E hene, 25.05.2020, 06:29 PM (GMT+1)

Editorial » Radovani

Fritz Radovani: Vatikani e ka njohtë me kohë Kosovën, por Kosova nuk njeh vetveten..!

E diele, 25.04.2010, 10:00 PM


VATIKANI  E  KA  NJOHTË  ME  KOHË  KOSOVËN…

POR,  KOSOVA,  NUK  NJEH  VETVETËN..!

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Në vitin 1996 kam njohtë z. Sheuqet Kelmendi në Shkoder. Fatkeqsisht u njohta vonë me atë Burrë, fatkeqsisht, se, në 1997 unë u largova nga Shqipnia. Njohta një Shqiptar kosovar, që, do ta kishte për fyemje me i thanë “kosovar” pa emnin Shqiptar ma parë. Ishte kenë antarë i një grupi të quejtun nga serbët “Katoliçeskaja banda”…e, që dallgët e kishin sjellë në Tokën Nanë, pra, jo “nënë”…ku, mbasi kishte përfundue “fakultetin” e parë në burgjet e Titos, kishte provue edhe ferrin komunist të Enver Hoxhës, ku, edhe këtu, kishte krye “fakultetin” e dytë në kampet e shfarosjes së Nanës Shqipni. Ishte Burrë i matun, korrekt, i dashtun, i prëgatitun e mbi të gjitha Atdhetar i vërtetë. Prej njohjes me te mësova për Kosovën ma shumë se kishe mësue gjithë jetën në Shqipni… mbasi, Ai, më hapi një dritare që për ne ka kenë gjithmonë e mbyllun nga 1944.

            Nga fundi i vitit 1944 dhe fillimi i 1945, flitej se rreth 2500 ose 3000 kosovarë i kanë sjellë nga rruga e Kuksit dhe i kanë dorëzue në Tivar e Ulqin, ku, të gjithë kanë gjetë vdekjen dhe, mbasi i kanë pushkatue kufomat e Tyne i kanë tretë në detë. Në vitin 1993 pata lexue një artikull që tregonte se “shokët komandant shqiptarë” Haxhi Lleshi, Sheuqet Peçi, Fadil Hoxha, Ramiz Alia, Rahman Perllaku…kishin ra dakord me 13.000 kosovarë të armatosun në Kukës, me ardhë në Shqipni dhe mbasi të organizohen, me shkue me “çlirue” Kosovën. Mbasi i kanë çarmatosë, janë nisë për Shkoder. Rrugës ka pasë edhe nga “ata” që kanë dashtë me “dezertue”, kështu, janë “detyrue” shokët komandantë shumicën me i pushkatue…ndërsa, pjesën që ka teprue për me humbë gjurmët e vrasjeve rrugës ia kanë dorëzue “serbëve” në Tivar, për me i ba kurban si “miq dhe shokë partizan” që na kishte vllaznue lufta kundër armikut të “përbashkët” Shqiptarë…

            Dhe, ja, si e shpjegon fundin e Tyne z. Lekë Harapi në librin e Tij “50 vjet kujtime” në faqën 108, Dan Hasani tregon: “Riza Dani (aso kohë Kryetari i Komitetit të Shkodrës), i kërkon mendim dr. Omer Nishanit, si President për me shpëtue ata kosovarë që kanë kalue në tokat tona, nga Velipoja dhe bregu i Bunës,... Dr. O. Nishani, mbasi konsultohët me Enver Hoxhën dhe Koçi Xoxen, i përgjigjet: - Ata janë të gjithë kriminela dhe duhët t’ia kthejmë sa ma parë Jugosllavisë, që, të mos na zemrohet Tito”. Këto ishin fjalët e Presidentit dr. Omer Nishanit që u dekorue në vitin 1993 nga Tirana “demokratike”.

            Në vitin 1946, me 1 Korrik “shoku” Enver dekorohet “Heroi Popujve të Jugosllavisë” (se për cilët popuj bahet fjalë...atë e di Kuvendi Popullor i yni, që edhe sot nuk i prekë dekoratat e tija) dhe, mbas pak ditësh në Konferencën e Paqës në Paris, deklaron: “....me qeverinë jugosllave nuk kemi mosmarrveshje.”

            Do t’ ishte e pafund lista e Atdhetarve Shqiptarë kosovarë që në kërkim të “lirisë” nga dhuna serbe, kanë kërkue “strehë” tek Nana Shqipni dhe, janë vra pa pikë mëshire ose zhdukë ndër kampet e shfarosjes komuniste nga E. Hoxha dhe Ramiz Alia, tue u akuzue si spijun të UDB jugosllave krejtë të pafajshëm...

            Djallëzia dhe pafëtyrsia janë dy motra “që ka kultivuar mësë miri ndër Shqiptarë “nëna parti” komuniste, socialiste, demokratike…” e, si të duesh veni emnin se: “të bijat e s’ëmës janë që të gjitha”…, “më trego se bija e kujt je, e po të tregoj kush je..?”, thotë populli shqiptar…

Mos shkoni aspak ma gjatë, po, tregoni haptas “bijtë e cilve kosovarë jeni ju, që me 16 tetor 2009, me paturpësi pritni në Prishtinën e Lirë, pasardhësit atyne gjaksorve, që shitën tokën tuej dhe vranë mijra e mijra Shqiptarë kosovarë për me sigurue kolltukun e flliqun të kriminelave Enver Hoxha e  Ramiz Alia..?

            Në vitin 1972 pa kërkue pelqimin e Popullit Kosovës, një grup “spijunësh" të Ministrisë Punve të Mbrendshme të Tiranës vijnë nga Prishtina, dhe pa pikë turpi nënshkruejnë “aktin e varrosjes së gjuhës së Nanës”…tue u shpërfëtyrue për një grusht pare të flliqta, e në pleqni me thinja të turpëshme mësojnë fëmijët e nipat me thirrë Nanën “nënë”…

            E pse ngjajnë këta akte të shemtueme o vëllazën, Shqiptarë..!

            Sa shpejtë keni harrue Gjakun e Atyne Shqiptarve të shkuem rrëkajë për Atdhe të Lirë e Përparim ndër shekuj..? Po, a kujtoni se flejnë të qetë në shpellat, gropat e prroskat shqiptare Eshtnat e tretuna të Bajram Currit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, At Gjeçovit, At Bernardin Llupit, Ndue Perlleshit, Marie Shllakut, mulla Idrizit Gjilanit, Prof. Ymer Berishës, Kol Margjinit, Shaban Polluzhes, Uk Sadikut, Kol Parubit, Shaban Sadikut, Gjergj Martinit e sa e sa  trimave të tjerë, që kanë dhanë jetën për liri të Kosovës..?

            Keni harrue fjalët e At Llupit: “Vdakja si kjo, vdekja për Shqiptarizëm asht kup’e artë!”

            Kur fati i Shqipnisë ishte mu në fije të penit nga qendrimi armiqsor i fqinjve tonë që, të pakten njëditë nuk na kanë lanë të qetë, se për ndihmë as nuk bahet fjalë, pikërisht, ishte Ai Isa Boletin që me 300 Burra të armatosun u gjet në Sheshin e Flamurit, në Vlonë, atë ditë të Madhe të Kombit Shqiptar kur Atdhetarët tonë Shpallën Pavarsinë dhe ngritën Flamurin e përgjakun të Gjergj Kastriotit Skenderbeut, me Shqipën Dykrenare mbas sa shekujsh robni turke.

            Mo’ Zot ma keq ku kem vojtë..? Me harrue për shka asht luftue ndër shekuj të tanë!

            Po, si bre Burra, Parzmoren e të Madhit Skenderbe,  me e ndrrue me një “bucë” dhé…?

            Po, ku, jeni bre At Fishtë, Kristoforidh, Naim e Çajup, e, ti o Mjedja i jonë, ju, bespremë shkue mbas sa vaje e gjamësh që kanë ushtue nga Maja e Hekrave e deri në shkrepat ma të larta të Tomorrit plak, po, ku, shkrepi kjo rrfe mizore, mbi shtizë të Flamurit Kastriotit tonë…?!

            Bash njëky Ramiz Ali që pritni e qitni ju, o vllazën Shqiptarë të Kosovës dhe Amerikës,  kur pat të gjitha shanset nga gjermanopërendimori Shtraus, me shpetue Popullin Shqiptar të nëpërkamun nga Evropa kje ai që zgjodhi rrugën e mbetjes së përhershme “udhëheqës komunist” dhe, me paturpësi djallëzore, kërkoi “anëtarsimin e Shqipnisë në Konferencën Islamike” edhe pse me dorën e tij kishte shembë Xhamijat e Shkodres, kërkonte si e si rrugën e Lindjës…

            Kur mbarë Populli Shqiptar thërriste “E duem Shqipninë si gjithë Evropa..!”, ky kriminel mendonte dhe projektonte plane vrasjesh e tmeri në kufi, tue shpikë: “Shqipnia s’ asht as Lindje as Përendim..!”, mbasi kështu shpallte botnisht se: “Na nuk i përkasim ndryshimeve të Evropës së Lirë dhe Demokratike” ashtu, si, po vepronte gjithë Evropa Lindore e deri në Sheshin Tien An Men, tek Kina e largët komuniste…prej së cilës, pikërisht, ky hipokrit anadollak fanatik mësoi sesi me zhvillue në kushtet tona “Revolucionin Ideologjik dhe Kultural”, turpin e Shek. XX.

            E, njëditë papritë e pa u kujtue, “heqimat” e universitetit “Enver Hoxha”, realizuen edhe idenë e tij. Ishte “heqim” Alfred Serreqi, Minister i Jashtëm i Qeverisë “Demokratike” të 1992, ai, të cilit, i përshtatët ma së miri thanja e At Konrrad Gjolaj: “Një musliman i pa bamë synet”, që, tue zbatue urdhnin e “Presidentave” dhe të “heqimit” Sali Berisha, me datën 2 dhetor 1992, shpallin “Shqipninë Evropjane të Skenderbeut”, anëtare të “Konferencës Islamike”…

E, çka mujshin me ba ma shumë këta në damin e Popullit Shqiptar e Kosovës Martire, kur pushtuesës së Saj, bash Serbisë gjakatare komuniste po i vinte fundi..? E, si ndihmohej Serbia ndryshej?! Me të drejtë i Ndjeri Prof. Nikoll Daka, thonte për “heqim” A.Serreqin: “Unë kujtojshe se asht nipi i Dr. Federik Shirokës, po, ai,… ishte kenë nipi i Zef Serreqit…”.

            Po të njajtin veprim ban “diplomacia kosovare” posa fiton Pavarsinë…Me delegacionin shqiptar që shkon në një seancë të “Konferencës Islamike”, shkon edhe një grup nga Kosova..!!

            Pa kalue as një muej nga nënshkrimi i anëtarsimit në “Konferencën Islamike” nga Shqipnia “demokratike” me 2 dhetor 1992, Papa Gjon Pali II, me 9 Janar 1993 thërret në Asizi “një takim lutjesh për Paqën në Ballkan”, ku, marrin pjesë tre besimet, të krishtenët, muslimanët dhe hebrejtë. Aty mban pranë Shqiptarin Hafiz Sabri Koçi, gjatë gjithë kohës…Mendimin e Tij për Shqipninë dhe Popullin tonë, Papa e kishte shpallë që në vitin 1980 në Otranto t’ Italisë, por nuk do të kalojnë as dy muej kur në Prill të vitit 1993, z. Villy Gjon Kamsi do të paraqesin letrat kredenciale pranë Selisë Shenjte, dhe Shqipnia lidhë mardhanje diplomatike me Vatikanin.

Vdekja e Presidentit largpamës Ibrahim Rrugova, asht ndër fatkeqësitë ma të mëdha jo, vetëm, për Popullin Shqiptar të krahinës së Kosovës, po, për të gjithë Trojet e robnueme të Tokës Shqiptare, për të cilat Ai shkrini jetën e Tij prej Martiri dhe Heroi…Prandej, në vitin 1999, Ai nuk asht lanë në labirintet e Beogradit dhe duert e gjakosuna të Millosheviqit, por me një guxim dhe veprim të pa pamë në Historinë e Lavdishme të Vatikanit, ndaj Popullit Shqiptar dhe Shqipnisë Evropjane të Skenderbeut, Burri i Madh Polak, Papa Gjon Pali II, e tërhoq me shpejtsi pranë vetës në Vatikan, tue i sigurue jetën Mikut të Madh Shqiptar Presidentit Rrugova.

            Si mendoni, ju, o vëllazën Shqiptarë, se NATO dhe ShBA, kanë ndërhy ushtarakisht për çlirimin e Kosovës pa pelqimin e Vatikanit dhe të Papës Gjon Pali II..?!

 

            Erdhi edhe Ajo ditë aq shumë e pritun për Shqiptarët, nyja e pazgjidhun pesëqind vjeçare mes Vatikanit e Shqipnisë u zgjidh nga Papa Gjon Pali II me 25 Prill 1993, ora 08.30’, Ai puthi Tokën Shqiptare. Lexoni me vemendje pjesët e fjalimit të Tij në Sheshin Skenderbe në Tiranë:

“...Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tem Vëllaznor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashjetojnë këtu prej shekujsh: Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilve, u sjellë një përshëndetje të përzemërt...Kam ardhë për me i shfaqë çdo shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore dhe shpirtnore...

Të dashtun Vëllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuaj... Ju keni vuajtë për Kombin Tuaj. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë....Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit...

Drama e Juaj Shqiptarë të dashtun zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Evropian e asht  e domosdoshme që Evropa mos t’ Ju harrojë.

Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë...Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vëllazën. Kështu, që Feja asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një vëllaznim human. Liria  e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës dhe të sektarizmit dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv...

Populli Shqiptar, - dhe po më pëlqen që po e kujtoj në këte çast, - asht për me u marrë si shembull në këte pikëpamje. Që të tre Komunitetët fetare mbajnë një raport respekti rreciprok të një bashpunimi të njerëzishëm. Qëndroni në këte pikëpamje Vëllazën e Motra të dashtuna! Ju, do të keni merita për solidaritetin dhe për paqën në Atdheun Tuaj dhe në krejt zonën e shumëvuajtun të Ballkanit. Kështu, Ju, mund të ndërtoni një Bashkim Kombëtar të urtë dhe të qendrueshëm...Megjithatë, dashnia për Atdheun të cilën Ju e ndjeni të fortë ndër këta çaste, nuk duhët të degjenerojë në nacionalizem intolerant dhe agresiv që sot e kësaj dite, po shkakton viktima dhe po ndezë urrejtje të papërmbajtuna në vende të ndryshme të Botës, madje, dhe, jo, fort larg nga këtu tek Ju...

Përkundrazi, u shtoftë gjithënjë e ma shumë harmonia në bashjetesë tek Ju. Shqipni, qëndro në lartësine e kësaj beteje të madhe!..

Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Ende ka plagë të pambylluna. E kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës.

Krijimi i një shoqnie demokratike nuk bahët menjëherë me një të thanun.

            Kësaj Shqipnie të posalindun Kisha nuk do t’ ja kursejë kontributin e Sajë....Popull Shqiptar, ec përpara me kurajo drejt shtigjëve të solidaritetit! Asht një rrugë e vështirë kjo, por në té janë të mbjelluna farnat e shpresës. Lé të shoqnojë forca e Martirëve të Tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të Lirisë...

Lé ti ndrisë hapat e Tu dashunia për familjën, shpirti i vëllazënimit, mikëpritja ndaj të huajt dhe vetitë që e dallojnë Popullin Tuaj, veti këto që përbajnë pasuninë ma të çmueme të traditave shekullore shqiptare...

Lé të ushqejë guximin Tand Feja e besimtarëve të Tu në një Zot të vetëm, të cilët sëbashku me çdo njeri vullnetmirë do ti përkushtohën shërbimit ndaj drejtësisë dhe paqës. E si mos të kujtojmë tashti një Bijë të zgjedhun  të Popullit Shqiptar, Motren Tereza të Kalkutës, Nanë shumë e vorfën ndër ma të varfërit në Botë? Me zjarrin e Fesë në krahnor Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruan mbrenda Saj hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës shqiptare...

Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu edhe Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm. Vetëm kështu mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vëllavrasëse të ulta e të pakuptim... Vëllazën e Motra Shqiptare fort të dashtun!

Zoti e ruajtë Atdheun Tuaj! Zoti e mbrojtë Popullin Shqiptar në mbarë Botën! Në Emën të Zotit Ju përqafoj e Ju Bekoj të gjithëve!

Mirupafshim! Ju uroj me gjithë zemër: Gjithë të mirat!” 25 Prill 1993.

 

Vëllazën e Motra Shqiptarë!

Jo, bre, jo, Populli Shqiptar asht Një dhe Shqiptari i Skenderbeut ka vetëm Një Atdhe, ka Një Zot, ka Një Gjuhë, po, ka edhe Një Flamur me Një Shqipe Dykrenare, që e ka la me Një Gjak Shqiptari, me Gjakun e Herojve të Tij, tash ma shumë se pesë shekuj..!

            Rrnoftë Shqipnia e Flamuri i Saj ndër shekuj e Lirë dhe, përparoftë si gjithë Evropa!

 

Melbourne, 25 Prill 2010.



(Vota: 21 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora