E shtune, 20.04.2024, 12:57 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Vatikani, aksion diplomatik për mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve, familjes dhe kulturës së krishterë

E premte, 09.11.2007, 07:26 PM


Komisioni i ipeshkvinjve të Evropës, në një dokument drejtuar Bashkimit Evropian jep propozimet për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të familjeve, ndërkohë që Ati i Shenjtë, Benedikti XVI ka kërkuar të kthehet vëmendja nga mbrojtja e të drejtave të refugjatëve si dhe të kulturës së krishterë

Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian (COMECE) paraqiti këto ditë në Bruksel, dokumentin me titull: “Propozime për strategjinë e Bashkimit Evropian në favor të çifteve e të familjeve”. Teksti nuk synon të vërë në diskutim marrëveshjen aktuale mbi kompetencat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian lidhur me çështjen e së drejtës së familjes e të politikave familjare. Dokumenti ka për qëllim të nxisë diskutimin mbi përpjekjet që mund të bëjnë institucionet komunitare në kuadrin e kompetencave të tyre. Mbi propozimet që përmbahen në dokument për të ndihmuar çiftet e martuara dhe prindërit në kryerjen e detyrave të tyre edukative, për radio Vatikanin foli edhe këshilltari ligjor i Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian Alesando Kalkanjo: “Patëm parasysh se Bashkimi Evropian nuk gëzon një komptencë të mirëfilltë përsa i takon familjes e, prandaj, bëmë një sërë propozimesh të ndryshme, siç është për shembull mbështetja e prindërve lidhur me rreziqet që mund të vijnë nga përdorimi i internetit ose i celularëve nga të miturit, tha ndër të tjera ai,. Bëmë propozime edhe për ndikimin që ka mbi fëmijët përdorimi i lojrave-pamore (videogames), në të cilat vërehet shumë mizori e dhunë, nga që mendojmë se Bashkimi Evropian nuk është përpjekur sa duhet në këtë drejtim. Por shprehim edhe mendimin se duhet bërë më shumë në luftën kundër varfërisë, që peshon rëndë mbi të miturit, ashtu si kërkojmë edhe bashkimin e familjeve të emigrantëve, temë kjo shumë e dashur për Atin e Shenjtë. Pastaj theksojmë problemin e sigurisë, nismë kjo e Komisionit Evropian, që do të shqyrtojë edhe mundësitë për një përkim më të thellë të jetës në punë me atë në familje. Jemi përpjekur për ta pasur parasysh edhe këtë aspekt, duke nënvizuar së pari faktin se Kisha e konsideron martesën ndërmjet burrit e gruas si sakrament dashurie e prandaj mbështet, inkurajon e promovon familjen e themeluar mbi martesën, si rrugëzgjidhje ideale për sigurimin e një familjeje të shëndoshë e të qëndrueshme. Një familje e tillë u siguron edhe fëmijëve baza të shëndosha për ndërtimin e së ardhmes së tyre, dmth siguron bazën e shëndoshë për ndërtimin e vetë Evropës, që varet plotësisht nga breznitë e reja”.
Thirrje e Selisë së Shenjtë edhe për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve e të refugjatëve/Të drejtat e emigrantëve e të refugjatëve, të të miturve e të grave ishin në qendër të vëmendjes në diskutimin e kryeipeshkvit Manuel Monteiro de Kastro, nunc apostolik në Spanjë, kryetar i delegacionit të Selisë së Shenjtë në Konferencën e ministrave evropianë të drejtësisë, mbajtur në Lantharote, në kuadrin e Këshillit të Evropës. Duke shfrytëzuar këtë rast, Imzot Monteiro reflektoi mbi kushtet dhe mënyrat që duhet të ketë parasysh drejtësia për mbrojtjen e më të ligështve, si emigrantët, njerëzit që kërkojnë strehim, të miturit e të tjerë, të cilët vuajnë nga forma të ndryshme të pabarazisë në botën e punës, të arsimit, të përgatitjes profesionale e të ndihmës shëndetësore. Përfaqësuesi i Selisë Apostolike vuri theksin mbi shfrytëzimin e shpërdorimet, edhe seksuale, të grave e të të miturve, që kanë si pasojë krijimin e një sërë problemesh me karakter moral e juridik. Prelati bëri thirrje që drejtësia t’i mbrojë këta njerëz, duke punuar për çrrënjosjen e të gjitha formave të intolerancës e për përtëritjen e zemrave: vetëm atëherë mund të modifikohen kuadri ligjor, proceset gjyqësore si dhe garancitë procedurale, që shpesh shkelin mbi dinjitetin e njerëzve të ligësht, duke u mohuar të drejtat e tyre më themelore e duke ua kufizuar lirinë. Selia e Shenjtë - theksoi prelati - mendon se këto situata janë në kundërshtim të hapur me vlerat themelore të rrënjosura në kulturën evropiane. E për këtë flet vetë fjala drejtësi - sinonim i respektit për tjetrin.
Mesazh i Akademive Papnore, uron që kultura, e fekonduar nga feja, të propozojë bukurinë e jetës së krishterë/“Si në Kishë, ashtu edhe në botën shekullare, duhet nxitur lulëzimi i një kulture të denjë për njeriun”: këtë thekson Benedikti XVI në Mesazhin drejtuar imzot Gjanfranko Ravazit, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, me rastin e seancës së 12-të publike të Akademive Papnore, që u mbajt sot në Sallën e Re të Sinodit, në Vatikan. E pikërisht tek tema e seancës “Dëshmitarë të dashurisë: Dashuria e Hyjit e dëshmuar nga martirët e nga veprat e Kishës”, ndalet Ati i Shenjtë, duke theksuar edhe një herë me forcë lidhjen e pandarë ndërmjet kremtimit të Mistereve hyjnore dhe dëshmisë së jetës; ndërmjet përvojës së takimit me Misterin e Hyjit, burim mahniteje e gëzimi shpirtëror dhe impenjimit që na shtyn të jemi pikërisht dëshmitarë të dashurisë së tij. Duke kujtuar se vetë Jezusi është dëshmitar besnik e i vërtetë - nënvizon Papa, duhet të bindemi se mjeti përmes të cilit e vërteta e Hyjit arrin tek njeriu në histori, është pikërisht dëshmia e bindur dhe e palëkundur. Akademitë Papnore - shkruan Papa - duhet të punojnë për zhvillimin një kulture që është e aftë t’u përgjigjet denjësisht sfidave gjithnjë më të shumta të kontekstit kulturor e fetar. E, në një kontekst të tillë, është më e nevojshme se kurrë të ripropozohet shembulli i martirëve të krishterë, si i atyre të lashtësisë, ashtu edhe i martirëve të kohëve tona të cilët, duke dhuruar gjakun për Hyjin, dhanë dëshminë më të lartë të dashurisë për Të. Për më shumë për Akademitë Papnore dhe rolin e tyre, për radio Vatikanin foli kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, Kryeipeshkvin Ravazi: “Janë akademi kryesisht të tipit teologjik, të tipit historik e të tipit letrar, tha në prononcimin e tij kryeipeshkvi Ravazi. Shumica i përkasin traditës së lashtë të Kishës e vetëm pak prej tyre, kohëve të vona. Nga të parat po kujtojmë Akademinë e virtuozëve të Panteonit; nga të dytat, Akademinë e Zojës së Papërlyer. Gjithësejt janë shtatë Akademi Papnore e përbëjnë një lloj yjësie, që ndriçon rrugët e kërkimit shkencor. Fushat e këtij kërkimi përkojnë me vetë natyrën e Akademive. Kujtoj, për shembull, se sivjet, seancën e 12-të e organizuan Akademia Romake e Arkeologjisë dhe Akademia Cultorum Martyrum, të cilat zgjodhën edhe temën “Dëshmitarë të dashurisë së Tij”, duke cituar Benediktin XVI. U reflektua kështu mbi dashurinë e Hyjit, manifestuar nga martirët e nga veprat e Kishës. Nuk duhet harruar se Roma është qyteti i katakombeve e qyteti i martirëve, por njëkohësisht e dimë se fjala martir vjen nga greqishtja e do të thotë dëshmi. Prej këndej fiton vlerë aktuale, duke i kujtuar edhe njeriut të sotëm se duhet ta dëshmojë dashurinë e Zotit në të gjitha fushat e botës sonë.Kujtojmë se sot, gjatë seancës së 12-të publike të Akademive Papnore u vlerësuan me çmime studiuesit e rinj, Antonxhulio Graneli dhe Maksimilian Gilardi, që kanë dhënë një kontribut të çmuar për promovimin e humanizmit të krishterë në fillim të Mijëvjeçarit të Tretë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora