E enjte, 28.03.2024, 05:11 PM (GMT)

Mendime

Besnik Pula: Letër e hapur deputetit Nait Hasani

E premte, 23.04.2010, 08:58 PM


Letër e hapur deputetit Nait Hasani

 

I nderuari z. Deputet,

 

Në mungesë të një rruge tjetër të komunikimit zyrtar po ju drejtohem në këtë mënyrë. Si shtetas i Republikës së Kosovës dhe si familjar, konkretisht nip, i dy nga personave që ju nëpërmjet avokatit tuaj i ngarkoni me akuzën e rëndë të frymëzimit, urdhërimit dhe zbatimit të gjenocidit kundër popullit shqiptar në Kosovë, jam i interesuar të mësoj më shumë rreth padisë penale që ju pretendoni të ngrini kundër ish-udhëheqësve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Kosovë, ish-udhëheqësve dhe zyrtarëve të tjerë të institucioneve të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në kuadër të Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, institucione këto të trashëguara nga Republika e Kosovës, pjesëtar i njërës nga të cilat, përkatësisht Kuvendit të Kosovës, jeni edhe ju. Më saktësisht, jam i interesuar ta kuptoj zellin tuaj për t’i persekutuar disa nga të vdekurit dhe që karrierën e tyre politike e përfunduan para mbi njëzet e më tepër vitesh, pasi që ata që sot janë gjallë dhe përfunduan në listën tuaj të spastrimit kanë mundësi të flasin e të mbrohen vetë. Megjithatë, duhet të theksoj se po ju shkruaj për çështjen në përgjithësi, sepse nuk besoj që, kur të  vijë puna te përgjegjësia morale dhe ligjore, të tillë çfarë po e kërkoni ju, individët duhet të mbrohen në pako, përkundrejt jush që mendoni se protagonistët e historisë moderne të Kosovës mund dhe duhet të dënohen në pako.

Fillimisht, më intereson t’i sqaroni motivet e padisë që keni ngritur, nga fakti që një gjë e tillë ndodhi pa zhvilluar asnjë debat në Kuvendin e Kosovës, dhe jo vetëm kaq, pa u angazhuar për zbardhjen e fakteve historike nga ndonjë komision i pavarur i përbërë nga historianë dhe hulumtues të paanshëm dhe pa agjenda politike e ideologjike. Kjo formë veprimi nga ju, dëshmon se ju nuk jeni për njohjen e drejtë të historisë moderne të Kosovës, aq më pak për drejtësi historike, por favorizoni ndjekjen e një politike përçarëse me qëllime të qarta revanshiste. Më intereson pse merreni me të ashtuquajtura “krime të komunizmit”, ndërsa nuk merreni me dënimin e krimeve të okupatorëve fashistë dhe nazistë dhe të bashkëpunëtorëve të tyre të periudhës 1941-44 në Kosovë, disa nga të cilët sot përkujtohen në Kosovë me festa e emërtime rrugësh, kundrejt personave në fjalë që nuk kanë asnjë mirënjohje zyrtare për veprën e tyre jetësore nga Republika e Kosovës. Më intereson gjithashtu, pse nuk ekziston as një dhe e vetmja akuzë kundër Slobodan Milosheviqit, zyrtarëve të regjimit të tij në gjykatat e Kosovës dhe individëve të implikuar në krime të dokumentuara gjenocidi, pikërisht atë akuzë që ju kërkoni t’ia vishni një gjenerate të tërë liderësh dhe zyrtarësh të Kosovës, ndërkohë që këto krime janë shumë më të freskëta në kujtesën e popullit të Kosovës sesa ngjarjet e vitit 1945 apo 1968.

E dyta, meqë përgjegjësia penale, e tillë që vërtetohet në gjyq, është individuale dhe jo kolektive, pra një lëndë penale në Republikën e Kosovës nuk mund të ketë për bazë akuza politike, por prova materiale për vepër penale, më intereson ta di të plotë lëndën gjyqësore kundër dy personave që përfshihen në padinë tuaj, Ymer Pulës dhe Fadil Hoxhës, meqë janë familjarë të mi, sidomos meqë ju këta persona i ngarkoni me akuzën e rëndë të gjenocidit. Siç besoj ta kini parasysh z. Deputet, Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, e miratuar nga OKB-ja më 1948, në radhë të parë si përgjigje ndaj Holokaustit dhe për parandalimin e krimeve të kësaj shkalle gjenocidi përkufizohet si vepër që “synon ta shkatërrojë, tërësisht apo pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar”, përkufizim që përdoret edhe në Kodin Penal të Kosovës. Më intereson se në bazë të çfarë dëshmive ju argumentoni që këta persona kanë frymëzuar, urdhëruar, apo zbatuar gjenocid, meqë asnjë historian apo institucion shkencor, përveç akuzave me prapavijë politike të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë në vitin 1986, nuk ka pohuar se në Kosovë midis viteve 1945 deri më 1989 ka nuk ngjarë asnjë lloj gjenocidi, si dhe në bazë të cilës rregull juridike ju kërkoni përgjegjësi penale dhe përndjekje penale të personave që nuk janë më ndër të gjallët. Duke marrë parasysh se dokumentimi i përgjegjësisë për krimin e gjenocidit i zgjati me vite Gjykatës së Nurembergut, e cila pati në dispozicion dosje sekrete naziste të kapura nga forcat aleate, i zgjat me vite Gjykatës së Hagës, Prokuroria e së cilës ka në ekipe me dhjetëra hetues dhe qindra të tjerë si staf ndihmës për hulumtime të rasteve, pra iu deshën e i duhen vite të tëra që ta zbardhin vetëm një rast të përgjegjësisë kriminale për gjenocid, jam shumë kurioz ta di se si ju dhe avokati juaj arritët që në mënyrë maratonike të dokumentonit një gjë të tillë për mbi 30 persona për një periudhë 45-vjeçare.

E treta, dua ta shpreh faktin se unë kam dëgjuar për ligje lustrimi, kam dëgjuar për ligje që hapin për konsultim publik dosjet e aparateve të sigurisë dhe të policive sekrete, kam dëgjuar për masa për njohjen e viktimave të represionit politik, por nuk kam dëgjuar asnjë rast në historinë e kohës tonë që dikush të ketë tentuar të kriminalizonte me proces gjyqësor të gjithë protagonistët e një epoke të tërë historike. Një gjë e tillë është e paparë edhe në rastin e nazizmit, një nga regjimet më vrastare dhe më kriminale që ka njohur historia evropiane dhe botërore. Duke marrë parasysh këto, z. Deputet, unë nuk kam si të mos konstatoj se ky veprim i juaji nuk ka asgjë të bëjë as me zbardhjen e historisë dhe as me drejtësinë historike, por është një veprim i pamatur, i ulët dhe i turpshëm me motive kryekëput politike dhe revanshiste. Duket se një gjë të tillë e ka konstatuar edhe kreu i partisë suaj dhe udhëheqja e Kuvendit të Kosovës, e cila ju ka lënë të vetmuar në kryqëzatën tuaj.

E katërta, siç kanë treguar vende me histori shumë më tragjike se Kosova (po, z. Deputet, ka të tilla!), çdo marrje me plagët historike të një shoqërie, qëllim nuk e kanë hakmarrjen e as nisjen e një gjuetie shtrigash, por është proces që në radhë të parë shoqëria të reflektojë mbi të kaluarën e saj, në mënyrë që të prodhojë një tjetër sistem vlerash, më demokratik, më inkluziv, më të drejtë, që të nxjerrë mësimet historike, që të dënojë ato që duhet dënuar, por pa e denoncuar, mohuar dhe kriminalizuar në tërësi historinë e vet. Kjo e fundit është veti vetëm e arrivistëve politikë (një kategori ku po dëshmoni se bëni pjesë), të tillë që pretendojnë ta shpallin veten e tyre prokurorë dhe gjyqtarë të parë e të fundit të historisë, që shpallin të kaluarën të pavlefshme me pretendimin që historia fillon me ta. Mjerë ju e mjerë ky vend për këtë filozofi të mjerë politike që po e dëshmoni si prijatarë të veprimeve tuaja.

E pesta, më intereson nëse krahas gjenocidit, që nuk është fjalë për t’u marrë në gojë lehtësisht, pra që përbën një nga krimet më të tmerrshme që mund të bëhen, gjithashtu konsideroni si krim të rëndë kundër popullit manipulimin dhe vjedhjen nga pjesëtarët e pushtetit të parasë dhe të pronës publike, dhe më intereson nëse do të ndërmerrni hapa që avokatin tuaj dhe Prokurorinë e Kosovës t’i angazhoni në përndjekje të atyre që zbatojnë krime të tilla e që janë sot ndër të gjallët, me zellin, përkushtimin dhe efiçiencën e njëjtë me të cilin e nxitni Prokurorinë që t’i përndjekë të vdekurit dhe ata që nuk kanë mundësi të mbrohen.

E gjashta, më intereson ta di nëse ju keni ndërmend që, në përputhje me logjikën e revanshizmit dhe denoncimit të historisë që e promovoni, të shpallni të pavlefshëm shkollimin tuaj fillor, atë të mesëm dhe atë universitar, që i mbaruat në gjuhën shqipe (dhe jo, p.sh., në atë serbokroate) në kuadër të sistemit arsimor të KSAK, pra që në Kuvendin e Kosovës të figuroni si deputet i pashkollë, meqë ato institucione që ju i mbaruat u themeluan, u drejtuan dhe ekzistuan në saje të po atij regjimi dhe të angazhimit politik të po këtyre individëve që ju i akuzoni për gjenocid kundër popullit shqiptar. Më intereson nëse angazhoheni për mbylljen e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, pasi që ky institucion u themelua nga Kuvendi i KSAK-së, një kuvend i kontrolluar nga komunistët dhe të tjerë që sipas jush qenkan implikuar në krime gjenocidi, dhe nëse angazhoheni për djegien dhe shkatërrimin e plotë të letërsisë shqipe të botuar nga ndërmarrja “Rilindja”, pasi që ai institucion ka origjinat e veta në organin e Frontit Popullor Nacionalçlirimtar, një organizatë komuniste, dhe funksionoi në saje të punës së atyre që ju i akuzoni si zbatues të gjenocidit, përfshirë edhe Ymer Pulën, që për një periudhë ishte drejtor i kësaj ndërmarrjeje.

E shtata, më intereson ta di se me çfarë të drejte morale ju e denonconi komunizmin dhe kërkoni rezolutë parlamentare për denoncimin e komunizmit, duke marrë parasysh se keni qenë bashkëpunëtor i Lëvizjes Popullore të Kosovës, pararendësja e së cilës njihej si Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, organizatë politike me orientim ideologjik komunist dhe marksist-leninist, që ka kultivuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me policinë sekrete (Sigurimin) e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, dhe që si model politik, ekonomik dhe kulturor ka pasur stalinizmin që praktikohej në RPSSH. Kur, z. Deputet, filluat të njiheni si kundërshtar i komunizmit, kur keni qenë vetë i ngjizur e i formuar politikisht në variantin më të egër të asaj ideologjie? Ta dimë, z. Deputet, në mënyrë që, po qe e nevojshme, t’ju fusim në ranglistën e disidentëve të njohur antikomunistë, si Vaclav Havel në Çekosllovaki, Adam Michnik në Poloni, Andrei Sakharov në Rusi, e të tjerë si këta. Apo antikomunizmin u kujtuat ta përvetësoni sot, nga kalkulimi oportunist se kështu do të dilni nga anonimiteti dhe të krijoni një identitet politik, të tillë çfarë ju nuk e keni dhe ju ka munguar në vazhdimësi që kur e keni zënë pozitën e deputetit, dhe keni aprovuar në heshtje të gjitha proceset që ka kaluar ky vend në dhjetëvjetëshin e fundit, përfshirë ndarjen e Mitrovicës dhe të veriut të Kosovës, decentralizimin mbi baza etnike, kufizimet e ushtrimit të sovranitetit të Kosovës të përcaktuara nga Pakoja e Ahtisaarit, e të mos flasim për korrupsionin dhe abuzimet që ju ndodhin para hundësh.

Për fund, më intereson ta di, vetëm nga kureshtja, z. Deputet, se cilit flamur i betoheni ju, sepse me sa di unë, në kohën e KSAK-së, pra në kohën kur individët që ju i akuzoni për gjenocid kundër popullit shqiptar ishin në pozita udhëheqëse në Kosovë, flamur zyrtar i kombësisë shqiptare në Kosovë ishte flamuri i kuq me shqiponjën dykrenore në mes dhe yllin e kuq përmbi, dhe jo ndonjë flamur i sajuar me konkurs dhe i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ku bëni pjesë edhe ju, ndërsa Kushtetuta në fuqi njihte popullin shqiptar në Kosovë si pjesë përbërëse të kombit shqiptar, e nuk kishte një kushtetutë që nuk përmend fare popullin shqiptar as në preambulë, as në nenin e parë, e as në të dytin, kurse kombin shqiptar nuk e njeh fare si koncept e kategori, kushtetutë kjo e ratifikuar nga Kuvendi ku bëni pjesë ju personalisht, z. Deputet, me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Kam përshtypjen mos, z. Deputet, duke qenë i njohur edhe me historinë e aktivizimit tuaj, po ngarendni që të gjykoni simbolikisht figurat historike shqiptare komuniste të Kosovës për tentativë-shkatërrim të kombit shqiptar, jo pse komunistët shqiptarë kanë një faj të tillë, por sepse dëshironi që me gjestikulacione dhe spektakle të tilla simbolike të bëni shenjë se jeni nacionalist dhe mbrojtës i kombit, pikërisht kur politikisht nuk arritët që të dëshmoheni i tillë.

Pres përgjigje nga ju, z. Deputet, në mungesë të së cilës gjithë këtë aferë të turpshme do ta konsideroj si tallje me historinë e Kosovës, tallje me popullin e Kosovës, tallje me partinë tuaj, tallje me votuesit tuaj, mbase edhe tallje me veten tuaj!

 

Sinqerisht,

Besnik Pula

 

New York

20 prill 2010 



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora