar dhe e kulturuar Vlora shfaqet edhe në mbrëtërinë e Arbërisë më 1272, ku kronikat e kohës shënojnë lulëzimin e zejtarisë, tregëtisë, blegtorisë dhe pemtarisë, të përfshirë si despotat më vete.

Një rol të madh në jetën politike, ushtarake e shoqërore të Vlorës, ka lozur edhe familja e madhe Arianitët, të cilët përmënden në shek.XI, nëpërmjet të parit të tyre Arianit Komnen Golemi Topisë, sidomos në shek. XV-XVI. Një nga figurat e shquara të shek.XV është Gjergj Arianiti, i cili organizoi qëndresën kundër pushtuesve osman më 1431-1432 e më pas në grykat e Labërisë. Me bëmat e tij, Gjergj Arianiti mori përgëzimet e Fuqive të Mëdha të Europës të asaj kohe. Edhe pse ishte aleat me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe vjehrri i tij, pasi Donika, e bija e tij u martua me Skënderbeun, Gjergj Arianiti ishte i pavarur në zoterimet e tij në jug dhe në Shqipërinë e Mesme. Në Kuvendin e Lezhës, më 2 Mars 1444, për t'i bërë ballë rrezikut të pushtimit osman, Gjergj Arianiti u rradhit ndër të parët krerë sundimtarë shqiptarë, në këtë lidhje ushtarake mbarëkombëtare. Në shek.XV-XVI pushtuesit osman e kthyen portin e Vlorës në një nyje të rëndësishme të Adriatikut për pushtimin e Italisë.
Në regjistrin turk të vitit 1520 shënohen 701 familje vendase dhe 531 familje çifute. Kjo dëshmon për një klimë paqësore e tolerancë ndaj çifutëve në qytet në një kohë kur gjetke ata persekutoheshin egërsisht. Kështu qyteti përmblidhte 6300-6500 banorë. Nga Vlora u nisën fuqitë ushtarake osmane kundër Italisë së Jugut, më 1480, kundër kryengritjes së himarjotëve më 1492 dhe shërbeu si bazë e sulltan Sulejmanit kundër Korfuzit, më 1537. Po në këtë vit u ndërtua kështjella e qytetit (aty ku sot ndodhet stadiumi "Flamurtari"), gurët e së cilës u morën nga kështjella e Jangjeçit në Zvërnec dhe nga muri rrethues i Aulonës.

Në shek.XVII-XVIII Vlora ishte një nga limanet më të rëndësishëm të Shqipërisë së Jugut, pas Prevezës, pasi gjiri i saj u siguronte anijeve mbrojtje nga stuhitë. Në skelën e Vlorës ishin ndërtuar depo të mëdha për grumbullimin e prodhimeve buqësore e blegtorale të fshatarësisë, ku përfshiheshin zona e Beratit, Gjirokastrës dhe Myzeqesë. Në eksportin e tij ky qytet zhvillonte tregti më Triesten, Venedikun, Vjenën, Korfuzin, Stambollin, Izmirin, Breshian, Barin, Manastirin, Janinën, Maltën e Qipron. Në portin e Vlorës hynte rregullisht çdo javë vapori austriak "Lloid" dhe ai italian "Pulja", të cilët vetëm për vitin 1904 kishin kryer respektivisht 224 dhe 181 hyrje-dalje. Vlora eksportonte: vaj ulliri - 20.000 fuçi, ullinj të vjelur - 11.000 barrë, kripë - 1.5 milion kilogram, lesh të palarë - 15.000 okë, lëkurë qengji e lepuri - 20.000 copë, breshka - 40.000 copë, shushunja, shpende, dele, kuaj, mish të therur, peshk të kripur, vezë peshku, serë, asfalt, misër, tërshërë, thekër, fasule, dru zjarri, valanidh, mjaltë të bardhë Kanine, verë të Nartës dhe verë "Vlosh" të Vlorës.

Një artikull i kërkuar ishte edhe stralli i gurores së Drashovicës, që përgatitej me blloqe dhe ashkla. Për eksport, gëzofet prej lëkure, velenxat dhe brucat labe ishin artikuj mjaft të preferuar për Istrien, Triesten dhe vendet alpine...Ulliri i markës "Vlonjak", që ishte më i lashtë se marka italiane dhe frënge, dallohej për prodhueshmëri të lartë, vaji dhe regjie lëkure. Në vitin 1900 Vlora regjistronte mbi 100.000 rrënjë ullinj.
Vlora njihet si një vatër e rëndësishme e patriotizmit ndër shekuj, ku përpjekjet për liri, pavarësi dhe prosperitet kanë qenë në shpirtin e çdo vlonjati.
Luftrat kundër pushtimeve të huaja dhe përpjekjet për përhapjen e arsimit shqip bënë që në Vlorë të krijoheshin shumë shoqëri patriotike.
Në vitet 1908-1912 klubi "Labëria" u bë një vatër e ndezur e përpjekjeve për pavarësinë e vendit dhe luftën kundër pushtuesve xhonturq. Kryetar nderi i këtij klubi atdhetar ishte Ismail Qemali. Çelja e shkollës shqipe të Muradies (7 Gusht 1908) ishte një ngjarje e shënuar në jetën arsimore të Vlorës.
Por ngjarja më kulmore e qytetit të Vlorës ishte 28 nëntori 1912 kur plaku i urtë e diplomati i shquar Ismail Qemali, së bashku me delegatët e ardhur nga vise të ndryshme të vendit, shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe njëkohësisht ngriti flamurin kombëtar në Vlorë. Kështu Vlora u bë kryeqyteti i parë i Shqipërisë së pavarur.

Më 25 dhjetor 1914 Vlora u pushtua nga imperializmi italianë. Pas zgjerimit të pushtimit italian nisi rezistenca kundër pushtuesve. Në vitin 1920, pas Kongresit të Lushnjes, u krijuan Komiteti "Mbrojtja Kombëtare" me kryetar Osman Haxhiun, i cili organizoi forcat luftarake në Luftën e Vlorës. Lufta e Vlorës është një nga epopetë më të lavdishme të shqiptarëve. Vlora u kthye në "Termopilet" e Shqipërisë, siç thoshte patrioti Halim Xhelo.
Në vitet 1920-1924 Vlora u përfshi në rrjedhën e proçeseve të demokratizimit të jetës së vendit. Këtu u krijua Federata "Atdheu" (1921) dhe dega e shoqërisë "Bashkimi" (1922). Një rol të madh në këto vite ka lozur edhe shtypi me gazetat "Politika", "Mbrojtja Kombëtare", "Fjala e Lirë", "Shpresa Kombëtare" etj që botoheshin në Vlorë.
Në Luftën e Dytë Botërore Vlora u bë një nga vatrat e rëndësishme të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazifashist. Ajo mbajti një barrë të madhe të Luftës dhe kontributi i saj ishte i shquar.

Web: www.bashkiavlore.org



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora