E hene, 20.01.2020, 11:35 AM (GMT)

Plus » Historia

Xhemaledin Salihu: Shkrime dhe udhëpërshkrime të vjetra mbi Preshevën (III)

E merkure, 28.04.2010, 08:58 PM


Shkrime dhe udhëpërshkrime të vjetra mbi Preshevën III

 

Shkruan : Xhemaledin Salihu

Shkrime të vjetra mbi Preshevën

 

Në librin : një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë,  marrë nga “Besa” e Stambollit, të vitit 1958, Ibrahim Kelmendi, patriot nga Presheva shkruan : Krahina e Preshevës përbahet prej Luginës së Moravës, një pjesë të Karadakut dhe të katundeve të Qarrit.Pjesë qendrore asht Lugina e Moravicës që ndodhet në mes vargjevet të Karadakut dhe kodrave të Rujnës. Lugina e Moravicës përshkohet prej xhades së Madhe dhe prej Hekurudhës, që lidhin Luginën e Moravës me Luginën e Vardarit.

Presheva asht qendër e një pjekje rrugësh që vijnë nga Serbia, Maqedonia, Bosnja, Shqipnia dhe Bullgaria. Pozita e kësaj krahine ka pasë randësi në të gjitha kohët. Kushdo që sundonte këtë krahinë dhe Luginën e Shkupit, gjithnjë ka sundue pjesën më të madhe të Ballkanit. Këndej kanë kalue gotët, fiset turke të kumanëve, të peçenegevet e tjerë si edhe sllavët për në Pelopones. Kjo anë ka tërheqë edhe ushtri të mëdha : romake, bizantine, armatën e princ Jakubit që luftoi në Kosovë më 1389, ushtrinë austriake që arriti deri në Prizren dhe në tërheqje e sipër e dogji Shkupin në vjetin 1690. Ushtria serbe që ngadhnjeu në Kumanovë dhe ajo e Hitlerit që luftoi në Kretë, patën kalue këndej.

Shqiptarët e Preshevës ndahen në mahalle :  Murtishët, Kajajt, Mullabeqirët, Nezajt, Derrajt, Berajt, Rahmanët, Golomeshët, Ali-Metajt, Hodajt, Budumtë, Sheh_Halilët, Kamberët, Dodajt, Bajraktarët dhe të tjerë. Çdo mahallë asht gjini në vete. Disa prej këtyne gjinivet u përkasin fisevet : Sopë, Kelmendë, Thaç dhe Krasniq. Një numër i qytetarëvet nuk kanë fise fare. Në katundet e Luginës së Moravicës, të Karadakut, të Qarrit fise nuk ka, sikur që nuk ka në katundet e Kumanovës, të Shkupit dhe përgjithësisht të Maqedonisë Perëndimore,  e cila mbërrin deri në Prilep dhe në Manastir.

 

Presheva është vendbanim i vjetër i kohës antike. Nga ana e djathtë e lumit të Kurbalisë rreth 500m në perëndim, nga kisha rreth 150-200 m në lindje-juglindje të lokalitetit antik ndër kala gjendet një kodër me një ngritje të lartësisë së mesme të quajtur Gërmadhë. Nga ana e majtë, kjo ngritje lidhet me kodra fqinje. Platoa e lokalitetit në mënyrë artificiale është rrafshuar dhe pak është e lëshuar nga lumi. Në sipërfaqen e platosë shihen mbeturinat e objekteve antike- themelet nga guri, tulla të formatit romak. Gjithashtu gjendet ndonjë fragment i keramikës pasantike. Lokaliteti, gjithësesi paraqet një vendbanim më pak strategjik, thuhet në gërmimet arkeologjike të vitit 1968.

 

Në Enciklopedinë Popullore, të botuar në Zagreb, më vitin 1928, V. S. Radovanoviq shkruan :

Presheva, qytezë në Serbinë Jugore, në pjesën veriore të Luginës së madhe Preshevë-Kumanovë, në skaj të fushës së Preshevës, nën anën lindore të Karadakut të Shkupit.

 

Vendgjetjet arkeologjike të vitit 1968 në Preshevë
Vendgjetjet arkeologjike të vitit 1968 në Preshevë
Presheva ka 656 shtëpi me 3.214 banorë(1921).

Presheva për herë të parë përmendet si zhupë/famulli/ në vitin 1381, atëherë kur dhespotja Evdokija me të birin Konstantinin ia dhuroi manastirit të Hilandarit.

Në mesjetë dhe më vonë nëpër Preshevë kalonte edhe Udha e Kosovës, e cila prej Moravës së Epërme kalonte nëpër Karadak dhe lëshohej në fushën e Preshevës dhe më tutje shkonte në lindje. Këndej pari, më 1530 kaloi suita e amabasadës hungareze në rrugë për në Carigrad. Atëherë për Preshevën u shkrua si për një kështjellë të bukur. Mbeturinat e kësaj kështjelle gjenden në Gërmadhë, përmbi Preshevën, në të dalë të Geranës nga Gryka.

Deri parafundimit të periudhës së sundimit turk, Presheva ishte fshat. Ajo filloi të zhvillohet si qytezë prej vitit 1878, kur Vranja iu bashkangjitë Serbisë, atëherë Presheva u bë qendër e Kazasë, me seli të kajmekamit dhe të kadisë.

Në këtë kohë, Presheva kishte 250 shtëpi arnaute dhe më vonë erdhën edhe 250 shtëpi muhaxhirë nga Vranja. Presheva më shumë u zhvillua që nga viti 1888, pasi u ndërtua Stacioni Hekurudhor, në hekurudhën kryesore Moravë-Vardar /3 km larg Preshevës/.

 Më 1900, Presheva kishte rreth 2.000 banorë Arnautë. Në fund të sundimit turk, ajo kishte 640 shtëpi dhe rreth 30 dyqane /1912/, ndërsa në vitin 1913 kishte 2.991 banorë.

Presheva kishte edhe popullatë krishtere, kryesisht zejtarë dhe kolonistë agrarë.

 

Presheva është shumë e gjallë, sidomos të shtunave, kur është ditë pazari për  gjithë rrethin e Preshevës. Konsiderohet si vend i shëndethsëm, më një freski mali. Këtu vijnë të shërohen të sëmurit nga Shkupi.

Nëpër Luginën e Preshevës dhe Kumanovës,  më 1888 u ndërtua hekurudha Beograd-Selanik, ndërsa sipas projekteve të ekspertëve amerikanë mund të lidhet Morava dhe Vardari, e me këtë të mundësohet lundrimi : Deti i Veriut-Rajna-Danubi-Deti Egje.

 

Udhëpërshkrime të vjetra mbi Preshevën

 

Udhëpërshkruesi Todor Stankoviq  në librin : Shënime udhëtimi nëpër Serbinë e Vjetër 1871-1898, të botuar në Beograd, më vitin 1910 shkruan :

d)Rruga nga Manastiri Prohor Pçinjski, nëpër Preshevë, Bujanoc dhe në kthim në Gjilan.

 

Me një Arnaut, i cili ruante Manastirin , u nisëm me kuaj për Preshevë, kaluam lumin Pçinja. Për ¾ e orës arritëm në katundin Starca, nga  shkuam në Sobrate. Nga ky katund dolëm në Bilaç, ku ekzistonte kazerma ushtarake turke me një batalion.

Nga Bilaçi arritëm në Bushtran, në të cilin kishte 55 shtëpi arnaute dhe 16 shtëpi serbe.

Në orën 10 e 20 minuta u nisën nga Bushtrani, nëpër katundin Zhuzhicë /Zhunicë-autori/ dhe për 1 orë e ¼ arritëm në Preshevë., ku u vendosëm në hanin e Rexhep-Agës.

Posa arritëm në Preshevë, na erdhi të na dëshirojë mirëseardhje, në emër të kajmekamit që mungonte, Mal mudir, (drejtori i financave Ahmed Lutfiu, efendija dhe sekretari policisë së Preshevës Mahmud efendija.

Duke kaluar nëpër Preshevë, ktheva në kancelarinë /zyrën/ e pushtetit të rrethit, t’ia kthejë vizitën nëpunësve të përmendur, ku e takova muhasebexhinë e Prishtinës- administratorin kryesor të financave-Ismail Raif efendinë, i cili kishte ardhur për pagesat e tatimeve dhe të ardhurave të tjera shtetërore. Dhe këtu një aradhë xhandarmerie më nderoi mirëseardhje. Nga këtu, në përcjellje të Mahmud efendisë, i cili ishte i lindur në Leskoc, shkuam të shikojmë qytezën, e cila ka çarshinë , dhe e cila për çudi ishte shumë e pastër. Lumi i cili kalonte përmes çarshisë, shumë ndihmon në mbajtjen e pastërtisë, sepse i gjithë plehu aty hudhej ndërsa uji e çon tutje.

Kur u ktheva në han, pagova harxhimet dhe u përgatita për nisje, por ndërkohë erdhën muhasebexhia dhe 2 nëpunës të më urojnë udhë të mbarë.

 

Presheva i ka 600 shtëpi, prej të cilave 570 janë Arnaute dhe rreth 30 shtëpi serbe. Serbët i shërbejnë Arnautët e pasur si çifçi dhe shërbëtor, duke ia punuar tokën për një rrogë të vogël apo për pak mall…

 

Rrethi i Preshevës ka 122 katunde me 42.248 banorë, prej të cilëve 26.920 Serbë dhe 15.328 Arnautë /në rrethin e Preshevës bënin pjësë edhe Nahia e Bujanocit dhe Tërgovishtës-autori/.

Nga Presheva u nisëm për në Rahovicë dhe arritëm te kisha e vjetër dhe e lënë pas dore, përmbi katundin, e cila kishte 2 palë dyer. Përmbi në mur, në derën e dytë shihen tragjet e mbishkrimit, të palexueshëm, shkronjat sëbashku më horasanin kishin ra. Nga kjo kishë u nisëm dhe dolëm në rrugën kryesore Vranjë-Kumanovë, ndër Bilaç. Nga këtu shkuam në Bujanoc.

 

Profesori Al. Stanojeviqi në librin e tij : Dy javë në Serbinë e Vjetër, Ditar i udhëtimit nga një ekskursion, Beograd, viti 1898, shkruan :

Më 18 korrik të vitit 1898 u nisa nga Beogradi për në Shkup, me tren.

Në stacionin e Zhbevcit  /Zibevc-afër Ristocit, në mes Preshevës e Bujanocit, autori/ na pritte treni turk, me të cilin do të udhëtonim për në Shkup... U larguam nga Serbia, në largësi në perëndim shihet Karadaku.

Te Presheva, në stacion hyn dy oficer zhandarmerie turqë. Bashkëudhëtari im dinte turqisht dhe filloi biseda në mes të tyre. Oficerët turqë zbritën në stacionin pas Preshevës.

Sa më tepër që largoheshim nga Zibevci, oficerët turqë thonin udhëtarëve se gjindeni në tokën, ku thika dhe martina kanë autoritet më shumë, se sa ligjet shtetërore dhe gjyqet.

Nga treni shihej qartë se kolonitë Arnaute janë në afërsi. Kështu fshatrat Arnaute i afrohen shumë hekurudhës ; disa fshatra gjenden në të majtë të hekurudhës.

Presheva, Tabanoci dhe të tjera janë koloni Arnaute të dëgjuara dhe të rrezikshme, edhepse në to sundon pushteti turk. Fshatrat janë të larmishme, shtëpitë me kulme të mbuluara  me dërrasa apo të thurrura si kolibe. Kështu arritëm në Kumanovë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT