E premte, 19.04.2024, 03:03 AM (GMT+1)

Mendime

Xhevat Bislimi: Gjykatat politike nuk mund të pastrohen nga politika

E hene, 19.04.2010, 09:58 PM


Gjykatat politike nuk mund të pastrohen nga politika

 

Nga Xhevat Bislimi

 

"Gjykatat duhet të pastrohen nga politika", "gjykatave duhet t’u garantohet pavarësia", etj., janë refrene që i dëgjojmë për çdo ditë e për çdo natë nga goja e ca diplomatëve të huaj. Këto refrene përbëjnë lajmin e dorës së parë për mediat tona të shkruara dhe elektronike. Me prononcimet, deklaratat dhe intervistat e tyre të përditshme, kudo e në çdo kohë, këta diplomatë dhe misionet e ndryshme në Kosovë sikur mundohen t’ia mbushin mendjen popullit të Kosovës se ata nuk po i merr gjumi për ta vendosur sundimin e ligjit, të drejtësisë dhe të rregullit në këtë krahinë shqiptare, që po duan me "dhunë" ta bëjnë "multietnike"!!

Sipas të gjitha raporteve që bëhen, drejtësia në Kosovë është "pushteti" më i korruptuar, më jo funksional, më i degraduar dhe më problematik. Por, asnjëherë nuk vihet gishti në plagë. Asnjëherë nuk thuhen arsyet e vërteta për këtë gjendje të rëndë në sistemin e drejtësisë. Secilën herë vetëm konstatohet gjendja! Askush nuk thotë ose nuk jep shpjegime pse e kemi këtë gjendje? Edhe kur dikush "mundohet" të jap shpjegime i fshehë shkaqet dhe arsyet e vërteta pas ankesave për mungesë gjyqtarësh, për rrogat e vogla, etj.!

Pas trysnisë së hapur dhe të drejtëpërdrejtë që iu bë nga përfaqësuesit e shumtë "specialë" dhe nga diplomatët "specialë", Kryeministri Thaçi për herë të parë drejtoi gishtin kah njëri prej shkaktarëve të kësaj gjendjeje në drejtësi. Ai tha se kjo gjendje në drejtësi dhe korruptimi është trashëguar nga UNMIK-u dhe tha se pa reformimin e drejtësisë nuk mund të luftohen korruptimi dhe krimi i organizuar. Ka të drejtë, por ka edhe tjera. Drejtësia e "ndërtuar" nga UNMIK-u dhe bashkëpunëtorët e tij shqipfolës ishte një sistem i krijuar nga mishi, gjaku dhe mendësia komuniste jugoserbe!! I gjithë sistemi i drejtësisë përbëhej dhe përbëhet pothuajse në tërësi nga gjykatës, prokurorë dhe avokatë që ishin shkolluar dhe kishin dhënë prova besnikërie të plotë në një shtet dhe sistem hegjemonist e pushtues. Besnikëria e tyre ishte provuar me ndjekjet dhe dënimet e pashembullta që i kishin bërë popullit të tyre shqiptar për arsyena të pastërta politike dhe ideologjike! Të gjitha aktvendimet dhe aktgjykimet e tyre ishin politike, antidemokratike, antiqytetëruese dhe kundërshqiptare. Të gjithë këta gjykatës, prokurorë e avokatë, me ndonjë përjashtim të rrallë, ishin të kapur nga shërbimet sekrete jugoserbe. Aktgjykimet e tyre përgatiteshin në zyrat e UDB-së dhe të komiteteve të LKJ-së! Pikërisht këta prokurorë e gjykatës u përzgjodhën për gjykatës e prokurorë të sistemit të "ri" e "demokratik" të Kosovës nga UNMIK-u! Për përzgjedhjen e tyre UNMIK-u këshillohej në vazhdimësi edhe me Beogradin! E vura pikën çuditëse, por kjo për mua nuk ishte çudi. Një mision si UNMIK-u nuk mund (sepse nuk donte) të ndërtonte dhe as të "prodhonte" sistem tjetër drejtësie. Ky sistem ishte në përputhje të plotë me synimin, angazhimin dhe projektin politik të UNMIK-ut dhe atyre që ishin prapa tij për një "autonomi substanciale"!

   Pas shpalljes së pavarësisë Kosova u bë me dy misione dhe me dy përfaqësues specialë (dy gunga)!! Në vend se të dëbohej UNMIK-u erdhi edhe një mision tjetër që quhej EULEX!! Emra dhe emblema të ndryshme, por me qëllime dhe me projekt të njëjtë: "Kosova e pavarur, por pa sovranitet"!! "Kosova multietnike me serbë, romë, turq, ashkali, boshnjakë, malazezë, kosovarë, egjiptjanë, kinezë dhe çka të doni tjetër, vetëm shqiptare JO!! Realiteti historik, gjuhësor, kulturor, etnografik, demografik dhe kombëtar (mbi 90 % shqiptarë) duhet të përmbysej dhe ndryshohej me të gjitha mënyrat dhe mjetet!? Rol dhe ndihmë të veçantë për realizimin e këtij projekti kundërshqiptar dhe kundërnjerëzor do të luante edhe sistemi i drejtësisë. UNMIK-ut, që me politikat e tij diskriminuese dhe shkatërrimtare për Kosovën i shtyri shqiptarët në kryengritjen e 17 marsit 2004, i erdhi në ndihmë edhe një mision tjetër, kësaj radhe nga Bashkimi Evropian dhe një përfaqësues tjetër "special"! Misioni i ri, EULEX, drejtohet nga një gjeneral! Ky mision ishte ngarkuar ta mbante nën kontroll të plotë drejtësinë, policinë dhe doganat! Në bashkëpunim të ngushtë me UNMIK-un dhe Zyrën Civile Ndërkombëtare të Piter Faitit (diplomat i regjur në pazaret me çështjen shqiptare, EULEX-i nuk do të lejonte që Kosova të bëhej sovrane!? Ç’është e vërteta varësinë e Kosovës dhe copëtimin e saj e garanton edhe Plani ose Kushtetuta e Atisarit, e pranuar dhe e miratuar nga Grupi Negociator! Me këtë Kushtetutë të Atisarit në Anamoravë krijohen katër komuna serbe (një rajon serb apo një Veri i dytë). Po të realizohet ky projekt famëkeq dhe kundërshqiptar, në Anamoravë do të kemi katër komuna serbe dhe tri shqiptare!! Pikërisht në njërën prej këtyre komunave serbe një diplomat i huaj (special) këto ditë i shpalli dy heronj të rinj: Njëri serb dhe tjetri shqipfolës! Tamam si dikur…!

Këto misione dhe këta misionarë "specialë" nuk kanë për qëllim të vendosin sundimin e ligjit, të rendit dhe rregullit. Qëllim i tyre është ta bëjnë ligjin në Kosovë në përputhje me politikat e tyre. Qëllim i tyre është ruajtja e pavarësisë së gjykatave të Kosovës nga Kosova dhe nga interesat e saj, si dhe përdorimi i tyre si instrument i politikave të tyre. Kjo u dëshmua që nga ardhja e tyre në këtë vend. Ndarja e Veriut dhe e Mitrovicës nuk është bërë nga Serbia, por nga këto misione dhe nga këta misionarë "specialë", që zbatojnë marrëveshjet sekrete midis Serbisë dhe Fuqive të Mëdha. Këto misione edhe sot e kësaj dite këtë punë po bëjnë. Prandaj, thirrjet e tyre për sundim të ligjit, etj., janë farsë dhe demagogji e pastër për ta mashtruar popullin shqiptar. Rasti i Veriut, i Anamoravës, i Albin Kurtit dhe rasti i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Vitisë janë dëshmia më e mirë e politikave dhe e drejtësisë së gjeneralëve dhe "diplomatëve" të këtyre misioneve. Përkrahja që këta diplomat "specialë" i japin Enver Hasanit dhe Gjykatës kushtetuese të Atisarit për vendimet e saj kundërshqiptare nuk duan koment! Enver Hasani i dha të drejtë vetes ta gjykojë dhe dënoj njërën prej faqeve më të ndritshme të historisë së kombit shqiptar, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit!! Prandaj po ia rrahin krahët diplomatët ‘specialë". Për këtë do të dekorohet edhe nga Serbia, që e kishte rrafshuar Shtëpinë monument, ku ishte mbajtur Kuvendi I Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pati edhe ca patriotë të mjerë që thanë se vendimi i Gjykatës kushtetuese të Atisarit dhe E. Hasanit duhet të zbatohet!!

 

Si mund të dilet nga kjo situatë?

 

   Plani ose Kushtetuta e Atisarit ishte prodhim i bisedimeve midis Serbisë dhe Grupit Negociator. Në këto bisedime të pabarabarta ndërmjetësoi bashkësia ndërkombëtare e përfaqësuar nga Atisari. Ky dokument, pas prezantimit të tij, nuk u pranua nga Serbia dhe nuk u miratua as nga Këshilli i Sigurimit. Në këtë kuptim ai nuk i obligon shqiptarët dhe as klasën e tyre politike dhe institucionale që ta zbatojnë pikë për pikë dhe në dëm të tyre. Po të kishte vullnet politik dhe kombëtar, po të mendonin, gjykonin dhe vepronin si shqiptarë, politikanët tanë (udhëheqësit e partive dhe institucioneve) do të uleshin dhe do të merreshin vesh për një strategji të përbashkët. Pjesë e kësaj strategjie do të duhej të ishte edhe Tirana zyrtare dhe mbarë hapësira shqiptare. Hapi i parë do të duhej të ishte largimi (dëbimi) i UNMIK-ut nga territori i Kosovës, hapi tjetër "çlirimi" i Veriut nga Serbia dhe ribashkimi i tij me Kosovën. Hapi tjetër do të ishte fillimisht kufizimi i pushtetit të EULEX-it dhe Zyrës së Piter Faitit, kurse pak më vonë largimi i tyre nga Kosova. Këtë hap i takon ta bëjë, edhe për rolin e tij që kishte gjatë Luftës Antipushtuese Çlirimtare, Hashim Thacit, Haradinajt, Xhavit Halitit, Azem Sylës, Rexhep Selimit, Nait Hasanit, Hydajet Hysenit, Bajrush Xhemajlit, Albin Kurtit, etj. Por, nismën për t’i ulur këta njerëz dhe të tjerë nga partitë tjera, do të duhej ta mirrte Adem Demaci, symbol i Qëndresës sonë kombëtare. Vetëm pastaj mund të bëhet edhe reformimi i thellë i sistemit të drejtësisë dhe zbatimi i saj në interes të qytetarit dhe të vendit, reformimi dhe fuqizimi i policisë dhe segmentëve të tjerë të mbrojtjes dhe sigurisë. Vetëm pastaj politika, drejtësia, mediat, ekonomia dhe gjithë jeta në Kosovë do të pastrohej nga ndikimi dhe dominimi i politikave të Serbisë, shpeshherë të mbështjella me ambalazhin EULEX-UNMIK. Në këtë pikë dhe në të gjitha pikat tjera do të ecej drejtë unifikimit të këtyre sistemeve me shtetin shqiptar. Kështu do të rritej roli i kombit shqiptar në Ballkan. Kjo do të shpiente në zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare (ribërjen e Shqipërisë) dhe në vendosjes e sigurisë dhe të paqes së përherëshme në rajon e më gjerë. Vetëm nëse bëjmë politikë të këtillë kombëtare dhe demokratike mund ta fitojmë dhe do ta kemi përkrahjen e miqëve tanë amerikanë dhe të miqëve tjerë. Madje, do ta fitojmë edhe përkrahjen e atyre që po mbajnë qëndrim armiqësor ndaj çështjes shqiptare në Ballkan. Vetëm kështu do të qetësohet dhe pajtohet edhe vetë Serbia, Greqia...

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora