E merkure, 24.04.2024, 10:34 AM (GMT+1)

Mendime

Mexhid Yvejsi: Krishtërimi ndër shqiptarë

E merkure, 21.04.2010, 09:56 PM


KRISHTERIMI NDËR SHQIPTARË

 

Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë

 

Kështu quhet libri i Dr. Zef Mirditës, botues: «Drita» Prizren dhe misioni katolik shqiptar në Zagreb, 1998. Libri, i cili ka 443 faqe, fillon me një fjalë të shkurtër të Imzot Mark Sopit, ipeshkëv i Kosovës, ku thuhet:

 

Me rastin e njëzet shekujve të krishtërizmit në popullin shqiptar

 

“Jemi në kalimin e mijëvjeçarit të dytë në mijëvjeçarin e tretë të historisë njerëzore, kuptohet sipas erës së krishterë. Me rekomandimin e Papës Gjon Palit II, në shënimin e këtij jubileu u inkuadruam edhe ne, në mes tjerash edhe me botimin e kësaj vepre”.

Për krishterimin ndër shqiptarë, e konkretisht për kishën katolike, është shkruar mjaft, si shkencërisht ashtu edhe ideologjikisht. Prandaj vepra e profesorit të nderuar dhe të çmuar dr. Zef Mirditës, e cila na vjen në fund të këtij shekulli, është një vepër e qëlluar, e cila flet për krishterimin ndër shqiptarë, prej fillimit deri më sot. Deri në këtë përfundim vij, sepse ai nuk e paraqet historinë e Kishës vetëm si zhvillim organik të realitetit fillestar, as vetëm si histori që i trajton përndjekjet e shumta që iu bënë të krishterëve, por edhe si histori të dobësive dhe të kufizimit njerëzor.

E kaluara e  vërtetë duhet të njihet patjetër, sepse e kaluara e cila nuk është e përshkruar me të tashmen dhe në vete nuk e përmban gjenezën e së ardhmes, nuk vlen të shqyrtohet. Shpresojmë se ky libër i plotëson këto kushte dhe se përveç dhënies së njohurive historike, do ta na ndihmojë në zhvillimin sa më të mirë të ekumenizmit dhe dialogut ndërvëllazëror, si dhe në ballafaqimin me problemet dhe detyrat e reja që na presin në mijëvjeçarin e tretë. Në këtë frymë edhe po ia rekomandojmë këtë lexuesit shqiptar”.

Këto ishin fjalët e Imzot Mark Sopit, ipeshkëv i Kosovës, për librin “KRISHTERIZMI NDËR SHQIPTARË” të Dr. Zef Mirditës, fjalë që nuk përputhen me përmbajtjen e librit...

Librin e lexova me kujdes e vëmendje. Aty nuk shkruhet vetëm për “krishterimin ndër shqiptarë”, por shkruhet edhe për Islamizmin ndër shqiptarë. Mënyra se si është shkruar për islamizmin ndër shqiptarë jo vetëm që nuk i plotëson kushtet më elementare shkencore, por as që lë hapësirë për të zhvilluar dialog ndërvëllazëror...!

Dr. Zef Mirdita, si gjithnjë në të kaluarën, i verbuar nga paragjykimi, në vend se t’i ndriçojë, ai mjegullon çdo gjë që ka të bëjë me Islamin, islamizimin e shqiptarëve; ai shpreh urrejtje, dyshim dhe trillon. Herë-herë ai bie në kundërshtim me vetveten! Të gjitha këto pjellin nga padituria. Ose, siç ka thënë Shën Bernardi: “Padituria është një nënë shumë e keqe; kjo i ka dy motra: dyshimin dhe trillimin”.

Është fakt i pamohueshëm se në mijëvjeçarin e tretë ne, shqiptarëve, na presin probleme dhe detyra të reja, por ja që del përsëri dr. Zef Mirdita me «probleme të vjetra»...

“Gjithmonë, problemet në këtë botë janë të krijuara nga njerëzit dhe, po ashtu, nga ata mund të zgjidhen”, pat thënë John Kenedi, ish-kryetari i Amerikës.

Ne mund të jemi të lirë vetëm atëherë kur t’i shërbejmë së  vërtetës. Por ç’t’i bëjmë zemrës? Sot nuk është problem energjia bërthamore, por zemra e njeriut», tha Albert Ajnshtajni.

Qe çka del nga zemra e dr. Zef Mirditës: «Populli shqiptar nuk e përqafoi islamizmin për shkak të bindjes religjioze, por në rend të parë për shkak të arsyeve politike dhe ekonomike». (Faqe: 183)

A mund ta ketë pranuar populli shqiptar Islamizmin vetëm për arsye politike dhe ekonomike? Në vend të përgjigjes, po ia japim fjalën dr. Zef Mirditës, i cili, në të njëjtën faqe, vetëm pesë rreshta më poshtë, thotë: «Mirëpo edhe mungesa e klerit dhe formimi i dobët intelektual dhe fetar i tij ka qenë dorë e djathtë e përhapjes së Islamizmit. Nga të dhënat që na i sjellin relacionet, shohim se kleri, jo vetëm që nuk i është përgjegjur me vepra thirrjes së vet, por ka pasur edhe të atillë që as që kanë ditur të shkruajnë e të lexojnë. Prandaj as nuk duhet të befasohemi që ritet fetare nuk i kanë kuptuar apo ushtruar si duhet».

Pra, dora e djathtë e përhapjes së Islamizmit ndër shqiptarë paska qenë vetë kleri i krishterë, i cili paska qenë i paditur, i formuar dobët nga ana intelektuale e fetare, nuk paska ditur shkrim-lexim, as nuk i ka kuptuar dhe ushtruar ritet fetare sa duhet!

Kur paska qenë në këtë gjendje kleri i krishterë, po populli i shkretë shqiptar në ç’farë gjendje mund të përfytyrohet?!

«Megjithatë,  kalimi në islamizëm nuk ka qenë dhe i thjeshtë...ata të cilët e kanë përqafuar islamizmin, e këtu e kemi fjalën për Shqipërinë, shumica prej tyre i kanë preferuar sektet ortodokse, siç ishte bie fjala, ai i bektashive». (fq. 193)

Po pse nuk e përmend Kosovën? A nuk është Kosova Shqipëri?!  A nuk është ofendim, fyerje apo trillim, që rendet mistike ose tarikatet në Islam të quhen sekte ortodokse, siç ishte bie fjala ai i bektashinjve!!!

Tani në faqen 363 dr. Zef Mirdita për sektet, që pak më parë shkruajti me simpati, thotë: «Nga ana tjetër kombëtare, këtë pavetëdije kombëtare e ka rënduar edhe më tepër paraqitja e sekteve të ndryshme në bashkësinë islame, e cila për nga koncepti etnik është anacional, gjë që është shprehur edhe në moszhvillimin e kulturës dhe gjuhës kombëtare».

Pra, sipas dr. Zef Mirditës, «...ishte paraqitja e sekteve të ndryshme në bashkësinë islame që e rëndojnë edhe më tepër pavetëdijen kombëtare» te shqiptarët myslimanë...!

Akuzën dhe fyerjen ndaj sekteve, dr. Zefi e kthen menjëherë në simpati: «Megjithatë, për hir të së  vërtetës, këtu duhet përmendur rolin pozitiv në zhvillimin e gjuhës dhe të letërsisë nga ana e bektashinjve të cilët në Shqipëri vijnë nga Azia e Vogël me trupat e Muratit II (1421-1451). Por edhe veprimtaria e këtyre nuk ka qenë e mbështetur nga ideja e pavarësisë kombëtare, siç thotë Atë Fulvio Cordignano, por nga mospërputhja doktrinare e tyre me sunitët».

Sipas dr. Zef Mirditës, bektashinjtë nuk qenkan shqiptarë, ata paskan ardhur nga Azia e Vogël me trupat e Muratit!

«Angazhimi i bektashinjve në lëvizje kombëtare shqiptare në dobi të pavarësisë politike të popullit shqiptar duhet kuptuar edhe nga armiqësia e tyre ndaj sulltanëve dhe ndaj religjionit zyrtar të Turqisë».

Bektashinjtë të ardhur nga Azia e Vogël me trupat e sulltanit, sipas dr. Zef Mirditës, tani angazhohen kundër sulltanëve dhe religjionit zyrtar të Turqisë!

Por, në të njëjtën faqe (363), dr. Zef Mirdita thotë: «Nuk është gjë e re për t’u theksuar se Naim Frashëri mendonte se bektashizmi, i cili për nga aspekti filozofik është i karakterit panteist dhe për nga koncepti fetar është i karakterit sinkretik, duhet propaganduar si religjion të përbashkët të të gjithë shqiptarëve, sepse ai është i inspiruar me Biblën e Kur'anin».

Por edhe religjioni zyrtar i Turqisë ishte i frymëzuar në Kur'an e ju dr. Zef a jeni në vete çka keni shkruar?! Lexues i nderuar! A ka vetëdije dr. Zef Mirdita?! Sidoqoftë, dr. Zefi vazhdon e thotë: «Sidoqoftë, pavetëdija e përkatësisë kombëtare e cila e nënkupton edhe pavarësinë politike e shtetërore, në popullatën muslimane shqiptare, e cila nga numri është shumicë, është shprehur në momentet më kritike të historisë së popullit shqiptar, kuptohet me përjashtim të bektashinjve...». (fq. 364)

Pra, me përjashtim të bektashinjëve të cilët «kanë ardhur nga Azia e Vogël me trupat e sulltanit Muratit», e gjithë popullata muslimane shqiptare, e cila nga numri është shumicë, ka qenë pa vetëdije të përkatësisë kombëtare e cila nënkupton edhe pavarësinë politike e shtetërore...

Në të njejtën faqe, vetëm tre rreshta më poshtë, dr. Zef Mirdita, shkruan:

«Fryma panislamike, për fat të keq, i përshkroi edhe anëtarët e Lidhjes së Prizrenit, të mbledhur në Prizren me 10 qershor 1878, mbledhjet e së cilës u zhvilluan në Bajrakli Xhami dhe në Medresën e Mehmet Pashës. Ndërkaq, në jug të Shqipërisë Abdyl Frashëri në Teqen e Bektashinjëve të Frashërve, e organizoi një mbledhje me të cilën e shprehte solidaritetin ndaj Lidhjes së Prizrenit». (fq.364)

Tani sipas dr. Zef Mirditës, bektashinjët, në krye me Abdyl Frashërin dhe Teqen e Bektashinjëve në Frashër, në jug të Shqipërisë, mbasi organizojnë një mbledhje me të cilën shprehin solidaritetin ndaj Lidhjes së Prizrenit, nuk janë më atdhetarë, nuk kanë vetëdije fetare, sepse, për fat të keq i përshkroi fryma panislamike...!

Po, Abdyl Frashëri nuk e organizoi veç një mbledhje në Teqen e Frashërit, por ai ishte në Prizren, në Medresën e Mehmed Pashës në Bajrakli Xhami e kudo që e lypte nevoja, deri sa u burgos...

Dr. Zef Mirdita nuk e fyen vetëm Lidhjen e Prizrenit (1878-1881) dhe atdhetarët e saj pse i përshkroi fryma panislamike, nuk e fyen vetëm Abdyl Frashërin e bektashinjët që shprehën solidaritetin për Lidhjen e Prizrenit,por në faqen 366, fyen e akuzon deri në ditët tona ku thotë:

«Me frymë panislamike kanë qenë të përshkruara edhe aktvitetet e Lidhjeve të tjera...» (fq. 366). Lidhja e Prizrenit (1878-1881), Lidhja e Pejës «Besa-Besën» (1899) janë dy nga ngjarjet më të rëndësishme, më të lavdishme të historisë së popullit shqiptar, ato na afirmuan si komb dhe ngritën çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare si asnjëherë më parë. Këto Besëlidhje Shqiptare që themeluan organizata të fuqishme politike-ushtarake, me një shtrirje në mbarë Kosovën e përtej, nxorën në skenë dy personalitete, që u shquan për urtësinë, guximin, organizimin dhe gadishmërinë, që më armë në dorë të luftojmë për çështjen kombëtare, për liri: Myderriz Haxhi Ymer Prizreni (1821-1866) dhe Myderriz Haxhi Mulla Zeka (1830-1902), të cilëve dr. Zef Mirdita nuk ju përmend as emrat...! Pse? A thua pse ishin hoxhallarë? A thua, pse dy besëlidhjet u zhvilluan nëpër xhami e medrese? Po, në medresën e Prishtinës, në dhjetë vjetët e fundit, 1990-2000, u mbajtën, u zhvilluan pothuajse të gjitha mbledhjet, kuvendet, kongreset e shoqatave, sindikatave, partive politike, qoftë edhe të Partisë Demokristiane, po askush nuk i akuzoi për «frymë panislamiste»! Nëpër shumë xhami, anembanë Kosovës, për dhjetë vjet u zhvilluan shumë programe kulturo-letrare-artistike, u zhvilluan mësimet e shkollave fillore, të mesme dhe atyre të larta, por askush nuk i akuzoi për «frymë panislamike...».

Po Shaban Jashari me familje ishte me ramazan, agjërueshëm, si sot një vit, bile duke e falur sabahun, kur ia ktheu rreptë pushkën shkaut,  e askush nuk e akuzoi për “frymë panislamiste”...

Në faqen 366, dr. Zef Mirdita shkruan: “Me frymë panislamiste kanë qenë të përshkuara edhe aktivitetet e ‘Lidhjeve’ të tjera...kështu qenia e kombit shqiptar u rrezikua nga këto ide antikombëtare: nga panislamizmi dhe panhelenizmi”. (fq. 369) “Mirëpo, me islamizimin e popullatës shqiptare u ndërpre zhvillimi normal kulturor e fetar dhe me të u shua edhe vetëdija kombëtare”. (fq. 398)

Pema njihet prej fryteve të saja. Këto janë frytet që dr. Zef Mirdita ia ofron popullit shqiptar në 2000-vjetorin e krishterimit...Ndërkaq, Krishti tha: «Ruajuni prej profetëve të rrejshëm, që vijnë tek ju e ju shtiren si dele, kurse përbrenda janë ujq grabitqarë. Do t’i njihni prej fryteve të tyre. A thua vilet rrushi prej ferrash ose fiqtë prej murrizash?». (Bibla, Mateu, 7:15-16) «Nuk ka pemë të mirë që jep fryt të keq, as pemë të keqe që jep fryt të mirë...». «Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga visari i mirë i zemrës së vet, njeriu i keq nxjerr të keqen nga visari i keq: sepse goja i qet çka i ka zemra». (Bibla, Luka, 6:43,45)

Dr. Zef Mirdita me librin prej 443 faqesh, «Krishterizmi ndër shqiptarë», jo vetëm që është si një pemë e keqe që s’jep fryte të mira, por nxjerr të keqen çka i ka zemra: «Me islamizimin e popullatës shqiptare u ndërpre zhvillimi normal kulturor e fetar dhe me të u shua edhe vetëdija kombëtare». (fq. 398)

Ku ishte ai zhvillim normal kulturor e fetar që u ndërpre me islamizimin e popullatës shqiptare? Për më se një mijë e pesëqind vjet, derisa filluan shqiptarët të islamizohen, kleri i krishterë shqiptar nuk ka ditur as të shkruajë, as të lexojë...(fq. 183)

Një popull që ka pasur një kler analfabet a mund të ketë pasur një zhvillim normal kulturor e fetar?

Për sa dihet, i pari dokument i gjuhës shqipe është «Formula e pagëzimit» (1462), kurse libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe është «Meshari» (1555) i Gjon Buzukut. Ti këto i di, dr. Zef, sikur i dinë edhe nxënësit e shkollave fillore, por në vend se të thuash se me islamizmin e shqiptarëve filluan edhe të krishterët shqiptarë të zhvillojnë kulturën e fenë, ju trilloni e çka është më keq, edhe i gjykoni shqiptarët e islamizuar se kinse e ndërpren zhvillimin kulturor e fetar...

Me këto gjykime që i bëni Islamizmit dhe shqiptarëve myslimanë, për kinse ndërprerjen e zhvillimit normal kulturor e fetar e për shuarjen e vetëdijes kombëtare, ju, dr. Zef Mirdita, jo vetëm që dyshoni e trilloni, jo vetëm që bini në kundërshtim me të  vërtetën historike, bini në kundërshtim edhe me vetvetn, por bini në kundërshtim me fjalët e Krishtit, i cili na këshillon: «Mos gjykoni, që të mos gjykoheni! Sepse me çfarë gjykimi të gjykoni, me atë do të gjykoheni! E me atë masë që mateni, me atë edhe juve do t’ju matet. Pse e shikoni lëmishtjen në sy të vëllaut tënd, kurse nuk e sheh traun në sy tend? Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt, e mandej do të shohësh ta nxjerrësh lëmishtjen nga syri i vëllaut tënd». (Bibla, Mateu, 7:1-5)

Dr. Zef Mirdita me librin «Krishterizmi  ndër shqiptarë», botuar nga «Drita», Prizren, dhe Misioni Katolik Shqiptar në Zagreb, me rastin e njëzet shekujve të krishterizmit në popullin shqiptar, me sjelljet e tij skandaloze, nuk diti të shfrytëzojë rastin për t’i përmirësuar gabimet e së kaluarës. Përkundrazi, fjala e tij pa urti, e hidhur dhe në kundërshtim të hapur me shqiptarët myslimanë, që përbëjnë rreth nëntëdhjetë për qind të popullit shqiptar në trojet e veta etnike, dhe në kundërshtim të plotë edhe me fjalët e Biblës, e cila thotë: «Silluni me urti ndaj atyre që nuk janë të krishterë; shfrytëzoni rastin sa më mirë! Fjala e juaj të jetë gjithmonë e ëmbël, plot urti. Dini gjithkujt t’i përgjigjeni si duhet!». (Bibla, Kolosianëve, 4:5-6) Porosia e fundit dhe përshëndetja:

 Ruaj, o Timete, të  vërtetat e fesë që t’u besuan! Shporru përrallave boshe dhe kundërshtimeve të një dijeje të rrejshme, që disa e rrëfyen dhe e borën fenë. Hiri qoftë me ju!”.

 

( Botuar në revistën “Frymëzimi”, nr. 2, janar-shkurt 2000, Gjakovë)

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora