Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Kosova dhe integrimet

| E diele, 11.04.2010, 10:00 PM |


Kosova dhe integrimet

 

Nga Ndue Ukaj

 

Ajo që e thotë  antropologu dhe filozofi Claude Levi-Strauss në referencën e mëposhtme, mendoj se shpjegon shumëçka nga peripecitë dhe “pamundësitë” shqiptare për të konsoliduar rrugëtimet drejt integrimit në Perëndim. Strauss shkruante se: për të krijuar një shoqëri stabile, duhet që njerëzit t’i shtypin dëshirat e tyre dhe të veprojnë sipas rregullave. Nëse e analizojmë gjendjen e përgjithshme të kombit shqiptar, brenda kësaj reference shumëdomethënëse, mund të thuhet se në vendin tonë, vullneti për të ndërtuar rend, apo shoqëri stabile, fashitet keq, para dëshirave të njerëzve, të cilët, thënë troç, s‘duan t’i shtypin dëshirat e tyre egoiste, në të mirë të sendërtimit të aspiratave dhe synimeve të përbashkëta, përkundrazi ato i vënë kurdoherë në ballë. Kjo ndodh sidomos në domenin e politikës, prej ku zënë fill shumë degradime tjera socio-psikologjike.  

 

Për të pasur një rrugëtim më të lehtë dhe më të shpejt drejt integrimit në Perëndim, duhet eliminuar qëndrimet dualistike, të cilat për rrjedhojë, kanë konsekuenca tejet negative në jetën politike e socio-psikologjike.

 

Kjo që thamë vlen sidomos tek vendet në tranzicion, në të cilat lypset organizimi i kaosit të brendshëm dhe transformimi i një gjendje jo stabile, drejt stabilitetit shumëdimensional.

 

Një ndër fjalët më shpesh që përmendet në diskursin përditshëm politikë, të Prishtinës zyrtare, herë me dije e herë pa të, mbase, herë vetëdijshëm e më shumë pa të, mbetet fjala integrime, e cila, çuditërisht është bërë një metaforë komplekse, e cila mban çelësin e ardhmërisë së lumtur shqiptare. Prandaj kjo metaforë është ba komplekse për t’u deshifruar dhe interpretuar, e sidomos për qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në pritje të jetësimit të këtij synimi. Zaten, integrimet nuk janë vetëm pjesë e diskursit politikë. Çka është e vërteta, ato janë bërë pjesë e diskursit të përgjithshëm shoqëror, mbi të cilat synime dhe projektime, frymon shumëçka dhe mbi të cilat, do të thoshim, pa hamendje,  mbështetën dhe janë varur, mijëra shpresa.

 

Zakonisht kur përmenden integrimet, gjithë shqiptarëve dhe grupeve tjera etnike në Kosovë, mendja ju shkon te integrimet europiane, pastaj ato transatlantike. Në të vërtetë, nëse ndjekim këtë filozofi politike në Kosovë, empirikisht, vërejmë se shenjat e para u bashkëartikuluan paralel me kërkesat fundamentale për liri, pavarësi,  demokraci dhe shtet. Pra, qysh kur u artikuluan qartësisht kërkesat e Kosovës për shtet, në fillimvitet e 90-ta, integrimet ishin pjesë e diskursit dhe programit politikë të asaj kohe. Madje, në këtë synim është punuar shumë dhe në shumë dimensione. Në këtë linjë, lideri historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, bëri kthesat më të rëndësishme, më qenësore, duke e perceptuar këtë fenomen, jo vetëm si dimension politikë, por edhe etikë, e më shumë, edhe si dimension kulturor. Prandaj, ai iu dha shpirt, frymë integruese dhe paqësore, angazhimeve të tija gjigante. Kështu konsolidoi vetëdijshëm rrugën më të mirë për integrime, i bindur se "Europa para se të jetë Aleancë ushtarake apo entitet ekonomik, duhet të jetë bashkësi kulturore në kuptimin më të lartë të kësaj fjale"- Robert Schuman. Në synimet e tija etike, politike dhe kulturore, Ibrahim Rugova ndërtoi shenjat e veçanta politike, të cilat atëbotë ndërkomunikonin fuqishëm me qytetërimin perëndimore, jo vetëm në planin politikë, por edhe në atë shpirtëror, duke i vënë kështu shqiptarët (Kosovën) në pozita të barabarta me popujt tjerë që kanë konstituar civilizimin perëndimor. Madje, po t’i bëhej një analizë thelbësore Lëvizjes Rugoviane, mund të konkludohej se këto shenja etiko-kulturore, ishin substrati esencial mbi të cilën u ndërtua e gjithë ajo lëvizje panperëndimore ndër shqiptarë, trashëgimia e së cilës kishte rrënjë të thella në Ilirinë e lashtë, Dardaninë Antike, duke pasur për shembull heroin Gjergj Kastriotin,  shkrimtarin, priftin dhe veprimtarinë Pjetër Bogdanin, dijetarët dhe shkrimtarët e shumtë të Rilindjes dhe viteve të 30-ta, pastaj Nënë Terezën, e shumë figura tjera, me të cilat u identifikuan shenjat dhe kodet etiko-kulturore që konsolidonin dhe përshpejtonin proceset e përgjithshme. Mbi këtë trashëgimi të pasur historike, u sendërtua një korpus i gjerë i angazhimeve integruese, që patën suksese të jashtëzakonshme në atëkohë, me sjelljen e botës perëndimore në Kosovë.

 

Kosova e pavarur, me një prezencë të fuqishme ndërkombëtare dhe me institucione në formim e sipër, vazhdon rrugëtimet drejt perëndimit, mirëpo me çalime të shumta, pjesë e një tranzicioni të stërmundimshëm. Në këtë linjë, bëhen përpjekje të shumëfishta për të unifikuar legjislaturën konform standardeve të kërkuara europiane, punohet për zhvillim ekonomik, sipas parametrave të pranuar, mirëpo, mungon diçka substanciale, mungon shpirti dhe kreativiteti i modelit europian, ai që i paraprinë politikat dhe jo që i ndjek ato. Dhe kjo ndodh, sepse integrimet çalojnë në esencën e tyre, madje shpeshherë kanë edhe shenja dualiste, gjë që konoton specifikisht keq në kontekstin shqiptar. Prandaj e shoh tejet të rëndësishëm, vendimin e qeverisë së Kosovës për të formuar Ministrinë e Integrimeve. Mirëpo, kjo ministri në asnjë formë nuk duhet të ndërtohet ashtu siç është bërë traditë të ndërtohen institucionet tona, me nepotizëm, klane e struktura mediokre. Për të qenë një hallkë e fuqishme që lëvizë motorin e integrimeve, kjo ministri duhet të ofrojë ajkën e qytetarisë, atë që mund të krijojë opinion europian në Kosovë. Kështu i ndihmohet më së shumti Kosovës.  

 

Ajo çfarë tashmë i duhet vendit tonë, kur sfidat janë të shumëfishta, është shmangia e demagogjive politike. Kjo domethënë që të shmangen elozhet për perëndimin dhe të fillojmë të jetojmë si perëndimi, të frymëzohemi nga vlerat e mirëfillta të këtij korpusi të pafund vlerash dhe t’i bëjmë ato pjesë të jetës sonë të përditshme dhe në çdo segment, sepse duke i jetësuar ato, në futemi vetvetiu ne Europë, pa pasur nevojë për retorika dhe politika të mundimshme. Në këtë formë, më së miri,  "Europa bëhet atdheu i vlerave tona të përbashkëta”- siç shkruan Vaclav Havel

 

 Për ta kuptuar se ku janë dallimet dhe të përbashkët e këtij procesi, duhet një vetëdijesim i shumanshëm dhe një zgjim kombëtar. Së pari duhet të ndërtojmë liri personale, e cila sjell demokraci të shëndoshë, rezultatet e së cilës janë institucionet e fuqishme dhe efektet e tyre, mirëqenia shoqërore, që nënkupton sendërtimin e synimeve për integrime.

 

Parimet e punës perëndimore janë solidariteti, liria dhe demokracia, si shtylla që kultivohen nëpërmjet dialogut. Ku nuk ka dialog të hapur, aty ka përmbysje të vlerave demokratike, ka përçudnime kulturor dhe kësisoj degradime të përgjithshme që karakterizohen me situata jo stabile.

 

Prandaj, që të mos vonohemi në histori, siç thoshte Faik Konica, duhet të veprojmë energjikisht në përmirësimin e kësaj gjendje. Në këtë çështje me rëndësi të dorës së parë, Ministria e Integrimeve kishte me ndihmuar shumë.