Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Frashëri: Zoti Topi, President i Republikës apo Prokuror i Përgjithshëm?

| E enjte, 08.11.2007, 07:18 PM |


Nga Kastriot Frashëri

Kastriot Frasheri
Presidenti Topi, ashtu siç pritej, ka nisur pa hanxhinj një fushatë mediatike për të ashtuquajturin reformim të drejtësisë, ku për hir të së vërtetës, më shumë se akte normative institucionale për vënien në binarë të kësaj drejtësie, ka pasur kërcënime, vringëllima shpatash, raporte shkarkimesh deri në grotesk. Përkundër mesazheve të qarta e të vazhdueshme të institucioneve ndërkombëtare, presidenti ynë për të plotësuar egon e padronit të tij, sipas formulës tashmë të super përdorur “e drejtë është ajo që vjen vetëm prej oborrit blu/rozë”, ai ngrin dhe shkrin, emëron dhe shkarkon, të ofron “Olimpin” apo “Humnerën”. Pavarësisht retorikës në këto zhvillime të fundit institucionale në kurriz të drejtësisë, në dialogun e fundit me Presidentin e Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, të cilit i premtoi disa ditë më parë se: “reformat në drejtësi nuk do të jenë të njëanshme”, në pavetëdijen e tij, Topi president nënkupton selektin dhe manipulimin politik të radhës, duke krijuar idenë se në këto muaj të presidencës së tij po bën gjithçka në funksion të ekuilibrimit të jetës politike në vend, veçanërisht përsa i përket reformave në drejtësi dhe sistemin elektoral, duke evidentuar me të madhe angazhimin e tij personal në modelimin e rregullave të bashkëpunimit me forcat politike. Ajo që po ndodh sot me drejtësinë meriton të quhet pa ekuivoke: rrëmbim dhe pushkatim i institucioneve të shtetit.

Nga burime të sigurta pranë stafit të tij, mësohet se Presidenti i Republikës, po mban në “vakancë”(në sirtar pa përgjigje), prej muajsh, kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës Theodhori Sollaku, për emërimin e disa prokurorëve të rinj. Kjo e drejtë dhe detyrim e sanksionuar qartazi në ligjin nr 8737 datë 12.02.2001, ndryshuar me ligjin nr. 9102 datë 10.07.2003 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, përcakton taksativisht se lista e propozuar nga kreu i akuzës, në bazë të kompetencave të nenit 21 të këtij ligji, duhet të dekretohet nga presidenti.

Dihet tashmë vorbulla e politikave amatoreske ku është përfshirë qeverisja për pseudo-reformimin e drejtësisë, ku “koka e Turkut” do të jetë Kryeprokurori i Republikës. Dihet dhe se Topi është garanti kriptopolitik për të realizuar këtë skenar me regji të dobët. Por, ajo që nuk dihet, por nënkuptohet, është loja e Topit për forcimin e lobingut të tij personal, që me anë të ndereve, dallavereve dhe aferave në dëm të drejtësisë kërkon të mbajë nën kontroll institucionet kryesore të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Mos dekretimi i prokurorëve në fjalë është pjesë e kësaj psikologjie politike dhe personale që motivon egot e brendshme të Presidentit të ri për të gjetur beniaminët e tij dhe për të krijuar mitin e pushtetit të tij personal në dëm të drejtësisë.

Të gjithë pyesin: Pse ka ndodhur një konflikt i tillë ndërinstitucional për emërimin e këtyre prokurorëve të rinj? Në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, ligjvënësi ka përcaktuar se për t’u titulluar Prokuror, propozimi për emërimin e tij bëhet nga kryeprokurori dhe Presidenti është i detyruar të nënshkruajë propozimet e kreut të Prokurorisë për vendet vakant dhe strukturën përkatëse, sipas këtij propozimi. Sipas pikës 3 të nenit 23 të ligjit në fjalë, “pas përfundimit të stazhit profesional, Presidenti i Republikës dekreton caktimin e tyre në prokuroritë, sipas nevojave që kanë këto të fundit”.

Atëherë, përse “nguron” zoti Topi për emërimin e këtyre prokurorëve!? Mos vallë pret që këta magjistratë të rinj të shndërrohen në teseraxhinj partie dhe të ngrejë dolli për Presidentin tonë në kafenetë rurale apo metropolitane, ku ëndërron se i shtyjnë ditët, duke kënduar këngën e revolucionit “ndër ara, fabrika, kantiere…” etj!?... Fjalë të tjera të liga shkojnë më tej kur thonë se Presidenti e motivon këtë bllokim emërimesh me pretekstin se duhet të krijojë gjykata dhe prokurori karriere, të cilat sipas tij, duhet të ekzistojnë vetëm në Tiranë dhe në Durrës?! Ç’është kjo shpikje zoti President?! Mos vallë një luftë e re klasash në emër të karrierës profesionale! Atëherë këta magjistratë të lindur, rritur, edukuar dhe arsimuar në Tiranë duhet të syrgjynosen nëpër provincat e Shqipërisë, vetëm e vetëm se duhet të jenë pjesë e “novacioneve” apo eksperimenteve të kreut të ri të shtetit. Ky mosveprim i paramenduar, zoti President është një shkelje flagrante e Kushtetutës, sepse është një detyrim kushtetues i sanksionuar qartë në nenin 149, pika 3, ku përcakton qartë se “Prokurorët e tjerë emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm”.

Zoti Topi, që pretendon se e ka parë Perëndimin që në kohën e Merhumit Enver, besoj se e di, se sistemet demoratike funksionojnë mbi bazën e parimeve demokratike të zhvillimit të shoqërisë dhe institucioneve, mbi principet e ndarjes së pushteteve, të respektimit të ligjit dhe institucioneve, të cilat janë alfa dhe omega e shtetit të së drejtës.

Sipas burimeve në fjalë, mësojmë, gjithashtu, se ky president ka bllokuar emërimin e prokurorëve në stazh që janë personat që kanë mbaruar vitin e dytë të Shkollës së Magjistraturës për të kryer stazhin profesional, të parashikuar në ligjin nr. 8136, datë 31.07.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës në Republikën e Shqipërisë”, në prokuroritë që kanë kushtet më të mira për organizmin e këtij stazhi.

I bëjmë pyetje zotit Topi: Pse duhet që brezi më i ri i këtyre juristëve (prokurorëve të sapodiplomuar) të këtij vendi, që nuk kanë asnjë lidhje me të kaluarën tënde dhe tonën si shoqëri, duhet të përjetojë ngarkesa të tilla emotive dhe strese që burojnë nga mendësia e kësaj politike që na keni ofruar ju, që me vetëdije po shkatërroni Shqipërinë, atdheun tonë të dashur?! Pse u dashka që kjo trupë e prokurorëve të rinj, që në fillim të karrierës së tyre, të përballen me kuintat e skenave ku luhet farsa e emërim-shkarkimeve, të stresohen nga barra e këtyre punëve tona të ngatërruara dhe të rreken për të gjetur “vitaminën M”, për të trokitur në derën tuaj?! Ky akt i Presidentit Topi, i cili mesa duket po testohet nga ndërkombëtarët, do të jetë një minus i madh që do të shënohet patjetër në rekordin e pushtetit të zi presidencial. Pra dhe ndërkombëtarët, që viziton, pret dhe përcjell zoti Topi nuk do ta mirëpresin një qëndrim të tillë të Presidentit, tek i cili ata mund të kenë ushqyer ndonjë iluzion, se mund të kishte një staturë ndryshe nga kjo politika jonë katrahurë!... Kjo zoti President është ora e zezë e drejtësisë…

MAGJISTRATËT QË PRESIN EMËRIMIN

1 Ornela RRUMBULLAKU, në Tiranë
2. Elida CELAMI, në Tiranë
3. Elfrida BREGOVA, në Tiranë
4. Ndini TAVANI, në Durrës
5. Endrit BIMI, në Durrës
6. Elsion SADIKU, në Korçë
7. Maksim SOTA, në Vlorë
8. Julian XHENGO, në Vlorë
9. Alma KOLA, në Fier
10. Arens ÇELA, në Lushnjë
11. Sonila DOMI, në Krujë
12. Bujar MEMIA, në Kurbin

MAGJISTRATËT QË PRESIN TË BËJNË STAZHIN

Flora ÇELA
Anisa QILIMI
Asllan BARJAMAJ
Dorina SADIKLLARI
Dhorina THEODHORI
Erida LAMKA
Ida AHMETLLI
Mirela ÇANO
Klodian BRAHO
Marvin MENERI
Natasha SHALLAPI
Saimir BAHITI

Topi prej kohësh nuk firmos propozimet e kreut të akuzës

Presidenti i Republikës mban peng 24 magjistratë të prokurorisë

Ata që kanë kryer stazhin, presin emërimet, të tjerët ende s’e kanë filluar

EMËRIMET

12 magjistratë që kanë përfunduar stazhin për vitin akademik 2006-2007, që në muajin tetor të këtij viti duhet të emëroheshin sipas ligjit si prokurorë në prokuroritë e ndryshme të vendit. Por, Presidenti i Republikës, në kundërshtim të hapur me ligjin kushtetues prej kohësh ka refuzuar dekretimin e propozimeve të kryeprokurorit.

SHKELJA E KUSHTETUTËS NGA PRESIDENTI

Në bazë të Kushtetutës dhe ligjit Nr 8737 datë 12.02.2001, ndryshuar me ligjin Nr. 9102 datë 10.07.2003 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, Presidenti i Republikës është i detyruar të nënshkruajë propozimet e kreut të Prokurorisë për vendet vakant dhe strukturën përkatëse, sipas këtij propozimi. Në bazë të kompetencave të nenit 21 të këtij ligji, propozimi për emërimin e tyre, bëhet nga Kryeprokurori, sipas pikës 3 të nenit 23 të ligjit në fjalë, “pas përfundimit të stazhit profesional, Presidenti i Republikës dekreton caktimin e tyre në prokuroritë, sipas nevojave që kanë këto të fundit”.

FUNKSIONIMI

Janë 12 magjistratë të tjerë, të cilët presin të fillojnë stazhin. Ligji Nr. 8136, datë 31.07.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës në Republikën e Shqipërisë”, përcakton që viti i tretë i kësaj shkolle, është stazhi që magjistratët kryejnë pranë prokurorive, në prokuroritë që kanë kushtet më të mira për organizmin e këtij stazhi, të cilat përcaktohen nga Kryeprokurori dhe miratohen nga Presidenti i Republikës.