E enjte, 25.04.2024, 11:09 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: A ka media të lirë në Shqiperi?

E merkure, 21.04.2010, 09:59 PM


A ka media të lirë në Shqiperi?

 

Nga Reshat Kripa

 

            Lexova në “Tribuna shqiptare” shkrimin e zotit Ajet Nuro: “Ali Tepelena ishte një...pasha!” Më terhoqi vëmendjen hyrja e ketij shkrimi, ku zoti Nuro paraqiste opinionin e tij për mënyrën e paraqitjes së opinioneve të dërguara atje. E mbështes plotësisht mendimin e tij që në faqet e tribunës kemi lexuar opinione të ndryshme, shpesh herë kontradiktore me njëri-tjetrin, pa marrë përsipër vlerësimin e tyre. Ajo është puna e vetë autorëve që, natyrisht, nuk mund të kenë mendime të njëjta. Pavarësia e një medie shprehet qartë kur ajo pasqyron çdo lloj opinioni, nga cilido krah që i vjen ai. Kështu për shembull në faqet e saj kam parë debatin e zhvilluar ndërmjet zotit Paolo Tedeschini dhe zotit Luan Çipi, debat në të cilin kam marrë pjesë edhe unë. Po ashtu debatin ndërmjet zonjës Kozeta Zylo dhe zotit Thanas Gjika.  Pavarësisht se unë mbroj më tepër parimet e shprehuar nga zoti Çipi apo zonja Zylo, por në vetvete këto debate më bindin se kemi të bëjmë me një media me të vërtetë demokratike.

            Një qëndrim te tillë unë e kam konstatuar plotësisht në “Tribuna shqiptare” si dhe në disa organe të tjera si “Fjala e lirë” apo “Zemra shqiptare” dhe për këtë i përgëzoj drejtuesit e tyre, zotërinjtë e nderuar Ajet Nuro, Fatmir Terziu dhe Gëzim Marku.  Ata po japin një shembull konkret të drejtimit të një medie me të vërtetë të lirë.  Mendoj se shkaku ku duhet kërkuar paraqitja e tillë e opinioneve në media është në atë se këto media janë me të vërtetë të lira dhe e ushtrojnë aktivitetin e tyre nëpër vende të lira dhe me demokraci të konsoliduar si Kanada dhe Angli.

            Por a ndodh një fenomen i tillë në Shqipëri? Mendoj se jo. Mediat shqiptare janë të mbërthyera nga fenomeni i “Partitomanisë” që nuk i lejon të paraqesin atë që mendojnë njerëzit, por duhet të thonë vetëm ato që i urdherojnë partitë përkatëse prej nga ndoshta edhe financohen. Një gjë e tillë ndodh në pjesën dërmuese të medias shqiptare. Në pothuajse të gjitha kanalet televizive do të shohim përditë dhe, shpesh herë disa herë në ditë,  po të njëjtat figura politikanësh, analistësh, kryeredaktorësh, drejtorësh gazetash apo gazetarësh që kanë fituar statusin e të përherëshmve në këto ekrane, apo sepse paskësh mbetur Shqipëria pa të tjerë që t’i zëvendësojnë këta të pazëvendësueshëm. Dikush do të më thotë: - Ç’po ia këput kot ti! – Unë dua t’i përgjigjem me disa të dhëna të sakta që dhe ai të bindet për sa thashë më lart.

            Gjatë sundimit diktatorial, përveç disa çikërimave, nuk kam shkruar asgjë. Kjo për arsyen e thjeshtë pasi, si i përndjekur politikë që isha, nuk më lejohej. Këtë aktivitet e fillova pas ndryshimeve demokratike. Duke filluar nga viti 1991 kam botuar shumë artikuj dhe mbajtur disa kumtesa te ndryshme. Por shpesh herë në rrugën time kam hasur në pengesa të pakapërxyeshme. Sa herë që shkrimet apo kumtesat e mia nuk ishin në përputhje me parimet e partive politike mediat e atij krahu nuk i pranonin. Kështu që isha i detyruar të endesha sa nga njëra media në tjetrën.

            Duke patur detyrën e Kryetarit të Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë të Tiranës mendova se pjesmarrja në një debat televiziv për problemet e kësaj shtrese do të ishte i dobishëm. Para tre vjetësh i shkruajta një letër drejtuesit  të emisionit “Opinion” në Tv. Klan, zotit Blendi Fevziu, për të bërë një takim për organizimin e një emisioni të tillë. Jo vetëm që emisioni nuk u organizua, por drejtuesi i tij as që denjoi të kthente një përgjigje, qoftë ajo edhe negative.

            Tani le të tregojmë disa shembuj nga shtypi  i  shkruar.    një  emision  televiziv

dëgjova të përndjekurin politikë Maks Velo t’i përgjigjej pyetjes së monitoruesit te emisionit për shoqatat e të përndjekurve se gjoja në këto shoqata merrkan pjesë vetëm hajdutë. Më erdhi shumë rëndë që një i përndjekur të shprehet në këtë mënyrë. Bëra një shkrim me titull: “Një replikë e detyruar me Maks Velon” dhe e botova në gazetën “Standard” Nr. 324 datë 31 tetor 2006. Disa muaj më vonë, më datën 4 korrik 2007 lexoj në gazetën “Shqip” shkrimin “Shoqata e të përndjekurve politikë dhe antikomunizmi” nga Maks Velo. Megjithse me vonesë shkrimi ishte një replikë e shkrimit tim të mëparshëm. Bëra një replikë tjetër me titull “Të përndjekurit politikë dhe shoqata e tyre” dhe e dorëzova në gazetën “Shqip” duke shpresuar të botohej pasi në shkrimin e zotit Velo përmendej edhe emri im. Më kot. Shkrimi nuk u botua. Insistova të takohesha me kryeredaktorin por ishte e pamundur. Atëherë e botova në gazetën “Republika” Nr.168 (3940) datë 24 korrik 2007.

            Organizohej promovimi i librit të zotit Nuri Dragoj mbi Kasëm Trebeshinën. Për habinë time, në podiumin e folësve hipi edhe hetuesi i tij, Dilaver Bengasi dhe filloi të fliste lloj lloj mbroçkulla se si gjoja e paskësh ndihmuar viktimën. Më erdhi ndot. M’u errën sytë. Ende do të vazhdonin këto pjella të diktaturës të talleshin? Bëra një shkrim me titull “A e dini kush jeni ju zoti Bengasi?” dhe e dërgova në gazetat “Tema”, “Sot” dhe “Gazeta Shqiptare”. Prita më kot botimin. Asgjë. U detyrova e botova në gazetën “Standard” Nr. 710 datë 27 nëntor 2007.

            Si bashkëvuajtës dhe mik me babanë e deputetit Gilman Bakalli, më erdhi shumë keq që ai u bashkua me Spartak Ngjelën në zgjedhjet e vitit 2009. Për këtë bëra shkrimin “Një letër për Gilman Bakallin” dhe e botova në gazetën “55” Nr.47 (3755) datë 25 shkurt 2009. Prisja përgjigjen në po këtë gazetë, por ajo më erdhi në gazetën “Panorama” pas disa ditrësh. Natyrisht që duhej t’i ktheja një përgjigje. Shkruajta shkrimin “Secili duhet të gjejë rrugën e vetë” dhe si rregull i replikës ia dërgova gazetës “Panorama”. Në kundërshtim me etikën gazetareske ajo nuk e botoi. U detyrova dhe e botova përsëri në gazetën “55” Nr. 56 (3764) datë 6 mars 2009.

            Më 28 mars 2010 u organizua nje ceremoni përkujtimore kushtuar 130 vjetorit të lindjes së Mit-hat Frashërit. I frymëzuar nga kjo bëra shkrimin” Mirserdhe Mit-hat Bej Frashëri” dhe e dërgova në gazetat “Panorama”, “Metropol” dhe “Sot”. Prita disa ditë. Asnjëra nuk e botoi. U dërgova nga një e-mail për t’ua kujtuar, por përsëri asgjë. Heshtja e tyre pasoi e-mail-in tim..

            Para disa ditësh në gazetën “Albania” u botua një deklaratë e Ramiz Alisë ku gjoja u kërkonte ndjesë të përndjekurve politikë. Shkruajta një shkrim dhe ia dëgova gazetës në fjalë. E botoi dhe unë e falënderova për këtë.  Pas disa ditësh i dërgova shkrimin ”Përse nuk dënohet komunizmi në Shqipëri?”. Ka kaluar një javë dhe shkrimi nuk po duket në faqet e gazetës. Shkakun e dinë drejtuesit e saj.

            Mund të vazhdoja edhe më tej me shembuj të tillë, por do të bëhesha i mërzitshëm për lexuesit dhe unë nuk dua t’i lodh ata. Tani ju pyes ju: A nuk kam të drejtë kur them se në Shqipëri nuk ka media të lirë? Përse pronarët, drejtorët, kryeredaktorët dhe gazetarët e këtyre gazetave e ngrenë zërin në qiell kur botohen të dhënat e organizatave ndërkombëtare për gjendjen e shtypit në Shqipëri? Përse nuk shikojnë gjendjen e shtypit të tyre? Përse shkelin të drejtën e barazisë së autorëve për shkrimet e tyre? U kujtoj atyre se pothuajse në të gjitha gazetat është shënimi redaksional: Gazeta nuk merr përsipër komentet e shprehuar këtu. Atëhere përse nuk i botojnë të gjitha komentet pa përjashtim, ashtu siç veprojnë “Tribuna shqiptare”, “Fjala e lirë” dhe “Zemra shqiptare”? Përgjigjen këtyre pyetjeve le ta japin  vetë drejtuesit e këtyre mediave .

           

P.S.

 

Shkrimin e mesipërm e dërgova në gazetat “Telegraf”, “Republika”, “55” dhe “Standard”. Nuk e botuan. Përse...?



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora