E premte, 29.03.2024, 01:15 AM (GMT)

Faleminderit

Luan Malltezi: Injac Zamputi - Historiani shqiptaro-italian që hodhi dritë mbi Mesjetën tonë

E enjte, 29.04.2010, 08:58 PM


Injac Zamputi: Historiani shqiptaro-italian që hodhi dritë mbi Mesjetën tonë

 

Nga Prof. Luan Malltezi*

 

Injac Zamputi është një historian shumë i njohur në Shqipëri, në Kosovë, në Malin e Zi, në Maqedoni, sepse ai shkroi për të parët e tyre në Mesjetë, për shqiptarët në trojet e veta, që sot nuk janë më brenda kufijve etnikë të vendit tonë. Le të themi që në fillim, se Zamputi nuk qe një njeri i regjimit dhe në këtë vështrim, nuk gëzoi ndonjë mbështetje të veçantë, por pavarësisht nga kjo, ai bëri emër të madh pikërisht në atë kohë të vështirë, duke u angazhuar tërësisht me të gjitha aftësitë e tij intelektuale në zhvillimin e shkencës albanologjike shqiptare, botimin e burimeve të shumta dokumentare, të domosdoshme për fillimin e mbarë e të qëndrueshëm të studimeve shqiptare për periudhën e Mesjetës. Këtë mundësi e bëri realitet për të Prof. Buda, historiani dhe dijetari i shquar, që u ndodh në krye të punëve për zhvillimin e arsimit, kulturës dhe shkencës në Shqipëri. Buda gjeti tek Zamputi njeriun e ndershëm, intelektualin e shquar dhe të talentuar, plot dëshirë dhe pasion për t'i shërbyer shkencës, përparimit të arsimit, kulturës, historisë së vendit. Në vitet '50, kur Zamputi filloi punën si historian, detyra për të ndërmarrë botimin e dokumenteve për historinë e Shqipërisë në mesjetë nuk ishte një punë e lehtë; këto dokumente nuk ndodheshin në Shqipëri. Arkivat historike vendase ishin shkatërruar; në këto kushte, fitonin vlerë arkivat e vendeve të huaja, italiane, spanjolle, dalmate etj, të cilat ruanin akte me interes për historinë e Shqipërisë. Botimin e dokumenteve me interes për historinë mesjetare e patën filluar autorë të huaj qysh në shek.XVII-XVIII, siç janë koleksionet e akteve kishtare të Raynaldit, Farlatit, Koletit. Këto botime morën karakter të mirëfilltë shkencor gjatë shek.XIX, me vëllimet që nxorën një varg autorësh të huaj për historinë mesjetare të sllavëve të jugut, si Mikloshiq, Shafarik, Makushev, Ljubiç, Tainer, Xhelçiç, Hopf, Satas, Trinkera, Pastor, Çerone, Jorga, etj. Botimin në një korpus më vete të të gjithë dokumenteve të historisë mesjetare të Shqipërisë, të shpërndara në botime të ndryshme, e ndërmorën në fillim të shek. XX, tre medievistë të shquar, Taloci, Jeriçek, Shuflai. Nën redaktimin e këtij të fundit u botuan në vitet 1913 dhe 1918, dy vëllimet e para të veprës së tyre monumentale "Akte dhe Diploma që trajtojnë çështje të Shqipërisë mesjetare". Në këtë botim në dy vëllime u përfshinë dokumente, që i përkasin historisë së Shqipërisë midis viteve 1343-1406. Në radhën e këtyre studiuesve të mëdhenj u përfshi edhe Zamputi. Ai punoi për përgatitjen për botim të Regjistrit të Kadastrës së Shkodrës 1416-1417 dhe më pas për botimin e tre vëllimeve me dokumente që përfshijnë vitet 1400-1415. Nga këto, autori mundi të botojë në vitin 1987 vëllimin e parë të titulluar "Dokumente për historinë e Shqipërisë të shek. XV". Vëll I (1400-1405), në bashkëpunim me autorin e këtyre radhëve. Dy vëllime të tjera ndodhen ndërkohë në arkivin e Institutit të