E merkure, 24.04.2024, 01:57 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Varfëria, 5 mijë fëmijë analfabetë enden rrugëve

E merkure, 14.11.2007, 10:46 PM


Bashkë me rrethet, dhe Tirana e prekur nga braktisja e shkollës

Mijëra fëmijë enden rrugëve pa shkollë. Janë të varfër me probleme familjare, apo të nënvlerësuar nga komuniteti. Këto janë kategoritë e fëmijëve më të rriskuar për të mbetur në terr mendor. Një studim i Ministrisë së Arsimit nxjerr në pah problemet sociale me të cilët ballafaqohen fëmijët shqiptarë. Këto probleme i lënë ata në "verbëri" për gjithë jetën. Nuk dinë të shkruajnë, të lexojnë apo të kryejnë veprime matematikore elementare. Fëmijët që braktisin shkollën janë kryesisht nga familje shumë të varfra dhe për pasojë detyrohen të punojnë që në moshë minore, ose të merren me punët e shtëpisë apo blegtori. Statistikat më të fundit tregojnë se afro 4700 fëmijë janë analfabetë në vendin tonë, të grupmoshës 6-16 vjeç. Shumica prej tyre e nisin shkollën 9-vjeçare dhe më pas e lënë, pra e braktisin. Kështu shprehet për "Shqip" përgjegjësi për arsimin 9-vjeçar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Bezati. Për vitin shkollor 2006-2007 afro 3800 nxënës e braktisën arsimin e detyruar. Por janë edhe një kategori tjetër fëmijësh, që nuk e nisin fare klasën e parë. Janë nga fshatra të largët dhe e kanë shkollën larg, janë në emigracion, në gjakmarrje etj. Këto arsye që i bëjnë vogëlushët të jenë jashtë mjedisit shkollor.

Ministria e Arsimit monitoron çdo vit braktisjen dhe përpos kësaj ka ndërmarrë nismën për të gjetur shkaqet dhe më tej për të shpallur masat. "Kemi në dorë një studim të gjerë mbi analfabetizmin", tha Bezati, duke shtuar se "përfundon në dhjetor". Analfabetë janë kryesisht, ata fëmijë, që nuk kanë përfunduar arsimin bazë, që nuk dinë të lexojnë, të shkruajnë dhe të kryejnë veprime të thjeshta matematikore. Dhe në këtë armatë analfabetësh, Tirana është e para. Sipas statistikave të këtij viti, periferia numëron plot 675 nxënës, që e kanë braktisur shkollën në vitin mësimor 2006-2007. Sipas Bezatit, për Rrethin e Tiranës, veçori është braktisja për shkaqe ekonomike të familjes, por edhe mungesa e infrastrukturës shkollore. "Shteti ka qenë i papërgatitur për të përballuar lëvizjet e mëdha demografike, që ndodhën vitet e fundit, për pasojë në fshatrat e Tiranës nuk ka shkolla të mjaftueshme".

Ndërkohë, vendin e dytë e mban Rrethi i Dibrës, ku këtë vit janë pa shkollë plot 370 fëmijë, 40 prej të cilëve nga zona e Kalasë së Dodës. Prefektura e këtij rrethi është mbledhur dje dhe ka vendosur të mundësojë transportin për këta fëmijë, që e kanë shtëpinë shumë kilometra larg shkollës. Siç shihet nga të dhënat e MASH-it, numri më i madh i analfabetëve është në rrethet e mëdha. Ndërsa, për t‘u admiruar janë Peqini, Delvina, Pogradeci, Mirdita etj., që braktisja e shkollës mbetet në kuota mjaft të ulëta si 2-3 fëmijë.

Lëvizja e lirë e popullsisë ka krijuar vakumin më të madh në shkollimin e brezit të ri. Mijëra njerëz, të zbritur nga zonat malore, nuk janë bërë banorë të vendbanimit të ri. Për pasojë fëmijët nuk kanë certifikata dhe nuk shkojnë në shkollë. Ata i sheh çdo ditë tek enden rrugëve të Tiranës, por edhe të qyteteve të tjera të mëdha. Enden duke shitur paketa apo duke larë makina. Ndërkohë, në fshatrat e largët, ku numri i nxënësve është i ulët, shkollat janë drejt mbylljes, ndaj edhe ata pak fëmijë të mbetur nëpër male nuk e marrin mundimin të shkojnë në shkollë, por ruajnë bagëtitë.

Ndër fëmijët që sot duhet të jenë të ulur nëpër banka, numërohen edhe ata, që e kanë braktisur shkollën nga mospërgatitja në mësime apo mentaliteti i prindërve. Kështu, qindra fëmijë, që nuk mësojnë, pasi mbesin në klasë për një vit apo dy, e braktisin fare shkollën. Po kështu, vajzat e klasave të shtata apo të teta, që janë me trup të zhvilluar, ndalohen të shkojnë në shkollë, pasi prindërit janë fanatikë.

Teksa sheh një sërë faktorësh, që rëndojnë mbi të ardhmen e fëmijëve, mendon për rolin e shtetit në këtë mes. Nga biseda me funksionarin e ministrisë sheh qartë se ka munguar bashkëpunimi i bashkive e komunave me drejtoritë arsimore për uljen e braktisjes. "Kur fëmijët e grupmoshës 6-16 vjeç mungojnë pa arsye në shkollë, apo e braktisin atë, prindi gjobitet deri në 10 mijë lekë". Kështu thuhet në nenin 59 të ligjit për arsimin parauniversitar, por kjo gjobë nuk vilet asnjëherë nga bashkitë dhe komunat. Nga ana tjetër, në nenin 60 të këtij ligji parashikohet gjobë për ata punëdhënës, që punësojnë fëmijë nën 16 vjeç. Edhe ky penalitet ekziston vetëm në ligj. Për sa i përket përparimit të nxënësve në shkollë, mësuesi apo shkolla nuk mbajnë kurrë përgjegjësi. Kështu, një fëmijë me nota të dobëta është gjithnjë i predispozuar për ta braktisur përfundimisht shkollën që në fillesat e saj.

SHKAQET KRYESORE TË BRAKTISJES SË SHKOLLËS

PROBLEMI PËRQINDJA

Gjendja e rëndë ekonomike 21.0 %

Indiferentizmi i komunitetit 12.9 %

Niveli arsimor i prindërve 9.5 %

Problemet sociale 6.9 %

Largësia e shkollave 5.5 %

Aftësitë e kufizuara 4.9 %

Divorcet e prindërve 4.9 %

Emigracioni 4.5 %

Mentaliteti për vajzat 4.1 %

Lëvizjet demografike 3.9 %



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora