Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


PDK e Thaçit fiton zgjedhjet

| E diele, 18.11.2007, 09:27 PM |


Përfundojnë me sukses dhe pa asnjë incident zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale në Kosovë, pjesëmarrja më e ulët se votimet e mëparshme

Partia Demokratike e Kosovës e Hashim Thaçit, kryeson në rezultatet paraprake që kanë dalë pas mbylljes së kutive të votimit në Kosovë. Edhe të dhënat që janë publikuar nga Organizata Jo Qeveritare "Demokracia në veprim", por edhe shpallja që është bërë nga partia që deri tani ka qenë në opozitë tregojnë një avantazh të ndjeshëm të Partisë Demokratike të Kosovës. Sipas të dhënave paraprake vetëm të një pjesë të vendvotimeve PDK-ja kryeson me 37% të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 22 përqind të votave. Në vend të tretë sipas "Demokracia në veprim" është "Aleanca e e Re për Kosovën e Behxhet Pacollit. Në vend të katërt është Aleanca për ardhmërinëe e Kosovës dhe pas saj Lidhja Demokratike e Derdanisë, e udhëhequra nga Nexhat Daci, të dyja me 7 përqind të votave.

Shpallja

Në fakt Partia Demokratike ka shpallur fitoren e saj menjëherë pas mbylljes së kutive të votimeve rreth orës 19.30. Në një konferencë për shtyp, drejtuesit e kësaj partie kanë deklaruar fitoren në rang vendi. PDK theksoi se në bazë të dhënave paraprake, ky subjekt politik është fitues i zgjedhjeve të 17 nëntorit, edhe pse ende nuk ishin mbyllur ende të gjitha qendrat e vendvotimeve. Zëdhënësja e Partisë Demokratike të Kosovës, theksoi se partia që ajo përfaqëson ka arritur rezultate të mira jo vetëm në bastionet e saj, por edhe në qytete edhe fshatra të tjera që kanë votuar në të kaluarën për Partinë Demokratike.

LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës, mënjëherë pas rezultateve paraprake është e treguar e kujdesshme, por ka kërkuar që këtë qëndrim ta mbajë edhe PDK-ja. Në një konferencë për shtyp, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka dhënë asnjë shifër lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të djeshme, ndërkohë që pohimet e Partisë Demokratike të Kosovës për fitore bazuar në rezultatet preliminare, i ka quajtur joreale, duke pasur parasysh se ende nuk janë mbyllur vendvotimet. më shumë. Ndërkaq, LDK kërkoi shtyrjen e afatit të votimeve për tri orë. Sipas LDK kjo ka qenë dalja e qytetarëve në votime sipas përqindjes Prishtinë 42 përqind, Podujevë 44, Obiliq 50, Fushë Kosovë 45, Drenas 37, Gjilan 37, Novo Berdë 55, Kamenicë 45, Prizren 40, Malishevë 51, Pejë 41, Deçan 42, Istog 43. Këto janë shifra të publikuara nga Shtabi Qendror Zgjedhor i LDK-së rreth pjesëmarrjës së qytetarëve ne zgjedhje deri në ora 18:00. Shtabi zgjedhor i Lidhjes Demokratikë të Kosovës ka kërkuar nga OSBE dhe KQZ që te zgjatet orari i votimit për qytetarët edhe për tre orë të tjera. Sipas tyre deri më tani kanë votuar mbi 40 për qind në nivel qendror, ku gjithçka po ecën mirë. Gjatë ditës së sotme, pritet që të dhënat të marrin një panoramë edhe më të qartë, ku shofrat mund të rrumbullakohen edhe më. Ndërkaq Komisioni qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se rezultatet paraprake zyrtare do t‘i shpallë pas tre ditëve, pra të mërkurën në mesditë. Organizatorët e zgjedhjeve e vlerësuan të suksesshëm procesin zgjedhor si dhe pjesëmarrjen e votuesve, përveç në lokalitetet e banuara me serbë.

Kosova zgjedh Parlamentin e pavarësisë së saj

Kosova ka votuar dje për të zgjedhur Parlamentin e ri të vendit, i cili pas 10 dhjetorit do të shpallë pavarësinë e vendit. Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e djeshme do të votëbesojë qeverinë e re, e cila do të marrë në dorë fatet e Kosovës së pavarur, duke zëvendësuar kështu organet e derisotme. Zgjedhjet për Parlamentin dhe qeverisjet vendore në Kosovë janë zhvilluar krejt të qeta dhe pa asnjë incident. Madje qetësia ka qenë si në çdo vend demokratik të botës, ku qytetarët e përdorën votën e tyre si një të drejtë normale, duke mos prishur planet e ditës. Këtë e vërteton edhe fluksi i qytetarëve, i cili u shtua kryesisht në orët e mbrëmjes, çka presupozoi një situatë tejet normale. Megjithatë, sipas rezultateve zyrtare në zgjedhjet e djeshme kanë votuar më pak se 40 për qind e 1 milionë e gjysmë kosovarëve të regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Institucionet

Kryetari i qeverisë së Kosovës, Agim Çeku, deklaroi se institucionet e Kosovës, të cilat do të formohen në bazë të zgjedhjeve të sotme, duhet të konstituohen para 10 dhjetorit,kur ekipi i treshes duhet të dorëzojë raportin për sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Çeku, pasi ka votuar në Fushë Kosovë, tha se nuk ka pranuar që të kandidohet në zgjedhje, meqë "mes procesit demokratik të zgjedhjeve dhe procesit historik, është përcaktuar për proces historik të përcaktimit të statusit të Kosovës". Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, deklaroi se Kosova shumë shpejt do të shpallë pavarësinë dhe votuesit me dalje në zgjedhje të sotme po japin votën për pavarësinë e Kosovës. "Me këto zgjedhje, Kosova po hyn në fazën e rëndësishme të zhvillimit demokratik dhe statusit të vendit. Prandaj është shumë me rëndësi që qytetarët masovikisht të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për ata që i duan", tha Sejdiu, pasi votoi në Prishtinë. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi se sot është ditë historike për Kosovën, meqë zgjedhjet janë fitore e madhe e qytetarëve të Kosovës. Thaçi, pa si votoi në Prishtinë tha se qytetarët në zgjedhjet e sotme", kanë fituar për demokracinë, e sigurt dhe ardhmërinë evropiane dhe zhvillimin dhe mbrojtjen e raporteve me SHBA". Lideri i Partisë Reformiste "ORA", Veton Surroi, deklaroi se zgjedhjet në Kosovë janë shumë të rëndësishme dhe ftoi qytetarët që të dalin në zgjedhje në numër sa më të madh.

Bojkoti

Pakica serbe ka bojkotuar zgjedhjet e djeshme në thuajse të gjitha enklavat në Kosovë. Sipas rezultateve zyrtare kanë qenë shumë të pakët ata serbë të Kosovës, të cilët kanë shprehur të drejtën universale të zgjedhjes. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Mazllum Baraliu, tha se serbët në të gjitha zonat kanë bojkotuar sot votimin. Ambasadori i OSBE-së, Tim Guldman, kritikoi mospjesëmarrjen e serbëve dhe thirrjet për bojkot të zgjedhjeve.

Shqip