E premte, 19.04.2024, 01:23 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Lavdi Herojve të Lirisë

E shtune, 24.04.2010, 08:00 PM


Në 65 vjetorin e rënies

 

LAVDI  HEROJVE    LIRISË

 

Nga Reshat Kripa

 

            Kanë kaluar 65 vjet nga 14 prilli i kobshëm i vitit 1945. megjithatë ne sot ata i kemi përsëri të gjallë, përsëri me kokat lart ashtu si qëndruan para togave të zeza  të pushkatimit. Ja tek i kemi para nesh të nderuar nga flamuri kombëtar i cili valvitet krenar ashtu si e ëndërruan ata, pa spatën e fashizmit dhe pa yllin e komunizmit.

            Ndaj ne sot përulemi me respekt para figurave të Bahri Omarit, Kol Tromarës, Fejzi Alizotit, Kostandin Kotes, Javer Hurshitit, Ismail Golemit, Terenc Toçit, Shyqyri Borshit, Zef Kadares, Aqif Përmetit, Dik Camit, Daut Çarçanit, Beqir Valterit, Tahsim Bishqemit, Gustav Mirdashit, Hilmi Lekës, Reshit Merlikës si dhe të Patër Anton Arapit, Lef Nosit dhe Maliq Bushatit, pushkatuar në të njëjtin vend një vit më vonë.

            Viti 1945. Lufta kishte mbaruar. Krismat e armëve kishin pushuar. Por jo gjuetia e njerëzve. Ajo vazhdonte me gjithë egërsinë e saj. Viktima të kësaj në rradhë të parë ishin mendjet më të ndritura të vendit, intelektualët më të njohur, të diplomuar në universitetet më në zë të kohës së atëhershme.Dhe tragjedia e këtyre njerëzve të shquar ishte se gjykoheshin nga njerëz inkopetentë, që ishin të aftë vetëm për krime dhe jo për drejtësi. Kështu jo në pak raste teneqexhiu gjykonte mjekun apo avokatin, nallbani profesorin apo shkrimtarin, kovaçi inxhinierin apo klerikun e nderuar.

            Turma injorantësh endeshin rrugëve të qytetit, plot urrejtje për bashkatdhetarët e tyre, të etur për gjak të pafajshmish. Një luftë e re kishte filluar, lufta kundër çdo shenje të nacionalizmit shqiptar. Pothuajse në çdo qytet zhvilloheshin gjyqe speciale. Vendimet ishin monstruoze. Me dhjetra të pushkatuar. Me qindra të dënuar me dënime të rënda. Me mijra të internuar në kampet e çfarrosjes. Shoqëria shqiptare ishte ndarë në dy kampe armike, në proletarë që duhej të sundonin dhe në borgjezë që duhej të çfarroseshin.

            Të gjitha këto kryheshin nën dirigjimin e krerëve mizorë Enver Hoxha e Mehmet Shehu, Koçi Xoxe dhe Bedri Spahiu, Josif Pashko e Aranit Çela dhe plot të tjerë që vepronin simbas shkopit të dirigjentit të tyre kryesor, Mugoshave dhe Popoviçëve që i instruktonin se si duhej të çfarrosnin popullin, se si duhej të shkatërronin kombin e tyre.            Kam qenë i vogël atë vit të kobshëm, vetëm 9 vjeç, por në veshin  tim tingëllojnë akoma, sikur të kishin ndodhur sot, këngët e tyre barbare:

                       

“Mbi kufomat e tradhëtarve do marshojmë!“

           

Oh, tmerr! Marshim mbi kufoma shqiptarësh! Kanibalizëm në mesin e shekullit të njëzetë. Një olokaust i ri po fillonte të lulëzonte. Ky olokaust zhvillohej kundër kujtdo që

kundërshtonte rregjimin, ndaj kujtdo që mendonte ndryshe.

            Po kush ishin këta të ashtuquajtur tradhëtarë?

            Ishin ata që kishin luftuar për flamurin kuq e zi, për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar, për një shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike, mbi baza moderne. Për një Shqipëri ku do të mbretëronte liria e fjalës dhe e mendimit. Për një Shqipëri të rregulluar ekonomikisht dhe shoqërisht. Për një Shqipëri ku do të zbuloheshin dhe përkraheshin vlerat e fshehura në çdo shtresë të popullit. Për një Shqipëri ku do të vlerësoheshin drejtësisht të gjitha vlerat pa dallim moshe krahine, besimi dhe klase. Për një Shqipëri të drejtuar nga njerëz të pakompromentuar, nga shqiptarë që nuk janë kursyer për shpëtimin e këtij vendi. Për një Shqipëri ku do të dënoheshin antipatriotët, tradhëtarët, të shiturit, spiunët, spekullantët. Për një Shqipëri ku nuk do të kishte vend për dallkaukët, servilët dhe të gjithë ata që pengonin zhvillimin e saj, për bashkimin e të gjitha energjive të kombit, për bashkimin mendor dhe shpirtëror të gjithë shqiptarëve. Për një Shqipëri që do të kishte për moto  “ Atdheu mbi të gjitha “. Për një Shqipëri që do të luftonte për Zot dhe fe.  Ata luftuan që Shqipëria të mos bëhej as e italianëve dhe as e gjermanëve, as e grekëve dhe as jugosllavëve, as e rusëve dhe as e kinezëve. Ata luftuan që Shqipëria të ishte e shqiptarëve. Ky ishte krimi i tyre për të cilin ata dhanë edhe jetën.

            Duke kujtuar figurat e tyre, nuk mund të mos na kujtohen ato vite të turbullta të luftës, kur historia nxorri në skenë lëvizjet e mëdha nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes së Legalitetit, pjestarë të të cilave ishin edhe këta martirë. Nuk mund të mos na kujtohet Mukja, guri i provës që tregoi rrugën drejt së cilës do të shkonte atdheu, që për fatin e keq të tij, u shndrua nga rruga e bashkëpunimit dhe luftës së përbashkët, në rrugën e tradhëtisë, përçarjes dhe vllavrasjes, rrugë që solli shumë gjak, lotë dhe dhimbje.

            Vitet kaluan. Mjegulla e errët që kishte mbuluar vendin filloi të shpërndahet. Eshtë detyra e historianëve që të paraqesin realitetin ashtu si ka qenë në të vërtetë, larg ndikimeve partiake, që në më të shumtën e rasteve e kanë shtrembëruar atë. Këtij populli duhet t’i shpjegohet se lufta për liri dhe demokraci nuk ka filluar në prillin e 39-ës, as nëntorin e 44-ës dhe as në dhjetorin e 90-ës. Ajo ka qenë e gjallë me shekuj në gjakun e shqiptarit. Rrënjët e saj janë në zemrën e këtij populli që për vite me rradhë ka luftuar për liri dhe demokraci.

            Qindra arkivolë të tjerë bosh presin eshtrat e të rënëve. Qindra nëna dhe baballarë, motra dhe vëllezër, gra apo bij nuk kanë një varr të djalit apo vajzës, vëllajt apo motrës, nënës apo bijve ku të derdhin një pikë lot, apo të vendosin një tufë me lule. Unë do të doja t’iu thoja atyre:

            -- O nëna, motra dhe bija krenare! O baballarë, vëllezër dhe bij të përvuajtur! Derdhini lotët dhe shpërndajini lulet në të gjitha skajet e këtij trualli, se kudo është derdhur gjaku i të afërmve tuaj, se kudo ndodhen eshtrat e martirizuara të tyre!

            Ditët e fundit dëgjojmë për krijime komisionesh task-forcë për gjetjen e eshtrave te te reneve. Disa varre masive jane gjetur. Ne i drejtohemi shtetit shqiptar dhe i themi se është detyra e tij të mos i lërë ato eshtra pa varr. Shteti diktatorial i mblodhi eshtrat e të rënëve, kudo që ishin, dhe u dha një varr ashtu si e meritonin. Po të rënët tanë a nuk e kanë të drejtën e një varri? Edhe ne jemi pjesë e këtij shteti.

Për 46 vjet ndiem mbi shpatullat tona shtypjen e diktaturës më të egër që ka parë bota. Për 46 vjet provuam humbjen e njerëzve tanë më të dashur, mohimin  e    gjitha 

drejtave njerëzore. Për 46 vjet tentuan të na thyenin, të na poshtëronin, të na kthenin  në robotë të bindur të politikës së tyre të falimentuar që në lindjen e saj. Nuk lanë asnjë mjet dhe asnjë formë për ta zbatuar atë, por nuk mundën t’ia arrinin qëllimit të tyre.  Ne mbijetuam se të pavdekshme ishin edhe parimet për të cilat luftuam. Ne mbijetuam se motua e jonë ishte: “PER  LIRI,  PER  SHQIPERI,  PER  FLAMURIN  KUQ  E  ZI!“

            Por ne mbijetuam sepse kishim si shembull frymëzimi aktet heroike të të rënëve tanë. për të cilët poeti ynë i madh kishte shkruar:

                                   

“Kush ban dekën për atdhe,

Ai s’ka dekun por ka le!“



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora