E shtune, 20.04.2024, 02:17 AM (GMT+1)

Editorial

Lindita Sejdiu: Ju lumtë zoti Kadare!

E diele, 18.04.2010, 07:59 PM


Ju lumtë zoti Kadare!

 

Ashtu siç mori shumë motive nga letërsia antike greke, Kadare edhe kësaj radhe mori një shkas për t’u dhënë fqinjëve grekë një leksion se shovinizmi duhet të jetë një libër i mbyllur në Ballkan, të cilin duhet lexuar herë pas herë vetëm sa për të mos përsëritur gabimet dhe mëkatet ndaj njëri tjetrit. Ismail Kadare në këtë na dhuron librin më të vlefshëm të ballafaqimit dhe njohjes me sfidat që realiteti i përditshëm na i mjegullon

 

Nga Lindita SEJDIU*

 

Ka kohë që Ballkani po vuan nga e kaluara e ngarkuar me atavizma dhe ksenofobi të skajshme. Por, pati edhe zëra që u munduan të kthejnë këtë imazh të keq për Ballkanin në një portal garash kulturore. Në mesin e këtyre ishte edhe shkrimtari i shquar shqiptar Ismail kadare, i cili sa herë që iu dha rasti, nuk ngurroi ta shprehë vizionin e tij mbi Ballkanin si një mjedis, që duhet të lirohet nga paragjykimet dhe keqkuptimet ndëretnike.

Por, shkrimtari ynë e ka anuluar një vizitë në Greqi, të paraparë për datën 19 prill, pas skandalit të forcave speciale greke, të cilat brohoritën parulla antishqiptare gjatë një parade ushtarake. Kadare ishte i ftuar nga autoritetet e Ministrisë Greke së Kulturës për një agjendë me qytetarët në Athinë, ku do të prezantohej si një ndër shkrimtarët më të nderuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare.

Vetë shkrimtari Ismail Kadare, përmes një letre zyrtare ka deklaruar, se ai ka vendosur të mos marrë pjesë në ceremoninë e 19 prillit 2010 në Athinë. Në letrën e Kadaresë thuhet, se ai ka vendosur që të anulojë vizitën në Athinë, për shkak të ngjarjeve të 25 marsit 2010 në kryeqytetin grek, ku forcat ushtarake të këtij vendi, në paradën zyrtare me rastin e Festës Kombëtare Greke, brohoritën parulla antishqiptare.

Kadare potencoi se ka admirim për letërsinë dhe kulturën greke, por shprehet se brenda një klime të tillë, e cila është larg çdo gjurme të qytetërimit, vizita e tij do të ishte e papërshtatshme.

Ky gjest i Ismail Kadaresë duhet të reflektojë gjithësesi edhe në dinjitetin e politikës, kundrejt prirjeve antishqiptare të qarqeve shoviniste në Ballkan, sepse jo rrallë jemi mësuar të shohim një politikë inferiore edhe atëherë kur shqiptarët si popull janë ofenduar në shumë raste. Refuzimi i ftesës për të marrë pjesë në një manifestim kulturor në Athinë nga ana e shkrimtarit Kadare nuk duhet kuptuar a priori, si dëshirë të tij për të reflektuar ekskomunikim në relacionet ballkanike. Përkundrazi, mosshkuarjen e tij në Athinë më tepër duhet kuptuar, si kontribut madhor në adresë të atyre qarqeve regresive, të cilët ende të ardhmen e shohin me dioptrinë e së kaluarës.

Ashtu siç mori shumë motive nga letërsia antike greke, Kadare edhe kësaj radhe mori një shkas për t’u dhënë fqinjëve grekë një leksion se shovinizmi duhet të jetë një libër i mbyllur në Ballkan, të cilin duhet lexuar herë pas here, vetëm sa për të mos përsëritur gabimet dhe mëkatet ndaj njëri tjetrit. Ismail Kadare në këtë na dhuron librin më të vlefshëm të ballafaqimit dhe njohjes me sfidat që realiteti i përditshëm na i mjegullon.

 

*Autorja është redaktore në gazetën FAKTI në Shkup



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora