E shtune, 20.04.2024, 09:24 AM (GMT+1)

Mendime

Ylber Lili : ''Furtuna'' e Sharrit

E shtune, 10.11.2007, 03:06 PM


Nga Ylber Lili

Duke marrë në konsideratë propagandën e cila u përhap në mënyrë marramendëse lidhur me aksionin e policisë së Maqedonisë në Brodec të Tetovës, të jepej përshtypja se ndonjë dorë e zgjatur kërkonte me qiri përhapjen e krizën, riciklimin e konfliktit dhe destabilizimin e Maqedonisë. Paqartësitë dhe dilemat u shfaqën rrufeshëm në mendjet e atyre që nuk e njihnin situatën nga brendia. Madje, ovacionet e propagandës ishin të përmasave absurde, saqë vështirë të dallohej e bardha mbi të zezë. Shumëkush kishte njohuri se në fshatrat e Malësisë së Sharrit ishin strehuar disa elementë me precedentë kriminale, madje me muaj të tërë ata ishin të patrazuar, kohë e mjaftueshme për të marrë sinjalet e dërguara: se ka perenduar koha e kontestimit të një shteti përmes gojës së armës.
 
Dikush ndoshta mezi priste të shkrepte sërish vetëtima dhe të mbidhte reckat që t'i hidhej në grykë pushtetit, e ndonjë mund t'i këtë shkuar në mendje se nuk janë më rëndësi mjetet që përdorën për të arritur qëllimin. E gjitha kjo është si të thuash të gatuash petulla me ujë. Prandaj problematika duhet trajtuar nga një rrafsh shumë serioz, pikërisht nga aspekti i legjitimimit... Nga ky kënvështrim shtrohet pyetja si duhet t'i quajmë grupet e armatosura të palegjitimuara nga askush dhe që kanë botkuptime që bien ndesh jo vetëm me përcaktimet e partivë politike të legjitimuara në vend, por edhe me tërësinë e përfaqësuesve të kombit shqiptar si dhe me faktorët ndërkombëtare. Si do t'i quajmë këto grupacione me precende penale qofshin ato në Maqedoni, Kosovë, apo në Shqipëri? A do të hezitojmë t'i trajtojmë njësoj: apo këta të Maqedonisë do të jenë më të mirë dhe më kombëtar, sesa ata në Kosovë, apo në Shqipëri. Ku është dallimi mes ndërhyrjes së policisë bie fjala në Lazarat dhe Brodec? Natyrisht se ka dallime që ndërlidhen me qëllimet e tyre, por fjalën e kemi tek emëruesi i përbashkët: kontestimi i armatosur i ligjit dhe sistemit në përgjithësi. Nëse dallimin do tA kërkojmë tek pretendimet kombëtare të këtyre grupacioneve atëherë sërish shtrohet pyetja; prej nga ata e marrin të drejtën që t'i përfaqësojnë interesat e kombit kur dihet se për këtë qëllim janë formuar partitë politike që në zgjedhjet e lira kanë fituar vertiktin e popullit. Nëse pajtohemi me faktin se faktorët relevant shqiptare e pranojnë ekzistimin e Maqedonisë shtrohet një tjetër pyetje; grupet e armatosura a kontestojnë vetëm Maqedoninë, apo edhe përcaktimin e gjithë klasën politike shqiptare në të gjitha hapësirat. Nëse është kështu atëhere nuk është e nevojshme të paraqiten luhatje në vlerësime rreth qëllimeve të këtyre grupeve të armatosura.

Duam, apo nuk duan, na pelqen, apo jo, Maqedonia në kushtet aktuale është shtet me të gjitha atributet, që njihet si i tillë, nga OKB-ja, NATO, BE-ja, dhe fundja nga Kosova, Shqipëria dhe partite politike legjitime shqiptare në Maqedoni. Për pasojë Maqedonia më gjithë brishtësinë që e karakterizon nuk mund të delegjitimohet përmes një grupi të armatosur qofshin ato edhe pa ngarkesa kriminale. Është krejtësisht cështje tjetër analiza që ka të bëjë se autoritetet maqedonase të cilët duhet të kuptojnë se finishi i suksesit të tyre arrihet vetëm me barazinë e plotë. E, kjo është punë që i takon politikës shqiptare ta ngasë makinën në drejtimin e duhur, por jo edhe e grupeve kriminale dhe të palegjitimuara. Në këtë kuptim përdorimi i ngjarjes së Brodecit duke prodhuar gjysme të vërteta vetëm sa shkaktojne turbulence. *** Pasaktësitë e shumta në raportime, lajmet kontradiktore që nuk puqeshin me njëra- tjetrën, plus reaksioni që ngjalli operacioni policor po mbajnë ende të shtangur opinionin. E vërtetë që s'e luan as topi është se policia speciale e Maqedonisë ka ndërmarrë një aksion në fshatrat Brodec dhe Bozovcë në Malësisë së Tetovës. E vërteta tjetër është se rrugët që të cojnë drejt asaj zone ishin "gllabëruar" nga mjetet e motorizuara të policisë, një tjetër realitet është se policia nuk ka kursyer plumbat dhe armatimin e rëndë në drejtim të objektivit. Në këtë kuptim objekti kanë qenë disa eksponente me dosje kriminale në Kosovë që u bënë të njohur si pasojë e arratisjes spektakulare nga burgu i Dobravës. Aksioni është koordinuar paraprakisht me autoritetet e KFOR-it në Kosovë dhe policinë e atjeshme. (deklaratat e gjeneralit amerikan, apo takimi mes dy autoriteteve të larta policore të Kosovës dhe Maqedonisë e verifikojnë qëllimin e aksioni). Aksioni kishte edhe amin-in e NATO-s. Operacione policore ka patur edhe nën pushtetin e kaluar, ku bilanci ka qenë tragjik, (janë vrarë edhe adoleshntë), por jehona ishte me e reduktuar. Ndërkaq ngjarja e Brodecit pati jehonë në të gjitha hapësirat shqiptare, arsye është qartësisht e kuptueshme; cdo krizë në Maqedoni shkakton impakt negativ qoftë me perspektiven e Shqipërisë, qoftë me pavarësinë e Kosovës.

Parë nga kjo optike, partite politike në Maqedoni , por edhe gjetktë duhet të shfrytëzojnë autoritetin e tyre për të shmangur cdo keqntepretim në lidhje me ngjarjen. Madje ata duhet të të instalojnë gjuhën e bashkëpunimit dhe të bashkëveprimit për të minimizuar efektet spekulative dhe për të neutralizuar kriminelët "pasionantë". Vështruar nga kendi analitik e gjithë situata e nderë që ka përfshire Maqedoninë, por edhe hapësirat shqiptare, duhet të na mobilizojë për të dhënë disa mesazhe: Pikësëpari autoritetet zyrtare të Shkupit në ditët e ardhëshme duhet të jenë tepër të kujdeshëm dhe mos ta përdorin operacionin si triumf ndaj shqiptarëve. (nëse konstatohet se ka patur tejkalime të kompetencave ata duhet të gjejnë kurajo dhe të pralohet nojnë gabimet). Së dyti opozita shqiptare BDI-ja të tregoje pjekuri politike dhe të mos e përdore në asnjë rast ngjarjen si instrument për të prodhuar shamate, apo për të përfituar politikisht. Së treti partia shqiptare në pushtet , PDSH-ja të ndërhyje energjikisht përmes suportit në qeveri të rikuperoje dëmet që mund të jenë shkaktuar në fshatrat ku ndodhi përleshja. Së katërti politika shqiptare në Maqedoni të gjejë gjuhen e përbashkët për cështje delikate dhe të bashkohen tok për të parandaluar cdo tendencë të qarqeve antishqiptare për destabilizim. Së pesti Tirana zyrtare, duhet t'i ndjekë me përparësi zhvillimet që ndodhin në këto hapësira dhe të mos i kursejnë mesazhet për qetësi dhe maturi, por kjo bëhet ku situatat dhe rrjedhat e zhvillimeve ndiqen nga afër dhe jo përmes të dhënave fictive. Së gjashti komuniteti ndërkombëtar, ato vende që deri më tani janë skeptike për pavarësisë e Kosovës duhet të pranojnë një realitet të pakontestueshëm që vetëm pavarësia e stabilizon rajonin. Së fundi të gjithë duhet të investojmë që të mos e çorodisim opinionin përmes gjysme të vërtetave por të kontribojmë që ti afrojmë ato sa më afër të së vërtetës, më afër stabilitetit, qetësisë dhe sigurisë. Në fund, ajo që dihet: Orientimi i kombit shqiptar është qytetërimi perendimor dhe jo siç na identifikojnë me male dhe shpella qarqe shoviniste serbo-ruse. Nuk kemi fare kohë të mbetemi peng i kronikave kuturru që nuk na shpien askund, e jo më në NATO apo BE.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora