Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mexhid Yvejsi: Naim Kryeziu (1918-2010)

| E enjte, 06.05.2010, 08:59 PM |


Ndërroi jetë Naim Kryeziu-

një simbol në futboll...

 

Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë

 

Në mëngjesin e ditës së shtunë, me 20 Mars 2010, ndrroi jetë në Romë, Itali, në moshën 92 vjeçare Naim Kryeziu, ish-fubollisti shqiptar nga Kosova, i cili ishte një prej atyre futbollistëve që shkruan historinë e skuadrës së Romës.

    Naim Kryeziu lindi në Gjakovë, më 4 Janar 1918. Rrjedh prej familjes së njohur të Kryezive, e cila ndër shekuj ishte në ballë të ngjarjeve politike, ushtarake, ekonomike, shoqërore, kulturore jo vetëm në Gjakovë, në Kosovë, por edhe në trojet arbënore...

    Qysh kur ishte djalosh, fare i ri, iku në Shqipni, ku u vendos në Tiranë, te vëllai i madh, cili u kujdes jo si vëlla, por si nanë e baba...

     Naim Kryeziu në Tiranë  filloi të luaj futboll... Qysh në moshën 15 vjeçare e filloi karrierën e tij si futbollist  te klubi shqiptar i kryeqytetit SK Tirana, kurse në moshën 16 vjeçare u bë pjesë e Kombëtarës së Shqipërisë....

     Në muajin prill të vitit 1939, kur Italia Fashiste e pushtoi Shqipninë,

qeveria italiane dërgoi në Shqipni edhe mësues të edukimit fizik, që merreshin edhe me organizimin e ndeshjeve sportive. Një prej tyre, duke qenë tifoz i Romës, kur e pa duke luajtur Naim Kryeziun, menjëherë i dërgoi një sinjal udhëqjes së klubit sportiv Roma...

   

Naim Kryeziu (1918-2010)
Naim Kryeziu (1918-2010)
Naim Kryeziu udhëtoi drejt Romës për t’u regjistrue ISEF (Instituti Shtetëror për Edukimin Fizik), me synimin për t'u bërë mësues i edukimit fizik. Por, me gjithë këtë, falë talentit të tij, fati i kishte rezervuar një rrugë tjetër, të mbushur me lavdi. Vetëm 24 orë pas një testimi në fushën “Testaço”, drejtuesit e Romës e thirrën në selinë e klubit dhe i ofruan një kontratë si profesionist.

   Ndeshja e parë e Naim Kryeziut për Romën ishte ajo kundër Barit, ku luante Riza Lushta nga Mitrovica, një tjetër emër i madh i futbollit shqiptar, ku Roma fitoi ndeshjën me 4-2...

   Naim Kryeziu luajti për ekipën e Romës në periudhën prej vitit 1939 deri në vitin 1947 dhe në 122 ndeshje të zhvilluara shënoi 27 gola. Pastaj ai kaloi në Napoli, dhe më pas në sezonin 1953-1954 te ekipi i kategorisë së katërt, Torre del Greko, ku edhe ai la futbollin në vitin 1954....

   Gjatë karrierës së tij futbollistike në Itali, Naim Kryeziu luajti në 330 ndeshje ku shënoi 73 gola... 

    Pas vitit 1954, Naim Kryeziu  iu kushtua karrierës së trajnerit.  Fillimisht tek Almas Roma (1956-1962), ku arriti të siguronte ngjitjen në kategori të skuadrës Almas Roma.

    Në sezonin 1964-1965 ai u bë trajner i Romës, duke zëvendësuar të larguarin Lorenco. Më pas, u fut në stafin drejtues të Romës dhe si vëzhgues talentesh, zbuloi Xhuzepe Xhaninin, ish-mesfushor në Kombëtarën e Italisë...

    Në vitin 1971 kam jetuar e punuar në Romë. Meqë isha dashamir i fubollit, pothuejse çdo të diele i përcjellsha ndeshjet e futbolit në Romë, herë-herë edhe Napoli...Një ditë, i zoti i shtëpisë ku banojsha, në Via Nomentana, që ishte nga Gjakova, Imam Beqir Maloki, (1892-1985) Imam i Shoqatës “Bashkimi Islamik në Perëndim” me qendër në Romë, më thotë, :“Ku po hupë tanë ditën, ditën e diell...?” I tregova se me disa shokë po i përcjellim ndeshjet futbollistike, pra, mos u ban merak...!

    “Aaahaa... ! Bëri, dhe më tha:”Insha’Allah  boheni si Naim Begi, që ia ka pa hajrin topit....!”

Për mue, n’atë kohë, me 1971,  i ri, 21 vjeçar, ishte hera e parë që e dëgjoj emrin e Naim Begut dhe kur më tregoi se ai ka qenë lojtari më i mirë, vërtet u befasova, por edhe u gëzova...

    Një ditë prej ditësh i them Imam Beqir Malokit:

     “ A ka mundësi m’i telefonue Naim Begut e kur ta cakton ai, m’u takue e me pi një kafe së bashku...?  Naim Begu, rahmet pastë, me t’parën e pranoi dhe në praninë e Dr. Mentor Çokut (Kryetar i Shoqatës “Bashkimi Islamik në Perëdim”), u ulëm një kafe tek sheshi Porta Pio, afër Ambasadës Britanike, ku biseduem rreth dy orë...” Ishte ky takimi i parë, mjerisht, edhe i fundit, me Naim Begun, siç e quanin shqiptarët e moshuar n’Itali...

    Naim Begu mbahej mend si një sulmues i shpejtë, i përshkonte 100 metrat në vetëm 11 sekonda, kishte goditje të fuqishme me të dyja këmbët, por nuk ishte vetjak, ndihmonte me pasime Amedeo Amadei-n, i cili ishte ndër sulmuesit e shënuesit kryesor të Romës....

    Ditën e diel, me 21 Mars 2010, për nder të tij, skuadra e Romës luajti me një shirit të zi në krah në ndeshjen e kundër Udinezes, që e fitoi me 4-2.

    Ditën e hënë, me 22 Mars 2010,  u varros në kryeqytetin italian, por sipas faqes zyrtare të klubit “asroma.it”, në sheshin “Euklid” të Romës, në shenjë nderimi për Naim Kryeziun, u zhvillua ceremonia, ku ishin të pranishëm drejtues të klubit dhe futbollistë....

    Ndërsa, ditën e diele, me 28 Mars 2010, në Gjakovë, pranë “Urës së Islam Begut” u hap e pamja te Burim Kryeziu, nip i tij, ku shumë qytetar gjakovarë, vinin varg e vij për të ngushllue të afërmit e tij...

    Në shenj nderimi për këtë futbollist të madh, në Gjakovë, në vendlindjen e tij, në organizimin e OJQ “Naim Kryeziu” u mbajt një mbledhje përkujtimore...

     Naim Kryeziu kaloi në jetën e vërtetë, por ky futbollist gjakovar do të mbetet për jetë një simbol në futbollin shqiptar...