Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Dërmaku: Sinan Dërmaku - Një jetë në shërbim të Çështjes Kombëtare

| E diele, 09.05.2010, 06:58 PM |


PREZENTOJMË, PROFESORIN, INTELEKTUALIN, LEKTORIN, AKTIVISTIN, HUMANISTIN DHE DREJTORIN E SHKOLLËS FILLORE “SADRI MISINI“ NË SHIPASHNICË TË EPËRME z. SINAN  DËRMAKU

 

NJË JETË NË  SHËRBIM  TË ÇËSHJES  KOMBËTARE

 

Nga Ramiz DËRMAKU

 

       Sinan Shaqir Dërmaku u lind më 10.03.1946 në fshatin Shipashnicë e Epërme, komuna e Dardanës (ish-Kamenicës).Shkollën fillore katërklasëshe e kreu në vendlindje, klasat e larta në Hogosht(1962) dhe shkollën e mesme-normalen në Gjilan, më 1967. Po në këtë vit u regjistrua në Shkollën

e Lartë Pedagogjike – Dega: Gjuhë e Letërsi Shqipe në Prishtinë dhe diplomoi në

vitin 1969, kurse Fakultetin Filozofik, për të njëjtën degë dhe lëndë e mbaroi

në vitin 1980 (pa shkëputje nga marrëdhënia e punës). Që nga viti shkollor 1969 e deri në fund të vitit 1995 ka punuar arsimtar i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe në shkollën plotë fillore në Shipashnicë të Epërme, paralele e ndarë fizike e shkollës së Hogoshtit. Mirëpo, herë pas herë sipas nevojës që ndihej për kuadër të kualifikuar, mësim ka mbajtur edhe në Gjimnazin e Hogoshtit-Dardanës-Kamenicës.

           Për punën e tij shumëvjeçare në arsim, çdo herë ka qenë njëri ndër punëtorët më të dalluar, të respektuar e të lavdëruar jo vetëm nga kolektivi i shkollës, nxënësit dhe prindërit, por edhe nga drejtorët e shkollave si dhe nga këshilltarët pedagogjikë të Entit Regjional të Gjilanit në bazë të vizitave dhe hospitimeve që i bënin nëpër orët mësimore. Në vitin 1986 ka mbajtur një orë

mësimore (siç quhej atëherë orë shembullore) para të gjithë arsimtarëve të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të komunës sonë, i caktuar nga këshilltari pedagogjik i kësaj lënde.

 

       Ka pasur e ka akoma prirje dhe vullnet për aktivitete të lira, përgatitjen e programeve kulturo-artistike, shfaqjeve të ndryshme me nxënësit dhe rininë e fshatit, programeve të shfaqura dhe të mirëpritura nga shikuesit në shumë shkolla të komunës sonë. Mirëpo, për këtë aktivitet shpeshherë ka qenë i penguar nga Organet e atëhershme të Sigurimit shtetëror, i penguar në shfaqjen e tyre, i marrë në biseda informative, i maltretuar psiqikisht dhe fizikisht, i nxjerrë edhe nga ora e mësimit, por aktivitetin s’e ka ndalur kurrë.

 

       Në vitin 1971, ish-Komiteti Komunal bëri diferencimin ideo-politik ndaj tij, duke e përjashtuar nga LKJ-a (që sapo u pat pranuar si anëtar), e shkarkuan edhe nga anëtari i Pleqërisë së shkollës dhe nga kryetari i Komisionit të konkurseve.

 

       Më 16.01.1972 ka qenë i dënuar me kundërvajtje lidhur më përgatitjen dhe shfaqjen e programeve në shkollën tonë dhe në shumë shkolla tjera të komunës, program i përgatitur jo vetëm më nxënës, por edhe me rininë dhe të rejat e fshatit që ishte hera e parë që dolën para publikut. Po kështu është vepruar edhe ndaj fëmijëve të tij, penguar dhe të përjashtuar nga shkolla si nxënës të rregullt, sidomos ndaj djalit të madh, Lulzimit i cili u detyrua ta kryejë shkollën e mesme me korrespondencë dhe u dënua me 60 ditë burg në vitin 1986. Gjatë tërë sistemit monist nuk i është dhënë leje udhëtimi (pasaportë) as Sinanit, as bashkëshortes së tij – Myrvetes vetëm pse ishte motra e dëshmorit Rexhep Mala.

 

Në vitin 1977 ka dhënë provimin profesional shtetëror para komisionit të përhershëm në SHLP – Prishtinë për arsimtar – profesor të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe.

 

Në dhjetorin e vitit 1987 e deri në muajin maj të vitit 1990, që na qëndrimet e Komitetit Komunal të LK-së u largua (suspendua) nga procesi edukativo-arsimor si nacionalist, irredentist... dhe i papërshtatshëm për të punuar në arsim.

 

       Në muajin maj 1989 u kthye në vendin e njëjtë të punës, dmth. kur filloi mëvetësimi i shkollës shqipe. Pastaj me angazhimin e tij, me përkrahjen e arsimtarëve dhe të qytetarëve u kryen aksione të shumta vullnetare për transformimin demokratik të fshatit gjatë këtyre viteve të sistemit pluralist, si p.sh. rregullimi i rrugëve të fshatit, kanalizimi, punimi i urave, përforcimi i rrymës elektrike dhe meremetimi i shtëpisë së dikurshme të kulturës dhe sado pak, u krijuan kushte për pavarësimin e shkollës së plotë fillorë në Shipashnicë të Epërme, pikërisht me 31 dhjetor të vitit 1992 dhe shkolla u emërtua me emrin e heroit Sadri Misini, emrin e të cilit e mban me krenari.

 

       Sinan Dërmaku gjatë viteve 90-ta të sistemit demokratik ka qenë aktivist dhe veprimtar i dalluar, njëri nga themeluesit e LASH-it për Komunën e Dardanës-Kamenicës, anëtarë i këshillit të pajtimit, kryetar i Komisionit për informim në nivel fshati, anëtar i Këshillit Lokal të Financimit në përmbushjen e obligimeve të qytetarëve ndaj Këshillit Komunal të Financimit dhe ndaj Qeverisë së Kosovës, anëtar i Komisionit solidar për grumbullimin dhe shpërndarjen e të mirave materiale dhe ushqimore për familjet e rrezikuara brenda dhe jashtë fshatit.Sinan Dërmaku po ashtu ka qenë njëri ndër themeluesit dhe mbikëqyrës kryesor për disa vite i Shoqatës HB “Nëna Terezë” për fshatin Shipashnicë, e cila për ato vite ka qenë mjaft aktive në grumbullimin dhe ndarjen e ndihmave humanitare dedikuar familjeve të varfra, të rrezikuara familjeve të dëshmorëve, strehimin e të dëbuarve nga okupatori serb, luftëtarët e UQK-së etj, të ndihmuar më material ushqimor, si: më miell, me vaj, kripë, sheqer, patate, pasul, oriz, makarona; me material higjienik, detergjent, shampon dhe veshmbathje. Po nga kjo Shoqatë Humanitare për nxënësit e varfër

dhe bonjakë janë ndarë fletore, lapsa, çanta dhe veshmbathje, kurse për shkolla janë ndarë koftorë, dru, banka, karrige, tabela e të tjera të bëra fal punë, vullnetit dhe aktivitetit të tij.

 

       Në prag të Vitit të Ri 1995, në mbledhjen e Aktivit të drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme të Komunës sonë duke u bazuar në rezultatet e arritura për shumë vite në procesin edukativo-arsimor, në aktivitet e lira dhe në punën e përgjithshme pedagogjike u shpall arsimtari më i dalluar i vitit në Rajonin e Komunës së Kamenicës, ku për këtë më gjerësisht është shkruar në gazetën “RILINDJA”, më 17.01.1996.

 

       Prej korrikut të këtij viti nga Qeveria e Përkohshme komunale u caktua përgjegjës për Sektorin e Arsimit deri në marsin e vitit 2000, pastaj u zgjodh inspektor i Arsimit komunal deri në vitin 2004 dhe më vonë u zgjodh përgjegjës për lëndët gjuhësore-shoqërore dhe për ato të shkathtësisë deri në fund të korrikut të vitit 2006.

 

Sinan Dërmaku gjatë këtyre 10-të viteve sa punoi në ish-KKA-në dhe më pas në DKA, pos punëve dhe detyrave të shumta që pati, organizoi dhe udhëhoqi këto gara:

  

Garat e recitatorëve për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit dhe 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas

 

Kuisin e diturisë me nxënësit e shkollave fillore nga klasa VI – IX

 

Testin e diturisë më nxënësit e këtyre klasave në Gjuhë Shqipe dhe Matematikë

 

Formimin-themelimin e kolegjiumit të aktivit në nivel komunal për shkencat shoqërore-gjuhësore, matematiko-natyrore dhe për ato të shkathtësisë.

    

Konkursin e kulturës së gjuhës “ Gjuhëtari i ri “ më nx. e kl. VI-IX etj.

 

Të gjitha këto gara janë mbajtur në nivel shkolle, komune, regjioni dhe në nivel qendror.

 

Që nga data 13.08.2006, Sinan Dërmaku u zgjodh drejtor i SHF “ Sadri Misini “ në Shipashnicë të Epërme dhe ende është duke e kryer këtë detyrë. Për këto 3 vite e gjysmë si drejtor shkolle ka bërë kthesë pozitive në këtë shkollë, si: në disciplinë, në krijimin e një klime të mirë në shkollë, në respektimin e orarit të punës, në rezultate pozitive, në procesin mësimor dhe në aktivitete të lira, në ndërtimin e shkollës së re (shkollë moderne), në rrethojën e shkollës dhe fushave sportive të asfaltuara, sigurimin e ujit të pijshëm për nxënës, gjelbërimin e oborrit të shkollës dhe vendosjen e bustit të heroit Sadri Misini, emrin e të cilit e mban shkolla.

 

Sinan Dërmaku, krahas detyrave dhe punëve të rregullta që ka pasur, është marrë dhe merret me shkrime në revistën “ SHKËNDIJA “ dhe me lektorim tekstesh.

 

Jeton në fshatin e lindjes më bashkëshorten dhe ka tre fëmijë: dy djem dhe një vajzë.

 

Shipashnicë, më 28.04.2010