E premte, 19.04.2024, 02:19 AM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Përkujtesë e drejtuar historianëve të Akademisë Shkencave...

E shtune, 17.11.2007, 02:37 PM


Përkujtesë e drejtuar historianëve të Akademisë Shkencave, Tiranë

Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e kaluara duke e ndërtuar të tashmen, nuk ka se si të ketë të ardhme.  Ai ësht’i destinuar të zhduket.  
(Rabindranat Tagora)
                                                    

Përgatiti: Mërgim Korça

Mërgim Korça
Fatkeqësisht ky pohim skajshmërisht madhor i mendimtarit indian përmasash botërore, më fort se kurrë është aktual sot e kësaj dite për kombin tonë.   
Tek diskutonim një ditë me Baba Rexhebin e ndjerë rreth kësaj thënjeje madhore të Tagorës, Babai filloi të më fliste rreth dëmeve të mëdha e pjesërisht edhe kurrë më të riparueshme tashmë, që i shkaktoi diktatura e tejzgjatur komuniste kombit tonë.   Krimet e përbindëshme të dhjetvjeçarëve të parë, lufta e paprincip ndaj besimeve fetare si edhe ngritja në kult  e bindjes së verbër ndaj udhëheqjes personale të diktatorit, Baba Rexhebi i konsideronte tre faktorët shkatërrues të moralit të kombit tonë !    Mbas një heshtjeje të gjatë, Babai shtoi ... po humbi ndjenja e moralit u hapet rruga gjithë të këqijave të kësaj bote, more bir !  
I kujtoja këto pohime para pak ditësh tek rrija i përhumbur në mendime para mezarit* ku prehet në qetësí Hirësía e Tij Baba Rexhebi.   Shumë kemi diskutuar së bashku.   Të panumurt janë kujtimet si edhe mbresat nga bisedat me Të.   E sa më shumë që kalojnë vitet aq më shum’i vlerësoj pozicionimet e Tija e po aq më shumë ... e ndjej mungesën e Tij !   U ndava prej Tij duke ia puthur  mermerin e ftohtë të cilin e mbulon pëlhura e gjelbër, simboli i besimit të Tij Bektashjan.
Tek u nisëm me makinë të ktheheshim në shtëpi, unë isha akoma nën ndikimin e kujtimeve me Babanë.   Fillin e mendimeve ma ndërpreu ime shoqe :  ... ç’ke që vazhdon e je kaq i menduar ?   Kije mëndjen nga trafiku i dëndur... ndërsa mëndja e ime kishte fluturuar larg tek kujtoja  të ndjerin babanë tim për të cilin prokurori Bedri Spahiu kërkoi dënimin me vdekje, si tradhëtar të atdheut, e pastaj dënimin nga Koçi Xoxi me burg të përjetshëm ... si edhe vdekjen e tij si pasojë e grevës urísë.   Kujtoja në vazhdim baban’e gruas sime Sureja Selfon, të pushkatuar 32 vjeç, që e la të bijën veç 4 vjeçe !   Kujtoja xhaxhanë tim Muhamer Liçon, avokatin goj’ëmbël  që e tërë Korça e qau kur e pushkatuan me gjithë të vjehrrin edhe të kunatin ...  E pse i zhduku diktatura këta njerëz ?   Se qenë ose intelektualë, ose fetarë (vjehrri i xhaxhait ishte Baba Halvetí), ose të kamur si vjehri im, por që emërues të përbashkët kishin atdhedashurín’e zjarrtë... E gjithë ajo plejadë të diturish, besimtarësh të palëkundshëm si edhe njerëzish me karakter edhe moral të papërkulshëm që nuk kishin se si të konformoheshin me komunizmin ateist, internacionalist, dhe predikues shëmbjesh e përmbysjesh për hir të barazimit në skamje të së gjithë shoqërisë, i zhduku diktatura !  
Tërë atë natë mu ndërthurën në kokë pohimi i Tagorës, pikëpamjet e Baba Rexhebit, krimet e diktaturës e doemos ato (si në hije e të zbehta), kurse pohimet e F. Nanos tejet të freskëta e të gjalla :   “Ajo qe me rezulton nga bashkimi i shume zerave ne nje front alibik te papergjegjshmerise dhe amoralitetit politik eshte mungesa e analizave realiste dhe objektive per deformimin dhe manipulimet e zgjedhjeve parlamentare 2005, dhe sidomos mungesa e perseritur e mirenjohjes per sherbimin e ndershem dhe perkushtimin e sakrificat e mia ne jeten politike dhe shoqerore shqiptare gjate 15 viteve te fundit".   
Këto pohimet e F. Nanos edhe një herë ma kujtuan të ndjerin babanë tim i cili thosh edhe përsëriste ... cilat  flasin për moral ?   Prostitutat.  Cilët flasin për ndershmërí ?   Gënjeshtarët edhe mashtruesit.   E unë shtoj :  ndërsa sofisti i pashoq Nano veç mashtron e korrupton e tregohet i pakënaqur si ujku ndaj qingjit ezopian, kush flet për demokrací  si edhe transparencë ?   Gramoz Ruçi, ish ministri i Punëve të Brëndëshme përgjatë regjimit komunist, i cili e ka besoj një farë përvoje hetuesishë të dhunëshme dhe shkeljesh flagrante të të drejtave të njeriut !(?) 
I rrëmbyer nga racionaliteti si edhe vërtetësía e ftohtë e pohimit të Tagorës si edhe nga pikëpamja e Baba Rexhebit, të ndërthurura këto nga ndjenja që  nuk kanë se si të çpërfillen daç tek kujton krimet e komunizmit, nga njera anë, si edhe sofizmat edhe pafytyrësínë e Nanos edhe Ruçit, nga ana tjetër, e shoh se ... duhet t’a ngadalësoj revanin e t’a marr disi më shtruar që t’a ruaj komunikimin me studjuesin e historisë.  Prandaj po ndalem e t’a analizoj njerën nga pikat kyçe të historisë kombit tonë dhe konkretisht atë kapitull i cili ka mbetur si trashëgimí e mbrapsht’e periudhës diktatoriale, gati gati tabú e kësaj historie e me të cilën aq shumë kanë spekulluar historianët qoftë fanatikë e trushplarë ose ata dallkaukë, përgjatë diktaturës e fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot : Problemi kolaboracionizëm !   E bëj këtë me vullnetin e mirë që studiuesit e ndershëm dhe t’interesuar në qëmtimin e fakteve dhe vetëm të vërtetave historike, të kenë mundësi t’a zgjerojnë këndvështrimin e tyre, t’a pasurojnë me material e doemos pastaj së rishmi të gjykojnë si t’a shohin ata të arsyeshme.   Megjithatë këtyre studjuesve të rinj u lutem që kujtimet që unë paraqis ose faktet patjetër t’i verifikojnë e doemos t’u bashkangjisin edhe hulumtime arkivale e vetëm në vazhdim pastaj të dalin me përfundime të sakta.    Përgjatë këtij konteksti, një mbështetje morale ma jep edhe një studjues i ri, docent pranë Universitetit Urbanian në Romë, dr.Ardian Ndreca.   Ky, nisur nga pozicioni i tij  akademik, duke patur doemos edhe akses në arkivat e Romës, me një logjikë dhe rigorozitet shkencëtari ka bërë një pohim i cili duhet çdo studjues t’a bëjë të mendohet thellë :   “Sot në Shqipní zotnon prirja me rehabilitue ata figura të cilat deri dje regjimi komunist i kishte dënue. Shumë e drejtë. Por mâ të parët qi po na dalin atdhetarë e patriotë të përndjekun janë taman ata qi u eliminuen në luftën e mbrendshme midis rrymave komuniste në fuqí. E shkrivanat e sotshëm përpiqen me ngjallë keqardhje në publik tue tregue shortin e padrejtë qi i tokoi për hise Koçi Xoxeve e Mehmet Shehave, tue hesht qëllimshëm faktin se me mija e mija vorre njerzish të vlerët e të pafajshëm u mbollën në çdo kând të vendit shì prej dorës së tyne.”    Prandaj, në qoftë se objektivisht e kuptojmë që pohimi i këtij studjuesi duhet pranuar sepse tejet i drejtpeshuar, vetëm atëhere mund të vazhdojmë më tej  e të shpresojmë se do të jetë i mundshëm zbatimi në jetë, për të mirën e vëndit dhe të kombit, ajo ç’ka thënë Tagora :   Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e kaluara duke e ndërtuar të tashmen, nuk ka se si të ketë të ardhme.  Ai ësht’i destinuar të zhduket.  
Citimin e Tagorës si edhe ndërtimin e arsyetimit bazuar mbi këtë thënje, është më se e qartë se nuk e bëj për t’a hymnizuar Tagorën.   Aspak.   Por e bëj sepse pohimi i tij është sa racional edhe logjik e po aq edhe udhërrëfyes !    Kjo, në pamje të përgjithëshme.    I parë pastaj ky pohim në mënyrë më pragmatike, shtron detyra skajshmërisht të vështira përpara qeverisë së mbështetur mbi koalicionin e djathtë dhe të qendrës.   Kjo një e vërtetë e pamohueshme.  
Nisur nga të gjitha këto kushte paraprake, duke mos i harruar edhe sulmet tamam patologjike që bën Zëri i Popullit, (fillimisht organ i P.K.Sh.-së, në vazhdim i P.P.Sh.-së e  tashti edhe i P.S.-së sipas numrit rendor që përdor), herë duke nënçmuar ministra se me të kaluar vetëm si përkthyes e pra pa asnjë vlerë për të qenë ministra, e herë duke përfolur ministra si folës të një gjuhe të huaj e jo të një tjetre, mendoj se u krijuan kushtet e t’a fillojmë tashti analizën që i vumë detyrë vetes.   

Synimi i Qeverisë Kruja si edhe vlerat patriotike edhe intelektuale të disa ministrave të saj. 

 Duke filluar që nga trakti i parë me të cilin fillonte lufta e shkruar e Partisë Komuniste kundra sistemit borgjez, Mustafa Kruja si edhe përbërësit e këshillit të ministrave që kryesohej prej tij u quajtën tradhëtarë, kuislingë e çfarë nofkash nuk i u vunë atyre.   Pa i vënë vetes aspak detyrën e mbrojtësit që mundohet t’i përligjë veprimet e tyre, dua vetëm të hedh dritë mbi dy momente të rëndësishëm :   biografia si patriotë e tyre e doemos edhe niveli i secilit syresh si edhe vija e ndjekur prej asaj qeverie. 
Mustafa Kruja e kuptoi pa asnjë mëdyshje se në ato kondita të “komprometoheshin” duke e marrë në dorë drejtimin e vëndit ishte shpëtimi i Shqipërisë nga ndikimi sllavo-oriental e si rrjedhim moslejim marrje pushteti nga komunizmi.   Dhe fatkeqësisht sot, nga shekulli i XXI-të, shquhet qartë se si të gjithë të ç’orientuarit, (nga emri miklues që përzgjodhën Dushanë-Miladinët për L.N.Çlirimtare), me në krye intelektualë të shquar që u treguan dritëshkurtër në të kuptuarët e demagogjisë sllave, përfunduan radhë mbas radhësh ose përpara skuadrave të pushkatimit ose u kalbën ndër burgje e internime duke u emërtuar edhe ata njëlloj si viktimat e Gjyqit Special !    Sa për një shëmbull nga lista e pafund e tyre, po ze në gojë vetëm ideologët e komunizmit në Shqipëri duke filluar nga Zef Mala e duke vazhduar pastaj me Zaj Fundon, Sejfulla Malëshovën edhe Koço Tashkon, pa ia hyrë pastaj Riza Danit, Dr.Gjergj Kokoshit, Dr.Enver Sazanit, prof.Kol Prelës si edhe qindra të tjerëve !    Ta kishin kuptuar këta se sa largpamëse ishte politika e qeverisë Kruja, Shqipëria nuk do të kishte përfunduar në kthetrat e komunizmit i cili që në hapin e parë ia shiti interesat kombëtare Jugosllavisë !
  -- Vetë kryeministri, Mustafa Kruja, sa për t’a paraqitur para lexuesit i cili e njeh vetëm si tradhëtar e kuisling, (sipas komunistëve), ishte bashkënënshkrues i dokumentit të pavarësisë me nënshkrimin e shkoqur dhe shkruar qartë në atë dokument  si Mustafa Asim Kruja. Mirëpo në asnjë dokument muzeal përgjatë diktaturës, ky nënshkrim nuk u pa ... sepse mbivendosur gjithmonë mbi atë nënshkrim ishte shtëpia muzé me ballkonin e saj ku u ngrit flamuri ynë kombëtar nga Ismail Qemali ose mbivendosje të tjera, por gjithënjë mbi atë nënshkrim !  
Përgjatë kësaj paraqitje nuk kam se si të mos ndalem e të përkthej nga faqja 287 e veprës Francesco Jacomonit, ish Mëkëmbësit të Mbretit në Shqipëri, me titull Politika e Italisë në Shqipëri, botuar më 31 maj 1965, (origjinali italisht), një kalim kuptimplotë ku autori e paraqet figurën e kryeministrit të përzgjedhur si vijon :   “... Në krye të qeverisë shqiptare duhej vënë një njeri i cili, për të kaluarën e tij, t’ishte i njohur si një eksponent me autoritet i nacionalizmës shqiptare dhe gjithashtu për vëndin e tij t’a kish rrezikuar edhe jetën e tij.   E pra ai njeri është Mustafa Kruja ...”   
Vemë në dukje tashti se si e konsideronte ministri i Punëve të Jashtme të Italisë konti Galeazzo Ciano personin e Mustafa Krujës si edhe bashkëpunëtorët e tij : “... Jacomoni propozon ndryshimin e qeverisë në Shqipëri.   Kruja në vëndin e Vërlacit.   Kjo nënkupton një vazhdim lëshimesh drejtë ekstremistëve të nacionalizmës shqiptare.”   Ky shënim i kontit Ciano është shkruar me datën 10 nëntor 1941 në ditarin e tij të kujtimeve, (botim i Rizzolit – tetor 1990 fq.556).    
Lidhur me patriotizmin intransigjent të Mustafa Krujës do të sjell edhe një fakt i cili konfirmohet shumë kollaj ndër dokumenta arkivale.   Kur i propozuan drejtimin e qeverisë, Mustafa Kruja, ndërmjet shumë kushteve paraqiti edhe kërkesën themelore që Flamurit Kombëtar t’i hiqeshin dy sëpatat e fashizmit (për anë shqiponjës) si edhe nyja e Shtëpisë Savoia (ndën këmbët e shqiponjës), e në mes dy krenave të shqiponjës, lart të vihej përkrenarja e Skënderbeut !   Kësisoji me kushtin që vuri M.Kruja, Shqipëria tashmë që nga shkurti i vitit 1942 si Simbol Kombëtar do të kishte Flamurin e Kastriotëve !   Po kurrë përgjatë diktaturës jo që nuk u fol lidhur me këtë moment kyç të historisë tonë ku u pa me fakte se qeveria Kruja po fillonte t’i vinte mirë sinorët mes shtetit shqiptar si edhe shtetit italian, pa le të publikoheshin dy fotografitë, e para ku në emër të Parlamentit Shqiptar si edhe të qeverisë z.Ekrem Bej Vlora lexon falënderimin për rivendosjen e Flamurit tonë Kombëtar, dhe e dyta ku nga selía e Luogotenencës, në pranín’e mijëra vetave nga ballkoni shpalosej Flamuri ynë Kombëtar i trashëgimísë patriotike !   (Të gjitha këto dokumenta si edhe fotografí gjënden në Arkivin e Shtetit).
E konsideroj me shumë interes tashti të paraqes të dokumentuar edhe se ç’ka shkruar me datën 21 maj 1942 gazetari i mirënjohur italian Indro Montanelli në gazetën “Corriere della Sera” :   “ ... Jeta e mërgimtarit Kruja i ngjet më shumë asaj të Mazzinit se sa asaj të revolucionarëve të rëndomtë ballkanas ... dhe në vazhdim pastaj Montanelli paraqet të sintetizuar bindjen politike të Mustafa Krujës se cili pozicionim i shqiptarëve i shërben më mirë Shqipërisë : 
“... Ne nuk mund të jemi të pavarur pa mbështetjen e saj (të Italisë – M.K.) sepse do të binim pré e fqinjëve tanë më të fortë se ne.”
 Kurrë nuk u zu në gojë përgjatë diktaturës e vërteta historike se Mustafa Kruja ishte gjuhëtari m’i shquar i kohës së vet.   U zhduk nga Instituti i Studimeve Shqiptare që kryesohej prej M.Krujës, mbas marrjes pushtetit nga komunistët, dhe kurrë nuk u zu më në gojë fjalori i madh etimologjik i hartuar prej tij.  Gjithashtu kurrë nuk u zu në gojë se Mustafa Kruja qe një stilist i përsosur si në shkrime e studime të tijtë po gjithashtu edhe në përkthimet e tij prej dhe në pesë gjuhë që i fliste në mënyrë të përkryer.    Vetëm tashti së fundi u zu në gojë nga drejtori i përgjithshëm i Arkivave të Shtetit, z.Shaban Sinani, (i pari drejtor i Arkivave të Shtetit që e ka bërë një gjë të tillë), se kryeministri Mustafa Kruja ka qenë nismëtari si edhe shpëtimtari i qindra familjeve hebreje që i solli nga Kosova dhe i vendosi në Shqipëri.  
Mustafa Kruja u largua krejtë rastësisht nga Shqipëria në shtatorin e vitit 1944 se po i vdiste i biri, (gjë e cila edhe ngjau, por së paku ndërroi jetë në krahët e t’et në Vjenë.).  Po të mos ishte larguar padyshim që M.Kruja do të qe pushkatuar nga diktatura komuniste ashtu edhe siç u dënua me vdekje në mungesë dhe familja e tij u persekutua dhe u persekutua shumë ashpër vetëm se qe familja e tij !   Këtu do të jap edhe një moment të dhimbshëm e që çdo prind e vlerëson.  Me 21 nëndor  1944 sapo vete M.Kruja në spital tek i biri, ai me sytë e ndritur i thotë ... porsa kam lexue nji lajm ... sikur anglezët kanë zbarkue në Shqipninë jugore.   Dhe i ati veç t’ia jepte këtë kënaqësí që Shqipëria nuk kishte rënë në dorën e komunistëve ... i a pohoi.  E ksisoji i biri e besoi edhe vdiq i lumtur e nuk e mori kurrë vesh se ç’i hoqi familja !
-- Ministër i Arsimit në qeverínë Kruja qe Xhevat Korça.   E kaluara e tij ishte :  luftëtar i çetës së Spiro Bellkamenit e pastaj i asaj të Themistokli Gërmenjit në luftën kundra andartëve grekë si edhe për pavarësí.  Diplomohet në Universitetin e Vjenës me “summa cum laude” dhe emërohet drejtor i Gjimnazit të parë  të Shkodrës.   Arratiset e del në Jugosllavi kur e merr fuqinë A.Zogu dhe drejton katedrën e gjuhës shqipe n’Universitetin e Beogradit.   Gjatë thuajse pesëmbëdhjetë viteve në mërgim përkthen gjithë dokumentacionin “Acta et diplomata Austro – Hungarie” sa herë që një dokument bënte fjalë për Shqipërinë.   Sa për të hequr kureshtjen, vëllimi i kësaj pune të kryer përbëhet prej mijëra faqesh dhe janë në Arkivin e Shtetit.  
Kur i propozuan Xhevat Korçës të drejtonte Dikasterin e Arsimit  ai vuri dy kushte të cilët edhe u zbatuan :  
1- Të hiqej italishtja si gjuhë e huaj e detyruar nga të gjitha shkollat fillore të Shqipërisë dhe të lihej si gjuhë me përzgjedhje fakultative në shkollat e mesme.
2- Të liroheshin nga burgjet si edhe nga internimi në Ventotene të Italisë të gjithë arsimtarët e akuzuar si anti italianë.
(Lidhur me këtë pikën e dytë e kam një mllef me t’im atë. Ku t’a dinte ai i mjeri se   ndërmjet të liruarve nga internimi do të ishte, mes shumë të tjerëve, edhe Aranit Çela, ai gjakatari i pashoq që vrau e preu që nga 1945-sa e deri më 1990-tën !)
Së bashku me M.Krujën, Xhevat Korça ishte anëtar i kryesisë së Institutit të studimeve Shqiptare dhe të dy ishin nismëtarë të zbatimit të gjuhës së njësuar shqipe në të gjitha shkollat e Shqipërisë.   Prirja e Institutit të Studimeve Shqiptare ishte që gjuha e njësuar letrare shqipe të ishte gegërishtja e Shqipërisë së Mesme dhe konkretisht e folmja e qytetit të Elbasanit.   Me propozimin e Institutit Ministria e Arsimit me vendimin nr.61 të datës 20 shkurt 1942, nënshkruar nga ministri i Arsimit Xhevat Korça, caktoi si tekst bazë të sintaksës shqipe tekstin e punuar nga At Justin Rrota për klasat e II-ta të III–ta dhe të IV-ta të kurseve të ulëta të shkollave të mesme.   Natyrshëm lind pyetja :  ku u bazua ai Institut lidhur me përzgjedhjen e së folmes shqipe ?   Sepse gegërishtja me format e saja të Shqipërisë së Mesme si edhe të asaj të Veriut flitej nga 2/3 e popullsisë shqipfolëse.   Edhe albanologët më të shquar si Meyeri, Weigandi, Nahtigali, e deri tek Jokli ishin të mendimit që shqipja e normës letrare të ishte gegërishtja.  
Gjatë periudhës që drejtoi dikasterin e Arsimit, Xhevat Korça qe ai që e shtriu dhe e forcoi arsimin e mesëm në qytetet kryesore të Kosovës me arsimtarë të kualifikuar.
                   Ja edhe një fakt tejet interesant i cili verifikohet lehtë ndër dokumenta arkivale. Kur përgjatë gjyqit special të prillit 1945 prokurori Bedri Spahiu e akuzon të pandehurin Xhevat Korça si të shitur ndaj italianëve dhe se ligjin në dikasterin e Arësimit e bënte këshilltari italian,  këtë akuzë e hodhi poshtë dëshmitari mbrojtës i Xhevat Korçës, diplomati i karrierës Fuat Asllani, i cili deklaroi se kur kishte vajtur t’a takonte Xh.Korçën në zyrën e tij në ministri së bashku me mikun e përbashkët zotin Faik Dishnica,  mbas pak kishte trokitur dera dhe kishte hyrë këshilltari i Ministrisë Arsimit, Prof. Sestilio Montanelli, (i ati i gazetarit Indro Montanelli), dhe i kishte kërkuar leje ministrit të largohej nga zyra e të shkonte se e kërkonte në takim Mëkëmbësi i Mbretit, Jacomoni.   Xhevat Korça kishte shikuar orën dhe i kishte thënë ... mund të shkosh por mos u vono.  Në orën 12 kemi një mbledhje.   E sapo qe larguar këshilltari, zoti F.Asllani i kishte thënë ministrit ... që je i prerë e dinim, edhe si anti italian të njihnim, por që t’ia bëje kështu këshilltarit, nuk e merrnim dot kurrë me mënd !    Kjo dëshmí e zotit Fuat Asllani e bërë para trupit gjykues me kryetar Koçi Xoxen e prokuror Bedri Spahiun mendoj se flet shumë.  
Më 16 nëntor të vitit 1944 Xh.Korça u arrestua nga Divizioni i Mbrojtjes dhe nga Gjyqi Special u dënua me burgim të përjetshëm.   Me atë vendim të padrejtë ai kurrë nuk u konformua dhe mbas 15 vitesh burg, në burgun famëkeq të Burrelit ai i dha fund jetës me grevë uríe.
-- Ministër i Drejtësisë qe caktuar Hasan Dosti.    Ky ishte njeri nga juristët më në zë të Shqipërisë e njëkohësisht i përmëndur edhe për qëndrimet e tija si patriot i skajshëm e njeri i pakorruptueshëm.   Kur gjykata ushtarake e dënoi me vdekje atentatorin Myslym Shyri, Hasan Dosti në shënjë proteste dha dorëheqjen si ministër i Drejtësisë.
Hasan Dosti nga fundi i vitit 1944 u largua nga Shqipëria dhe pushteti komunist e dënoi me vdekje në mungesë.
-- Ministër i Punëve të brëndëshme u emërua Mark Gjomarkaj,  bir’ i familjes Gjomarkajve me një të kaluar të shkëlqyer patriotike edhe i diplomuar në fushën e jurisprudencës.
Me marrjen e pushtetit nga ana e komunistëve ai doli në mal në krye të një çete nacionalistësh.   I rrethuar nga forcat e mbrojtjes, i detyroi shokët e tij të çajnë rrethimin ndërsa ai i mbulonte me zjarr e në fund, që të mos dorëzohej, e vrau veten.   Dhe të kihet mirë parasysh se si i krishterë dhe besimtár i vendosur që ish, Mark Gjomarkaj nuk duhej t’a vriste veten, siç nuk e vranë para tij as Prêk Cali e as Llesh Marashi, ndonëse të shquar si trima me namë.   Por Marku në dallim prej tyre, ishte mirditor.   E mirditorët, kur u vjen fundi të koriten duke i kapur armiku të gjallë, pranojnë t’a humbasin shpirtin e tyre përgjithmonë edhe përzgjedhin vetëvrasjen !   E si mirditor i tillë trim edhe i palëkundur i mbylli ditët e tija edhe Mark Gjomarkaj !
-- Ministër i Financave ishte Shuk Gurakuqi.   Me emër si specialist financash por edhe si njeri i ndershëm.    Kur prokurori Bedri Spahiu i lexoi akt akuzën, ai iu drejtua kryetarit të trupit gjykues Koçi Xoxi dhe i tha ... e keni kot qi më lexoni akt akuza.   Ç’prej dhetorit 1941 qi u emnova ministër i Financave e deri ditën qi kena paraqitë dorhjekjen si qeveri, për çdo veprim qi âsht bâ prej Ministrisë Financave si edhe për çdo shkresë qi ka dalë prej saj, mos e lodhni mênden gjatë, të tânë përgjegjsinat i mbaj un.  
E ky ministër i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm deri në një, u dënua me burgim dhe u kalb n’atë burgun e Burrelit.  
-- Ministër i Partisë Fashiste u caktua Jup Kazazi.   Si formacion kulturor ai ishte i diplomuar në drejtësí dhe ishte pinjoll i familjes me emër patriote shkodrane të Kazazve.   Nga ana tjetër ishte edhe anti italian me bindje të thella.   Kjo edhe arsyeja përse kryeministri Mustafa Kruja e zgjodhi në atë pozicion që brënda mundësive t’u bëhej postobllok ndërhyrjeve të partisë fashiste italiane në punët e brëndëshme të Shqipërisë..   
Edhe Jup Kazazi, si Hasan Dosti, e dhá dorëheqjen në shënjë mospajtimi me dënimin me vdekje të Myslym Shyrit.  
Luftën e Reçit kundra forcave italiane, e cila u zhvillua më 30-31 gusht 1943, ku luftën kryesore e bënë çetat balliste të komanduara nga Jup Kazazi, as që e zunë në gojë traktet ose shtypi komunist i kohës.  Me kalimin e viteve Luftën e Reçit e përvetësuan komunistët, të cilët përmes historiografëve të tyre e quajtën atë si vepër vetëm të partizanëve. Ata jo vetëm që e mohuan rolin komandues të Jup Kazazit në atë luftë por  e paraqitën si bashkëpunëtor të pushtuesit.
Në fundin e muajit nëntor 1944 Jup Kazazi me gjithë vëllezërit e tij doli në mal dhe mbas dy vitesh u vra në luftim e sipër.
-- Ministër i Ekonomisë qe zgjedhur Kostandin Kotte.   Kish mbaruar Kolegjin e Shën Mitër Koronës në Kalabrí e pastaj fakultetin ekonomik në Romë. Si shok i ngushtë i Gurakuqit, më 1912 së bashku me të vete në Vlorë për ngritjen e Flamurit.  Ishte anëtar i shoqërisë "Bashkimi" me Avni Rustemin e Nolin, si edhe përhapës i ideve që paraprinë Revolucionin e Qershorit te vitit 1924. Ishte pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjes dhe pastaj sekretar në Parlamentin e Nolit (1924).  Në Gjenevë botoi gazetën Liria Kombëtare i së cilës qé edhe kryeredaktor. 
Përgatitja e tij tekniko-profesionale si edhe e kaluara e shkëlqyer politike në përkushtim të atdheut qenë kushtet paraprake që e shtynë Mustafa Krujën t’a caktonte anëtar të qeverisë së kryesuar prej tij.
Mirëpo nuk qenë të këtij mendimi anëtarët e trupit gjykues të Gjyqit Special të prillit 1945 të cilët e dënuan me pushkatim.  
-- Ministër i Punëve Botore në qeverinë Kruja qe caktuar Iljaz Agushi.  Ai ishte një patriot i zjarrtë kosovar me një përvojë të gjatë parlamentare në Sërbi.   Ishte rritur në një familje me tradita patriotike e cila ia kishte kultivuar  dashurinë për kombin e tij në kufinj sipërorë.   Mbi këtë nënshtresë erdhi edhe u formua tek ai dashuria e zjarrtë për Shqipërinë Etnike.   Kjo, sepse ai nuk e konceptonte dot Kosovën të ndarë nga Shqipëria.   Kështu që kur Mustafa Kruja e ftoi të merrte pjesë, si bir i Kosovës shqiptare në qeverinë Kruja, Iljaz Agushi e pranoi me gëzim të madh nderin që i bëhej.  
Edhe mbas dorëheqjes së qeverisë Kruja, Iljaz Agushi qëndroi prap ministër i qeverisë pasardhëse të kryesuar nga Ekrem Bej Libohova, pikërisht si bir i denjë i kosovës shqiptare.  
Mirëpo  këshilltarët, (në fakt drejtuesit e P.K.Shqiptare), Dushan Mugosha edhe Miladin Popoviçi nuk e shihnin dot këtë patriot të përkushtuar kosovar pjesëtar të qeverisë së Tiranës.   Ata, duke pasë arritur t’a zhysnin rinínë tonë thellë në rrugën e krimit, duke i bërë të shkelnin mbi parimin e mirënjohjes si edhe të besës tradicionale shqiptare e nxitën Bujar Hoxhën, birin e patriotit kosovar si edhe mikut të Iljaz Agushit, Hoxha Kadrisë, t’a shkelë me këmbë mirënjohjen ndaj atij që e nxori nga burgu dhe e mori sekretar personal të tijin pikërisht për t’a ruajtur edhe më tej, edhe i udhëhoqi dy atentatorët komunistë që hynë dhe e vranë Agushin brënda apartamentit të tij ! ** 
-- Ministër fuqiplotë pa portofol i qeverisë Kruja qe caktuar Qazim Koculi.   Ai kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Stamboll e pastaj qe specializuar në Shkollën e Lartë të Admiraliatit të marinës turke. 
Më 1920-tën Vlora ishte e pushtuar nga trupat italiane.   Me që Gjenerali Piacentini i cili i komandonte ato nuk denjoi t’i përgjigjej ultimatumit të drejtuar atij nga komisjoni i dalë nga Kuvëndi i Barçallasë që brënda 48 orëve të largoheshin trupat italiane nga Vlora, më 19 maj 1920 u zgjodh Komiteti i Luftës së Vlorës  me  Komandant të Përgjithshëm Qazim Koculin.  Edhe telegramit të dërguar nga Komiteti, ku njoftohej se po të mos largoheshin brënda 24 orëve forcat shqiptare do të fillonin veprimet luftarake kundra forcave italiane, kryekomandanti italian nuk iu përgjigj.   Atëbotë plasi beteja.  Ajo qe e përgjakëshme dhe u kurorëzua me hyrjen më 3 shtator 1920, në Vlorën e çliruar nga ushtria italiane, të forcave fitimtare shqiptare të komanduara nga Qazim Koculi !  
E kaluara e tij patriotike ia kishte vënë mbi kokë kurorën me dafina qëkur u caktua komandant i përgjithshëm i forcave që hodhën garnizonin italian të Vlorës në det.  Lidhur me atë ngjarje po citoj si është shprehur aso kohe Halim Xhelua : “ Në qé populli i Labërisë Sparta, trupi i Kryengritjes dhe Komisjoni i të Dymbëdhjetëve  sytë, goja  edhe  veshët,  Qazim Koculi qé shpirti i Epopésë së Vlorës !” 
Besoj se del e qartë tashti se nga cilat konsiderata u udhëhoq Mustafa Kruja që e zgjodhi Qazim Koculin si bashkëpunëtor në qeverí.  
Nga ana e historianëve, përgjatë diktaturës, emri i Qazim Koculit kurrë nuk u lidh me meritat e tij si komandant që i theu forcat italiane edhe i hodhi në det por vetëm u quajt anëtar i qeverisë kuizlinge të Mustafa Krujës.   E t’ish me kaq ... do të qe vetëm gjysma e së keqes !   Por përgjatë gjithë periudhës së diktaturës, historianët e indoktrinuar e shtrembërues të të vërtetave, komandant të përgjithshëm të forcave shqiptare kishin emëruar me fantazin’e tyre shterpe, sipas mësimeve të partisë, Selam Musanë.   Ky vërtet që jo vetëm ishte pjesëmarrës në luftë por edhe ra dëshmor.   Për këtë i takon i gjithë respekti ynë.   Por sikur nga Amëshimi i ndjeri Selam Musá të ish në gjëndje të komunikonte me ata historianë shtrembërues të të vërtetave historike për qëllimet e tyre të dobëta etiko – morale, ai nuk do të fliste por do të ulërinte rreth këtij mashtrimi !   Ai fshatar i thjeshtë mjaft një gjë t’u vinte në dukje këtyre shkencëtarëve megafonë të vijës partisë e t’u thosh : 
“ I besoni ju vetë këto që thoni ?   Si kish mundësi që unë një copë fshatar, të komandoja një tabor vullnetarësh që theu një ushtrí e atë të mos e komandonte por t’ish vartës i imi një oficer akademist ?”   Kurse unë shtoj se edhe n’e besofshin vetë historianët këtë plagjaturë të tyren, këtë gënjeshtër nuk ua besojnë vlonjatët q’e brohoritën më 3 shtator 1920 Qazim Koculin që hyri në krye të vullnetarëve në Vlorë e as ua besojnë fëmijët’e as nipërit e atyre vlonjatëve se të vërtetën e kanë dëgjuar nga goja e pararendësve të tyre me veshët e tyre !    
Më 2 janar 1943, tek udhëtonte për në Tiranë Qazim Koculi së bashku me prefektin e Vlorës Léle Koçin, më të dalë të Vlorës vriten që të dy nga forca mercenare ushtarake të nxitura dhe të mbështetura nga italianët.   Ky krim i kryer ndaj Qazim Koculit, i nxitur nga ana e italianëve për  t’u hakmarrë për dështimin e tyre në Vlorën e 1920-ës, qe pika e cila e mbushi kupën:  Mustafa Kruja në shënjë proteste si edhe indinjate ndaj italianëve si edhe personalisht ndaj Mëkëmbësit të Mbretit Jacomoni që nuk pranoi që të arrestoheshin e të çoheshin në gjyq vrasësit e Qazim Koculit, paraqiti dorëheqjen e parevokueshme në emrin e qeverisë që ai drejtonte.  

Ballafaqime faktesh, konsiderata si edhe përfundime eventuale

Pikërisht me që mendoj se është themelore dhe tejet e rëndësishme të ndreqen gabimet e së kaluarës që të mund të ndërtohet e tashmja e sigurtë e cila pastaj t’i paraprijë së ardhëshmes, i ftoj studjuesit e Akademisë së Shkencave që me paanësí si edhe me gjykim të qetë t’i ballafaqojmë faktet që disponojmë. I kam tejet të qarta vështirësítë si edhe pengesat që duhen kapërxyer, problem të cilin e ka shtruar me gjakftohtësí edhe objektivitet realist studjuesi i ndershëm, këmbëngulës dhe me horizont z.Mehmet Elezi, tek pohon :  “Misioni i ndriçimit pa truke të historisë, si shumë gjëra të tjera të mëdha në këtë vend, ka mbetur në dorë të nismave vetiake të intelektualëve e shqiptarëve idealistë. E shqiptarët idealistë janë gjithnjë e më të rrallë dhe  të zhveshur nga çdo mundësi. Për më tepër as ata dhe as kushdo tjetër nuk mund ta zëvendësojnë shtetin.”   E në qoftë se punonjësit shkencorë të Akademisë Shkencave vërtet do të bashkëpunojnë t’i dilet në krye ndriçimit të historisë kombëtare, atëherë edhe shpresa se shteti do të verë dorë, veçanërisht në kushtet aktuale, rritet shumë.
Përpara se t’ia hyjmë krahasimeve, sinqerisht u lutem studjuesve t’i qëmtojnë e pastaj t’i studjojnë faktet historike pa paragjykime, (si trashëgimí e së shkuarës diktatoriale),  mos të marrin për të vërtetë asnjë nga faktet që paraqita unë e që kurrë përgjatë diktaturës nuk janë pohuar, por të mundohen t’i konfirmojnë me dokumenta të Arkivave të ndryshëme.      
Tashti që e lehtësova ndërgjegjen time që brënda caqesh të mundshëm të jem sa më i paanshëm, i ftoj studjuesit përgjatë hullísë analizës, të ecim pa euforí por edhe pa mllefe.
Simbas të gjithë burimeve historike arrihet n’emruesin e përbashkët se mbasi Vidkun Quislingu me 17 maj 1933 e krijoi dhe u vu në krye të partisë Bashkimi Kombëtar të Norvegjisë, (ekuivalent i Partisë Nacional Socialiste të krijuar dhe udhëhequr nga Adolf Hitleri në Gjermani), ai u takua më 1939-ën me Adolf Hitlerin në Berlin dhe e nxiti këtë të fundit t’a pushtonte Norvegjinë.  Kur kjo ngjau në prillin e vitit 1940, Quislingu proklamoi qeverin’e tij.    Kjo qeveri pati vetëm shtatë ditë jetë.  Hitleri ishte informuar se Quislingu nuk e gëzonte simpatínë e popullit e prandaj Hitleri emëroi Josef Terbovenin si Gauleiter, (Governator i Përgjithshëm) e ksisoji Norvegjia drejtohej nga ai.  Por Terboveni, si kukull sajoi një post me emrin Minister President për Quislingun, ku Governatori formalisht masat e dhunës linte që t’i nënëshkruante Quislingu-norvegjez.  Përpjekjet e tija për t’i kthyer kishën si edhe rininë norvegjeze në ithtarë të Nacional Socializmit nuk gjetën mbështetje.   Për krimin e tij të njohur të deportimit në kampet e çfarosjes të 1,300 hebrenjëve si edhe krime të tjerë më të vegjël, në tetorin e vitit 1945 ai dënohet me vdekje edhe pushkatohet.   Kjo veprimtarí e tija bëri që emri i Kuislingut të simbolizojë tradhëtínë ndaj atdheut si edhe krime ndaj hebrenjëve edhe më gjerë. 
Tashti që e përcaktuam pikën e referimit mund të fillojmë nga analiza e doemos edhe nga krahasimet.    Mustafa Krujën e pati përcaktuar Mëkëmbësi i Mbretit Jacomoni si ... eksponent me autoritet i nacionalizmës shqiptare dhe gjithashtu për vëndin e tij kish rrezikuar edhe jetën e tij.    Nga ana tjetër Conti Ciano, ministri i Punëve të Jashtme të Italisë fashiste shton edhe se pranimi i Mustafa Krujës si kryeministër... nënkupton një vazhdim lëshimesh drejtë ekstremistëve të nacionalizmës shqiptare.   Kurse Montanelli, i Corriere della Sera-s, paraqet në thonjëza këndvështrimin e Mustafa Krujës lidhur me aleancat më të favorëshme për Shqipërinë ... “Ne nuk mund të jemi të pavarur pa mbështetjen e saj (të Italisë – M.K.) sepse do të binim pré e fqinjëve tanë më të fortë se ne.”   Përgjatë këtij konteksti i lutem lexuesit t’a mësojë edhe një kujtim timin, i cili fatkeqësisht nuk dokumentohet dot, por bën pjesë në vlerat që unë ruaj në kujtesën time duke patur fatin të njihesha me ato personalitete të kombit tonë.    Ishin mbledhur një ditë tek ne M.Kruja, Q.Koculi, M.Gjomarkaj si edhe babai im.   Mustafa po u fliste se duhej t’a pranonin propozimin që i ishte bërë atij të formonte qeverinë që do të zëvëndësonte atë të Shefqet Bej Vërlacit.    M.Gjomarkaj praktikisht nuk mori pjesë edhe aq në bisedë dhe unë mendoj se ai ishte i bindur se ai vendim duhej marrë.   Q.Koculi si edhe babai e kundërshtonin M.Krujën me shumë ashk.   M.Kruja i dëgjoi sa i dëgjoi e pastaj u tha “... duhet t’a lini më një anë atë anti italianizmin tuaj ekstrem.   Si nuk doni t’a kuptoni se ne nuk mund të qëndrojmë pa u mbështetur në një shtet më të fuqishëm se ne?   E pra të mbështetemi tek Greqia, ne vetëm se humbasim e nuk fitojmë asgjë.   Të mbështetemi te Serbia, gjithashtu, vetëm humbasim e nuk kemi se ç’të fitojmë.   Të mbështetemi tek Italia ne vetëm fitojmë e nuk kemi se ç’të humbasim, për vetë pozicionin tonë gjeografik !   Prandaj thirrini logjikës e të veprojmë siç është më e mira për atdheun tonë !   
Shtrojmë tashti pyetjen :   si e kaluara skajshmërisht nacionaliste e secilit anëtar të qeverisë Mustafa Krujës e gjithashtu edhe pozicionimi i tyre duke zgjedhur njerën nga tri mbështetjet e mundëshme lidhur me fqinjët gjeografikë, a  kish ngjashmërí me sjelljen e V.Quislingut lidhur me joshjen Hitlerit për pushtimin e Norvegjisë ku qëllimi i tij ishte lakmía për pushtet si edhe interesi material personal ?   Mendoj se është e qartë si drita e diellit se pyetja mbetet në kufijtë e një pyetjeje retorike !  
Sa u takon hebrenjëve, V.Quislingu i dërgoi masivisht në kampet famëkeqe të zhdukjes.  Kurse M.Kruja, siç e citon së fundi edhe drejtori i përgjithshëm i Arkivave të Shtetit z.Shaban Sinani mbështetur në pohimet e F.Jacomonit, shpëtoi nga çfarosja mbi 300 familje hebreje duke i sjellur nga Kosova në Shqipëri e duke i strehuar edhe paisur me pashaporta me emra muslimanë !    Në këtë veprimtarí njerëzore u shqua edhe personalisht ministri i Punëve të Brëndëshme Mark Gjomarkaj !
Tashti besoj se i erdhi çasti pyetjes vërtet retorike :  A ka se si të vihet shënja e barazimit ndërmjet Mustafa Krujës dhe qeverisë së kryesuar prej tij, nga njera anë, dhe V.Quislingut nga ana tjetër ?    Në këtë mes mendoj se vetëm një rrethanë e sqaron se si ka mundësi që edhe sot, në vitet 2000 akoma të mos jetë sqaruar ky moment historik : që me traktin e parë të P.K.Sh. u zbatua thënja sa e urryer e po aq e pamoralshme shpifni, shpifni se diçka mbetet !    Në rastin konkret nuk qe një herë e thënë apo njëmijë herë.   Ajo shprehje djallëzore u përsërit përgjatë 47 viteve dhe ne sot jemi dëshmitarë të dëmit që solli me vete ajo demagogjí !   Ndalem këtu edhe për një sqarim.   Të mos përtojnë studjuesit e të kontrollojnë përkufizimin e fjalës demagogji.   Në fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe me përkufizim thuhet :   Demagogji – Mashtrimi i masave punonjëse, duke i joshur me fjalë të bukura e me premtime të rreme për t’i bërë për vete për qëllime e synime të caktuara politike; ... Demagogji politike (borgjeze, revizioniste).   Demagogji e kishës (klerit).   Dhe u bënë kaq breza të cilët fjalën demagogji e lidhin vetëm me borgjezinë, revizionizmin edhe klerin.   Ky qe vetëm një shëmbull mikroskopik i krahasuar me deformimet që i janë bërë historisë përgjatë diktaturës.  A kanë faj pastaj historianët e brezave të rinj që edhe sot e kësaj dite, të trembur nga faktet, në të vërtetë shpifjet e përhapura për gati gjysëm shekulli, diskutimin e kapitullit historik maj 1939 deri në dhjetor 1945, sa i takon veprimtarisë qeverive, e quajnë tabú ?  
I ftoj tashti studjuesit e fushës së historisë të Akademisë Shkencave, të bëjmë një krahasim tjetër.   A mund të quhet kuisling Enver Hoxha si edhe pjestarët e qeverisë së kryesuar prej tij ?  Ju ftoj t’i gjykojmë pa as më të voglin mllef e pa asnjë paragjykim, por vetëm bazuar në fakte.    Edhe Enver Hoxha e kishte kuptuar se duhej mbështetur në njerin prej fqinjëve.  Shumë e drejtë.    Nga të tre fqinjët ai zgjodhi Sërbinë.  Jo vetëm që koha e tregoi se ajo përzgjedhje qe e gabuar, por edhe E.Hoxha vetë pastaj u detyrua e shkroi edhe libra rreth asaj përzgjedhje, po doemos kurrë nuk e pranoi gabimin e tij.   Në vazhdim, për t’a mikluar druzhe Titon, ai e pranoi demagogjinë  e Titos se për  Kosovën, mbas lufte, duhej bërë një plebishit popullor.   Ja edhe këtë po e pranojmë.   Në vazhdim Titoja, pa plebishit e duke shkelur me të dyja këmbët vendimet e Mbledhjes Bujanit e aneksoi Kosovën.   Ky veprim në vetvete qe fatal për Kosovën, apo jo ?  Po  Enver Hoxha me githë qeverín’e tij, si reagoi ?   Në Kosovë u dërgua   divizioni shqiptar me në krye komandant Rahman Perllakun e komisar Ramiz Alinë që t’ia nënshtronin kosovarët jugosllavëve !   Kjo vazhdë veprimtarishë a mund të quhet ndryshe veçse kopje ballkanase e E.Hoxhës e veprimit nordik të V.Quislingut ?  
Për krahasim, tek ky moment nuk kemi se si të mos qëndrojmë, qoftë edhe fare shkurt.  Frut i t’ashtuqujturit kolaboracionizëm qe bashkimi i Kosovës me shtetin amë.  Por nuk qe vetëm kaq.  Është e thjeshtë të gjurmohet në biblioteka “Gazeta Tomori” e datës 24 janar 1942.   Atje gazetari Nebil Çika, (edhe ky i pushkatuar nga diktatura), shkruan se e kishte takuar Mustafa Krujën në Kopështin e Trëndafilave në Romë, sapo kishte dalë nga një takim me ministrin e Punëve të Jashtëme të Italisë, Galeazzo Ciano.   E përshkruan se si M.Krujës i ndritnin sytë dhe i kishte pohuar se po i jepte një lajm tejet të gëzuar duke i thënë se sapo ministri Ciano i kishte pohuar se Plava si edhe Gucía do t’i bashkangjiteshin Shqipërisë.   E duke i treguar këtë lajm M.Kruja kishte thënë ndjehem shumë i gëzuar !    Pra, i mbiquajturi kolaboracionist dhe tradhëtar, qe ndër ata politikanë të asaj kohe rezultat i punës dhe politikës së të cilëve Kosova iu bashkua Shtetit Shqiptar edhe punonin që edhe Plava e Gucía të kishin po atë fat.   Ndërsa E.Hoxha me gjithë shokët e tij, jo vetëm që i a dhuruan Kosovën Jugosllavisë, por (në bazë dokumentash arkivale) i dërgonin Titos telegrame duke shprehur emocionin e tyre që sa më parë Shqipëria t’i bashkangjitej Federatës Jugosllave.   Për të mos i lënë pa dokumentuar këto pohime, ja edhe dy dokumenta arkivale, njeri nga proces verbali i mbledhjes se Byrose Politike, 15 dhjetor 1946, (ish Arkivi i KQ te PPSh) simbas të cilit Enver Hoxha në atë mbledhje ka thënë "Disa anëtarë partie duan të filozofojnë se mos thotë populli ç'bëtë me Kosovën...Ne do të ua spjegojmë, kush nuk na kupton, ne do ti luftojmë".   Me që ky dokument ndonjë skeptiku mund t’i duket disi evaziv, vazhdojmë me dokumentin e dytë i cili e plotëson  kuadrin tejet dukshëm.    Në muajin korrik të vitit 1946 u mbajt mbledhja e Kuvëndit të Sërbisë ku u miratua aneksimi i Kosovës Jugosllavisë Federale.  Lind natyrshëm pyetja :  cili qe qëndrimi i Enver Hoxhës ndaj kësaj situate ?  Në muajin gusht të vitit 1946, vetëm një muaj mbas aneksimit të Kosovës, u zhvillua në Paris Konferenca e Paqës.  Atje E.Hoxhës i u drejtuan disa pyetje sa i takon  qëndrimit të Shqipërisë ndaj atij aneksimi.   Lidhur me këtë  ju ftoj t’a gjeni e t’a lexoni fjalimin e  Enver Hoxhës mbajtur në Konferencën e Paqës në Paris, (gjëndet në Arkivin Qëndror të Shtetit), ku ai thotë shprehimisht : "Ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tone Jugosllavi". (Enver Hoxha,fjalimi orgjinal ne Konferencen e Paqes, Paris,AQSH).
E pra sa i trishtë ky qëndrim thellësisht antikombëtar pasoj’e të cilit është lufta që po bën sot e kësaj dite populli kosovar, jo për t’u bashkuar me tokën amë, (siç e pat bashkuar politika e kuislingëve), por së pakut të fitojë pavarësínë.   Vazhdojmë tashti me krahasimet.
Në këtë drejtim po sjell një shëmbull nga shkrimi me titull “Përballë mëdyshjes :  Heronj apo kriminelë?”  - Pyetjet nuk vdesin (Pablo Neruda), i studjuesit të respektuar Mehmet Elezi, (botuar me 22 maj 2005 në Gazeta 55), i cili me ndershmërínë që duhet t’a karakterizojë çdo studjues, i shpreh qartë pikëpamjet e tija :
“Kush luftoi kundër interesave kombëtare, kujt mund t’i vihet më përpara gishti si kolaboracionist më i rrezikshëm: këtyre njerëzve që bënë diçka për vendin, duke rrezikuar brenda në strofkullën e pushtuesit, duke marrë përsipër institucionet e tij për të mos i lënë në të tjera duar vrastare, apo diktatori Hoxha e bashkëpunëtorët e tij, i cili, i fshehur pas emrit si luftëtar kundërfashist, i vriste bashkëluftëtarët idealistë sipas këshillës së Miladinë-Mugoshëve dhe më pas, deri më 1948, siç është zbuluar në arkiva e siç është e shkruar edhe në “veprat” e tij (shih raportin në kongresin e parë të PKSH) përgatiti vendin me u bashkue me Jugosllavinë, për ta shuar përgjithmonë shtetin e pavarur shqiptar nga harta politike e Europës duke e vënë nën thundrën e Beogradit. Madje i lutet Titos me i përshpejtue ritmet, që kjo punë të kryhej sa më shpejt, se njërzit “prisnin me padurim”!
Sa  u takon hebrenjëve E.Hoxhës nuk i gjejmë dot paralelizëm me V.Quisling-un, kjo ësht’e vërtetë.  Por gjithashtu edhe qeverisë M.Krujës jo që nuk i gjëndet krahasim paralelizmash lidhur me pozicionim ndaj hebrenjëve, por përkundrazi, ndërsa Quislingu i deportoi drejtë furrave me gaz, Mustafa Kruja i mori nën mbrojtje dhe u a shëtoi jetët !  
Vijmë tashti tek krimet.  Patën shkëmbim radiogramesh Mehmet Shehu, i dërguari i plotfuqishëm i E.Hoxhës për t’a shtruar Malësín’e Madhe si edhe vetë Enveri, (radiograme të cilët gjënden në Arkivin e Rendit). 
Radiogramit urgjent të M.Shehut të datës 9 shkurt 1944 ku kërkon miratimin e Komandantit lidhur me pushkatimin e pavonesë të 12 malsorëve  si edhe në vazhdim edhe të 20 të tjerëve, E.Hoxha i përgjigjet :  
         
                       
Gjegje radiogramit nr.extra datë 9 fruer 1945

Aprovohen ndëshkimet me vdekje të 12 vetëve dhe ndëshkimi i të tjerëve
me  dënime  të  ndryshëme  propozue me të sipërmin.  Na njoftoni  datën
e ekzekutimit.              
Enver Hoxha
(Firma)
      
E pranojmë se këto marrje vendimesh krejtësisht arbitrare për pushkatime ishin fillimi i fillimeve.   Po me organizimin e shtetit ligjor ku specialistë ishin këshilltarët jugosllavë, ç’na tregojnë dokumentat ?   Direktiva jugosllave, e cila kishte objektiva të përcaktuara qartë lidhur me gëlltitjen e Shqipërisë, (siç i a pati sugjeruar Stalini në takimin e tij me Titon në Moskë), E.Hoxhën e kishin paisur me një plan me objektiva konkrete :
1- Luftë e ashpër kundra të gjithë intelektualëve antikomunistë deri në zhdukjen e tyre si  
      kategorí.
2- Asgjësim i klerikëve, edhe i këtyre si kategorí, sepse nga njera anë ishin atdhetarë dhe
       intelektualë të  shquar  e  nga  ana  tjetër  sepse  një popull i cili edukohet me normat e 
       moralit dhe etikës së besimtarit nuk mund të konformohet me amoralitetin komunist.
Kësisoji u fillua me Gjyqin Special të prillit 1945 ku kryetar ishte Koçi Xoxi (mbas katër vitesh i pushkatuar ai vetë nga diktatura si tradhëtar), e me prokuror Bedri Spahiun, (i arrestuar edhe ai në vazhdim e i kalbur burgjeve po nga diktatura si tradhëtar).   Publiku në sallë ishte i përzgjedhur me ftesa, domosdo.   Në llozhë ishte edhe Enver Hoxha.   Por nuk mund të mos i sqaroj studjuesit   se pranía e E.Hoxhës ishte shumë kuptimplote.   Përgjatë atij gjyqi u dënua me vdekje me pushkatim edhe Bahri Omari, (patriot edhe intelektual i shquar), i cili ishte burri i së motrës Enver Hoxhës !   Pse merr kuptim të thellë për t’ardhmen pranía e E.Hoxhës në sallë ?   Sepse kësisoji ai u tregonte veglave të tij se kur atij nuk i dridhej qerpiku tek i ngelte e motra e vejë si edhe nipërit jetimë, t’a mendonin mirë bashkëpunëtorët e tij se sa i rrezikshëm që ish ai po t’u shkonte në mëndje t’ia prisnin rrugën!       
 Fakt i dokumentuar nga përkthyesja e E. Hoxhës gjatë takimit me Ambasadorin Jugosllav Jozef Gjergja, është pohimi gjithë gaz edhe mburrje i tij, duke e vënë në dijení   diplomatin jugosllav,  se klerin katolik e kishin goditur rëndë duke e pushkatuar Patër Anton Harapin.   Në vazhdim e pyes lexuesin, në se i a merr mëndja se ç’qe përgjigjur diplomati jugosllav ?   Qetë, qetë, i kishte vënë në dukje se ... e drejtë, po kini parasysh se akoma e kini të gjallë Patër Gjon Shllakun ...
E kështu vazhduan, duke filluar pa u shuar akoma mirë jehona makabre e zërave të egër të Koçi Xoxit si edhe Bedri Spahiut që dënuan me vdekje të 17 intelektualët e pushkatuar nga Gjyqi Special, gjyqet e At Faustit, At Dajanit, At Shllakut, seminaristit M.Çuni si edhe listës së gjatë të patriotëve të tjerë.   Pa dashur të zgjatem pafundësisht me faktet e arkivuar por duke mos mundur edhe t’a le në harresë se si vepronte drejtësía komuniste shqiptare, do të sjell vetëm dy dokumenta shumë kuptimplotë që çdo studjues i interesuar i gjurmon kollaj në arkiva.  
Këshilli Gjyqësor Ushtarak i Shkodrës i përbërë nga  Kryetar- toger Mustafa Iljazi dhe anëtarë - kapiten Namik Qemali si edhe aspirant Tonin Miloti, me prokuror Aranit Çelën dhe sekretar Shaban Dautajn morën vendimin e dënimit me vdekje për shtatë të pandehurit :  1-Patër Giovanni Fausti, 2-Patër Danjel Dajani, 3-Patër Gjon Shllaku, 4-Mark Ndoc Çuni, 5-Qerim Sadik Myftari, 6-Gjelosh Lulash Bajraktari dhe 7-Gjergj Vat Bicit.
Vendimi i nënëshkruar nga   KRYETARI :  Mustafa Iljazi.
Ky vendim niset për Tiranë me shkresën përcjellëse nr.6-55 datë 26 shkurt 1946.
Për t’u vënë në dukje e doemos për t’u bërë edhe objekt diskutimi është përgjigja nga Tirana të cilën po e kopjoj integralisht siç gjëndet n’Arkiv :

Gjegje shkresës nr.6-55 datë 26 fruer 1946

APROVOHEN NDËSHKIMET ME VDEKJE PËR :

1. Patër Gjovani Fausti – nga Breshia e Italisë
2. Patër Danjel Dajani  nga Shkodra
3. Patër Gjon Shllaku   nga Shkodra
4. Mark Ndoc Çuni  nga Shkodra
5. Qerim Sadik Myftari  nga Gucia
6. Gjelosh Lulash Bajraktari  nga Shosh Dukagjini

Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.

Ndëshkimi me vdekje:
1-   Gjergj Vat Bicit  kthejeni në burgim të përjetshëm.
Aktet e fajtorisë të Frano Mark Mirakaj kanë me u shqyrtue më vonë dhe vendimi do t’ju komunikohet mbas shqyrtimit.

Ministri i Luftës dhe Mbrojtjes Kombëtare
Gjeneral kolonel Enver Hoxha

Ekzekutimi i 12 malsorëve në shkurtin e 1945-sës, i të 17-ve të Gjyqit Special  më 14 prill 1945 si edhe i të gjashtëve të gjyqit të parë kundra klerikëve më 4 mars 1946, kanë një të përbashkët të ftohtë dhe absolutisht kundra të drejtave njerëzore.   Në rastin e parë M.Shehu kërkon miratimin e E.Hoxhës për t’a kryer ekzekutimin.   Me rastin e të pushkatuarve të Gjyqit Special, ish prokurori e pastaj vetë edhe viktimë e sistemit, Bedri Spahiu, deklaronte ... sikur njëmijë herë të ngjallej Bahri Omari e unë të isha prokuror, njëmijë herë do t’a kisha pushkatuar edhe pa urdhërin e E.Hoxhës, (ky pohim si edhe shum’e shumë të tjerë gjurmohen pa vështirësí në Testamentin Politik të Bedri Spahiut botuar nga Shtëpia Botuese “Apollonia” më 1994 si edhe në kujtimet e botuara mbasi doli nga burgu B.Spahiu).   E po ashtu edhe me rastin e pushkatimit të gjashtë viktimave më 4 mars 1946, fjalën e fundit gjithmonë e ka thënë Enver Hoxha.  
Përgjatë shqyrtimit të këtyre fakteve, sado skajshmërisht objektiv që të jesh, del në dukje fakti që veprimet e E.Hoxhës kanë qenë ato të një antishqiptari terrorist.  
Këtu po qëndroj sa i takon krahasimit me V.Quislingun se nuk do të kishte më asnjë kuptim të vazhdonim me analizat e gjyqeve dhe  pushkatimet e grupit të deputetëve, të Koçi Xoxes, të grupit të çamëve me admiralin Teme Sejko në krye, të gjeneralëve ushtarakë me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon në krye, të sabotuesve të ekonomisë Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi, e vonë, vonë pastaj deri tek agjentët e CIA-s Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut e Fiçor Shehut me shokë !   
Rezultati i analizës do të na tregonte se për 40 vite me radhë Enver Hoxha, duke qenë i rrethuar veç prej agjentësh të shërbimeve të huaja edhe tradhëtarësh të kombit, i vetëm dhe i pastër e drejtoi vëndin drejtë sukseseve edhe lumturisë, por që rrugën e sundimit të tij e mbushi me të pushkatuar, të burgosur si edhe të internuar !  
Duke gjykuar tashti nga lartësit’e viteve 2000 jo vetëm me logjikë të ftohtë, drejtpeshim edhe me ndershmërí, duke i njohur ngjarjet e rrjedhura në dhjetvjeçarë e duke i ballafaquar këto me faktet që kurrë nuk janë treguar por që lehtësisht gjurmohen e mund të qëmtohen në dokumenta arkivale, shkruarja dhe vënja në vënd e të vërtetave historike është vetëm çështje ndershmëríe edhe serioziteti shkencor.  Nuk kam se si të mos e citoj së rishmi përgjatë kësaj hullíe se si është shprehur  përgjatë analizës së tij me titull  “Mustafa Kruja figurë e ndritun e Shkencës Shqiptare” dr.Ardian Ndreca lidhur me figurën politike të Mustafa Krujës, mbas hulumtimeve shumëvjeçare në arkivat e Romës, pohon se ... ai donte (M.Kruja – M.K.) nji Shqipní të bashkueme në kufijtë e vet natyrorë. Donte që kjo Shqipní e bashkueme, ta zhvillonte jetën e saj në paqen e sigurueme prej Romës.   Pra dr.Ndreca e ve theksin tamam tek pika ku më shumë është spekulluar rreth pozicionimit politik të Mustafa Krujës.   Edhe këtu ia vlen një krahasim i fundit  :  M.Kruja u mbështet tek ai krah që e humbi luftën.  Dakord.   Një përzgjedhje jo fatlume.  Por qëllimi i tij qé Shqipëria brënda kufinjëve të saj natyrorë, pra Shqipëria Etnike !   E ai krah bashkëpunimesh e siguronte pikërisht këtë aspiratë kombëtare.  Po E.Hoxha që me internacionalizmin e tij proletar u mbështet tek kahu sllav, çfarë solli ?   Jugosllavia desh e aneksoi Shqipërinë !  Në vazhdim, nga që Hrushovi veç se zuri në gojë të zëvëndësoheshin tashmë udhëheqësit shqiptarë të dalë nga lufta, dora dorës me të rinj, (nga që diktatori s’e lëshonte pushtetit për së gjalli), u armiqësuam edhe me B.S. !  E në vazhdim ... edhe Kina, jetëdhënësja si edhe dritëdhënësja ynë ... na tradhëtoi e na la jetimë !  
E solla  shëmbullin e shkurtë të dr. A.Ndrecës i cili është kuptimplotë dhe shpresëdhënës sepse tregon se si ndër studjuesit e rinj objektivë dhe të ndershëm, ka mbirë fara e studimit të dokumentave arkivale, e gjykimit të tyre të paanshëm dhe e nxjerrjes së përfundimeve rigorozisht shkencore.
Nisur nga këto konsiderata, ftoj si punonjësit shkencorë të rinj e gjithashtu edhe ata të vjetrit, por të ndershëm  të Akademisë Shkencave, (sado të indoktrinuar që të kenë qenë), të ballafaqohen me këtë realitet krejtë tjetër, të kuptojnë shquar se cilët kanë qenë ata që padrejtësisht u quajtën dhe u dënuan si kuislingë e tradhëtarë, e cilët kanë qenë kuislingët e tradhëtarët e vërtetë, edhe t’a thonë pa ekuivoke të vërtetën historike !   

Ky kishte me qenë nga ana e tyre një akt patriotik !      
 
*  Vënd varrimi.
**Hollësira rreth bukëshkelësit mosmirënjohës prof. Bujar Hoxhës, gjënden tek shkrimi “Fakte, përsiatje e   
   pse jo  edhe pak shpresë”, pjesë e shkrimeve të librit me titull   “Histori të pashkruara” me autor Mërgim Korça,  botuar nga Media Enter – 2005.

Michigan tetor 2005



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora