E premte, 29.03.2024, 01:57 PM (GMT)

Editorial

Xhevat Bislimi: Kërkoni falje dhe shpëtoni shpirtin tuaj

E enjte, 29.04.2010, 08:59 PM


Kërkoni falje dhe shpëtoni shpirtin tuaj

 

Nga Xhevat Bislimi

 

Shqiptari i mirë, mëmdhetari, luftëtari i lirisë, deputeti, Nait Hasani, "hapi" edhe një çështje të rëndësishme për Kosovën dhe për shqiptarët e pushtuar nga Jugoserbia: Çështjen e krimeve të regjimit pushtues komunist dhe përtej tij në Kosovë. Kallëzimi penal dhe publikimi i tij ngjalli reagime të forta "për" e "kundër". "I lumtë", "burrë i guximshëm", "shqiptar i vërtetë", "deputet i popullit", etj., thonë qytetarë të zakonshëm, familjarë të të burgosurëve dhe dëshmorëve, miqë e shokë të Naitit. "I sëmur", "enverist", "i papërgjegjshëm", "mosmirënjohës", etj., thonë dhe shkruajnë disa të akuzuar nga Naiti, si dhe disa pasardhës të tyre! Disa të tjerë, "asnjënës", parapëlqejnë të heshtin ose të thonë se "hapja e çështjes është bërë keq", se "nuk është koha të merremi me këtë çështje", etj. Unë, për veten time, them që Nait Hasani bëri mirë. E mira do të ishte që kjo çështje të hapej dhe të mbyllej nga institucionet. Por, meqë, ato (institucionet) janë edhe më tej të kontrolluara dhe të ndikuara nga misione "legale" dhe "jolegale" në Kosovë, luftëtari i palodhur për liri, humanizëm dhe demokraci, Nait Hasani, e mori përsipër dhe e "hapi", e inicoi debatin për një çështje ose temë që nuk e ka shpikur dhe as sajuar ai, por që ekziston si e tillë. Dikush ka vrejtje për ndonjë emër që është në atë listë, dikush thotë pse nuk janë përfshirë në atë listë edhe filani e fisteku, ka të tjerë që thonë se nuk duhej akuzuar në gjykatë njerëz që nuk jetojnë më, etj. Të gjitha këto reagime, "për" dhe "kundër", të gjitha këto komente, sugjerime, vrejtje, kritika, etj. provojnë se Naiti ka të drejtë. Jo vetëm kaq. Ai arriti qëllimin e tij dhe të shoqërisë sonë: Hapjen e debatit. 
Njeriu që gjatë gjithë jetës së tij u përpoq dhe po përpiqet, luftoi dhe po lufton, si dhe sakrifikoi dhe po sakrifikon për zgjidhjen e çështjes shqiptare, për lirinë dhe të drejtat kombëtare, politike, qytetare e demokratike të popullit shqiptar të pushtuar nga Jugosllavia, Nait Hasani, nuk kishte dhe nuk ka qëllim hakmarrjen, ndjekjen ose dënimin e personave të caktuar. Ai nuk po e bënë këtë për të kënaqur egon apo ndonjë teke të tij, por për ta mbyllur dhe për ta shëruar një plagë të shoqërisë dhe kombit tonë. Ideja themeltare e kësaj nisme, siç e kam kuptuar unë, është hapja e debatit për një periudhë pesëdhjetëvjeçare të pushtimit dhe sundimit nga Jugoallavia dhe regjimi i saj diktatorial komunisto-shovinist, por edhe për gjithë periudhën e pushtimit dhe të sundimit hegjemonist dhe shovinist sllav. Me trajtimin e kësaj çështjeje Nait Hasani synon ta shërojë dhe çlirojë shpirtin dhe ndërgjegjien tonë kombëtare nga "sëmundja" e quajtur bashkëpunim në dëm të interesave madhore të vendit dhe kombit. Synim i tij nuk është kthimi në të kaluarën, por shërimi i të kaluarës për ta fuqizuar të sotmen dhe për ta fituar të ardhmen tonë. Meqë, ishin mbyllur rrugët normale të hapjes së këtij debati, Naiti, zgjodhi rrugën "jonormale" të ngritjes së kësaj çështjeje të rëndësishme për ne shqiptarët dhe të hapjes së debatit për të. Po besoj që edhe padia e dorëzuar në prokurorinë e EULEX-it ishte më tepër në funksion të sensibilizimit të Bashkimit Evropian, sepse edhe Naiti e ka të qartë se EULEX-i nuk është këtu për të vendosur sundimin e ligjit dhe të drejtësisë! 
E kuptoj se nuk e kanë të lehtë të afërmit e atyre që janë përmendur dhe "akuzuar" nga deputeti Nait Hasani. Nuk është e lehtë as për vetë ata që janë gjallë dhe janë përfshirë në "listën" e Naitit. Në mungesë të dokumentacionit dhe të arkivave mund të ketë edhe ndonjë gabim në atë listë dhe në parashtrimin e akuzës. I takon sektorëve të ndryshëm të institucioneve shtetërore e shoqërore të merren me mbledhjen e fakteve dhe trajtimin e tyre. Por, duhet të jemi të sinqertë dhe të kemi kurajon, burrërinë, urtësinë, si dhe ndjeshmërinë njerëzore dhe të pranojmë se "pakëz" më rëndë e kanë ata që e kanë paguar me kokë, ata që e kanë hequr me lëkurë, ata që janë torturuar në mënyrën më çnjerëzore, ata që kanë vuajtur vite e vite burgim, ata që janë dëbuar me dhunë e me format më të ndryshme të represonit e të presionit shtetëror nga shtëpit dhe vendi i tyre, etj. Dhe këta nuk janë pak. Bëhet fjalë për qindra mijëra shqiptarë të vrarë e të masakruar, për qindra mijëra shqiptarë të shpërngulur me dhunë nga vendi i tyre e të deportuar në Turqi dhe anë e kënd botës, për qindra mijëra shqiptarë të torturuar dhe dënuar me shumë vite burgim. Të gjithë këta njerëz (shqiptarë) kishin prindër, vëllezër, motra, fëmijë, etj., që vuanin shumë për të afërmit e tyre të vrarë, të torturuar, të burgosur e të dëbuar nga shtëpitë dhe vendi i tyre. Naiti e ka më të qartë se ju që këtë e ka bërë Jugoserbia. Padinë kundër Serbisë duhet ta bëjnë institucionet shtetërore. Naiti dhe ky popull juve ju akuzon për bashkëpunim me atë shtet dhe regjim kriminal. Prandaj, më rrini këtu! Po të vihet dora në zemër duhet të themi dhe ta pranojmë se për ata shqiptarë që ishin pjesë ose argatë të këtyre politikave shtetërore represive dhe me nuanca dhe tendenca të qarta shfarosëse (gjenocidale) nuk kemi pse të tregojmë ndonjë respekt ose mirënjohje. Një gjë e tillë nuk do të ishte as njerëzore, as qytetëruese. Prandaj, edhe dënimi i dikujt për këtë barbari ndaj shqiptarëve do të ishte në funksion të shërimit të këasj plage dhe të ecjes përpara të këtij kombi. Besoj se të gjithë ne pajtohemi ose do të duhej të pajtoheshim se qëllim i parë dhe i fundit i Jugoserbisë së Titos ishte shfarosja dhe dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre (lexo Çubriloviçin!), siç kishte shfarosur, dëbuar dhe spastruar rreth 700 vendbanime shqiptare vetëm gjatë viteve 1878-1880 Serbia. Këto politika Titoja dhe klika e tij, regjimi i tij komunisto-shovinist, nuk mund t'i zbatonte pa Fadila, pa Sinana, pa Alia, pa Velia, pa Azema, pa Mehmeta, pa Remzia, pa Hashima, pa Rrahmana, pa ..., etj. Kujtojeni refrenin e Azem Vllasit, njërin nga përfaqëuseit e denjë të këtyre bshkëpunëtorëve: "Luftën kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar mund ta fitojmë vetëm me shqiptarët (lexojeni me vëmendje)"!! Nuk po dua të merrem me emra si Hashim Rexhepi e Remzi Kolgeci, të cilët, të zënë ngushtë (si maçoku në fllanik), deklaruan që "Nait Hasani duhet të trajtohet nga psikiatri dhe të sjell një certifikatë mjekësore për shëndetin e tij mendor"!! Këta dy hyzmeqarë të Jugoserbisë dhe shokët e tyre do të duhej ta kishin kuptuar se ka ikur njëherë e përgjithmonë koha e tyre kur i shpallnin atdhetarët shqiptarë me nga një certifikatë "mjeku" të sëmurë mental, kur edhe mbytjet dhe vrasjet e tyre në tortura i "mbulonin" me nga një certifikatë mjekësore!!
Kujtojini thirrjet dhe lutjet qyqare e mashtruese që Kolgeci i bënte popullit të mbledhur në qendër të Prishtinës nga e gjithë Kosova në nëntor të vitit 1988: "Në emër të nënave, në emër të motrave, në emër të fëmijëve tanë, ju lus që të shpërndaheni dhe të ktheheni në shtëpitë tuaja. Unë, ju garantoj se nuk do të ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974 dhe se nuk do t'i merret autonomia Kosovës. Për këtë ma ka dhënë besën edhe Komiteti Qendror i LKJ-së"! Ky ishte mashtrimi i madh që ky shqipfolës i bëri popullit të tij. Vetëm pak ditë më vonë, ky palo njeri deklaronte te revista "Danas" e Zagrebit se "më tradhtoi Komiteti Qendror i LKJ-së"!! Duhet ta themi hapur se këta sejmenë të politikave të Beogradit nuk patën prapanicë ta mbronin as një copë autonomi, e lëre më të bënin më shumë për popullin e tyre. Kurse Nait Hasani dhe bashkëmendimtarët, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e tij e dëbuan Serbinë nga Kosova. Për këtë Kolgeci dhe Rexhepi me shokë mund të jenë të pakënaqur! 
Disa pinjollë të këtyre bashkëpunëtorëve, bashkëpjesëmarrësve dhe argatëve të politikave të Beogradit kanë bërë disa shkrime dhe janë munduar të na e mbushin mendjen se parardhësit e tyre "i kanë vënë themelet e shtetit dhe të institucioneve të Kosovës", se "ata e paskan themeluar universitetin", "e paskan fituar të drejtën e përdorimit të Flamurit kuqë e zi", e shumë të drejta tjera që i paskan gëzuar shqiptarët në atë kohë!! Madje, sipas tyre, Kosova qenka më keq sot se në kohën e pushtimit dhe të sundimit të tyre!! Jo, zotërinj. Ato pak të drejta që kishte populli shqiptar në Jugoserbinë tuaj i kishte larë shumëherë me gjak. Qindëra mijëra të vrarë, të zhdukur, të burgosur dhe të dëbuar për ato pak të drejta. Mbajeni veten dhe mos lëndoni sakrificën dhe krenarinë e këtij populli edhe në këtë kohë! Mos i përvetësoni meritat e këtij populli, sepse edhe nuk mund t'i përvetësoni. Pavarësisht se për ju është më keq, por për shqiptarët dhe për Kosovën jo vetëm se është më mirë, por nuk ka kuptim të krahasohen këto dy kohë dhe të bisedohet nëse është më e mirë liria apo robëria! Vetëm mendja dhe logjika kolaboracioniste mund ta shtrojë këtë dilemë. 
Kurrë më mirë nuk kemi qenë si Kosovë dhe si komb shqiptar, por ku do të duhej të ishim nuk jemi. Jemi larg synimeve tona shekullore. Edhe për këtë keni faj. Bashkëpuninmi juaj i ngushtë me pushtuesin dhe regjimin jugoserb komunist kishte dhe ka çmimin e tij. Ju u pajtuat edhe me copëtimin e tokës shqiptare të pushtuar nga Jugosllavia në tri republika jugosllave!! Them u pajtuat, sepse nuk e kundërshtuat. Çfarë mund të bënit më shumë e më zi kundër popullit dhe tokës që i takonit? Kjo tokë, si pasojë e asaj politike jugoserbe dhe e bashkëpunimit tuaj me të,, edhe sot mbeti e copëtuar. Tash ndërmjet tri shteteve sllave: "Maqedonisë", Serbisë dhe Malit të Zi!! Ju u pajtuat ose nuk i kundërshtuat vrasjet, masakrat, torturat dhe shpërnguljet në masë dhe me karakter gjenocidal ndaj shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore!! Ka "shqiptarë" që u përfshinë drejtpërdrejt në ndjekjen, burgosjen, vrasjen dhe dëbimin në masë të shqiptarëve!! Kishte të tjerë që ndihmuan në forma të ndryshme për zbatimin e këtij terrori dhe gjenocidi të planifikuar, organizuar dhe drejtuar nga shteti Jugosllav!! Ka edhe më keq. Ju edhe sot nuk keni hequr dorë nga pikëpamjet dhe nostalgjia juaj për atë sistem dhe atë shtet pushtues, shovinist (me nuanca të qarta fashizmi) antidemokratik dhe kundërshqiptar. 
Deputeti Nait Hasani dhe shoqëria jonë ka për qëllim të fundit miratimin e një rezolute dhe nxjerrjen e një ligji për pastërtinë e figurës. Me këtë do të dënohej sistemi pushtues komunist i jugoserbisë dhe do të mbrohej liria dhe e ardhmja e Kosovës dhe e kombit shqiptar në Ballkan. Me këtë ligj do të kufizohej dhe pamundësohej zgjedhja, emrimi ose angazhimi i njerëzve që kanë pasur funksione të rëndësishme publike (në parti, në administratën dhe aparatin represiv shtetëror, në media, etj.) në parti a politikë, në media dhe institucione shtetërore, në funksione publike. Kurse populli shqiptar pret me të drejtë që ju të kërkoni falje publike dhe të zotoheni se keni hequr dorë nga bashkëpunimi i mëtejmë me të huajt kundër interesave madhore të këtij vendi dhe populli. Në mungesë të arkivave dhe dosjeve ju edhe mund të spekuloni ose të fshiheni, por është më e ndershme dhe në interesin tuaj dhe të familjeve tuaja ta pranoni hapur se keni bashkëpunuar dhe keni komplotuar kundër këtij populli. Vetëm kështu do të kuptoheni nga ky popull, do të faleni dhe do të shpëtoni nga shërbimet sekrete serbe dhe nga shantazhet e tyre. Kështu ju e keni rastin, qoftë edhe në fund të jetës, të viheni në anën e popullit tuaj dhe të vdisni në këtë anë. Me këtë ju do t'i çlironit dhe shpëtonit edhe pasardhësit tuaj nga barra, njolla dhe "mëkati" i bashkëpunimit në dëm të interesave jetike të vendit dhe kombit. Ky do të ishte edhe një kontribut për forcimin e unitetit të nevojshëm dhe të domosdoshëm të kombit shqiptar për t'u përballur me sfidat e shumëta të kohës dhe me ato të perspektivës...



(Vota: 16 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora