E enjte, 25.04.2024, 06:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Pak humor nga Tano Banushi

E diele, 18.11.2007, 09:09 PM


U promovua dje libri i Isa Alibalit, "Me Tano Banushin dhe humorin e tij - Jeta dhe veprimtaria artistike". Një takim mes miqsh, të ardhur në Tiranë nga Shkodra, me kujtime dhe humor

"Kam dëgjuar një barsaletë. Po ta them ty e ti pastaj ma trego mua, që të qesh". Kështu do t'i thoshte dikur kompozitori Prenkë Jakova, humoristit Tano Banushi. Një thënie që vetë do të kthehej në barsaletë. Por mjafton kaq për të kuptuar se sa e fuqishme ishte ndjenja e humorit tek Tano Banushi. Dhjetëra shkodranë kishin zbritur dje në Tiranë. Pikërisht tek piramida. Nuk bëhej fjalë për ndonjë tubim. Kishin ardhur të gjithë për të takuar edhe një herë Tano Banushin. Dje në sallën e kinemasë së QNK "Arbnori" u paraqit libri i Isa Alibalit, "Me Tano Banushin dhe humorin e tij - Jeta dhe veprimtaria artistike". I pari i këtij lloji kushtuar humoristit. Figura e Tano Banushit vjen e plotë. Autori shfrytëzon një material të gjerë, vetë arkivën e Tanos, vënë në dispozicion nga familja Banushi, mes të cilave ditari i aktorit dhe i bashkëshortes, Lajdes. Por aty janë edhe dëshmitë e miqve dhe kolegëve, me të cilët Tano ndau shumë vite të jetës së tij. Nuk mungojnë anekdodat, skeçet e thëniet e Tanos, që sot janë pjesë e së përditshmes në shprehjen "Siç ka thënë Tano Banushi…". Libri shoqërohet edheme një mori dokumentesh fotografike, ku aktori paraqitet në role të ndryshme. "Kam luajtur këpucarë e bojaxhij / zdrukthëtarë e dugajxhi / mekanikë dhe terzi / elektricistë e hallvaxhi…/ Burra grash shamataxhesha / gagarelë pa mentesha / beqar t'mbetur e nervozë / matrapazë e karagjozë / fanatikë e kulakë / me mustak e pa mustakë / e demek me ju ba me qeshë, edhe femër kam qenë veshë…". Thoshte vetë Tano Banushi. La pas jo vetëm qindra role, por edhe një shkollë të madhe të artit të humorit, në gjurmët e të cilit kanë ecur breza të tërë humoristësh nga i gjithë vendi. Kontributi i tij artistik e kishte kaluar skenën e Shkodrës, artin e tij kanë patur fatin ta ndjekin të gjithë, breza të tërë janë rritur me rolet dhe humorin e tij. Por Tano Banushi nuk mund ta rikujtosh pa skenën dhe estradën e tij të dashur dhe për këtë arsye autori në të gjithë librin e ka përshkruar figurën e tij të lidhur me Shkodrën dhe artin e tij, me skenën e estradës të cilën e donte me një përkushtim sublim.

Në libër Isa Alibali zbulon pjesë të panjohura edhe nga jeta e tij familjare, shoqërore. Na njeh me karakterin e tij të fortë, me vullnetin dhe dashurinë e tij për humorin, me dashurinë e tij të madhe për familjen, për Shkodrën, na zbulon talentin e tij për të shkruar dhe krijuar jo vetëm figura artistike, por edhe këngë, tregime humoristikë e anekdota. Krijimtaria e tij artistike në çdo kapitull shoqërohet edhe me shumë anekdota duke na dhënë sërish mundësinë të përjetojmë emocionet e humorit që na la Tano Banushi me madhështinë e tij. Autori e nis librin me traditën e humorit shkodran, kugjeti terren edhe talenti i Banushit. Lindi në vitin 1927. Athanas (Tano) Banushi, pati fatin të jetonte në një kohë, kur Migjeni pinte kafe tek "Kafja e madhe", kur Tefta Tashko Koço jepte koncerte bashkë me Lola Gjokën dhe Asdreni, Lasgush Poradeci e Ernest Koliqi zhvillonin takime letrare në Shkodër. Takimi me këta emra të mëdhenj i la mbresa Tanos, atëherë fëmijë dhe do ta shtynte të bëhej dikush. Të mbetej i pavdekshëm, siç shqipërohet edhe emri i tij Athanas (një shpjegim që Tanos ia ka thënë vetë Migjeni, i cili kishte kryer shkollën me nënën e Tanos, Marien. Alibali ndjek hap pas hapi jetën e Tanos, shkollimin, angazhimin në estradë, gjithnjë të shoqëruar me grimca humori. Një kapitull të veçantë autori i kushton edhe kujtimeve që bashkëshortja e Tanos i ka mbajtur prej vitesh në një ditar shumë të veçantë. Ditari ka nisur të shkruhet prej saj pak kohë pasi Tano ishte ndarë nga jeta (1993), por për Lajden ai vazhdon të jetë i gjallë përderisa ajo shkruan dhe bisedon me të, ndan kujtime dhe ngjarje të përditshme. Ajo i rrëfen Tanos gjithçka ndodh, për çdo ditë, i ka rrëfyer edhe për këtë libër, e paskëtaj ka hequr dorë nga ditari. Sepse sot ka një libër për të, ka kujtime dhe shumë dashuri.

Çmimi

Ardhje në artin bashkëkohor

Çmimi për Artin Bashkëkohor "ARDHJE" është veprimtaria më e re në skenën e artit shqiptar. Kjo ngjarje është konceptuar për të ndihmuar dokumentimin, vlerësimin dhe mbështetjen për artistët bashkëkohorë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Çmimi funksionon mbi bazën e një kërkimi të shtrirë në skenën artistike shqiptare, në mënyrë që pjesëmarrësit të jenë fryt i një përzgjedhjeje të gjerë por cilësore. Në këtë frymë, Çmimi për artin bashkëkohor "ARDHJE" do të shërbejë si një hartë që do të ndjekë zhvillimet e situatës artistike shqiptare, duke ofruar të vetmen metodë arkivizimi të zhvillimeve artistike në Shqipëri, si dhe duke luajtur rolin e një ure komunikimi mes artistëve dhe publikut permes nxitjes së diskutimit mbi zhvillimet e reja në artin bashkëkohor shqiptar. Artistët e ftuar në çdo edicion të këtij çmimi do të përfaqësojnë një shumëllojshmëri gjuhësh të artit bashkëkohor, si video, fotografi, pikturë, instalacione, skulpturë, performancë, tekst, etj. Procesi për realizimin e Çmimit për Artin Bashkëkohor "ARDHJE" do të kalojë përmes një periudhe të ngjeshur kërkimi, gjatë së cilës stafi organizator i TICA-s do të zhvillojë vizita në studio, takime dhe pranime prezantimesh të dokumentimit të punës nga një numër sa më imadh artistësh që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Në mbarim të këtij kërkimi, stafi i TICA-s do të përzgjedhë një numër prej jo më pak se 5 dhe jo më shumë se 7 artistësh, me të cilët do të organizohet ekspozita e Çmimit "ARDHJE", pranë galerisë së Akademisë së Arteve të Bukura. Një juri e pavarur do të shqyrtojë punët e artistëve pjesëmarrës në këtë ekspozitë, dhe do të përzgjedhë artistin fitues. Artisti fitues fiton të drejtën e një rezidence artistike për 6 javë në Neë York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I vetmi kufizim në procesin e kërkimit dhe përzgjedhjes paraprake është kufiri i moshës. Të gjithë artistët e vëzhguar apo përzgjedhur duhet të jenë nën moshën 35 vjeç. Çmimi për Artin Bashkëkohor "ARDHJE" realizohet në bashkëpunim me Fondacionin për Shoqëri Civile dhe me mbështetjen e Akademisë së Arteve të Bukura dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë. Gjatë vitit 2007 programet e Institutit të Artit Bashkëkohor, Tiranë kanë pasur partneritetin e European Cultural Foundation dhe mbështetjen e Institutit të Bienales së Tiranës dhe OJF "Kultura në Lëvizje".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora