E enjte, 28.03.2024, 02:43 PM (GMT)

Faleminderit

Mustafë Rugova: 11 vjet nga rënia heroike e Dëshmorit të Kombit, Harun Beka

E hene, 12.04.2010, 09:02 PM


11 vjet nga rënia heroike e Dëshmorit të Kombit,

Harun BEKA

(3 qërshor 1951 - 11 prill 1999)

 

Nga mërgimi drejt e në luftë

 

Shkruan: Mustafë RUGOVA

 

Sot u bënë 11 vjet nga rënia heroike e Harun Bekës, mërgimtarit atdhetar që gjithë jetën u përpoq për Lirinë që e gëzojmë sot.

Më kujtohet si tash, nata kur erdhi në Roterdam për të ngushëlluar familjen Morina, pas rënies në Gexhë të Rahavecit, të Dëshmorit të Kombit Muhedin Morina.

Atë gjysmënate, deri në agim e kaluam bashkë me Harunin, mikun tim të shtrenjtë, që shkoi krenar në botën e përtejme.

Ishte i prerë: “Do të shkoj në luftë. Për këtë ditë kam jetuar deri sot… E kam pritur që të vijë ky çast dhe jam i gatshëm të përleshem me pushtuesit serbë…”

E shikoja me vëmendje fytyrën e tij që ndriste nga një vendosmëri e pakthyeshme.

Shkoi në Koshare, aty ku kishte luftë frontale me ushtrinë serbe, dhe u vra në përballje me të, ashtu siç ndodhë me të gjithe idealistët, për të cilët liria nuk ka çmim.

Me Harun Bekën jam njohur në ditët e para të jetës në mërgim, në vitet e kahershme tetëdhjetë. Për herë të parë e kam takuar në Klubin “Emin Duraku” në Dusseldorf të Gjermanisë. Ishte ndër aktivistët e parë dhe më të njohur të kësaj vatre të lirisë. Ishte pjesëmarrës aktiv në të gjitha demonstratat që u mbajtën në Perëndim në mbështetje të kërkesave të rinisë studentore…

Që nga viti 1983 ishte anëtar i Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi dhe njeri që nuk hezitonte të përballet haptas me zagarët e ambasadave jugosllave dhe me politikanët e tredhur kosovarë që vinin në mërgim për të shkatërruar Lëvizjen Kombëtare të Kosovës, e cila rritej e fuçizohej ditë e më tepër…

… Me 1 prill 1984 në Dortmund, kishte shkuar një dërgatë nga Kosova, në përbërje te personazheve tashmë të harxhuar kuslingë, për të dënuar demonstratat dhe e kërkesat studentore, që tashmë ishin bërë çështje jetike për Kosovën. Aty kishte mërgimtarë serbë, boshnjakë, kroatë dhe shqiptarë… Ndërkohë që “bashkim – vëllazërimit” i kërcisnin të gjithë vidhat demagogjik…

Fjalim pas fjalimi, nga Batalli e te Mutalipi, rrenë e shpifje politikanësh imoralë dhe revolta e djemëve të Kosovës ishte krejt e pashmangëshme… Ndër të parët Sylë Thaçi, njëri prej kryeaktivistëve shqiptarë në Gjermani dhe Harun Beka, krahu i djathtë i tij:

“Lërini rrentë se nuk po i mbanë as Toka! Kosova do të bëhët Republikë, ju këtë proces mund ta pengoni, por kurrë nuk do të mund ta ndalni… Hapini sytë, sa nuk është bërë vonë…”

Fjalë pas fjale dhe gjendja në sallë elektrizohet në maksimum. Harun Beka i sulmon renegatët dhe ata, të vetëdijshëm se nuk janë në Kosovë, ku kishin prapa udbë e ushtri, por në mërgim përballë djemve të popullit, të gatshëm në çdo akt sakrifice për të mbrojtur çështjen e Kosovës dhe emrin e mirë: SHQIPTAR e lëshojnë sallën, si pula të lagura, pa e pritur i pari të mbramin…

Katër muaj më vonë, në korrik të vitit 1984, konsullata jugosllave organizoi edhe një tubim tjetër të ngjashëm po në Dortmund. Kësaj radhe shfaqnin një film, ku paraqitej se si shqiptarët therrnin një fëmijë serb…

Fyerja ishte e padurueshme dhe reagimi i Harunit me shokë i pashmangshëm: “Ndaleni këtë bërllog, se shqiptarët nuk vrasin fëmijë, por ju jeni ata që po i vrisni fëmijët e tyre…”

Zëvendëskonsulli, një shqipfolës me emrin Shefqet (Rrota - Berisha), i vetëdijshëm se çka pritej, kishte organizuar një grup gorillash për të eliminuar Harun Bekën… Dhe ata e sulmojnë Harunin, djalin që kudo që ishte e nderonte familjen dhe vendlindjen e tij, Gushafcin e Mitrovicës… Nuk kishte shumë zgjidhje, prandaj nxori revolverin dhe ua tregoj kuislingëve erën e barotit. Dhe ata, nga frika nuk patën kohë të dalin për dere, por dolën, për adalet, për penxhere…

Harun Beka, në Klub e gjetkë, ka qenë vendosmërisht në anën e atdhetarëve dhe kundër spiunëve e intrigantëve, kundër argatëve të shërbimeve sekrete që donin ta bëjnë shoshë gjithë Lëvizjen në mërgim, duke goditur sidomos krahun nacionalist të saj, që ishte më i qarti në kërkesa dhe më i vendosuri në veprime…

Për shkak të ndarjeve të thella politike e ideologjike në mërgim, të nxitura nga UDB dhe nga Sigurimi famëkeq i Enver Hoxhës, Harun Beka me shumë shokë të tij tërhiqen nga Lëvizja, dhe veprojnë në kuadër të Komitetit të Kosovës për informimin e Opinionit Botëror.

Erdhën vitet nëntëdhjetë…, gjendja në Kosovë ashpërsohej, dhe lufta shihej gjithnjë e më e pashmangshme.

Harun Beka me shumë të tjerë e dinin këtë dhe një ditë patën fatin dhe nderin të rrjeshtohen në radhët e Brigadës 131 të Ushtrisë çlirimtare te Kosovës, e cila ishte vendosur në kufirin shqiptaro-shqiptar e gatshme për përballjen supreme me Serbinë.

Aty kishte djem nga të gjitha krahinat shqiptare, ku jo pak prej tyre ranë në fushën e nderit.

Në Betejën e përgjakshme të Koshares, krahas Agim Ramadanit, Sali çekut, Harun Bekës ranë për të mos vdekur kurrë Sylejman Shala, Rifat çelaj, Lutfi Musiqi, Rifat Kastrati, Besim Nuka, Tafil Osmani, Hamdi Sheremeti, Abaz Thaçi, Xhemshir Islami dhe shumë të tjerë, të cilëve Kombi Shqiptar u mbetet mirënjohës përjetë.

Atje, ku u derdh gjaku i tyre i shenjtë, atje ku u këput jeta e tyre, aty ku dha shpirt për Komb e për Atdhe, edhe miku ynë i përjetshëm Harun Beka buron dhe do të përcillet brez pas brezi Balada e Lirisë… Ajo kënga e vjetër dhe e re, që në historinë tonë të dhimbshme i ndërrohet personazhi, por kurrë kuptimi e aq më pak mesazhi; sepse në kohë të vështira ajo gjithëmonë kthehet në kushtrim për të gjithë ata që duan t’i mbeten besnikë përjetë Tokës së Shenjtë Arbnore:

Në Koshare, n’prag pranvere

Ushtojnë malet si koshere

N’ato male, pa u shkri bora

Ushtojnë topa e mitraloza

Ndeshen burrat me bajloza…

Harun Beka, Harun Trimi

Më i rëndë vorri, a mërgimi?

Jo, bre vëlla, nuk qenka vorri ;

As këta plumba për krahnori

Por mërgimi njaj kobzi

Që për së gjalli na ka gri

Na ka vjelë e na ka plakë

Tu na djegë me t’mallit flakë!

Tu na lanë pa shpi e votër

Pa familje, vëlla e motër !

Por sot dita na ka ardhë

Me u fliju me faqe t’bardhë!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora