Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rruga e fundit per ne Greqi

| E shtune, 10.11.2007, 06:50 PM |


Nga Neki Feta

DIBER - Nje grusht para dhe disa shoke udhe, mori me vete 42-vjecari Ilmi Lata, baba i pese femijeve, me vdekjen e tij te mbetur jetime, ne rrugetimin e fundit si emigrant ne Greqi. Familja e te ndjerit, dje vajtonte me dhimbje tragjedine e ndodhur ne Follorine, ku nje polic kufitar 29-vjecar, i mori jeten Ilmiut, me plumb pas shpine, ndersa perpiqej te mos e kapnin per ta riatdhesuar ne Shqiperi.

Jeta e deri pardjeshme e Ilmi Lates, ishte teper e veshtire. Me nje shtepi ne gjendje te mjerueshme, por dhe me situate te njejte ekonomike, Ilmiut nuk i mbetej gje tjeter vecse te perpiqej te nxirrte pak para per te mbijetuar. Ndaj, mengjesin heret te 4 nentorit, pasi kishte folur gjate me disa shoke te tij, u nis per udhe. Pa e menduar kurre se edhe pse do te hynte ne token greke, nuk do te kthehej me i gjalle ne vendlindje. “Ilmiu kishte dite qe mendonte te shkonte serish ne Greqi, ku prej kohesh punon vellai dhe djali i tij i madh”, tregon per “Koha Jone”, kusheriri i te ndjerit, Gezim Lata. “Ndaj, mori disa shoke, prej te cileve dhe nga ata qe kishin udhetuar me pare dhe u be gati”. Gezimi pohon faktin se dhe vete ishte perpjekur te kalonte ne Greqi, “por asnjehere s’me eci rruga”. “Me tha edhe mua te shkoja me te, por i pohova se s’kisha para. Duke qene aq zemermire, me dha 30 mije leke dhe u beme gati per t’u nisur”. Gezimi tregon keshtu nisjen e rrugetimit qe u pergjak tragjikisht.

“Naten e pare fjetem ne nje hotel ne Bilisht dhe te nesermen, me 5 nentor, u nisem drejt lugines, pak kilometra larg pikes kufitare te Kapshtices”, rrefen Gezimi, ekskluzivisht per “Koha Jone”. Atje, nje patrulle e policise kufitare shqiptare na ndaloi dhe na mori ne posten policore. Pasi na verifikuan te gjithe, i liruan. Por mua me mbajten dhe nuk di pse, me keshilluan te kthehesha prapa. Ilmiu iu lut shume per te mos me lene, duke u thene: “Mos na ndani se Gezimi nuk di te vije vetem ne kete rruge”. Por kufitaret tane nuk e bene fjalen dysh”. Kjo, ishte ndarja e fundit e Gezim Lates me kusheririn e tij, Ilmiun.

Ajo cka ndodhi me vone, ishte tejet e rende. Ndersa ishin 11 burra, te 11 emigrantet po pershkonin nje toke bujqesore, prane lokalitetit Leveas, ne komunen Filota, kur u perballen me tre policet kufitare greke. “Ruajtesit e kufirit ftuan emigrantet ekonomike te ndalen per kontroll dhe nente prej tyre ndaluan”, deklaroi Policia helene e Shtetit. “Dy te tjeret nisen te vrapojne, per t’iu shmangur kapjes nga policet kufitare”, vijonte deklarata zyrtare. “Ne keto kushte, nisi ndjekja nga kufitaret dhe njeri u kap ne pak caste. Kurse 42-vjecari, qe u identifikua si Ilmi Nezir Lata, nga fshati Katund i Ri, i komunes Luzinje ne Diber, u qellua me plumba automatiku ne kurriz, ku mori plaget fatale”, detajoi policia helene. “I plagosuri u dergua me nje autoambulance ne spitalin rajonal te Ptomelaidhes ne Kozan, por jeta e tij nuk mund te shpetohej”, shtoi Policia e Shtetit. Kurse shefi i shtypit te Drejtorise se Pergjithshme te Kufirit, Jorgos Psalidhas, deklaroi se nje hetim i plote po kryhet per ngjarjen e rende.

“Lajmi i kobshem tronditi dhe djemte e djepit”

Ne vendlindjen e tij, Ilmiu ka lene shume familjare. Mes tyre vellai, Islam Lata, nje burre 50-vjecar qe dje dukej tejet i trishtuar, ndersa eshte prej kohesh i semure. “Lajmi per vdekjen e vellait na ka pikelluar pa mase dhe akoma s’e besoj as vete se mund te kete ndodhur”, thote ai. “E percollem te ikte dhe tani qe na thone se e kane vrare, me duket si e pamundur se ai ka ikur me vrap. Jo, jo, ai nuk ikte dhe nese e kane vrare e kane bere vetem nga inati pse u kane ikur te tjeret”, thekson me denese Islami, duke shtuar: I gjori, kishte pese femije dhe gruan, e hallet e tij nuk kishin te mbaruar”.

Kryeplaku i fshatit Katund i Ri, Tahir Damzi, duke folur me “Koha Jone”, shprehet i hidheruar per tragjedine. “Ne fshatin tone pak a shume te gjithe njesoj jemi, por kjo lagje eshte me e varfer se eshte me e vecuar nga te tjerat dhe nuk ka fare toke ne fushe. Per rrjedhoje, burrat duhet te marrin trasten e te shkojne ne kurbet”. Ndersa shton: “Ilmiu nuk ka pasur asnjehere nje fjale te keqe me askend ne fshat. Ai shkonte e vinte nga Greqia e as qe u ndjente fare, prandaj u ka ardhur keq per te dhe femijeve te djepit”.

Kaq vjet rruge “pa krye”

Ne keto afro dy dekada qe nuk ka te sosur perpjekja shqiptare per emigrim ne Greqi, per nje jete me te mire, Ilmi Lata kishte shkuar disa here. E po ashtu dhe familjare dhe miq te tij. Te afermit e Ilmiut tregojne se per here te pare ishte larguar ne vitin 2003. Sigurisht nga mali, klandestin, perderisa e dinte mire se qe te shkonte legalisht, as qe ishte e mundur. Ilmiu e dinte mire se te pajisej me vize, nuk ishte e lehte. Ne keto afro pese vjet, Ilmiu shkonte dhe punonte ne Greqi si punetor sezonal, ne Katerini dhe Selanik. “Gjendja e rende ekonomike, papunesia, hallet, dhe pese femijet per t’u rritur, e detyronin Ilmiun qe te merrte rrugen mal me mal e pa dokumente, qe te shkonte te punonte per te siguruar nje te ardhme me te mire per te, familjen dhe vecanerisht femijet.

Varferi e pafajshme

Ilmi Nezir Lata, 42 vjec, u lind dhe banonte ne fshatin e thelle Katund i Ri, ne Luznie te Dibres. Nga vete pozita gjeografike e ketij vendi malor, nuk eshte e mundur nje jete normale. Fshati nuk ka te ardhura te tjera, pervec atyre prej mergimit, pasi nuk ka toke bujqesore. Ndaj atje, rralle mund te takosh te rinj ne moshe per pune, por vetem pleq.

“Nuk ishte viktima i pare”

Kusheriri i te ndjerit, Iljaz Lata tregon se shume raste kane ndodhur “edhe me njerez qe ne i njohim dhe ne fshatin tone”. “Nuk eshte rasti i pare qe policia greke ka bere te tilla krime ne kufi dhe pastaj per te shfajesuar autoret, nxjerr pretekste e aludime te tipit, ishte i armatosur apo ne trasten e tij kishte droge”. Iljazi pohon se “pretendimi grek se i ndjeri tentoi arratine, ishte nje perbaltje per nje hallexhi si Ilmiu”.

“Te ikim si njerez”

“Ky rast, qe la jetime pese femije, na ka djegur zemrat, por urojme qe te mos i ndodhe me kurre “as hasmit mos i befte vaki keshtu”, thote Kujdese Lata e aferme e Ilmiut. “Mallkuar qofte ajo dore qe la jetime keta femije”, shton duke apeluar me lot ne sy: “Shteti yne te marre masa qe femijet te mos na shkojne me maleve dhe te vriten kufijve, por te ikin si njerez, si gjithe te tjeret”.

Damzi: Perpjekje per te zbutur dhimbjen

Kryetari i komunes Luznie ne Diber, Haxhi Damzi, duke folur dje me “Koha Jone”, tregoi perpjekjet per te zbutur dhimbjen e familjes. “Ne jemi duke u perpjekur qe te sjellim sa me shpejt trupin e te ndjerit dhe do te perpiqemi gjithashtu te ndihmojme familjen e mbetur tashme me pese jetime”, pohoi kryekomunari.

Premci, masa per sjelljen e trupit

Drejtori i Pergjithshem i Policise se Shtetit, Ahmet Premci, urdheroi dje marrjen e masave te shpejta per sjelljen e trupit te te ndjerit. Premci siguroi se trupi i te ndjerit i shoqeruar nga tre persona, u nis nga spitali i Ptomelaidhes per ne doganen e Kapshtices. Atje, nje autoambulance u vu ne dispozicion per te transportuar deri ne vendbanim, trupin e te ndjerit. Zyrtaret e policise shqiptare thane se mberritja e mundshme e trupit te viktimes, eshte parashikuar per oret e para te dites se sotme.

Kohs Jone