Historisë, të përgatitura për botim, në bashkëpunim me historianët P.Bogdani (Novi) dhe P.Menga. Regjistri përbën një burim madhor për njohjen e krahinës së Shkodrës në fillim të shek XV. Ai ka të regjistruar të gjithë fshatrat e komunës së Shkodrës, emrat e banorëve të tyre, sasinë e detyrimeve, tokat dhe vreshtat e komunës, si doganat dhe peshkoret, bashkë me të ardhurat e tyre. Botimet që i dhanë një emër të madh Zamputit si historian, janë sidomos dy vëllimet me dokumente të titulluara: "Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të mesme në shekullin XVII. Vëll.I (1610-1634), Tiranë 1963 dhe vëll.II (1635-1651), Tiranë 1965. Ky botim u përfshi në kolanën "Burime dhe Materiale për historinë e Shqipërisë", 3, që kishte ndërmarrë Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë i Universitetit Shtetëror të Tiranës. Relacionet janë nxjerrë nga Arkivi i Propagandës Fide dhe janë të shkruara nga kleri i lartë katolik që vepronte në Shqipëri dhe në Kosovë në gjysmën e parë të shek.XVII. Ato kanë qenë botuar më parë nga studiues të ndryshëm si Theiner, Racki, Ljubic etj. Për gjendjen e tyre në arkivin e Vatikanit, Zamputi kishte nxjerrë njoftime për studiues dhe albanologë të shquar si, Mario Roque, Cordignano, Parga, Radoniqi. Rëndësia e relacioneve për historinë e Shqipërisë është e madhe. Kongregacioni i PROPAGANDËS kërkonte që kleri misionar t'i jepte të dhëna mbi gjendjen ekonomike, shoqërore, politike të vendeve, ku ata shërbenin si misionarë të propagandës. Kongregacioni madje botoi edhe një letër qarkore, ku u jepte instruksione klerikëve mbi çështjet që ata duhej të trajtonin në relacionet e veta. Letra përmban 27 pika; klerikët porositeshin aty të jepnin të dhëna për historinë e lashtë të vendit (pika 1), vendosjen gjeografike të vendit, ku shërbenin si misionarë (pika 34, 5, 25), informacion për komunikacionin tokësor, lundrimin lumor dhe detar (pika 6,22), si dhe informacion të saktë për prodhimet e tokës dhe tregtinë, për mjekësinë popullore (pikat 10,16,17), për kafshët, për peshqit (pika 14), për gurët, dhe mineralet dhe po kështu pika të tjera për zejet, veglat e punës, gjahun, peshkimin, njerëzit dhe zakonet e tyre, besëtytnitë etj. Pika e fundit kishte të bënte me librat dhe dorëshkrimet e vjetra eventuale. Nga ky udhëzim kuptohet se relacionet që shkonin në 40-50 faqe, kishin një material të rëndësishëm, që ndihmonte në studimin e historisë së vendit në shek XVI-XVII. Materialet vënë në dukje mosmarrëveshjet që ekzistonin midis klerit të lartë dhe banorëve katolikë të vendit. Kleri i huaj misionar dhe kleri i lartë shqiptar, i përgatitur në kolegjet italiane (Kolegji i Loretos afër Ankonës), vinin në Shqipëri me udhëzime për zbatimin e normave kishtare sipas teologjisë dogmatike që kishte dalë nga Koncili i Trenit. Në të dy vëllimet ka material që dëshmon përplasje me popullsinë vendase, për të mos zbatuar disa norma të dogmës së kishës. Këto përplasje vinin nga fakti se Shqipëria nuk ishte një vend me norma të prera doktrinare katolike; përkundrazi, vendi ruante doke e zakone të vjetra tradicionale. Mosmarrëveshje të tilla kishin p.sh. për kalendarin e ri Gregorian, që kërkonte të fuste kisha katolike në Shqipëri. Çështja e kalendarit ishte e lidhur me afatet e tregjeve, të panaireve, të të korrave etj. Frang Bardhi raportonte më 1637, se në Kabash të Pukës, dita e këtij shenjti nuk festohej sipas kalendarit Gregorian; vendasit donin ta festonin atë 11 ditë më vonë, sepse besonin se ditën e shën Palit duhej të dilte buka e re. Materialet tregojnë edhe moszbatimin e normave kishtare në çështjen e martesave. Malësorët shqiptarë e konsideruan atë si një çështje të kanunit, bazuar në lindjen e trashëgimtarit etj. Materialet japin një lëndë të pasur lidhur me çështjen e islamizimit të popullsisë. Në relacionin e tij fra Kerubni shkruan më 1638, se "shumë vetë, për të mos paguar haraç, janë bërë turq, disa të tjerë për t'u pasurue e disa të tjerë për të jetuar lirisht". Që këtej, kuptohet se islamizimi ishte një rrugë për të lehtësuar gjendjen ekonomike shoqërore nën sundimin osman. Materialet tregojnë se "struktura shoqërore e malësisë mbahej me statutet e veta tradicionalë, pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të ligjës dhe gjykatave turke. Materialet paraqesin një situatë të vështirë ekonomike të popullsisë malësore të vendit, një varfëri e tejskajshme, që i detyronte ata, të kalonin me kohë në islamizëm, për t'u lehtësuar nga haraçi. Relatorët paraqesin zakone dhe besëtytni popullore, ata na japin dhe të dhëna për mjekësinë popullore etj. Në këto vëllime del qartë konflikti që kishte shpërthyer midis klerit të huaj dhe klerit vendas. Marin Bici shprehej se ipeshkvët vendas ishin më të qëndrueshëm në selitë e tyre se sa të huajt. "Nëse do të jepet mundësia, - shkruante ai, - që një sasi klerikësh të ktyne anëve të stërviten në dituni, duhet të merren vendas të cilët të jenë të interesuem me pasuni dhe me farefis, që pas studimeve të shkojnë e të qëndrojnë në vend duke shpenzue talentin në të mirë të tyne shpirtëve". Konflikti arriti një ashpërsim të madh në filllimet e shek XVII, kur eksponent i klerit vendas ishte Nikollë Mejkashi. Këtë qëndrim ndaj klerit të huaj mbante edhe Pjetër Budi pas tij, kur u vu në krye të selisë së Sapës. Budi organizoi kundër tyre sinodin ndërdiocesian, ku i gjithë kleri vendas u betua të mos pranonte prelatët e huaj. Në këto dokumente, vihet re se bëhen kudo përpjekje, që famullitarët më të ditur t'u mësojnë këndim e shkrim çunave dhe pastaj, si të shihet fryti, të dërgohen në kolegjet e Italisë. Ky problem shtrohej për të gjetur rrugën e shpëtimit nga padija e madhe, ku kishte rënë vetë kleri në atë kohë. Për diocezën e vet të Arbërisë, Gjon Kolesi propozonte, më 1625, të ndërtoheshin dy shkolla me nga 10-12 nxënës secila, për t'i përgatitë pastaj për kolegjin e Loretos. Në këtë periudhë rritet interesi për historinë e popullit tonë. Frang Bardhi ngrihet kundër Tomkops, në mbrojtje të origjinës shqiptare të Skënderbeut. Pjetër Mazreku në relacionin e vitit 1633, mohon kategorikisht thënien e autorëve të huaj të kohës, se shqiptarët ishin aziatikë të ardhur në kohë të vonë. Dokumentet, për të cilat po flasim provojnë edhe praninë e shqiptarëve në Kosovë. Po për rrethet e Gjakovës (Jakovës) dhe të Prizrenit, Gjergj Bardhi thotë në një nga relacionet e veta se: "të gjithë këto vende të sipërpërmendura janë shqiptare dhe flasin po atë gjuhë".

 

Dokumente

venedikase e raguzane

 

Zamputi ka botuar edhe një vëllim së bashku me prof. Selami Pulaha, të titulluar "Dokumente të shekujve XVI-XVII për Historinë e Shqipërisë. Vëllimi IV, (1675-169). Tiranë 1990. Në të përfshihen dokumente venedikase, raguzane, që sjellin të dhëna me vlerë për krahinën perëndimore bregdetare si dhe dokumente austriake, që në shumicën e tyre botohen për herë të parë. Këto sjellin të dhëna për trevat verilindore të Kosovës dhe rrafshit të Dukagjinit. Materialet sjellin informata me hollësi për veprimet luftarake të ushtrisë austriake në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit, për pushtimin e Prishtinës, të Prizrenit, të Pejës, të Kështjellës së Kaçanikut, si dhe për depërtimin e thellë në krahinën e Lumës. Në dokumentet veneciane trevat malore në veriperëndim të Shkodrës, paraqiten si një etnitet më vete me emrin malet shqiptare. Këtu përmendet Kuçi, Pipri, Kalabardhi, Martiniqi, Robçani, treva, që sot përbëjnë krahinën e Bërdhës si pjesë e Malit të Zi. Këto, përfshiheshin në sanxhakun e Shkodrës dhe nuk konsideroheshin si trevat e Malit të Zi, por të Gentës së Sipërme, që nga pikëpamja administrative ishte pjesë e sanxhakut të Shkodrës. Në këtë periudhë, koncepti territorial i Malit të Zi ishte më i ngushtë nga shtrirja, që arriti në shekujt e mëvonshëm për shkak të procesit të sllavizimit të shqiptarëve në periudhën pas shek.XVI. Dokumentet austriake sjellin të dhëna me rëndësi, që dëshmojnë, se trevat e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit ishin troje të banuara kryesisht nga popullsi shqiptare dhe ato përfshiheshin në konceptin Shqipëri. Këto të dhëna kundërshtojnë pikëpamjet e mjaft studiuesve jugosllavë, që pretendojnë se me largimin e ushtrive austriake më 1690, paska ndodhur shpërngulja e madhe e serbëve nga Kosova dhe dyndja aty e malësorëve shqiptarë nga krahina e Veriut, që paska sjellë si rezultat deserbizimin e Kosovës. Zamputi botoi edhe vëllimin "Dokumente të shekullit XV për Historinë e Shqipërisë. Vëll.IV (1479-1506). Pjesa I (1479-1499).Tiranë, më 1967. Pjesa e parë e këtij vëllimi fillon me rënien e qyteteve dhe fortesave të fundit të Shqipërisë në duart e turqve në 1479, kurse pjesa e dytë shkon deri nga fundi i vitit 1506. Këtu pasqyrohet periudha më se çerekshekullore për lëvizjet e armatosura për të fituar lirinë dhe për përpjekjet për të rimëkëmbur principatën e Kastriotëve. Botimi i këtyre materialeve, u arrit pas pasurimit të Bibliotekës Kombëtare nëpërmjet mikrofilmimit të botimeve të rralla në bibliotekat e huaja. Këtu përfshihen edhe materiale të pabotuara, që ruheshin në Arkivin e Shtetit. Në radhë të parë vijnë vjetoret e Domeniko Malipieros (Malipiero-Longo). Këto vjetore nisin nga viti 1457 dhe arrijnë deri në vitin 1500. Më tej është dorëshkrimi i njohur Stefano Margo, botuar nga Sathas. Të dhënat e këtij dorëshkrimi janë të renditura në formë ditari, por të bazuara mbi shkresa e lajme, që binin në dorën e veshin e shkruesit dita-ditës. Shënimet e këtij dorëshkrimi kanë rëndësi të madhe sidomos për ngjarjet e kohës së ardhjes së djalit të Skënderbeut në Shqipëri më 1481, si dhe për zhvillimin e ngjarjeve të mëtejshme deri te lufta e Himarës, më 1492. Më tej, përfshihen ditarët e Marino Sanutes.

 

Vitet 1593-1602

Zamputi ka botuar edhe vëllimin DOKUMENTE TË SHEKUJVE XVI-XVII PËR HISTORINË E SHQIPËRISË, Vëllimi II (1593-1602).

 

Vëllimi përfshin periudhën prej vitit 1593-1602. Kjo është periudha kur lëvizja Çlirimtare kalonte nëpërmjet organizimit të kuvendeve shqiptare. Në Kuvendin e Dukagjinit mrrën pjesë 2056 krerë prej 13 krahinave shqiptare, që do të thotë se çdo krahinë dërgoi rreth 200 krerë. Kuvendet qenë formë e lartë e organizimit politik shqiptar. Kuvendi lëshonte thirrje, shkresa me vulën përreth të cilës ishin shkruar fjalët "Mbretëria e Maqedonisë dhe Shqipërisë", (dok.48). Në këto kuvende nuk patën mundësi të përfaqësoheshin të gjitha krahinat shqiptare. Prandaj në dokumentet e tyre shkruhej se: "me ne do të bashkohen edhe shqiptarët e tjerë". Roma, për synimet e veta të penetrimit në Shqipëri e Ballkan, filloi të sjellë në Shqipëri në një kohë kur gjendja e klerit shqiptar kishte rënë shumë poshtë, klerin sllav dalmatin si peshkop dhe abatë në disa dioceza e manastire (Shkodër, Lezhë, Breg Bunë). Kleri i lartë sllav, duke synuar fuqizimin e vet hierarkik, ekonomik, politik përçmonte çdo gjë që ish shqiptare, përfshirë këtu edhe ndjenjat më të shenjta të vetëdijes shqiptare, zakonet, lavdinë e krijuar gjatë shekujve të kaluar. Ata denigronin aftësitë krijuese të shqiptarëve, për të vepruar në mënyrë të pavarur në kushtet e pushtimit osman. Kjo ishte një taktikë për të minimizuar çdo gjë me karakter shqiptar, për t'u mohuar shqiptarëve edhe traditën ne tyre të lavdishme të luftërave, që ishin zhvilluar në shek.XV-XVI. U bënë përpjekje për t'i grabitur shqiptarëve edhe figurën e Skënderbeut, siç veproi kleriku famëkeq Tomko, që u përpoq ta paraqiste atë sllav. Në këto rrethana, u ngrit dhe protesta e shqiptarëve për largimin e klerit të lartë sllav. Materialet e këtij vëllimi reflektojnë mjaft hollësisht këtë konflikt. Në memorialet e vitit 1602 drejtuar Papës dhe kardinalit Mathei (dok.194-195), analizohet veprimtaria armiqësore e klerit të huaj. Në to kërkohet hapur të largohen "këta dhe të gjithë të tjerët e këtij kombi nga vendi ynë" përndryshe "jemi të detyruar t'u bëjmë dhunë ligjeve", ose ne vetë do të marrim masa radikale kundër tyre edhe sikur të shkelim ligjet e kishës duke kryer sakrilegje. Ata i thonë Papës: "Mos e lejoni këtë skizmë ndër ne". Në këtë vetëdije të konsoliduar shqiptare doli edhe Frang Bardhi me veprën e tij mbi përkatësinë shqiptare të Skënderbeut. Shqiptarët kërkonin në takimet e tyre me evropianët nga shtetet e Perëndimit armë dhe ndonjë kontigjent ushtarësh. Vëllimi i mësipërm mbyllet në vitin 1602 me materialet e Kuvendit të Dukagjinit.

 

Vitet 1507-1592

 

Zamputi botoi edhe vëllimin: DOKUMENTE TË SHEKUJVE XVI-XVII PËR HISTORINË E SHQIPËRISË, Vëllimi I. (1507-1592). Ky vëllim përmban materiale dokumentare të viteve 1507-1592. Ai është vazhdim i dy vëllimeve të mëparshme, që përfshijnë vitet 1479-1506. Qëllimi i autorit ka qenë të vërë në dispozicion të studiuesve këto materiale, që ishin botuar një shekull më parë pra në botime të paarritshme për lexuesin. Vetë aksioni për të shtënë në dorë këto botime ka qenë një punë mjaft e vështirë. Autori ka pasur ndihmën e bibliotekës kombëtare në këtë drejtim, e cila i siguroi ato nëpërmjet praktikës së huazimeve. Në realizimin e këtyre botimeve ka ndihmuar edhe Instituti i Historisë, i cili i vuri në dispozicion autorit fotokopje të këtyre vëllimeve. Këto janë dokumente, që hedhin dritë në periudha relativisht të errëta historike dhe lejojnë studiuesin e sotëm të shohë fletë të lavdishme të së kaluarës së popullit tonë, luftën e tij pas vdekjes së Skënderbeut. Lufta mori hov me synimin e një çlirimi të përgjithshëm të vendit. Këtë provon në relacionin e tij Meikashi, një nga udhëheqësit kryesorë të Kuvendit të Dukagjinit 1601-1602. Pasi flet në relacionin e tij për fushat shqiptare, të cilat sipas tij ishin "pjellore, të begata me çdo lloj ushqimi", autori ndalet pastaj te "banorët e tyre", që ishin "luftarakë, truplidhur dhe të stërvitur ndër mundime". Autori vë në dukje në këtë vëllim kryengritjen e Shqipërisë së Mesme, më 1607, udhëhequr nga Idar Man Dervishi, që sulmoi hambarët e bejlerëve, ua shiti grurin fshatarëve me çmim të ulët dhe u hoqi atyre taksat e tatimet e tepërta. Idar Mani nuk ishte tjetër veçse Andrea Manasi, i cili u bashkua me kryengritësit e Dukagjinit dhe për më shumë se 3 vjet mbajti kontrollin e rrugës nga Lezha në Kurbin.

 

*Historian, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora