Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Këze Kozeta Zylo: Toleranca fetare, dhuratë e çmuar e shqiptarëve

| E enjte, 29.04.2010, 07:42 PM |


Toleranca fetare, dhuratë e çmuar e shqiptarëve

Nga Këze Kozeta Zylo

            Populli shqiptar është një ndër popujt e rrallë, që është dalluar ndër breza për tolerancën fetare dhe për një bashkëjetesë të shkëlqyer me njeri-tjetrin.  Detyrohem të sjellë këtë replikë mbi shkrimin që ka sjellë Thanas Gjika rreth 115 vjetorit të pagëzimit të Faik Konicës.  Gjikës i përgjigjem se “studimi” i tij s’është gjë tjetër vecse përdorimi i figures së ndritur të Kombit kundër traditës së shkëlqyer, tolerancës fetare, traditë që dhe vetë Konica e ka pasur në gen dhe e ka ushtruar me të gjithë bashkatdhetarët, kudo ku ka qenë dhe ka jetuar.  Abuzimet e ndryshme nga shqiptarë dhe të huaj, që janë bërë kundër tolerancës fetare në Shqipëri Faik Konica iu është përgjigjur: "Për ato që janë thënë për skepticizmin, ka ndikuar mbi të gjitha çudia e grekëve dhe e turqve, kur shikonin tolerancën dypalëshe të shqiptarëve në këtë pikë. "Muhamedanët nuk janë këtu muhamedanë të vërtetë, ashtu edhe të krishterët nuk janë tamam të krishterë, - i kishte thënë Torezit një oficer turk, tre çerekë shekulli më parë".  Po, iu pergjigj  Konica, - vërtetë nuk ishin të tillë, sepse për të qenë të tillë, të krishterë ose myslimanë të mirë, duhej t'i nxirrnin gurmazin njëri-tjetrit, siç ishte zakon në pjesët e tjera të perandorisë turke."

            Në se studjuesit e zellshëm, veçanërisht ata që po studjojnë në kohën post komuniste, do të rishikojnë dhe do të ndalen seriozisht në korifejtë e letrave shqipe, me siguri që Shqipëria do të bëhet një shembull i shkëlqyer i tolerancës dhe bashkëjetesës në histori. Duke lexuar shkrimin e Thanas Gjikës, që kurrë më parë në kohen e diktatures, nuk i kishja lexuar ndonjë studim këtij “profesori”, por midis gjuhëtareve kishja lexuar të myslimanit prof.Eqrem Cabej, i cili kishte një vlerësim të jashtëzakonshëm për katolikët, myslimanët, ateistët, dhe me mëncuri dinte të bashkëpunonte vetëm për Kombin.  Feja e Shqiptarit është Shqiptaria, ne na bashkon gjuha dhe Kombi dhe vetem për ato duhet të luftojmë dhe të përpiqemi me të gjitha energjitë tona intelektuale.  Meqënse jemi tek Faik Konica, vura dhe njëherë kasetën për të dëgjuar zërin e kthjellët të Nolit në dhomën time, shqiptarin e madh, me besimin ortodoks, i cili iu përgjigjet këtyre mendimeve të pabaza kështu:  "Prej gjithë akuzave, paragjykimeve dhe gabimeve, me të cilat kërkojnë të rëndojnë supet tona, kjo është më e pa drejta dhe më e pa baza. Megjithëqë elementi mysliman ka shumicën në Shqipëri, nuk besoj të ketë një shtet të qytetëruar, ku të mbretërojë aq, gjer në indiferentizëm, tolerancë feje, sa në Shqipëri. Prova e faktit, për të cilën me të drejtë krenohen të gjithë shqiptarët, është, që në krye të Qeverisë së sotme jam unë, një peshkop ortodoks, dukuri e panjohur edhe për shtete ortodokse. 

Personalisht jam e lirë në ushtrimin e fesë.  Jam rritur në një familje me të krishterë e myslimanë me mbiemrin që u bëri ballë hordhive, të pandryshuar në shekuj, Gjoni.  Xhaxhai im jeton me ortodoksen e mirë Aspasi për 60 vjet rresht, ne nje harmoni të shkëlqyer, kurrë s’i kemi pasur këto ndasi me njeri –tjetrin.  Jane dhjetëra e dhjetëra figura të shquara që janë martuar me besime të ndryshme.  A nuk ishte Ali Pashe Tepelena që u martua me ortodoksen Vasiliqi dhe që e respektoi aq shumë duke i ndërtuar dhe kishën në respekt të saj?  Po Mbreti Ahmet Zogu që u martua me katoliken e butë dhe të bukur Geraldina dhe që populli shqiptar i deshi dhe i cmoi aq shume virtytet e saj?

I respkektoj kristianët, myslimanët, budistët, protestanët, hebrenjtë, ateistët…  Do t’i respektoj për sa kohë që ata bëjnë punë të ndershme dhe të mira, nuk bëhen barierë e keqe, dhe për sa kohë që ata kanë Shqipërinë mbi të gjitha, (në këtë rast është fjala vetëm për shqiptarët).

Ju nder të tjera shkruani se emrat myslimanë si: Muhamed, Myftar, Mahmud, Mehmet, Mahmude, Ballkëze... u zëvendësuan me emra shqiptarë, si  lule, Tomorr, Manushaqe...  Bukur fort, i dua me jetën emrat shqiptarë, por në këtë rast pse përmend vetëm emrat myslimanë?

Dua t’ju pyes: po emri juaj “Thanas” me cilin emër shqiptar u zëvendësua...?

Askush në botë nuk trishtohet pse e ka emrin e besimit mysliman apo krishterë..., por ajo që më trishton dhe më dhëmb është se ju i gjykoni njerëzit në bazë të emrave...

Ju lutem mos përmendni emra profetësh, në rastin tuaj, Muhamet, kjo nuk është shenjë e mirë.

Në se Mahmudi, Mahmudja, Ballkezja, bëjnë punë të ndershme, shikojnë punët e tyre, apo derdhin shpirtin e tyre human për njerëzit, atëhere ata duhet t’i vlerësojmë dhe t’i çmojmë së tepërmi.  Ndryshe ju po bëni ashtu siç po bëjnë grekërit që jua kanë ndryshuar gjithë emrat shqiptarëve, edhe atyre emrave shqiptarë që përmendni ju, si Lule, Tomorr, duke i pagëzuar me emra grekë...

Po thirrjet fashiste greke në Paradën ushtarake në zemër të Greqisë në shekullin e 21 nga cili besim fetar u bë për të pirë gjak shqiptari, dhe ju nuk u pashë asnjëherë të ngrinit majën e lapsit kundër racizmit grek, edhe pse hodha disa here qëndrimin tim dhe të shumë gazetarëve të tjerë?  Faik Konica në artikullin e tij “Iu rrëfej Grekerit”, botuar në gazetën “New York Times” me 1940 shkruan për pabesinë, racizmin dhe urrejtjen greke karshi shqiptareve.  Ja çfare thote:  “Nje nga marifetet me te padëgjuara te grekërve ka qene dhenia e ryshfeteve zyrtareve te larte ne Stamboll per te nxjerre nje ferman qe te ndalonte qarkullimin apo mbajtjen e librave shqip. U quajt nje veprim i denueshem, madje edhe po te mbaje libra kaq te pademshem si gramatika ose aritmetika, po te ishin shkruar shqip. Grekërit rane madje edhe me poshte, nuk e kishin per gje te kallzonin atdhetaret shqiptare te ndershem si rebele dhe benin qe ata t'i degdisnin ne burgje te largeta”.

Po kuçedra serbe që vrau vëllezërit kosovarë dhe bëri krime të papara mu në syte tanë, të kujt besimi ishin? 

Por a duhet te gjykohen besimet fetare, librat e shenjtë me çmendurinë e udhëheqësave dhe të ultranacionalistëve që mbjellin racizmin dhe përcarjen fetare?  Në se po, ky është një fatalitet për njerëzimin.

Prandaj siç dhe e shkruajta më lart, dua të respektoj të gjitha fetë, për sa kohë që bëjnë punë të ndershme dhe të mira për njerëzimin, dhe do të përbuzë dhe nuk do të heshtë për të gjithë ata që kanë racizmin në gjak, qoftë mysliman, kristian, budist, hebre, ateist...!

Ju në shkrimin tuaj në piken 7 përmendni dhe shkrimtarin e përmasave botërore Kadarenë se u paska bërë thirrje shqiptarëve që të ndërrojnë fenë në fe katolike, ndërsa kjo thirrje e sjellë nga ju s’më rezulton askund, por në gazetën “Shekulli” po në vitin 2005 është botuar shkrimi me titullin: “Çfarë shkruan Kadare lidhur me myslimanizmin dhe profetin Muhamet në sprovën e tij "Dantja i pashmangshëm". Dhe ja si shprehet:

“Në sprovën "Identiteti europian i shqiptarëve" jo vetëm nuk ka kurrfarë kundërmuslimanizmi, por i është bërë mbrojtja më e plotë muslimanizmit shqiptar. Tezat zotëruese, të përsëritura disa herë në këtë sprovë janë tri:

E para, muslimanizmi shqiptar nuk përbën kurrfarë pengese për integrimin e kombit tonë në Europë. E dyta, një musliman shqiptar është po aq europian sa një katolik apo një ortodoks shqiptar. E treta, ne do të hyjmë në Evropë jo me një ose me dy, por me të tre besimet tona”.

Ju shpesh dilni ne perfundime të gabuara siç edhe shkruani në pikën dhjetë:

“Sa më shumë kulturohen shqiptarët, sa më shumë shtetet ku ata jetojnë (Shqipëria, Kosova e Maqedonia) u afrohen Evropës e Amerikës, aq më tepër myslimanët nuk ndjehen krenarë e zotër të vendit, kurse të krishterët ndjehen më mirë se kurrë”...

Unë mendoj se shqiptarët do t’i afrohen Europës dhe Amerikës vetëm duke zbatuar ligjet e demokracisë, vetëm duke marrë edukimin maksimal në Universitet e vendeve të tyre, dhe duke mos harruar kurrë origjinën e tyre si SHQIPTAR, pasi vendet demokratike e kane të dënueshme me ligj urrejtjen karshi besimeve fetare dhe racizmin e të gjitha ngjyrave!  Së fundi myslimanët dhe të krishterët do të ndihen zotër të vendit të tyre për sa kohë që do të vazhdojnë në traditën e bukur, në bashkëjetesën e tolerancës fetare, e cila do të trashëgohet si një dhuratë e çmuar brez pas brezi.

Prill, 2010

New York