E enjte, 25.04.2024, 03:39 PM (GMT+1)

Editorial

Femi Cakolli: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta”

E hene, 05.04.2010, 07:59 PM


Mesazh i festës së Pashkës

 

 “Unë jam Ringjallja dhe Jeta”

 

Nga Pastor Femi Cakolli

femi_cakolli@yahoo.com  

 

Kuptimi judaik i Pashkës

 

Në thelb të judaizmit Pashka ka kuptimin e kalimit (Ek.12:1-20), pasi edhe vetë fjala hebreje pashcah do të thotë kalim, kursim (Ek12:22-23). Me të kalue ty! Me të kursye ty!

Çka me kalue? Me kalue prej skllavërisë në liri; me kalue prej territ në dritë; me kalue prej disa fiseve në një komb; me kalue prej një shërbëtori në mjeshtër; me e kalue Detin e Kuq (Ek.14:21-22); me e kalue vetëveten; me e kalue shkretëtirën etj.

E çka me të kursye? Me ta kursye jetën! Pra me kalue vdekja kah dera jote, kah fëmijët e tu dhe asnjërin prej jush mos ta gjejë ajo. Me të kursye ty për shkak të dashurisë, për shkak të premtimit hyjnor për shkak që zoti yt mos të jetë dikush nga argjila, druri, guri dhe dhe ari por Më i Lashti i Ditëve nga përjetësia!

Festa e Pashkës ndër hebrenjtë ka filluar që të kremtohet që nga profeti Mojsi, 1500 vjet para Krishtit. Pashka është festa më e vjetër në botë që festohet qe 3500 vjet pandërprerë.

 

Kuptimi krishter i Pashkës

 

Thelbi i krishterimit është ringjallja e Krishtit. Shkrimet thonë se nëse nuk ka ringjallje të Krishtit atëherë të krishterët janë më të mjerët e botës pasi jetojnë nën gënjeshtër (1Kor.15:15). Ringjallja e Krishtit aq fuqishëm dëshmohet sa në Bibël thuhet se nëse nuk është ringjallur Krishti nga të vdekurit atëherë besimi në Krishtin është i kotë (1Kor.15:14,17).

Prandaj në krishterim Pashka është Ringjallja e Jezusit. Kryqëzimi, vdekja, varrimi dhe ringjallja e Krishtit ndodhën gjatë festës së Pashkës (Mt.26:17-28:20).

Ringjallja e një njeriu, kushdo qoftë, sipas Biblës nuk është një lajm ekskluziv. Madje edhe vetë Bibla na thotë se kishte ndodhur që njerëzit të ishin ringjallur (p.sh. na kujtohet djali i një të veje prej Sareptas nga profeti Elija diku 700 vjet para Krishtit – 1Mbrt.17:17-24; ose rasti i Lazarit nga Betania që ringjallet nga Krishti – Gjn.11:38-44, sikurse që u ringjallën edhe shumë veta në Jerusalem kur Krishti dha shpirt në kryq – Mt.27:50-54), por këta të gjithë sërish kishin vdekur pas disa kohësh.

Krishti jo vetëm se u ringjall, dhe jo se është i gjallë perëndisht edhe sot, por ringjallja e Krishtit është një mesazh shumë më i madh sesa të ikësh nga vdekja përkohësisht.

Varri ku ishte vendosur trupi i Krishtit ishte bosh (Mk.16:1-8) sepse ai ishte ringjallur. Lajmi më i madh i ndodhur ndonjëherë në botë është se Biri i Perëndisë me anë të ringjalljes nuk e la vdekjen anash hëpërhë por Ai e mundi vdekjen (Zb.1:8,17-18). Ai e shkatërroi atë (1Kor.15:25,54-57; Zb.20:13-14). Vdekja s’ka më fuqi dhe iu mor autoriteti me anë të vdekjes së Jezus Krishtit.

Të krishterët protestantë dhe katolikë e festojnë Pashkën të njëjtën ditë, kurse disa kisha ortodokse në botë e festojnë ringjalljen e Krishtit për 13 ditë më vonë.

 

Imanencat e vdekatarëve dhe pavdekësitë e tyre

 

Në thellësinë e njeriut është vendosur pavdekësia si imanencë e Hyjit dhënë njeriut të parë. Adami dhe Eva i lanë trashëgim njeriut mëkatin dhe së bashku me të një kuptim të ri jetës dhe imanencën e pavdekësisë. Njerëzit e lashtë filluan të ndërtojnë qytete të mëdha (Zan.4:17) dhe me kulla të larta. Kulla e Babelit (Zan.11:1-8) është përpjekja më serioze e njeriut adamik që t’i shmanget traumës së vdekësisë. Mesazhi ishte i thjeshtë: mos të humbin, mos të harrohemi, mos të shpërndahemi, t’u rezistojmë boshllëqeve të hapësirave dhe shpejtësisë së kohës! Zoti ndërhyri dhe e ngatërroi këtë mesazh të njeriut. Babel do të thotë ngatërrim (Zan.11:9). Dhe së fundi njeriu është ngatërruar në (pa)vdekësinë e tij!

A keni menduar pse poeti shkruan poezi? Pse piktori bën imazhe? Po skulptori statuja? Po shkrimtari romane? Po fotografi portrete? Po filozofi që e tjerr fjalën? Po politikanët e zënë në kurthat e froneve? Këngëtarët e mundur në meloditë? Aktorët e lodhur në vetëshumëfishimin? Sportistët që loja i fiton? Mësuesit në përsëritjen e A-së? Mjekët që shpikin ilaçe e shërojnë por që ata sërish i gjen kalbja. Edhe humoristët me mahitë e tyre kapin pak hije pavdekësie andaj edhe i duam që të na tallin! A keni menduar për projektet e mëdha në botën arkitektonike (piramidat, Taxh Mahalli, përmendoret e larta, tempujt, katedralet, kishat, xhamitë, shtëpitë etj.)? A keni parë dhiare, rrugica, rrugë, sheshe, bulevarde?

Duket pra se të gjithë jemi në kërkim të eliksirit! E kush i ra në fund dashurisë, njohurisë, dhembjes, qeshjes, seksit, parasë, verës, famës, mistereve, natyrës, yjeve etj. Madje edhe ata që e kërkojnë vdekjen këtë e bëjnë me shpresën se do të kalojnë o do të kursehen në pavdekësinë. Prandaj të gjithë njerëzit dikush tjetër i ka futur idhtë shtegut të gjetjes së eliksirit!

 

Ringjallu nën besën e tij

 

Të gjithë këta nuk duan që të harrohen, që të humbin, që të shpërndahen! Nuk duan që të vdesin! Përpjekjet e tyre i konvertojnë në veprime të përjetshme. Tek populli ynë sidomos në të kaluarën ka ndodhur që plaku para se të vdiste është siguruar që ndonjë pinjoll ta ketë emrin e tij sikurse edhe ndonjë gjësend të tij.

Pra vetëm i marri nuk mendon për pavdekësinë. Të gjithë ne sillemi, jetojmë me frymën dhe idealet e lirisë dhe të pavdekësisë. Besimtarët e feve monoteiste në fund të fundit besojnë se edhe pas vdekjes ka jetë (1Kor.15:12-13), dhe se të gjithë njerëzit do të ringjallen një ditë (1Kor.15:21-22; Zb.20:12-13).

Falënderoj Perëndinë për të gjithë poetët, shkrimtarët, piktorët, skulptorët, arkitektët, politikanët, këngëtarët, filozofët, aktorët, sportistët, mësuesit, mjekët, humoristët me një fjalë tërë njerëzit adamikë e vdekatarë e t’u them një lajm në këtë vigjilje të festës së Pashkës.

Eliksiri është shfaqur! Eliksiri është bar, por emrin e ka vdekje, dhe kjo vdekje është vdekja e Krishtit. Shkrimi i shenjtë Bibla thotë se “ashtu siç erdhi vdekja me anë të një njeriu, po kështu erdhi edhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu. Sepse ashtu sikur vdesin të gjithë në Adamin, kështu të gjithë do të ringjallën në Krishtin” (1Kor.15:21-22). Ti mund të ringjallesh sot në Krishtin nëse hynë në besën e tij!

Krishti vdiq për ne që kushdo që beson në të nuk do të vdesë por do të ketë jetën e përjetshme, pasi ai tha: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?” (Gjn.11:25-26).

Gjith popullit tonë me uratën e ringjalljes dhe të rilindjes shpirtërore!

Gjithë të krishterëve: për shumë mot Pashkët!

Jezusi u ringjall – me të vërtetë u ringjall!

 

Zoti u bekoftë!



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora