E premte, 19.04.2024, 03:35 PM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Pikëpamje për shëndoshjen e mushkërive të gjuhës shqipe

E marte, 13.04.2010, 10:00 PM


PIKËPAMJE PER SHENDOSHJEN E MUSHKËRIVE TE GJUHES SHQIPE

                         

ANALIZË E VEPRËS GJUHËTARIT MEHMET ELEZI

 

 Shkruar nga : Mërgim Korça

 

E ndej të nevojëshme që në krye të theksoj se, për t’a trajtuar sa më paanësisht çështjen për të cilën flet vetë titulli i shkrimit, më duhet të shtroj disa parakushte.  Pa përcaktimin e tyre, së bashku me lexuesin, mund të kishim dhjetra përzgjedhje e secili shteg pastaj të na fuste në një pyll ... pa dalje.  Me pak fjalë e ndjej të domosdoshme të përcaktojmë disa kritere bazë për t’u ndjekur e prandaj thërrasim në ndihmë paragrafin që do t’a emërtojmë :

NË VËND TË HYRJES Thuajse përgjatë pesë dhjetvjeçarëve ligjin në Shqipëri e bëri diktatura komuniste.  E trishtë kjo, pa as më të voglin dyshim për breznín’e asaj kategorie shoqërore e cila që në fillim ishte kundrakomuniste, si edhe pinjojve të saj.  Mirëpo vetë kohëzgjatja e diktaturës, e bëri të trishtë në vazhdim edhe për pjesën më të madhe të asaj brezníe e cila fillimisht e mbështeti vendosjen e saj, por që egoizmi i skajshëm i diktatorit, në krye i shfrytëzoi si mish për top e në vazhdim i bloi pa mëshirë.  E vetmja kategori e cila jetoi si gjarpëri nën gur por nuk e pësoi nga diktatura duke qëndruar mbi trapin e drunjtë të saj mes dallgëve të kohës që diktaturave komuniste, të  lindura pas Luftës II-të po u a tregonte fundin e rrugëtimit të tyre, qé në pjesën dërmuese ajo kategori e mbështetësve të regjimit e cila dijti mos t’i a tërhiqte vëmëndjen diktatorit për keq ... deri në fund.  Doemos  prej kësaj kategorie të mbijetuarish dolën edhe ata që u vunë thuajse në krye të të gjitha partive të ndryshme politike.

Vijmë tashti tek kriteret që duam të përcaktojmë.  Së pari, me marrjen e pushtetit në dorë nga ana e komunistëve, u pa se pas parullave liri e barazí fshihej dora e hekurt’e partisë e cila filloi një luftë të pashembulltë e të paparë ndaj gjithë intelektualëve, klerikëve ose laikëve paçin qenë, si edhe fshatarëve kundrakomuniste.  Me pak fjalë filloi ajo luftë kllasash, të cilën diktatori e hymnizoi dhe e zbatoi me një egërsí prej bishe të uritur për pushtet, që nga  dita e marrjes tij e deri në vdekjen e vetë tiranit.  Kjo mënyrë të sjelluri e të vepruari ish e paparë dhe e padëgjuar deri atëherë në Shqipëri.  Me pak fjalë diktatori i ardhshëm filloi e zbatonte symbyllazi direktivën e Leninit KUSH NUK ËSHTË ME NÉ DUHET ZHDUKUR !    Ky me pak fjalë ishte kriteri në bazë të cilit, si historia e popullit shqiptar e gjithashtu edhe të gjitha arritjet e deriatëherëshme, duheshin fshirë nga kujtesa e njerëzve dhe duhej filluar historia nga e para. 

Nga ana tjetër vlerësoheshin vetëm bëmat dhe arritjet e kategorisë njerëzore mbështetëse e partisë, ndërsa kategorisë tjetër ose i mohohej fare të shquarët mes tjerësh, ose as u lihej shteg të shquheshin elementë të asaj kategorie. 

Në vazhdim erdhi edhe mori shtat, nisur nga dhuna e pashoqe që ushtrohej, botkuptimi se edhe të menduarët ndryshe ... dënohej !  

Nisur nga këta tregues të prekur krejtësisht fluturimthi, sikur nuk kanë egzistuar kriteret e dhunës komuniste, (por pa i harruar padrejtësit’e tyre), do të mundohemi të bëjmë vlerësimet e duhura të nisur nga një gjykim sa më i paanshëm dhe i drejtpeshuar, duke marrë për bazë kriteret me të cilët gjykoheshin vlerat para marrjes pushtetit nga diktatura komuniste. 

E ftoj tashti lexuesin të hyjmë në temën e mirëfilltë, doemos duke i hedhur një rreze ndriçuese fare kalimtare ndonjë momenti kyç nga dy punimet shkencore gjuhësore pararendëse të veprës që marrim në shqyrtim. 

Ballafaqimi im i parë me zotin Mehmet Elezi si gjuhëtar ka qenë leximi nga ana e ime i studimit të tij i botuar nën titullin “Gjuha Shqipe në Bunker!?”.  Më pati befasuar !  Më befasoi sepse jo që studimi nuk kish të bënte fare me një instrument të cilin autori t’a përdorte për të treguar se sa demokrat qe bërë, por përkundrazi, gjatë analizës që u bënte vendimeve të Kongresit Drejtshkrimit të vitit 1972, parë thjeshtë me syrin e specialistit të aftë, të drejt’e të ndershëm dhe të drejtpeshuar, ai nxirrte përfundime ku nuk ndaheshin dot e ashtuquajtura shkencë gjuhësore e viteve 70-të nga politika e partisë e asaj kohe.  Ngjizjen e tyre po t’a kishte hartuar me thirrje kundrakomuniste siç bëjnë ish komunistë të flaktë dje e demokratë të çfrenuar sot, paraqiste rrezikun që ose autori të dilte në syt’e lexuesit si një ish komunist që çirret tashti kundra komunizmit për t’u  dukur sa më demokrat ose, në rastin më të mirë, vetë studimi analizues të merrte trajtën e një pëlhure që dora dorës dilte nga tezgjahu endës ku fijet e kuqe, si në një përçartje figurative, t’a përshkonin dhe t’a çoroditnin krejtë cohën në syt’e shikuesit.  Por jo.  Përkundrazi, mbasi e lexoje të gjithë studimin, vetë vepra merrte pamjen e një ballafaqimi mes asaj që duhej të ishte hullíja e shkencës gjuhësore të mirëfilltë dhe të pandikuar nga ideologjí partiake, e krahasuar kjo me realitetin mjeran që la nga pas diktatura ! E gjithë kjo sintezë shprehej nga autori me pohimin madhor prej një rrjeshti të vetëm :               

Gjuhës shqipe nuk i janë shtrembëruar déj, po i janë këputur gjymtyrë !

E në vazhdim pastaj edhe ky pohim vjen e përqëndrohet tek ai q’e mban përgjegjësin’e mizorísë ushtruar ndaj gjuhës sonë amtare me pohimin më se madhor :

Kësisoj meritat e diktatorit për “njësimin e gjuhës shqipe” janë pak a shumë si meritat e vrasësit që e përcjell te kirurgu viktimën e tij në hjekë ... ! 

Me këto mbresa si edhe respekt për veprën e lexuar u ndava nga ajo analizë e cila përcillte një mesazh sa të qënësíshëm por edhe po aq të drejtpeshuar :  Ishte thirrja e një gjuhëtari i cili mëton të korrigjohet e kaluara, aspak shkencore po krejt politike, pikërisht që të rivendoset e vërteta shkencore që t’i paraprihet e të ndalohet një katastrof’ e ardhëshme krejtësisht e mundëshme politike.  

Në qoftë se përgjatë leximit të studimit me titull “Gjuha Shqipe në Bunker!?” e detyroja veten të isha i pa paragjykuar ndaj autorit, kur erdhi puna e fillova t’a shfletoja veprën madhore të gjuhëtarit Mehmet Elezi “Fjalor i Gjuhës Shqipe”, jo që nuk e kisha më të vështirë të isha i paanshëm në gjykim por ... e ftoja veten të isha i matur e të mos rrëmbehesha nga entuziazmi i tepruar duke e ... mbivlerësuar veprën e tij.  Mirëpo para fakteve nuk vlejnë argumentet, thotë fjala e urt’ e lashtë.  I hedh një sy faqes shpjeguese të hartuesve të “Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe”, (FGJSSH), botim i vitit 1980 i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të Akademisë së Shkencave, dhe shikon se janë 14, (e theksoj katërmbëdhjetë), hartuesit e atij fjalori të cilët kanë punuar së paku që nga viti 1972, vit kur u morën vendimet e Kongresit Drejtshkrimit, (por në fakt një punë mbi njëzetvjeçare), derisa u botua puna e tyre më 1980.  Kurse për hartimin e “Fjalor i Gjuhës Shqipe”, (FGJSH), edhe Mehmet Elezi punoi po tetë vite me radhë, por ... i vetëm !  Ndokush mund të mendojë se mbase nuk i kemi në emrues të përbashkët të dhënat lidhur me vëllimin e përballuar prej përpiluesve të ndërsjellë. E drejtë, do t’i përgjigjesha unë.   Peshorja anon nga hartuesi i vetmuar, nga Robinson Cruzó-i në mes të Tiranës.  FGJSSH në faqen e parë, pohon faktin se në të trajtohen rreth 41000 fjalë. Kjo e gjitha.   Kurse tek faqja e parë e FGJSH pohohet se trajtohen : 

• rreth 41000 fjalë që nuk gjinden në FGJSSH, me shtjellime etimologjike;

• rreth 54000 kuptime;

• rreth 5300 shprehje frazeologjike;

Ilustrohen me fjal’edhe shprehje :

• nga veprat e mbi 40 autorëve, që nga Gj.Fishta deri te A.Pashku e I.Kadare;

  nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, Visaret e Kombit e thesare popullore të tjera; 

Ilustrohen gjithashtu :

  me rreth 5000 fjalë të urta;

  me rreth 1000 gjëza, doke, urime, mallkime, paragjykime, bestytní, yshtje, lojë fjalësh, etj. 

E ndjeva nevojën t’ia bëja të ditur lexuesit këto krahasime vetëm me vetëm që të arrihet në një përfundim paradoksal :  krahasimi mes prodhueshmërisë së të punësuarve nga shteti komunist, pa shtysë patriotike dhe thjeshtë rrogëmarrës, ndaj një kolegu të tyre i cili, i pashpërblyer për punën që bën dhe i prirë vetëm nga dhimbja që i kanë shkaktuar vendimet partiake të kongresit t’ashtuquajtur shkencor të 72-shit si edhe i prirur nga ndjenja e tij kombëtare, arrin dhe bën të ... pabërën !   Mund t’i a hyjnë punës me dhjetra analistë e të paraqesin dobësitë, mangësitë, pathemelínë, prirjet partiake komuniste etj. etj. të Kongresit Drejtshkrimit të vitit 1972 si edhe të standardid gjuhësor, pjell’e atij kongresi, dhe puna e tyre do të jetë si një pikë uji mes detit e krahasuar me FGJSH të hartuar nga stujuesi Mehmet Elezi.  Ky fjalor materializon se gjuhës shqipe, nga kongresi që diktoi standardin gjuhësor, nuk i u cungua një e folme (ajo gege), por i u hoq gjysma e leksikut, pra gjysma e fjalorit të saj ! 

 Mbasi i u rrëfeva lexuesit lidhur me ndjenjat e mia të para kundërthënëse kur fillova t’a lexoja studimin e parë të studjuesit Mehmet Elezi, krahasuar ato me të dytat, diametralisht në kahje të kundërt me të parat, ku ndjenja e përgjegjësisë për të qen’i drejtpeshuar dhe aspak krahmbajtës i u nënështrua dy trysnive dukshëm të kundërta, e them sinqerisht se tashti analiza e studimit “Gjuha Shqipe me një mushkëri” e ndjej se do të shtjellohet shumë më kollaj dhe ecja krah për krah me lexuesin do të jetë shumë m’e kollajtë se sa trajtimi i paragrafit emërtuar më lart NË VËND TË HYRJES.

Shtysa e ime është të mundohem t’i a tërheq edhe t’i a përqëndroj vëmëndjen lexuesit rreth momenteve kyçe të kësaj vepre të cilëve, sipas meje, u duhet hedhur drita që u përket.   Pastaj në vazhdim, vetë lexuesi t’a gjykojë veprën. 

Autori, si me një vijë ndarëse (demarkacioni) të përcaktuar tejet rigorozisht, veçon dukurínë se si, jo vetëm gjuhëtarët e “mallkuar” nga lufta e kllasave u mbajtën larg sallës Kongresit Drejtshkrimit të vitit 1972, por edhe ata që ishin në sallë e që kishin vlera shkencore ... praktikisht mungonin derisa nuk i shprehnin dot bindjet e tyre shkencore me zë të lartë.  Po pjesëmarrësit nga vise shqiptare të shkelura dhe përfshira nga ish Jugosllavia si vepruan, pyet në mënyrë retorike autori, ç’qëndrim mbajtën ?  Edhe përgjigjen e jep po vet’ai duke u shprehur shumë qart’edhe shkoqur se ata vepruan jo si shkencëtarë dhe ekspertë por si vizionarë atdhedashës të cilët deshën t’ia ndalojnë turrin strategjisë së ndarjes së shqiptarëve në dy “kombe”.  Kësisoji del e qartë se jo vetëm gjysma e ajkës së gjuhëtarëve shqiptarë nuk e tha fjalën e saj, por edhe gjysma tjetër u detyrua të heshtë !   E pra kujt i u besua përgatitja e vetë t’ashququajturit kongres si edhe organizimi i tij ?   Ësht’e qartë, levave të partisë q’i shpunë në vënd udhëzimet e diktatorit në fushën e gjuhës këtë herë, (e jo në të nxjerrjes naftës apo të vlerave të majdanozit, herë tjera). 

Do të zgjerohem disi, lidhur me nënvizimin që i bën autori rëndësisë që merr në kushtet e t’ashtuquajturit globalizëm ruajtja e gjuhës si edhe traditat e popujve ku, popujt e vegjël, kanë shumë se ç’të humbasin.  Studjuesi gjuhëtar Mehmet Elezi nënvizon se jo vetëm vendimet e marra si edhe standardi gjuhësor të dalë nga Kongresi i vitit 1972 duhen rishikuar, por duhet këmbëngulur në pasurimin leksikor të standardit nisur nga pozita si edhe metoda thjeshtë pragmatike që t’i shërbejnë gjuhës sonë dhe thekson se “... Ne marrim peshën e duhur në Europë vetëm duke hyrë si shqiptarë e duke mbetur shqiptarë duke i dhënë diçka Europës nga vlerat tona e duke u pasuruar me vlerat e saj.”  Bile në vazhdim studjuesi thekson me një vizion shumë largpamës se, po nuk u hap rruga drejtë një reforme gjuhësore, shkohet pashmangshmërisht drejtë një anarkije gjuhësore. Doemos mbështetur në këto themele, nuk kam se si t’u shmangem shëmbujve vijues :  Si Italia e gjithashtu edhe Gjermania edhe Franca, kanë marrë edhe janë duke marrë në vazhdim masa të guximëshme për t’i u përgjigjur kushteve që dikton globalizmi, ndonëse ata nuk i kërcënon aspak asimilimi potencial.  E theksoj këtë moment sepse tek ne, farkëtuesit e Kongresit Drejtshkrimit të 1972-së, edhe sot i ngulin këmbët e para se vendimet e atij kongresi kanë qenë sa shkencore e po aq të mirëfillta dhe duhet të ruhen me fanatizëm edhe në vazhdim.  U hedhim një sy tashti ç’bëjnë të tjerët.  Gjuhëtari italian Tullio di Mauro, në veprën e tij Historia Gjuhësore e Italisë Bashkuar (e vitit 1963), thekson se në periudhën historike kur u krye Bashkimi i Italisë, vetëm 2,5 % e banorëve të Italisë mund të konsideroheshin si “italofonë”.  Mirëpo për t’i mbrojtur fitoret e arritura e për t’u qëndruar tufaneve të ardhëshme, në vitin 1987 gjuhëtari italian Gaetano Berruto propozon, nëpërmjet studimit të tij botuar si vëllim më vete “Sociogjuhësija e Italishtes së Sotme”, që të hartohet një neostandard  me të cilin të emërtohet gjuha italiane e folur realisht në gjithë Italinë.  E nuk mjafton kjo, por në vitin 2005 gjuhëtari Mirko Tavoni e thellon edhe më tej problemin dhe propozon që në neostandard të përfshihet edhe gjuha e shkruar e gazetave, kurse të emërtohet substandard gjuha e folur. 

Po gjuhëtari Mehmet Elezi çfarë propozon ?  Ai thërret të qëmtohen, gjurmohen, grumbullohen e të radhiten në leksikun shqip gjithë fjalët e lëna nga standardi t’i përfshijë harresa, sepse fond i përdorur nga intelektualë klerikë ose laikë kundrakomunistë, pavarësisht se ai fond përdoret në mbi gjysmën apo tri të katërtat e trojeve etnike shqiptare ! Por, nga ana tjetër ai paralajmëron edhe se po nuk i u mbyllën dyert gjithfarë vërshimeve nga gjuhët e huaja që po i përmbytin lajmet, politikën si edhe botimet tona, do të vij’e të materializohet parashikimi vizionar i At Gjergj Fishtës, (i mohuari i madh nga diktatura komuniste), i cili bënte thirrje : “Mos të harrojmë se m’e bjerrë gjûhën don me thânë m’e bjerrë kombësinë edhe pamvarsinë!  

  Me këtë rast nuk kam se si mos t’i a kujtoj lexuesit se si dokumenti i par’e më i lasht’i shkruar i gjuhës shqipe, nga Konica konsiderohej fillimisht fjalori i Frangut të Bardhë i titulluar Dictionarium Latino-Epiroticum i vitit 1635.  Në vazhdim Konica e korrigjoi veten dhe zbulon se datohet më 1462 Formula e Pagëzimit e Palë Engjëllit.  Vazhdon studjuesi N.Borgia e pohon se në Bibliotekën Ambrosiana në Grottaferrata ndodhet një dorëshkrim i Testamentit të Ri i shkruar shqip sipas tij mbi gjysëm shekulli para Formulës Pagëzimit.  E kur shikojmë se si dominikani Brocardus i raporton Mbretit të Francës se ... shqiptarët e veriut përdorin ndër libra një gjuhë të ndryshme nga e latinëve por shkruar me alfabet latin ... si t’a nëpërkëmbim, nisur nga parime ideologjiko-politike, thesarin e madh gjuhësor që na e ka lënë trashëgimí e kaluara ? 

Këtë informacion krejtësisht përmbledhtas nuk kam se si mos t’a lidh edhe me pozicionime shkencëtarësh të ndryshëm të fushës së gjuhësísë të cilët pohojnë se si gjuha shqipe e sotme, si bartëse e trashëgimísë së gjuhës pellazge, është çelësi magjik i interpretimit të gjuhës etruske e gjithashtu edhe i greqishtes së lashtë.  E përgjatë këtij konteksti nuk i shmangem dot të mos e ze në gojë  autorin grek N.P.Elefteriadhis i cili, në veprën e tij Greqia Pellazgjike Para-Helene, (Athinë, viti 1931) në faqen 132, pohon : “... Pellazgët përbënin një -Botë të Madhe Pellazgjike- prej së cilës qytetërimi grek, zhvilluar në një periudhë shumë të mëvonëshme, është një karakteristikë e asaj bote origjinale dhe të ndriçuar ...” dhe në faqen 133 vazhdon e thotë :  “... Prandaj, edhe gjuha greke u formua në strukturën e saj përmbajtëse, nga gjuha shumë e pasur Pellazgjike ...”.

E pashë të arësyeshme t’ia paraqisja sa sipër lexuesit, për t’u hedhur dritën e merituar, dy pohimeve madhore të gjuhëtarit Mehmet Elezi i cili nga njera anë thekson : “... Është  koha me i hedhë ideologjitë zvetënuese të diktuara nga politikat e mbrapshta.  Gjuha nuk është pronë e asnjë ideologjie, e asnjë qeverie a force politike, e asnjë sistemi politik e asnjë brezi të veçantë; ajo është pronë e krejt shqiptarëve të të gjithë brezave...” e nga ana tjetër thekson se “... edhe ne i kemi mundësitë t’i japim Europës dishka nga vlerat tona.” 

E vetmja gjë që më mbetet mua të shtoj është të nënvizoj se sa të trishta kanë qenë pasojat e asaj politike egoiste dhe narciziste të diktatorit i cili, përgjatë sundimit të tij, i detyroi shkencat gjuhësore edhe historike të mohonin ç’ishte e mundur nga trashëgimía e kaluar duke i a nënështruar shkencat ideologjisë komuniste ! 

Në vazhdim nuk mundem t’i shmangem, ndonëse fare shkurt, njerit prej momenteve kyçe të pozicionimit të gjuhëtarit veprën e të cilit po e marrim në shqyrtim.  Në pamje të parë, si edhe nga disa diskutime që kam patur rastin t’i ndjek personalisht e të marr edhe pjesë në ta, hidhet mendimi sikur Z. Mehmet Elezi priret nga dëshira e tij për t’ia vënë kazmën vendimeve si edhe standardit të vendosur nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 dhe mëton t’i zëvëndësojë ata me një standard gegë.  Jo.  E kam çfaqur mendimin tim e tashti po e bëj edhe publik.  Gjuhëtari Mehmet Elezi e ka thën’edhe nënvizuar se po të kishte qenë ndërtuar një standard gjuhësor i mbështetur thjeshtë në të folmen gege e duke e përjashtuar në masën mbi 80 % leksikun toskë, (anasjelltas nga si veproi Kongresi i vitit 1972), ai prerazi do të kishte qenë sërishmi kundërshtar i flakt’i asaj përzgjedhjeje !   Me një drejtpeshim si edhe largpamje të skajëshme ai pohon : “... E keqja nuk qëndron te baza dialektore që u zgjodh për standardin.  E keqja qëndron te mohimi e shkatërrimi i të gjitha arritjeve të mëparëshme e gjithashtu edhe te ngrehina gjuhësore e betontë, e ngushtë, e njëanëshme e përjashtuese, që u ngrit mbi këtë bazë dialektore.”   E të gjitha arsyetimet e veta autori i përmbledh tejet bindshëm me pohimin madhor :  “... Duhen hapur rregullat e 72-shit me një filozofi të re, jo përjashtuese, orwelliane, po gjithpërfshirëse.  Synimi ?  Me e çlirue gjuhën shqipe nga pneumotoraksi i dhunshëm i një epoke të dhunëshme; me marrë frymë gjuha shqipe me kapacitetin e plotë të dy mushkërive të saj e jo vetëm me kapacitetin e njerës mushkëri.”  Me pak fjalë mesazhi që marrim na përcjell një të vërtetë të madhe se si Kongresi i vitit 1972 e la Gjuhën Shqipe me proteza :  a i thua këmbëprerë në tokë; krahëprerë përgjatë notimit në ujë; apo me pneumotoraks sa i takon frymëmarrjes, gjymtimi i saj nuk mohohet dot !   Në mënyrë figurative do të thoja se kishte me qenë sikur të vinin të vallëzonte në baletin Arrëthyesi një kërcimtar me proteza në vënd të këmbëve.  Çdo kish bërë Chaikovski sikur t’a kish parë ?  Do të kishte vrarë veten ! 

Sa i takon përjashtimit nga standarti, autori trajton edhe problemin e mënyrës paskajore, si e dënuara me vdekje nga kongresi, duke e sintetizuar pohimin si vijon : “...Asgjësimi i paskajores do të thotë asgjësim i vetísë më të lartë abstraguese gramatikore të gjuhës ...”.  Në ilustrim të pohimit mësipërm do t’i referohem një gjuhëtari edhe letrari bashkëkombas, të përbaltur dhe të lënë në harresë nga diktatura.  Profesor Isuf Luzaj,  i diplomuar në Sorbonën e Parisit në gjuhë e letërsi, i shquar në fushën e tij dhe i vlerësuar nga universitete të ndryshëme ku ka mbajtur leksjone me tituj akademikë, sa i takon mënyrës paskajore shprehet, siç e kam kopjuar integralisht nga një shkrim i tij : “...  Punë e madhe është me krijue gjëra të reja e vepra të panjohura prej mendjes së njeriut. Pas mendimit tim modest, mëndja më fisnike e njeriut është me njoftë, me shkue në thellësi të problemeve; me shtrue e me zgjidhë probleme, me kërkue me kureshtje të etuar misteret e natyrës, me zbulue sekretet e natyrës e gjithnjë me njoftë, me njoftë e me njoftë.  Përgjatë këtyre katër radhëve e gjysëm, profesor Luzaj e ka përdorur dhjetë herë mënyrën paskajore të foljeve !  E pra duhet theksuar se ai qé shqiptar jugor, nga Kanina e Vlorës, por ngjizja e toskërishtes së tij me paskajoren e gegërishtes ishte krejt e natyrëshme !  Përgjatë kësaj hullíje nuk kam si mos t’a theksoj se edhe jugori tjetër, akoma më jugor se profesor Luzaj, autori i “GRAMATIKA DHE SINDAKSA E GJUHËS SHQIPE” (për shkolla të mesme), Ilia Dilo Sheperi, e trajton paskajoren e Gjuhës Shqipe si edhe profesor Luzaj.  Ndërsa, i mbështetur fort në parimet e fonologjísë, ai mëton të njësohen toskërishtja me gegërishten. 

Një tjetër problem i cili ngrihet me forcë përgjatë studimit të gjuhëtarit Mehmet Elezi ësht’edhe paradoksi flagrant se si trajtohet të mësuarët e Gjuhës Shqipe në shkollat tona.  Nxënësi shqiptar, me t’a lënë pas tetëvjeçaren, i shkëput lidhjet e tija me gjuhën mëmë.  Në programin shkollor ai mund të ketë anglishten, frengjishten, gjermanishten, italishten, apo edhe gjuhën e belzebuve, po jo më të thellohet në gjuhën e tij të bukur.  E si pasojë ç’rrjedh prej këtyre programeve ?  Mjafton të ndiqen fjalimet e qeveritarëve ose politikanëve tanë, fjalime skajshmërisht të varfër sa i takon leksikut shqip e gjithashtu të mbushur me caqe (terma) gjuhësh të huaja !(?)  Pa le ana tjetër e medaljes, ku çdo njeri i cili ësht’i paisur me një diplomë shkolle të lartë, sipas shëmbullit të trashëguar nga koha e diktaturës, cilësohet si intelektual. (?)  Sa i trishtë ky fakt.  Diploma e shkollës lartë, teorikisht vërteton se personi në fjalë është specialist i një fushe.  E lemë më një anë gjykimin se sa specialistë janë inxhinieri, mjeku apo ekonomisti në fushat e tyre të veçanta (në mesatare kombëtare), por të merret e të lexohet një raport i hartuar prej tyre në shqip dhe ... del në pah se sa intelektualë janë ata.   E gjuhëtari Mehmet Elezi shtron pyetjen aspak retorike por tejet të themeltë : “... si mund të jesh i qytetëruar duke e folur ose shkruar gjuhën tënde rrakazhdak ?  ... a ka institucione shoqëria, a ka shtet që përkujdeset për vlerat themelore kombëtare, siç është Gjuha Shqipe e moçme dhe e pasur, kyç për zbërthimin e shumë dukurive edhe në gjuhë të tjera ?” 

Autori i vëllimit “Gjuha Shqipe me një Mushkëri”, gjuhëtari Mehmet Elezi, pohon me të madhe se gjuhëtarë të shquar si Patër Gjergj Fishta, Aleksandër Xhuvani, Sali Nivica, Hafëz Ali Korça e të tjerë, të zgjedhur në Komisinë Letrare të Shkodrës, që në vitin 1916 e patën shestuar standardin e Gjuhës Shqipe.  Bile edhe albanologë të shquar europianë si Maximilian Lambertz-i edhe Rajko Nachtigal-i  e patën mbështetur standardin e bazuar në gjuhën e qytetit Elbasanit.  Kjo e folme ishte zgjedhur tamam si një urë ndërlidhëse mes së folmes gege që përdorej nga 2/3-tat e popullatës shqipfolëse si edhe asaj toske.  Ky standard i Komisisë Letrare të Shkodrës arriti t’a çajë rrugën e tij përgjatë viteve.  Por ligjërimin zyrtar këtij standardi i a dha vendimi i Kryesisë Institutit Studimeve Shqiptare, (anëtarë të të cilit ishin si Mustafa Kruja gjithashtu edhe Xhevat Korça), të cilët duke qenë caktuar përkatësisht kryeministër i pari, (duke i a lënë postin e kryetarit të Institutit profesor Ernest Koliqit),  dhe ministër i Arësimit i dyti, me shkresën nr. 61 të datës 20 Shkurt 1942 të ministrisë Arësimit, urdhëroheshin të  gjithë shkollat e mesme të Shqipërisë që Gjuha Shqipe të studjohej sipas standardit përzgjedhur dhe tekste zyrtare do të ishin Gramatika si edhe Sintaksa e Atë Justin Rrotës !   

Një vit e gjysëm e pati jetën qeveria Kruja.  Të panumurta ishin problemet me të cilat ajo u përballua për vetë periudhën kritike kur ajo e drejtoi shtetin.  Por ama dy anëtarët e kryesisë Institutit Studimeve Shqiptare  nuk kishin se si mos t’a linin gjurmën e tyre si shkencëtarë, përgjatë shtegut përshkuar prej qeverisë tyre. Kjo e vërteta historike e dokumentuar. Dhe unë shtroj pyetjen aspak retorike :  A kemi shëmbuj të krahasueshëm me drejtuesit bashkëkohorë të Shtetit Shqiptar ?.

Përgjatë kësaj hullije gjuhëtari Mehmet Elezi, tek e mbron parimin e ringritjes së gjuhës në vënd të përmbysjes, pohon me trishtim se : “...Për pesëdhjetë vjet është pohuar se “për herë të parë” gjuha shqipe u bë me standard vetëm pas Luftës së Dytë Botërore ...”. Ç’mashtrim i skajshëm !  A ka komb tjetër që vlerat e tija t’i ketë shqelmuar siç bëri diktatura komuniste në Shqipëri ?  Dhe autori shton, duke i hedhur dritë pozicionimit partiak të Kongresit Drejtshkrimit, “... Ai të le shijen e kohëve kur thuhej E di partia, partia nuk gabon.”   Me po këtë pozicionim të prerë ai godet ashpër edhe shkencëtarët laramanë të sotëm të cilët, duke dashur gjoja të mbajnë qëndrim të ndryshëm nga ithtarët e Kongresit Drejtshkrimit të 72-së, hedhin tezën e ligjësimit të dy standarteve, atij toskë, (pjellë dështake e Kongresit komunist të vitit 1972), si edhe atij gegë !  Kush e mbështet këtë ligjësim gjoja liberal, tamam që çon ujë në mullirin e farkëtuesve më të egër të teorisë ndarjes shqiptarëve në jugorë, të Shqipërisë Mesme, veriorë, kosovarë, banues të Maqedonisë, etj.etj. përralla me mbret ! Ka edhe nga ata pseudogjuhëtarë të tjerë, edhe këta pa vepra, siç i quan Mehmet Elezi, që flasin për një shartim eventual të shqipes, të cilët ai i godet ashpër, njësoj si ata të cilët pretendojnë se e folmja gege nuk pajtohet me atë toske.  Dy gjuhë të huaja mund të shartohen por jo e njejta gjuhë !  Kjo kurrën e kurrës nuk duhet të bëhet !  Të përpjekurit në këtë drejtim, teknikisht do të qé një pradoks, e qartë kjo si drita e diellit.  Kurse shikuar me syrin kombëtar, nuk dij se si mund të emërtohej ndryshe veçse si një krim ndaj kombit !

Autori pozicionohet qart’edhe shquar edhe rreth mbledhjes solemne të organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë së bashku me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Prishtinës si edhe Universitetin e Tiranës, me rastin e përkujtimit të 30-vjetorit Kongresit të vitit 1972.  Nisur nga fakti se ajo mbledhje nuk kish aspak karakter shkencor dhe orientues ndaj shtetit për vendim-marrje, por përfundoi me thirrje drejtuar vetëm opinionit publik dhe mungoi themelorja që duhej të ishte një thirrje e njëzëshme drejtuar qeverisë që Gjuha Shqipe të futej urgjentisht në programet jo vetëm të të gjitha shkollave të mesme por edhe të larta të Republikës Shqipërisë, mua më bën të mendoj :  ç’tubim shkencor ishte ai ?  Tubim veteranësh të luftës që mendojnë me vete ... ne u bëmë sekretarë të parë rrethesh si edhe ministra e kurrë nuk e ndiem nevojën e njohjes gjuhës sonë “me shkencë” e punët na shkuan më mbarë se sa sot ... !   Doemos arritja në këtë përfundim nuk ka se si të mos më trishtojë pafund.  Mirëpo, kur logjika e merr përparësinë duke i fashitur ndjenjat, gjykimi i ftohtë më detyron t’i them unë tani vetes time :  ... e ç’pret nga Akademia e jonë ?  E harrove ti apo nuk qé po kjo Akademi e cila në tetorin e vitit 1998 botoi “Platformë për zgjidhjen e çeshtjes kombëtare shqiptare ku, sipas asaj platforme, duhej që Kosova të merrte statusin e një Republike me kryeqytet Beogradin !(???)  A mendon lexuesi se duhet folur më gjatë lidhur me këto qëndrime të instancave drejtuese të shkencës shqiptare për t’a nxjerrë akoma më në pah se ç’fatkeqësí përjetoi kombi ynë qëkurse nga mesi i shekullit të kaluar dora dorës e sa vinte shkenca e mirëfilltë tkurrej e politika komuniste e frynte pseudoshkencën artificialisht ?  Megjithatë, kush t’a marr’e t’a lexojë veprën e gjuhëtarit Mehmet Elezi, do të gjejë fakte si edhe zbërthime aq të bollëshme si edhe bindëse, sa që do t’i zbehet deri në zhdukje qoft’edhe një pikë dyshimi që akoma mund të ngrejë krye në nënvetëdijen e tij. 

DY PARALELIZMA NDËRMJET NJË MISTIKU DHE NJË GJUHËTARI  -  Lexuesi të ma falë një farë deviacioni të rastësishëm nga tema.  (I kërkova falje lexuesit për këtë deviacion por ke parë që po detyrohem të devijoj akoma më thekshëm për hir të ... drejtshkrimit normuar).  E hap FGJSSH (botim i vitit 1980) në faqen 319 dhe gjej shpjegimin :

DEVIACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET. “Shmangie nga parimet e marksizëm-leninizmit, largim nga vija e përgjithëshme politike e një partie marksiste-leniniste; grup anëtarësh në gjirin e një partie marksiste-leniniste që shmangen nga vija e përgjithëshme e kësaj partie dhe synojnë të bëhen një rrymë më vete.  Deviacion i djathtë (i majtë).  Deviacion oportunist (anarkist, socialdemokrat).  Lufta kundër deviacioneve.”    

I betohem lexuesit se as që e kisha ndërmënd marksizëm-leninizmin kur e përdora këtë term.  Por me që desha mos të përdor fjalë të huaj, natyrshëm i u drejtova FGJSSH.  E kuptueshme se fjalori ma pështjelloi akoma më shumë mëndjen time, siç u a pështjellon të tër’atyre nxënësve që vazhdojn’e u mësohen rregullat e Kongresit të vitit 1972.  Nga ana tjetër, ai përkufizim i hedh dritë akoma më të ndritëshme (por jo verbuese) thirrjes tejet të ngutëshme të gjuhëtarit Mehmet Elezi lidhur me domosdoshmërin’e marrjes masave skajshëm urgjente shkencore për rishikimin e vendimeve si edhe standardit të Kongresit Drejtshkrimit të vitit 1972, me pikësynim parimin e ringritjes dhe jo të përmbysjes ! 

Në se qëndron tashti shmangia nga tema si edhe paralelizmat që dua të trajtoj ?  Nisur nga dëshira të jem sa më i paanshëm, dua të krahasoj këndvështrimet  etike të dy shkencëtarëve, njeri i fushës studimeve filozofike të mbinjerëzores e tjetri krejtësisht i shmangur asaj.

I kam si tashti parasysh dy pohimet madhore, të Atij që tashmë e ka fituar autoritetin të quhet  mendimtari i madh i Mistikës  Bektashjane  bashkëkohore, Hirësisë Tij Baba Rexheb-it. Këta pohime  pasqyrojnë dy prej shtyllave mbajtëse të mendimit mistik të Tij :

a- Dhuna e ushtruar mbi besimtarët monoteistë, (besues në një dhe të njëjtin Zot të vetëm), për t’i diferencuar në grupime besimesh të caktuara fetare të ndryshëme, nuk pasqyron gjë tjetër veçse përçarje brënda së njejtës kategori, për të vendosur në krye sundimtarë të etur për pushtet !  

Në vazhdim, Hirësia e Tij Baba Rexhebi e trajtonte fenomenin e narcizizmit, (dashurimin me vetveten, të cilin Ai e quante baza e  gjithë të këqijave të kësaj bote M.K. - sepse shpjegimi mungon tek FGJSSH), i cili në themelin e tij ka :

b- Egoizmin, (vetqendërzimin), dukuri e theksuar e cila ka mbruajtur e u ka dhënë shtat përgjatë shekujve tiranëve si dhe diktatorëve e më pas të gjith’atyre fatkëqinjëve që nuk dijnë të duan  njeri tjetër veç vetes tyre, pa le pastaj të sakrifikojnë për tjetrin ! Pa e luftuar dhe zhdukur egoizmin i cili u a zë sytë njerëzve, nuk kanë si të mbisundojnë dashuría si edhe mirësía e ndërsjellë. 

Së rishmi i kërkoj falje lexuesit të nderuar por, që të kuptohet drejtë si edhe në të gjithë thellësin’e tij mesazhi që na jep Hirësia e Tij Baba Rexhebi dhe lexuesi mos të ndikohet nga saktësime karakteri ideologjiko-politik, jam i detyruar të nënvizoj se në FGJSSH, kuptimi i termit egoizëm jepet konkretisht në faqen 416 (botim i vitit 1980) :

EGOIZËM, ~ MI  m.  Tipar borgjez a mikroborgjez i një njeriu që mendon vetëm për vete, që do vetëm vetveten e nuk shqetësohet për të tjerët, që vë interesat vetjake mbi interesat e shoqërisë.  Egoizëm borgjez (mikroborgjez).   Natyrshëm në mëndjen time lind pyetja :  A mundet ky fjalor të edukojë brezat e rinj me mentalitet shkencor e jo diskriminues ?

Ja tashti edhe paralelizmat për të cilat folëm më lart.  Cili mesazhi i Hirësisë  Tij Baba Rexheb-it nëpërmjet pohimit të parë ?  E gjithë kategoria e besimtarëve monoteistë, nuk kanë përse t’u nënështrohen dasíve fetare duke u grumbulluar në grupe besimtare, qofshin ato hebreje, katolike, muslimane, ortodokse, etj.etj., (pa le pastaj nënëndarjet hebreje në ortodoksë hebraikë, hebrenj të reformuar, hebrenj konservatorë apo hebrenj rindërtues; ato katoliket në luteranë, kalvinistë, zwinghanistë, (në ShBA ka 168 sekte të krishterë); ose muslimanët në bektashinj, halvetinj, rrufainj, etj.etj.).  Hirësia e Tij Baba Rexhebi të gjithë monoteistët e mbarë botës i donte dhe i shikonte të bashkuar, jashtë ndikimeve përçarëse të të eturve për pushtet ! 

Unë e ftoj tashti lexuesin të përqëndrohemi sa i takon fushës diskutimit shumë më të ngushtë, e të gjykojmë këndvështrimin si edhe thirrjen që drejton gjuhëtari Mehmet Elezi sa i takon Gjuhës Shqipe. Cila thirrja madhore të cilën na e përcjell gjuhëtari ?  Ai e konkretizon atë si vijon:  “SHËNDOSHJA E MBROJTJA E GJUHËS SHQIPE MUND TË BËHEN ME MASA TË PREKËSHME ENERGJIKE  VETËM  PREJ MENDJESH QË  MENDOJNË  SHQIP E PREJ  ZEMRASH  QË RRAHIN SHQIP”.   

Ky parimi themelor, parimi bazë. E unë tashti ndërhyj duke i hedhur dritë pikërisht krahasimit me njerën prej shtyllave mbajtëse të mistikës Hirësisë Tij Baba Rexheb-it.  Në qoftë se ky i mendon monoteistët të bashkuar, në vështrimin e gjerë të fjalës dhe në shkallë botërore, a nuk është në vështrimin atdhetar praktik dhe mundësisë reale, krejt’e zbatueshme thirrja e gjuhëtarit të cilin po e analizojmë ?  A nuk e thekson gjuhëtari Mehmet Elezi në veprën e tij se “... duhen të përpunohen e të hartohen shkencërisht rregulla e masa që mbyllin disa dyer të shqyera e çelin disa dyer të mbyllura ... Duhen hapur dyert që shqipja standarde të përthithë në bazë rregullash shkencore të gjitha vlerat e saj qenësore e jo vetëm disa.  Të jetë e mirëseardhur çdo fjalë, idiomë a dukuri gramatikore që i përket gjuhës shqipe e që është e mirë dhe e mundshme me u përdorë, duke e pasuruar gjuhën, duke i a rritur fuqinë shprehëse.” 

Duke e zbatuar këtë parim korrigjohet një e kaluar e dhunëshme sa edhe e dhimbëshme për sa e si u trajtua Gjuha Shqipe nën diktatin e tiranit dhe zbatuar nga shkencëtarët pa vepra, (si i karakterizon autori i vëllimit që po marrim në kundrim). 

Shqyrtojmë tashti paralelizmin me mesazhin që na vjen nga Hirësija e Tij Baba Rexheb-i nëpërmjet pohimit të dytë, rreth egoizmit !   Edhe nën këtë dritë, gjuhëtari Mehmet Elezi na jep një shëmbull madhor të një studjuesi i cili, pavarësisht se as e ka njohur por aq më pak e ka pasë studjuar mistikën e Hirësisë Tij Baba Rexheb-it por, nuk ndalon së përmënduri autorë, (të nëpërkëmbur ose të detyruar të heshtnin nga sistemi diktatorial), si edhe vepra të mbajtura qëllimisht në hije !   E duhet nënvizuar edhe theksuar se të gjithë këta autorë si edhe veprat e tyre janë potencialisht garues që, në mos tjetër sadopak, munden t’ia zbehin vlerat veprës madhore të gjuhëtarit Mehmet Elezi, FJALORI I GJUHËS SHQIPE !  Mirëpo autori në fjalë e shkel me këmbë egoizmin e tij për hirin madhor të korrigjimit të fajeve të bëra ndaj Gjuhës Shqipe !  Ai e shtron me të madhe pyetjen e themeltë :  KUSH E ZHDUKU FJALORIN E MUSTAFA KRUJËS ?  Dhe vazhdon e pohon “... Mustafa Kruja ka vënd nderi në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe në kujtesën mbarëshqiptare, si autor i të parit fjalor të madh njëgjuhësh të gjuhës shqipe.  Ka një vënd nderi të mohuar për arsye që vetëm interesave kombëtare nuk mund t’u shërbejnë !”  Ose p.sh.gjuhëtari sokëllin :  “FJALORI I  DIZDARIT DHE GJUHA SHQIPE PA DIZDAR !”  (Dizdar – ruajtës kështjelle).  E doemos del nga kuadri i kësaj analize radhitja e të gjithë gjuhëtarëve të nderuar si deri edhe mësuesve të gjuhës shqipe pa asnjë pretendim shkencor, që e kanë dhënë kontributin e tyre me fjalorë të ndryshëm deri edhe sinonimikë, që gjuhëtari Mehmet Elezi i radhit me emra e mbiemra si edhe me tituj veprash të botuara !   Kaq lidhur me dy paralelizmat. 

Ësht’e qartë se me kaq vetëm sa kam mundur t’ia ngacmoj lexuesit të interesuar, vemendjen lidhur me vlerën madhore të veprës “Gjuha Shqipe me një Mushkëri” të gjuhëtarit Mehmet Elezi.  Konsiderata të plota padyshim që do të nxirren duke e studjuar veprën në fjalë e cila paralajmëroj se nuk ka se si vetëm ... të lexohet kalimthi.  Ajo duhet studjuar.  Duhet studjuar dhe duhen nxjerrë përfundime të themelta e doemos edhe të merren masa nga ana e institucioneve përkatëse që të mos lejohet të arrijë puna deri atje sa, siç  thekson edhe sokëllin lidhur me pohimin që vijon autori i veprës :

  TË MERREN MASA URGJENTE SOT QË NESËR MOS JETË VONË E T’I HUMBASIM PAVARËSINË, PA LE GJUHËN !



(Vota: 13 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora