Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ermira Babaliu - Divorci i prinderve dhe jeta ne amerike

| E diele, 18.11.2007, 07:11 PM |


Ka nisur të këndojë aksidentalisht në shkollë të mesme.

ARLINDA CANAJ

Ermira Babaliu
Në një nga festivalet në Pogradec dëgjohet nga drejtori i televizionit, Virgjil Kule që e sjell nga provinca  në skenën e festivaleve të interpretuesve, për të marrë hov drejt suksesit. Ndër vite Ermira ka krijuar një karrierë kostante dhe të pëlqyeshme. Edhe pse prej 12 vjetësh jeton në Detroit, nuk e ka harruar kurrë Shqipërinë, muzikën dhe filozofinë. Në kthimin e saj në skenën e madhe, këngëtarja   rrëfen ekskluzivisht  për gazetën tonë  jetën e saj bashkëshortore,  fëmijërinë dhe interesat e saj që nuk ndalen vetëm tek muzika….
Si e shijove rikthimin në skenë?
-Një rikthim me shumë dashuri. Ristartohem në një skenë nga kam dalë dhe me një nivel që i përkas. U kënaqa shumë. Unë në Shqipëri vij shpesh, dhe kam patur shumë kërkesa për të dalë, por nuk kam dashur të jem pjesë e eksperimenteve që bëhen me muzikën shqiptare.
Ndërkohë besoj se dhe ftesa të ka kënaqur shumë?
-Të jem e sinqertë ishte një surprizë shumë e bukur për mua. Vjet kam dëgjuar për këngët e shekullit kur spektakli kishte mbaruar. Ishte një mbasdite e zakonshme, kur vij në shtëpi dhe marr një telefonatë ku dikush më thotë: “Jam Adi Hila”. Fillimisht  mendova se do ishte një nga  organizatorët e koncerteve që organizohen në Amerikë ndërkohë që ai përsëriste emrin e tij. Ishte një ftesë shumë e ngrohtë shumë dashamirëse dhe ai u kënaq shumë kur unë i thashë: Po.
Keni shumë vite që jeni larguar nga Shqipëria për tu vendosur në Amerikë. Po-ja juaj u prit me kaq shumë entuziazëm dhe nga bashkëshorti?
-E priti mirë; le të mos themi shumë mirë! Është normale që mbas 12 vjetësh ai e ndjen  atë merakun e brendshëm se po ti kthehem skenës serioze të muzikës, unë do largohem për më shumë kohë  nga shtëpia.  Por, mendoj se mbas këtij meraku të pashprehur u gëzua shumë dhe ai.
Për ju si  artiste, mungesa e skenës së madhe ishte një dhimbje?
-Ishte një dhimbje që e kam patur gjithmonë. Edhe pse nuk i jam ndarë koncerteve për emigrantët.
Ndonjëherë bashkëshortët nuk e kuptojnë  dashurinë e partnereve për karrierën. Si e keni kapërcyer këtë pengesë?
-Me luftë. Nuk them se e kam fituar akoma. Nuk mund të them se vazhdoj të  luftoj faktikisht po me atë forcë si më parë. Të martohesh me një artist është sakrificë e madhe sepse artisti ka një shpirt të lirë që duket se tulatet, por që kur shpërthen nuk ka forcë që ta ndalë. Janë ca krahë që ti jep talenti që kanë nevojë të fluturojnë. Janë krahë që i drejton zoti.
Si ka qenë historia juaj e madhe e jetës?
-Një shoqja ime e kishte mik dhe ishte një dashuri me shikim të parë. Më pëlqeu sepse ishte një djalë i hapur siç jam unë, bënte shaka të sinqerta. Ishin këto të parat që më bën për vete. Më pas ai ishte shumë qytetar në një pjesë të vetes. I binte kitarës dhe kaq.
I vendosët gjërat shpejt e shpejt?
-Kur jemi njohur ka qenë shtator, u fejuam në dhjetor dhe u martuam tetorin tjetër. I vendosëm gjërat shpejt dhe nuk jam bërë hiç pishman. Me gjithë ulje-ngritjet që ka një martesë normale, me atë ndeshjen e përhershme kryeneçe  që ai e di se nuk  e fiton dhe unë e di që nuk  e humbas, jam e kënaqur.
Komandon ai apo ju?
-Në pjesën që i takon atij komandon ai. Por, e dëgjojmë shumë njëri tjetrin. Vendosim kryesisht të dy. Për këngën vendos pak më shumë unë.
Në përgjithësi vipat sillen sikur në familjen e tyre nuk ka asnjëherë zënka. Ju ziheni me bashkëshortin?
-Në kaq shumë vite martesë grindem shumë. Në momentin që grindem, dhe këtë e them shumë sinqerisht unë jam 100 % e bindur që unë do mbaj inat dhe nuk do ulem. Të nesërmen e harrojmë dhe vazhdojmë. Ai në llojin e  tij nuk do të ndryshojë dhe unë me tipin tim gjithashtu...
Pas kaq vitesh nuk është amerikanizuar ndopak?
-Unë e kam dashur atë njeri se ka qenë krejtësisht pa komplekse. Por në fund të fundit ai më do mua ashtu siç i duhet atij, dhe është aq i zgjuar sat ë ndryshojë ato gjëra që i duhen atij të ndryshojë…
Ardhja e vajzës çfarë solli në çiftin tuaj?
-Mendoj se si për të gjithë prindërit,  ardhja e vajzës për ne ishte një lumturi. Mua si nënë  vajza më ka dhënë energji të pashtershme. Për  konceptin tim një fëmijë është një përgjegjësi e madhe.
Jeni nënë e mirë?
-Mundohem. Por  këndvështrimi për jetën mes nesh dhe fëmijëve tanë ndryshon. Sado që unë përpiqem të largohem nga konservatorizmi që mund të kem si shqiptare prapë brezi me brez ndryshon. Unë i rri mbi kokë dhe i them gjithnjë:”Lexo!” Ndërkohë që ajo dhe Shekspirin e lexonte në kompjuter. Pra ne kemi një këndvështrim ndryshe nga ato, që dashje pa dashje na bën anakronikë para fëmijëve.
Para 12 vjetësh vendosët të largoheshit nga Shqipëria Ishte i vështirë si vendim?
-Ishte një vendim i detyruar. Këtu flas për llojin tim. Unë jam një natyrë që nëse më le pa punë, më mirë të vdes. Dhe ndjeva një bllokim të të gjitha energjive të mia. U izolova për gati 2-3 vjet. Gjatë asaj kohe bëra një kolegj për kozmetologji për të mësuar anglisht. Dhe më pas bëra dhe konvertimin e diplomës së shkencave politike, për të cilën kam studiuar. Unë nuk e dija që mesatarja e mirë do më ndihmonte shumë. Fillimisht e pata të vështirë të mësohesha me terminologjinë për filozofinë, por u përshtata. Punova për 5 vjet në një shkollë ku dhashë anglisht për fillestarët. U shkurtua buxheti dhe i pari që do iknin patjetër që ishin emigrantët. Që nga ai moment unë vendosa të mos punoja më për njeri, po për veten time.
Aktualisht ju jetoni dhe punoni në…
Unë jetoj në Detroit dhe aktualisht jetoj vetëm me të ardhurat që më sjell kënga. Për disa vjet kam menaxhuar koncerte për shqiptarët në Amerikë. Kam dhe një lokal të vogël në Pogradec, që në të ardhmen kam ndërmend ta bëj Art-Galeri-caffe.
Je e kënaqur me jetën në Amerikë?
-Që të them s’jam e kënaqur s’kam se si, të them të kundërtën dhe këtë se them dot. Sepse duke qenë një njeri i diplomuar për filozofi kënaqësia për mua është relative. Ka pjesën e vet shumë të mirë, ka siguri, mund të drejtosh vetë veten tënde dhe mund të aplikosh shumë mirë aftësitë e tua. Nuk jam e kënaqur për këngën edhe pse  interesat e mia shkojnë më shumë se aq. Interesat e mia  për politikën, filozofinë, modën,  i kam aplikuar  në forma të ndryshme, sipas rastit
Por deri më sot keni spikatur në muzikë. A keni tentuar ndonjëherë të këndoni dhe në anglisht?
-E kam menduar dhe jam gati që tani të këndoj në anglisht. Por në një zhanër tjetër muzikor që është smooth jazz, bluez.  Kam kontaktuar  dhe me disa amerikanë dhe kam disa plane, por nuk dua të them më shumë....
Pra, e keni një ëndërr amerikane?
-Kam disa projekte me ta.  Edhe pse  tërë ëndrrat e mia unë  i lidh me Shqipërinë..
Si e ruan këtë rini të përjetshme?
- Njeriu është aq vjeç sa  ndjehet. Unë për veten time nuk e mendoj dot si mund të mërziten dhe nuk kanë si ta kalojnë kohën. Unë e di se çfarë do të bëj edhe kur të jem 65 vjeç. Mendoj se janë energjitë e brendshme që përtëriten  këndvështrimi me të cilën unë shikoj jetën  që nuk më bën të lodhem dhe që të mbajnë të re.
Thatë se jeni e hapur. Në jetën tuaj familjare ke mbajtur ndonjë sekret të vogël?
-Mendoj se jo çdo gjë thuhet copë. Sidomos në disa raste. Ndonjëherë njeriu ka nevojë të bëjë manovrime. E vetmja gjë që unë manovroj në marrëdhëniet e mia me bashkëshortin janë paratë. Im shoq ka shumë qejf ti mbledhë dhe ti menaxhojë, ndërkohë që unë kam shumë qejf ti marrë dhe ti prish. Dhe kur blej ndonjë gjë, unë asnjëherë nuk i tregoj vlerën reale. Ia them më vonë, kur gjej momentin.
Nuk është gjirokastrit?
-Jo, jo. Është prej Korçë.
Për çfarë i prish paratë shumë?
-I prish shumë libra. Më pëlqen shumë të qeras të tjerët. Dhe gjithashtu  i shpenzoj për tu veshur e për të blerë gjëra të bukura. Kam shumë qejf të blejë bileta avioni, të shkojë nëpër koncerte, muzeume.
Dukesh njeri me shumë iniciativa. Ti mbështet bashkëshorti idetë që prodhon?
-Asnjëherë. Luftoj gjithnjë. Kjo është një nga  minisherret tona të përhershme. Unë nuk ka frikë të provoj. Unë sensin e masës e kam shumë të përcaktuar dhe përgjithësisht harxhoj shumë energji dhe pak para për të realizuar projektet që kam. Dhe nuk kam gajle hiç dhe nga humbjet. Një shprehje amerikane thotë:”Kush nuk provon kurrë , nuk fiton kurrë!”
Këtë tipin tuaj kaq me nerv ka dhe bashkëshorti? Apo është ndryshe nga ju?
-Ekziston një opinion I të tjerëve që mua më ngjall  shumë  inat. Ato  që e njohin tim shoq thonë: se unë kam një burrë korçar shumë të urtë dhe të butë. Po kur ai nxehet nis e thërret …Nëse më parë përpiqesha t’ia ktheja ,tani  ikë…
Kemi shumë gjëra të përbashkëta por dhe shumë gjëra që na ndajnë. Ndoshta të qenit ndryshe në disa gjëra,  na tërheq më shumë…
Është xheloz ndaj jush?
-Nuk mendoj se nuk është. Por jam e bindur që ai asnjëherë nuk më ka bezdisur me xhelozinë e tij.
Po ju?
-Aspak.
Ke një burrë goxha bukurosh?
-Le të jetë. Unë nuk jam aq e pazonja sa të mos jem njëshi në tërë zgjedhjet e tij. Po si pëlqeva  le të vazhdojë të kërkojë. Jam e bindur se në gjithë botën të kërkojë Sandri nuk do gjejë më të mirë se unë. Sepse është ai lloj kompesimi mes nesh që zor se mund të gjendet kudo.
Si ke arritur tek kjo analizë psikologjike. Këngëtaret duken se nuk janë shumë të interesuar për të gjetur ato thellësitë e shpirtit….
-Unë mendoj se gjithçka e kam nga origjina. Unë vij nga një përzierje shumë interesante të familjeve me emër. Nga mamaja jam me origjinë nga  familja Çollaku. Gjyshi im ka qenë njeri i nderuar dhe me shumë influencë në tërë zonën e Pogradecit, kam dy dajo që kanë rënë në luftë dhe janë heronj, dhe një dajë tjetër Qani Çollaku që ka qenë disidenti i vetëm në Pogradec, i cili më ka dhënë dimensionin human në jetë. Nga ana e babait kam pasur gjyshin tjetër që ka mbaruar në vitin 1934 për mjekësi në Austri. Ndërkohë që gjyshja ishte me origjinë nga Ohri. Pra është një përzierje shumë e mirë e gjakut që mua më kanë dhënë këto lloj genesh që unë i aplikoj, dhe që më japin energji të brendshme stimuluese.
Lexoni shumë?
-Shumë. Është një nga kohët e mia më të vyera kur futem në faqet e një libri. E lexuara më mban gjallë, më mban në korent të çdo gjëje që ndodh, dhe është një relaksim për mua.
A jeni duke menduar për ndonjë album të ri?
-Të bësh një album është shtrenjtë. Do ju them dhe diçka. Një album i mirë do të paktën 10 mijë dollarë. Kur kam folur me biznesmenët dhe u them nuk kam lekë, më thonë:”Po ti ke qenë në Amerikë!” Është e vështirë për mua të shpenzoj kaq shumë para, sepse në krizën e sotme ata para janë të hedhura në lumë, sepse nuk do të më ktheheshin. Njëri prej biznesmenëve ma premtoi, po nuk e di si i kanë kushtet e sponzorimit këtu në Shqipëri…! Ky filan biznesmen, më pa që nga koka në këmbë, me atë vështrimin e qelbur që unë nuk kam gajle fare dhe më thotë:”Po mirë pse të sponzorizoj unë ty?” Sigurisht që nuk dua ta shqiptoj përgjigjen.
Gjatë karrierës suaj keni bërë shumë armiq?
-Sa të duash. Por është e bukur se kam bërë armiq për vdekje ato që e meritojnë, dhe armiq të përkohshëm ato njerëz që duke më njohur në thelb më janë kthyer në miq.
Thashethemet të kanë cenuar?
- Aspak. Më kanë ndarë shumë herë me burrin. Po tim shoqi nuk i intereson fare. I kemi përballuar me shumë dinjitet këto thashetheme. Por dua ti çjerr fytyrën atyre që hiqen si miq, dhe çfarë nuk thonë prapa krahëve. Thashethemet na bëjnë të qeshim shumë sa unë pyes gjithnjë tim shoq me të qeshur:”Më ke lënë ti, apo të kam lënë unë!” Ndërkohë që më i fundit fare ka qenë që mua më ikur zëri sepse pi shumë. Me problemet shëndetësore unë nuk pi dot as më shumë se një gotë verë.
Çfarë urren në shoqërinë e sotme shqiptare?
-Ajo që më dhemb në Shqipëri është se  ka një mentalitet shumë anakronik në shumë këndvështrime.  Anakronizmin e shoh në mentalitetin dhe në kapaidllëkun anakronik të atyre që kanë para, në frikën që kanë njerëzit për të thënë të vërtetën, për të qenë të hapur, në kujdesin që kanë të tëra familjet që të duken perfektë. Si dhe në luftën që bëhet për tu larguar nga ky vend që unë e quaj ikomani. Njeriu kur është i zoti bëhet dikush dhe në vendin e vet. Duhet patjetër të civilizohet mentaliteti.
Keni frikë nga ndonjë gjë?
-Tani kam frikë vetëm nga Zoti dhe nga vajza ime.  Kam shumë frikë për vajzën, sepse nuk dua ta lëndoj në asgjë…. Është aq e madhe dashuria për të. Unë kam frikë nga dashuritë e mëdha….
Gjëja më perfekte që ke bërë në jetë?
-Di të dua shumë....

Bashkëshorti e “urren” karrierën time

Është martuar në moshën 27 vjeçare. Thotë se me mendjen që ka sot,  do të ishte martuar 50 vjeç ose nuk do ishte martuar fare. Thekson faktin se martesa është shumë e këndshme por  është e vështirë për ta mbajtur, dhe shumë e lodhshme. Sigurisht që këtë e bën pa ia mohuar kurrë vlerat. Në familjen që ka ngritur  ndjehet e lirë dhe shumë e rëndësishme. Por në analizën e saj kupton se mbas shumë vjetësh që kanë ndenjur bashkë, burri adhuron tek ajo  pjesën e gruas që rri në shtëpi, që gatuan, që është nënë dhe bashkëshorte e mirë; duke pasur pak dhe shumë  alergji, karrierën…

Divorci i prindërve ka ndikuar shumë tek unë

Thatë më sipër që keni pasur prindër të divorcuar. Sa fëmijë keni qenë?
-Kam patur një vëlla më të vogël, i cili disa ditë para se të vinte demokracia është gjetur i mbytur në liqen nga peshkatarët. Ai ëndërronte të shkonte jashtë… Ka qenë një dhimbje shumë e madhe, që ka ndikuar shumë në jetën time.
Ju keni jetuar me mamanë?
-Po. Unë kam jetuar me mamanë dhe kam një vëlla  që lindi nga martesa e nënës, që quhet Mandi dhe që është një piktor shumë i talentuar.
E ke vuajtur ndarjen e prindërve?
-Shumë. Aq sa kjo gjë ka ndikuar dhe në marrëdhëniet e mia me vajzën. Mendoj se një nënë kur bën fëmijë duhet të marrë shumë përgjegjësi mbi vete.
Alergji ndaj divorcit atëherë?
-Jo. Nuk e kam fare frikë divorcin. Problemi është se unë e kam jetuar divorcin në kushte krejt të tjera. Situata, atmosfera dhe paragjykimet në atë kohë ta bënin ekzistencën shumë të vështirë.
Ka ndikuar kjo gjë në personalitetin tuaj?
-Ka ndikuar shumë. Në analizën që bëj mendoj se dhimbja është pasqyruar dhe në këngët që unë kam kënduar. Sidomos në këngën “Kali i bardhë”. Mendoj se fëmijët në rritjen e tyre  kanë nevojë për të dyja dashuritë. Burri që mori mamaja ime  më ofroi dashuri, por isha unë mistrecja që  e kam refuzuar. Ndaj sot i kërkoj falje.
Ka ndikuar kjo dhe në marrëdhënien me nënën?
-Jo. Nëna ime ka qenë një grua shumë e lartë, e spikatur për mençuri, mirësi dhe për kritikë. Më ka edukuar me shumë principe.
Po me babanë?
-Jam lidhur pak. Ai vinte të më takonte, por mua më shqetësonte prania e tij.