E enjte, 25.04.2024, 04:51 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Letër e hapur Ramiz Alisë

E enjte, 08.04.2010, 09:59 PM


Letër e hapur Ramiz Alisë

 

Nga Reshat Kripa

 Kryetar i Shoqatës Antikomunste të Përndjekurve Politikë të Tiranës

 

            Lexoj në gazetën “Albania” artikullin që bënë fjalë për kërkimet e Jani Plakut për të gjetur eshtrat e të atit të pushkatuar nga rregjimi diktatorial. Lexoj dhe para syve më dalin mijra të tjerë që nuk kanë një varr ku mund të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule. Mendoj dhe meditoj. Mos vallë këta u shuan për shkaqe natyrore si shumë të tjerë në këtë botë? Përgjigja që më vjen nga të gjitha anët është: “Ata ranë në luftën e gjatë për liri dhe demokraci, për atë liri dhe demokraci që u trumbetua aq gjatë në vitet 90-91.”

            Në refleksion të kësaj përgjigje vazhdoj të meditoj. Ç’bëri ky popull gjatë 46 viteve të sundimit totalitar? Mos ndenji duarkryq duke pritur që liria të zbriste nga qielli një ditë të bukur vere?

            Jo. Ai nuk priti që lirinë t’ua sillnin si dhuratë të tjerët. Ai luftoi për ta fituar atë dhe e pagoi shumë shtrenjtë. Mbi 6.000 të vrarë. Mbi 17.000 të burgosur nga të cilët mbi 1.000 vetë vdiqën në burgjet e tmerrshme. Mbi 22.000 të internuar vetëm në periudhën 1945-1954, nga të cilët gati 9.000 vdiqën nëpër kampet e internimit dhe midis tyre kishte shumë gra dhe fëmijë të pafajshëm. Gati 300 vetë të sëmurë mendorë si pasojë e torturave të tmerrshme. Këto ndodhnin në “Shqipërinë socialiste” që ndërtonte “njeriun e ri”, në Shqipërinë që në atë kohë nuk kishte më shumë se një milion banorë.

            Nuk e di sepse në këto çaste para syve më dalin të dhënat e paraqitura në librin e Zbigniev Brzhezhinskit “Jashtë kontrollit” ku ai tregon numrin e viktimave të pafajshne të ndodhura në shekullin e XX-të. Sipas tij Lufta e Parë Botërore shkaktoi 13 milion viktima, ajo e dyta 35 miljon domethënë të dyja së bashku 48 milion. Ndërsa genocidi komunist 66 milion, shifër që, sipas të dhënave të fundit të Këshillit të Europës, arrin në 100 milion. Mos harroni! Ndërsa viktimat e luftrave botërore u shkaktuan si pasojë e bombardimeve apo aksioneve ushtarake, viktimat e komunizmit u shkaktuan në periudhë paqeje, me gjakftohtësi prej krimineli, vetëm e vetëm pse dikush mendonte ndryshe nga diktatori.

            Vitin e kaluar u zhvillua në Tiranë Kuvendi i XVI-të i Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit. Kryetari i delegacionit Sllovak deklaroi se ne vendin e tij dënimi i fundit me vdekje, për motive politike, ishte dhënë në vitin 1956. Po në Shqipëri? Dënimet me vdekje vazhduan me një egërsi të paparë për të përfunduar në verën e  vitit 1988, me varjen e poetit martir Havzi Nelaj. Kjo ndodhte në një kohë kur komunizmi kishte marrë rrokullimën kudo në botë.

            Ndoshta u zgjata pak si shumë me këtë hyrje, por e bëra qëllimisht. Në të njëjtin numër gazete lexova edhe për “pendesën” që paskish treguar diktatori më i egër i vendeve të lindjes, krimineli i pandëshkuar Ramiz Alia. Në intervistën dhënë BBC-së ai na paskësh deklaruar: “Më vjen keq dhe e konsideroj gabim që ka pasur njerëz që janë bërë viktima të pakujdesisë sonë, të veprimeve tona të ashpra apo gabimeve të institucioneve tona, si policia sekrete. Ka pasur raste të tilla. Më vjen keq për këtë, më vjen absolutisht keq dhe mendoj se për ta duhet të ketë drejtësi.”

            Oh, hipokrizi! Çfarë mendje djallëzore është ajo që shpreh  këto  fjalë? Si  nuk  ke turp? A nuk ishe ti, krahas firmës së lakejve të tu, që nënshkruat vrasjen e Havzi Nelës të përmendur më lart? A nuk ishit ju që thërrisnit në mbledhjen e Byrosë Politike: “Edhe bar do të hamë, edhe gjak do të derdhim!” Këto fjalë i  thonit    një  kohë  kur  dinastia  juaj gjakatare kishte perënduar. Por ju ishit mësuar me gjak. Nuk mund të jetonit pa të.  Jeta  e juaj ishte ndertuar në një pellg gjaku. Dhe ky ishte gjaku i bashkqytetarëve tuaj.

            Ata që e pësuan nga olokausti juaj mizor nuk mund të harrojnë. Nuk mund të pranojnë thëniet tuaja se gjoja paskeni gabuar. Jo, zotëri! Ky nuk është gabim dhe as pakujdesi. Ky është faj, është krim dhe krimi ndëshkohet, ashtu siç u ndëshkua pas Luftës së Dytë Botërore. Fatkeqësia është se në Shqipëri nuk u zhvillua “Nurenbergu” i komunizmit.

            Ndaj heshtni! Qëndroni të mbyllur në kullën tuaj të ngujimit dhe heshtni! Mos luani me ndjenjat tona. Një gjë duhet të keni të qartë. Ndërsa ju jeni përfaqësuesi më i zi i skëterës nëpër të cilën kaloi vendi ynë, ne jemi e ardhmja e këtij vendi. Vitet do të kalojnë. Gjithçka do të ndryshojë. Por, në ndërgjegjen e kombit, në mendjet e njerëzve, që do të vijnë, ti do të mbetesh ashtu siç kanë mbetur paraardhësit e tu, Neroni dhe Hitleri, Stalini dhe Mao Ce duni, një diktator i urryer.

            Ndoshta sot mund të ketë analistë dhe reporterë servilë dhe hipokritë që nuk guxojnë të t’i thonë  në sy krimet e tua, por do të vijë dita që ato të zbardhen dhe njerëzia të mësojë të vërtetën e tyre. Kjo ditë nuk do të jetë e largët.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora