Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Jeton Kelmendi: Autoriteti dhe autoritarizmi

| E marte, 13.11.2007, 05:54 PM |


Qasje

Nga Jeton Kelmendi, Bruksel

Jeton Kelmendi
Është e natyrshme qe në vendet në tranzicion, të cilat kalojnë prej një sistemi në tjetrin të krijohen autoritete e madje edhe mite. Në shoqëritë pas komunizmit, në të gjitha vendët që kaluan në pluralizëm një kohë të caktuar vërehen ndikimet dhe efektet e sistemit monist. Edhe në vendet e lindjes por edhe në Ballkan ndërrimi i sistemeve ka marr një kohë të caktuar, mirëpo kjo është kapërcyer në masë të madhe. Fatëkeqësisht  në shoqërinë tonë, kjo dukuri e ndikimit të sistemit të kaluar po qëndron në fillimet e një ndryshimi por jo edhe të shkojë më tutje. Është vërtetë interesant fakti se shoqëria shqiptare, ndër të parat në hapësirat e ish-Jugosllavisë, ja ktheu shpinën sistemit të atëhershëm. Mirëpo sa kemi mundur që vërtet ta ndryshojmë vetveten është një çështje tjetër. Ndonëse tek gjeneratat e vjetra të cilat janë edukuar dhe formuar me sistemin social-realist, pritet një vështirësi në rezultat e ndryshimit, tek një pjesë e të rinjve është për të habitur ky rezultat i dobët.  Shoqëria jonë ka shumë probleme thelbësore me të cilat përballet, nga shumë aspekte. Krijimi i autoriteteve është një fenomen tepër krucial në avancimin e sistemit të ri në vetëdijen tonë. Në shoqërinë tonë pas këtyre ndryshimeve dhe pas luftës, e gjithë asaj që ndodhi, u krijuan personalitete autoritative, diku me pak rezultate e diku edhe pa to. Këta njerëz jo për fat të mirë vazhdojnë të krijohen edhe sot dhe numri i tyre është në rritje. Duhet pranuar fakti se akoma tek ne më shumë çmohet njeriu se sa puna e tij, kujtoj për këtë ka fakte të bollshme në të gjitha sferat e jetës. Duke u nisur në atë thënien e popullit “lehtë është me fitua por vështirë është ta mbash”, këtu kemi parasysh autoritetet e krijuara i mashtron pushteti dhe lakmia dhe shumica nga ta abuzojnë me atë pushtet që kanë qofshin liderë partish, drejtues institucionesh apo kudo që janë ata. Autoriteti i tyre bie, shoqëria shpejtë i shtynë por edhe shpejtë i pështynë, natyrisht pasi që ata nuk kanë suksese, për të mos thënë më keq edhe e dëmtojnë shoqërinë. Këto “autoritete”, më pastaj ndodhen në pozitë të palakmueshme për ta dhe pushtetin e tyre e konsiderojnë të tyre përjetë. Gabimi është më i madh se sa mendohet, këta njerëz shndërrohen në autoritarizma.
 
Pakë fjalë për autoritarizmin e tyre.

Njerëzit e caktuar, qofshin ata në politikë, kulturë, shkencë e kudo tjetër, kanë një vetëdije të tillë se autoriteti i tyre nuk mund të jetë jetëgjatë, kjo sipas punës së tyre, prandaj ata krijojnë struktura të caktuara që kontrollojnë hapësirën e tyre dhe natyrisht punojnë në thyerjen e barrierave në rrugën e zhvillimit të tyre dhe grupeve të tyre të interesit. Për t’ia dalë kësaj pune me sukses duhen edhe mjetet dhe format. Zakonisht ato mjete dhe forma janë nga më të panjerzoret, ka mjaftë raste të tilla kur një apo më shumë njerëz e kundërshtojnë një gjë të tillë dhe ata do të jenë në të gjitha mënyrat të keqtrajtuar, që nga opinioni e deri tek pengesat tjera ku mund të kontribuoj ai apo ata, jo rrallë herë edhe vriten. Ky është autoritarizmi që e kanë shumë personalitete dhe kjo është dukuria nga më të rrezikshmet në shoqërinë tonë. Duhet shtuar edhe një gjë se autoritarizmi gjithmonë lind nga autoriteti dhe derisa populli dhe shoqëria në përgjithësi nuk krijon vetëdijen se proceset dhe punët janë rëndësia e dorës së parë e jo individi qoftë sado autoritativ, do të kemi probleme me vetveten, do të kemi korrupsion, lypsar milioner, bllokues të përparimit të mekanizmave që ndryshojnë jetën tonë.