E premte, 29.03.2024, 03:47 PM (GMT)

Faleminderit

Halit Bogaj: Te lapidari i Fehmi Aganit

E marte, 04.05.2010, 09:00 PM


TE LAPIDARI I FEHMI AGANIT

 

I vrarë më 6 maj 1999

 

Nga Halit Bogaj

 

E vranë forcat gjakatare serbe profesorin tonë të nderuar ngase ai ishte Lokomotiva e Pavarësisë së Kosovës dhe dora e djathtë e Presidentit Rugova të cilit i  qëndroi besnik deri  në ditën e kobshme të pushkatimit të tij mizor kur e nxorën nga treni dhe e  ekzekutuan para syve të popullit të deportuar me dhunë nga vatrat e tij.. Çetnikët sheshelianë do të jenë  gëzuar së tepërmi me krimin makabër të cilin e kishin bërë ndaj një njeriu i cili që nga burrërimi i tij e kishte kundërshtuar dominimin serb ndaj vendit tonë.Hienat gjakatare do të jenë  gëzuar pa masë ngase e kishin kryer edhe një detyrë tjetër të tmerrshme e cila ishte vazhdim i pandërprerë i një politike vrastare dhe shfarosëse ndaj një populli të tërë dhe ndaj prijësve të tij më eminentë siç ishte edhe Fehmi Agani ynë i  shtrenjtë i cili edhe jetën e dhuroi për Kosovën e tij të  dashur dhe çlirimin e saj definitiv që në ato ditë vinte me shpejtësi të madhe në trojet tona shekullore .Këtë fakt e dinte fare mirë edhe satrapi ballkanik i cili  çlirimin e Kosovës, profesorit tonë ia shpërbleu  me  pushkatim.  Serbët e çmendur dhe barbarë , të cilët e merituan ndëshkimin nga Bashkësia ndërkombëtare, në ato ditët e tyre të vështira nga bombat e NATO-s , e përfunduan aktin e tyre barbar ndaj njeriut që  para se ta vrisnin mori pjesë edhe  në Rambuje për të ardhmen më të ndritur të vendit të tij. Ata u ndëshkuan me të drejtë por si duket as sot  nuk do të mbushen mend dhe do t’u  duhen edhe ndëshkime të tjera të ngjashme për t’u këndellur njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e tyre e errët dhe antinjerëzore.

 

E vranë profesor Aganin atë ditë të kobshme maji në të cilën u vesh në të zeza mbarë shqiptaria. E vranë por edhe vrasja e tij heroike bëri jehonë të madhe kudo që flitej  shqip, ngase ai, përveç atdhedashurisë kolosale, kishte edhe një dashuri tjetër të thellë dhe  të strehuar në  qenjen e tij..Ajo ishte simpatia dhe kujdesi i madh ndaj studentëve shqiptarë  të cilëve edhe në atë rast, siç rrëfenin njerëzit, u doli në  ndihmë duke e dhënë veten si peng për t’i shpëtuar disa prej tyre të cilët armiku ynë i kishte rreshtuar para tytave të automatikëve U doli atyre përpara si burrat e dheut shqiptar:Si Mic Sokoli, Oso Kuka dhe shumë të tjerë ngase edhe profesori ynë i dashur ishte stërnip i tyre, i  cili përherë e tregonte veten me veprime  e veta konkrete.

 

E dinte profesori ynë i shtrenjtë epilogun e asaj ngjarjeje tragjike, aq më tepër kur ai vetë ishte në shënjestrën kryesore të atyre që nuk ishin ngopur asnjëherë me gjak shqiptari. E vranë atë burrë të madh të popullit tonë, duke menduar se kishin bërë’’heroizëm’’ dhe’’trimëri’të paparë dhe pa menduar fare se profesori, edhepse ishte legjendë e gjallë në mesin e këtij populli, ai do të bëhej shumë më i madh në jehonën e gjatë historike të Kosovës së lirë dhe të pavarur për të cilën luftoi deri në fund të jetës. Nuk e dinin ata, por edhe mund  ta kenë ditur sigurisht, se ai ishte njëri ndër njerëzit tanë më të respektuar me emrin e të cilit ishin  të lidhura të gjitha lëvizjet tona pozitive dyzet e sa vite të tëra. Ai çdo kend e përvetësonte me bindjet e tij të sigurta politike dhe shoqërore, ndaj edhe çmohej aq tepër nga të gjithë ne si njeri i përmasave të gjëra kombëtare. Kolumnisti optimist i’’Zërit javor’’, profesor Agani, e dinte fare mirë se e ardhmja jonë e ndritur ishte shumë afër dhe se Serbia e kishte vetëm hijen në Kosovë, por edhe diku në  ndërdijen e tij intelektuale gjithashtu do ta ketë ditur se ajo nuk  do ta lente pa e vrarë atë dhe ata që u morën aq gjatë me çlirimin e këtij vendi të vuajtur. Do ta ketë ditur ngase profesori ynë kishte përvojë të madhe në këtë drejtim dhe me sytë e vetë kishte parë tragjedi të shumta që i ishin lëshuar mbi supe popullit tonë ..

 

Ky ishte Fehmi Agani ynë i respektuar me të cilin janë të lidhur edhe emrat e qindra nxënësve dhe studentëve të shkolluar të cilët kishin nderin dhe krenarinë që i mësoi dhe i edukoi ai burrë i çmuar i kombit tonë i cili  gjatë jetës së tij aktive kishte vetëm një synim- që vendin ta shihte të lirë dhe të pavarur për të cilin ishte derdhur aq shumë gjak gjatë historisë sonë të dhimbshme. Ai e dinte se ardhacakët e stepave ruse, ashtu siç kishin zbritur në këto troje të lashta do të shkonin një ditë prej tyre, ngase ky  është edhe  një ligj natyror i shkruar diku në skutat më të fshehta të fateve dhe fatkeqësive njerëzore. Ata të cilët e quanin veten’’si popull qiellor’’ më në fund e panë se nuk ishin askush dhe se mbi ta qenka dikush tjetër shumë më i madh se ata. E panë se nuk kishin qenë më tepër se thnegla të kësaj bote dhe u tërhoqën me turp të madh nga trojet tona stërgjyshore ngase ekzistonte një forcë shumë  me e fuqishme se ajo e tyre, që vrisnin kryesisht njerëz të paarmatosur dhe zhvillonin një luftë të ndyer. Emërtimi i tyre nga vetvetja’’ si popull qiellor’’ i bënte që me ta të qeshte mbarë bota.

 

Satrapët/ që sot gjenden në Hagë/, të dehur nga gjaku i freskët i qindra mijra viktimave  të pafajshme, si duket përherë do të mbesin të tillë, pa u penduar fare as në vetëdijen e tyre të brendshme, por po shihet se kur ata janë në zor,  kane prirje edhe për të bërë  vetëvrasje në dhomat e ngushta të burgut në të  cilat janë katandisur nga drejtësia njerëzore.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora