E merkure, 24.04.2024, 07:38 AM (GMT+1)

Mendime

Fëmijët dhe abuzuesit

E shtune, 10.11.2007, 11:02 PM


Aida Dismnondy

S'ka shumë ditë që trupi i dhjetëvjeçarit Bekim Çenga u gjet i pajetë, tmerrësisht i dhunuar nga dora dhe veprimet monstruoze të Shpëtim Zikos. Gazetat rendën të japin detajet e lajmit të kobshëm, pa marrë parasysh ndjenjat e familjes të të ndjerit dhe moshën tepër të njomë të Bekim Çengës. Madje ishin të menjëhershëm për të dhënë dhe diagnozën për Shpëtim Zikon, duke e cilësuar të "sëmur mendor". Sa tipike për shoqërinë! Kur gjërat nuk venë mbarë e gjejmë zgjidhjen tek "sëmundjet mendore" dhe, kështu lirojmë kriminelet, mbasi i mbajmë mbyllur për disa muaj në ndonjë spital psikiatrik. Ndërkohë që këta me të qenë të lirë bëjnë llogari për të gjetur viktima të tjera. Mjaft, mjaft me këto ekspertiza fallco.

Shpëtim Ziko është një maniak seksual, që çdo veprim të tij e bëri me paramendim. Ai është pjesë e asaj kategorie njerëzish që marrin e shkelin brutalisht ndjenjat e fëmijëve tanë e vrasin, duke përdhunuar trupat e pambrojtur të tyre. Pse diagnoza " i sëmur mendor"? Mos vallë s'duam të pranojmë se në shoqerinë shqiptare ekzistojnë abuzues seksualë? Apo duam të qetësojmë publikun, që të mos alarmohet dhe të realizojë mendimin, "zbutjen", se jeta e perditshme e fëmijëve ka ndryshuar. Fëmijët po shiten, po përdoren si prostituta, po dërgohen jashtë atdheut, po detyrohen në punë të rënda, po detyrohen të sigurojnë bukën e familjes, duke braktisur shkollat e mbushur rrugët me objekte të vogla për të shitur, apo duar që zgjaten për të lypur, po përfundojnë viktima të krimit. Ky është realiteti i shoqërisë shqiptare, që mënjanohet sikur të mos ekzistonte, apo sikur një dorë magjike do të rregullohnte gjithëçka.

Bekimi nuk vjen më në jetë, por ata që janë sikur Shpëtim Ziko, jo të "sëmurë mendorë", por njerëz pa vlera do të vazhdojnë të jenë mes nesh.

?shtë detyra jonë si prinder të këshillojmë fëmijët, që të kujdesen të mos bëhen viktima të abuzimeve seksuale, njësoj siç bisedojmë me ta të kenë kujdes nga makinat kur kalojnë rrugën, kujdes kur zgjedhin shokët apo kur shkojnë në shkollë.

Ne, si prindër nuk mund të bëjmë gjithëçka për të mbrojtur një qind për qind fëmijët por, duke i mësuar e biseduar me ta, mundësojmë pajisjen e tyre me dijen e nevojshme për t'u mbrojtur. Dije që shpesh në raste të tilla u shpëton jetën.

Duke pasur parasysh statistikat, viktimat e abuzimeve seksuale janë zakonisht fëmijë nën moshën 10 vjeç. Abuzuesit zakonisht janë njerëz të njohur të familjes, më të moshuar ose fëmijë të rritur. Shpëtim Ziko e njihte Bekim Çengën.

Më poshtë vijojnë disa udhëzime, që prindërit mund t'i përdorin e ndihmojnë fëmijët t'u shmangen abuzimeve seksuale. Dikush mund të mendojë se kjo temë është tabu. A do të qëndrojmë akoma indiferentë dhe të lejojmë jetë të pafajshme të humbin në duart e këtyre monstrave? Abuzuesit seksualë të fëmijëve nuk mendojnë për tabu, ata mendojnë për viktimën tjetër. Si prindër është përgjegjësia jonë të mbrojmë fëmijët.

Komunikimi është një nga themelet e marrëdhënies prindër - fëmijë. Bisedoni me fëmijët, djem e vajza. Këshilla " Hap sytë, kij kujdes" nuk mjafton. Në bisedën me fëmijët duhet të jemi konkretë. Si prind vendos kur, ku dhe si do të bisedosh mbi këtë subjekt me femijën. Nuk është e thënë të japësh detaje. E rëndësishme është biseda.

Mbajeni komunikimin të hapur, ndërtoni besimin tek fëmija, duke treguar se si prindër i kushtoni vemendje shqetësimeve, problemeve, jetës së fëmijës.

Mësoni fëmijët të mos shoqërohen me njerëz më të mëdhenj në moshë. Natyrisht, shoqërimi me më të medhenjte ka anet e veta pozitive por jeni të arsyeshëm dhe gjithëçka me masë. Mëso ku shkon, me kë dhe çfarë bën fëmija. Kjo s'do të thotë të luani rolin e policit, por drejtojuni fëmijës me pyetje të natyrës: " Ku ishe sot? Ç'bëtë sot me shokët? A ndodhi ndonjë gjë e veçantë?"

Udhëzoni fëmijët të mos hyjnë në shtëpinë e dikujt vetëm, nëse aty s'ka njerëz të tjerë. Nëse do të largohen me ndonjë më të rritur të njoftojnë prindërit. Nëse dikush i propozon për të shkuar në një xhiro me makinë, apo për një shetitje mësoni fëmijët të thonë "jo" dhe të kthehen menjëherë në shtëpi. Në rast rreziku të thërrasin për ndihmë. Mësoni fëmijët të luajnë me shokët e tyre dhe të mos shkojnë diku apo me dikë vetëm, kurrë vetëm. Bisedoni me femijët të mos pranojnë dhurata nga të njohur e të panjohur, pa prezencën e prindërve. E di, duket e çuditëshme të mos pranosh dhuratë, por nëse dikush vërtetë do që t'i dhurojë diçka fëmijës, do ta bëjë këtë natyrisht në prezencën e prindërve.

Mësoni fëmijët të mos u afrohen makinave, që pyesin për drejtime, por të qëndrojnë në distancë prej disa metrash e të rrinë afër me shokët. Nëse fëmija merr mësime private, qëndro aty derisa mësimi të mbarojë.

Këto duhet te jenë biseda të shpeshta. Sikur u përmend më sipër, si prind vendos kur, ku dhe sesi do të bisedosh me fëmijën mbi këtë subjekt. ?shtë e rëndësishme të udhëzohen fëmijët se disa pjesë të trupit janë private e se askush nuk duhet t'i prekë, përveç mjekut në prezencën e prindit. Mund t'i thuash vajzës apo djalit:" Të keqen mami, babi, ç'pjesë të trupit mbulohen nga rrobat e banjës janë private dhe askush nuk duhet t'i prekë. Mos lejo njeri të të heqë rrobat, të fusë duart në rroba, apo nën fustan. Kur dikush të thotë zhvishu, mos prano. Nëse dikush të thotë, që ta zhveshësh, mos prano. Nëse dikush të prek a të puth në një mënyrë që të bën të ndjehesh keq, largohu menjëherë, hiqja dorën a duart dhe trego në shtëpi. I thuaj mamit e babit." ?shtë e rëndësishme, që fëmijët të ndjejnë, se ata mund të vijnë në shtëpi dhe të bisedojnë për sa u ka ndodhur, pa pasur frikë se do të dënohen apo ndëshkohen për çfarë mund t'u ndodhë. Abuzuesit i bëjnë fëmijët shpesh të ndihen fajtorë për ç'ka atyre u ndodh, ata i kërcënojnë fëmijët "se po tregove do të vras mamin dhe babin". Pra, të dhënit mbështetje fëmijës i fuqizon dhe i jep mundësinë për t'u ndjerë të sigurt e të dinë se kanë prindërit për mbështetje.

Këto janë disa këshilla që mund t'u jepen fëmijëve në edukimin e përditshem. ?shtë një hap i parë në mbrojtjen e fëmijëve nga abuzuesit seksualë, duke i pajisur me njohuri për vetëmbrojtje e vetëpërgjegjësi.

Jeta e Bekim Çengës dhe e fëmijëve të tjerë të abuzuar seksualisht është tejet e vlefshme për të qenë indiferentë. Njerëz të kategorisë së Shpëtim Zikos nuk janë të sëmurë mendorë; ata janë abuzues, të vetëdijshëm për veprimet e tyre dhe çdo gjë e kryejnë me paramendim.

Të flasim, të bisedojmë e të udhëzojmë fëmijët, është gjëja më me vlerë që mund të bëjmë për ta. E, kështu si prindër e shoqëri t'i mbrojmë fëmijët tanë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora