E enjte, 28.03.2024, 09:45 AM (GMT)

Speciale

Xhemaledin Salihu: Kërkesat, shpresat dhe zhgënjimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës

E hene, 05.04.2010, 06:59 PM


Xhemaledin Salihu në Foltore
Xhemaledin Salihu në Foltore
KERKESAT, SHPRESAT DHE ZHGENJIMET E SHQIPTAREVE TE LUGINES SE PRESHEVES

 

Shkruan Xhemaledin Salihu

 

Lugina e Preshevës është e banuar me shumicë shqiptare dhe aktualisht shtrihet në jug të Serbisë. Ajo qysh në Antikë i takonte Dardanisë, fisit Ilir që kryesisht shtrihej përgjatë lumit Moravë dhe Vardar.Luginën e Preshevës e bëjnë komuna e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës(këto tri komuna paraqesin tërësi politike, por jo edhe territoriale dhe gjeografike). Shqiptarët e Luginës së Preshevës, Kosovës dhe të Maqedonisë paraqesin etnikumin më të vjetër në rajon. Ata bënin pjesë në Mbreterinë Dardane, e cila për ketë etnikum paraqiste tërësi etnogjenetike dhe politike. Mundësi e madhe që ky etnikum të jetoje në një territor të përbashkët, me cilësi të përbashkëta etnike, kulturore, gjuhësore, ekonomike e politike. Mirëpo, luftërat e shumta të Mbretërisë së Dardanisë me Maqedonasit aq shumë e dobësuan, sa që pushtuesit e ardhshëm : Bizanti, Turqia Otomane, Sllavët e copëtuan dhe e ndan këtë etnikum në disa territore. Edhepse zhgënjim i popullatës shqiptare, asnjëherë nuk u shua kërkesa, shpresa e Shqiptarwve për bashkim të këtyre territoreve në Shqipëri Etnike.

 

Lugina e Preshevës, sëbashku me Luginën e Shkupit , sipas gjeografit serb Jovan Cvijiq, paraqesin rëndësinë më të madhe gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan dhe shteti që mbikqyrë dhe sundon këto dy Lugina qeverisë krejt Ballkanin. Këtu qëndron edhe rëndësia e Luginës së Preshevës, e cila gjatë historisë dhe të kaluarës së saj ishte arenë e shumë betejave dhe luftërave për ta sunduar ate. Hekurudha përgjatë Lumit Moravë dhe Vardar lidh jo vetëm shumë shtete, por edhe kontinente. Autostrada poashtu është me rëndësi të madhe. Kohëve të fundit aktualizohet edhe kanali përgjatë lumit Danub-Moravë-Vardar, për të cilin ishin të interesuar edhe më herët Amerikanët, Françezët, Anglezët.

 

Kështu territorin e Shqiptarëvë të Luginës së Preshëvës e shkelën Sllavët, ushtria bizantine në shekullin XI, ushtria turke në shek. XV, më vonë shumë pushtete antishqiptare. Mirëpo, Shqiptarëve të Luginës asnjëherë dhe kurrë nuk iu shua shpresa për bashkim kombëtar, sepse gjithmonë ishin pjesë përbërësë e kërkesave mbarëshqiptare.

 

Apo siç shprehet Ibrahim Kelmendi, patriot nga Presheva : Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, apo siç shprehet historian Shukri Rahimi : Historia e popullit shqiptar është e pandarë. Shqiptarët në kuadër të Perandorisë Osmane bënin një tërësi tërritoriale, etnike, kulturore, arsimore, pra nuk ishin të ndarë me këta kufij artificial që u vunë më vonë, me dhunë nga forcat e huaja, prandaj edhe sot , këto treva i konsideroj sit të tilla, të ndara artificialisht.Apo siç shprehet historiani Ramiz Abdyli : Shqiptarët e Preshevës dhe të viseve përreth, siç është treva e Bujanocit dhe e Kumanovës, apo të Krahinës Verilindore të Karadakut, sikundër viset tjera shqiptare , jo vetëm i bënë ballë asimilmit gjatë robërisë së huaj shekullore, por me pjesëmarrje aktive në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të historisë sonë të përvuajtur, por krenare dhanë kontributin e tyre të çmueshëm për liri dhe mëvetësi kombëtare. Kontributi I tyre është i çmueshëm sidomos gjatë periudhës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që nga vitet e 30-ta të shek XIX, përfundimisht me organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme Antiosmane, që u kurrorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, kësaj ngjarjeje më të rëndësishme në historinë tonë.

 

Edhepse pas viteve 1454 e 1455, Lugina e Preshevës ra nën sundimin turk, ajo asnjëherë nuk u pajtua me gjendjen e vështirë nën sundimin turk atoman, andaj Shqiptarët e Luginës së Preshevës gjatë viteve 1841-1845 u hodhën në kryengritje kundër Tanzimatit. Sheh Hyseni dhe Sheh Salihu e shum patriotë të Luginës organizuan protesta dhe ngritën zërin kundër zbatimit të Tanzimatit në Luginë, sepse popullata e këtij rajoni nuk deshti t’I paguajë tatime të mëdha pushtetit turk. Pastaj të përmendin kryengritjen e Dervish Carës, më 1844, e cila kryengritje çoi në këmbë për liri gjithë popullatën shqiptare të këtij rajoni dhe përfshiu tërë terrotirinë e Dardanisë.

 

Pra, qysh me kohë , Shqiptarët e Luginës së Preshevës lidhën fatin e tyre me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lëvizjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në të gjitha Lëvizjet politike të Shqiptarëvë të ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim kombëtar. Se Presheva dhe Lugina e saj ishte liridashëse, e kyçur në Lëvizjen Gjithëkombëtare dhe se i dha kontribut Rilindjes Kombëtare Shqiptare fletë edhe fakti i themelimit të Degës se Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Preshevë me në krye me Sheh Maksut Efendiun si dhe pjesëmarrja e patriotëve nga Presheva në Kuvëndin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 : Maksut Shehu, Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga, Haxhi Abazi.

Në këtë kohë të mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit dhe pjesëmarrjes së delegatëve të Preshevës në Kuvendin e Lidhjes, Shqiptarët e Luginës u gëzuan aq shumë me shpresës se do të ndodhë bashkimi kombëtar, bile gjatë përcjelljes, mbajtjes iu këndua Lidhjes së Prizrenit, Shqiptarët e Preshevës me lule dhe valle i përcollën delegatët në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit. Bile, thuhet se atëherë edhe lindi vallja e Miratocit

 

Shqiptarët e Luginës së Preshevës iu bashkangjitën kërkesave të Qeverisë Shqiptare të Shqipërisë, e cila kërkoi Autonomi Territoriale-Politike të Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Otomane. Perandoria Otomane nuk i pranoi 14 kërkesat e Shqiptarëve për Autonomi Politike, por vetëm kërkesat kulturore – arsimore.Kështu dështoi dhe zhgënjimi në Perandorinë Otomane që Shqiptarët të jëtojnë në një shtet të përbashkët shqiptar. Mirëpo erdhi zhgënjimi, mosnohja e autonomisë politike nga Perandoria Otomane. Shqiptarët e pakënaqur organizuan Kryengritje. Kësaj iu bashkangjitën edhe Shqiptarët e Luginës kundër Perandorisë në krye me patriotin Idriz Seferi.

 

Pas Kongresit të Berlinit , më 1878, Kazaja e Preshevës i takonte Sanxhakut të Prishtinës, të Vilajetit të Kosovës. Kazaja përfshinte nahinë e Bujanocit dhe Tërgovishtes deri në vitin 1912, shpresë e madhe që Shqiptarët të jetojnë sëbashku. Mirëpo, zhgënjimi erdhi më vitin 1918, me themelimin e Mbretërisë Serbe, Kroate, Sllovene, rrethi i Preshevës i takonte Banovinës së Vardarit me qendër në Shkup,Qarku i Kumanovës. Kështu vazhdoi deri më vitin 1945.

 

Lufta e Dytë Botërore, Shqiptarët e Luginës së Preshevës i solli edhe më shumë në gjendje të vështirë ekonomike e politike. Në këtë kohë është e njohur demonstrata e Shqiptarëve, në krye me patriotin Shaip Mustafa nga Presheva, i cili më vitin 1941 ngriti flamurin shqiptar te Ura e Gurit në Shkup. Në këto demonstrata u brohoritën parolla “Rroftë Liria”; “Rroftë Shqipëria” ; “E duam Shqipërinë” e tjerë.

Një pjesë e Shqiptarëve iu bashkuan frontit kundër bullgarëve fashistë, një numër i konsiderueshëm i tyre iu bashkangjitën këtyre forcave, duke u inkuadruar dhe përkrahur forcat e tilla, ata shpresonin se do t’i çlironin Shqiptarët nga robëria e Jugosllavisë së Vjetër dhe më në fund do t’i bashkoheshin etnikumit të tyre. Mirëpo, kjo nuk ndodhi.

 

Në shtator të vitit 1944, kur kapituloi Bullgaria fashiste. Shqiptarët e Luginës së Preshevës,sëbashku me Gjilanin dhe Kumanovën, për ta mbrojtur ate nga njësitë partizane, bullgare, maqedonase, organizuan Mbrojtjen e Kosovës Lindore, përgjatë hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, e cila zgjati disa muajë, Ibrahim Kelmendi patriot nga Prsheva e quajti Epope që nderoi historinë e Shqiptarëve, luftë që u bë kundër tre armiqëve të përvashkët aleatë : bullgarëve, serbëve dhe partizanëve shqiptarë, siç shprehet ky.

Kështu në Preshevë , po edhe në krejt Luginën lindi kërkesa për ta mbrojtur ate, me shpresë se një ditë ajo dhe Shqiptarët do të jenë të lirë dhe vet të qeverisin më fatin e vet. Për ta mbrojtur Luginën, atëherë u bë organizimi i popullatës për luftë përgjatë hekurudhës, u bë organizimi civilo-ushtarak në Preshevë, pra Adem Kamberit iu dha qeverisja e Bashkisë, Liman Stanecit drejtimi dhe organizimi i nënprefekturës dhe Ibrahim Kelmendit, drejtimi e organizimi i operacioneve ushtarake. Qeverisja e Bashkisë zgjati 4 muajë, ndërsa sipas materialeve arkivore të ish-Jugosllavisë zgjati vetëm 2 muajë dhe këtë Mbrojtje e quanin reaksion shqiptar. Ndërsa popullata shqiptare e quajti periudhë të ndritshme, me plotë sakrifica, dhe e quajti “Shqipëri e Vogël”. Mirëpo erdhi edhe zhgënjimi, sespe Shqiptarët u përçanë për vende politike dhe udhëheqësë në Bashki. Këtë e shfrytëzuan forcat e mëdha ushtarake, njësitë e shumta bullgare, maqedonase dhe serbe , të cilat e pushtuan Preshevën më 14 nëntor 1944, e mposhtën Rezistencën e Shqiptarëve dhe me këtë rast bënë kërdi në popullatën shqiptare, sidomos në Sopot, Iseuk, Sopot, Gosponicë e tjerë.

Formimi i Batalionit shqiptar nga Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Kumanovës, në krye me Skender Preshevën, i cili mori pjesë në Frontin e Sremit kundër njësivë fashiste dhe në çlirimin e Zagrebit e qyteteve të tjera, ngjalli shpresën tek Shqiptarët se pas përfundimit të luftës do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat kombëtare. Sëbashku me batalionin e përmendur morën pjesë edhe njësitë ushtarake të Shqipërisë, me pjesëtarët e këtyrë njësive, shpesh vinin në kundërshtim pjesëtarët e batalionit të Preshevës, sepse këta ishin aq shumë të motivuar për t’i ndihmuar vëllezërve serbë. Ndërsa pjesëtarët insistonin në kthimin e tyre, për ta mbrojtur pragun e shtëpive në Preshevë, Bujanoc e Kumanovë nga njësitë partizane. Shpesh kishte konflikte të ashpra, kështu rrëfeheshin shumë shqiptarë të Preshevës, pjesëmarrës të këtij batalioni. Bile aq nxehej situata sa i kthenin njëri tjetrit pushkët.

 

Aspiratat kombëtare të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës u shuan në janar të vitit 1945, atëherë kur në sallën e kinemasë së Preshevës i mblodhën qindra qytetarë në te, për t’u deklaruar se dojnë të mbeten nën Serbi. Pra, ky ishte ai plebishiti gjithëpopullor i Preshevës, ndërsa nuk u organizua referendum i vërtetë për deklarim të lirë dhe vullnet politik të Shqiptarëve të Luginës. Në qarqet më të larta partiake të ish-Jugosllavisë apo të Serbisë u kurdis fati i Preshevës,që të mbetet në Serbi, për ta vënë në lidhje kontrolli nga lartë, nga rrethi i Vranjës apo herë herë edhe nga ai i Leskocit. Kështu Presheva, në mënyrë arbitrare dhe pa vullnetin e popullit shqiptar si dhe me qëllim të ngushtimit të trollit shqiptar u nda nga Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Në mbështetje të disa rrëfimeve të individëve të asaj kohe shihet qartë se edhe atëherë klasa politke shqiptare ishte e ndarë dhe e përçarë. Disa nga komunistët e atëhershëm donin mbetjen me Serbinë, ndërsa disa të tjerë të vazhdohet me Maqedonine apo t’i bashkangjiten Kosovës. Apo siç shprehet Ibrahim Kelmendi : Presheva me 5 komunistë u bë e kuqe.

 

Më 1948, pas shpalljes së Rezolutës së Burosë Informative fillon represioni, dhuna dhe terrori edhe mbi Shqiptarët e Lugines së Preshevës, të cilët asnjëherë nuk u pajtuan me këtë gjendje të vështirë ekonomike dhe politike.Në Preshevë në këtë kohë u shtrua kërkesa gjithëpopullore dhe me nënshkrime qytetarët shqiptar shprehën kërkesën e tyre shekullore për bashkim me Kosovën dhe Shqipërinë.

 

Aspiratat për bashkim kombëtar nuk pushuan tek popullata shqiptare e Luginës së Preshevës, kështu në qershor të vitit 1957, në fshatin Rogoçicë u formua organizata ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”. Pos Metush Krasniqit, Sejdi Kryeziut, Metë Dërmakut, në këtë organizatë pjesëtar ishin edhe Marko Gashi dhe Qemal Kallaba mësues në Preshevë. Kjo organizatë u masovizua shumë edhe në Preshevë, Bujanoc e Kumanove, fal punës së palodhshme të Marko Gashit dhe Qemal Kallabës. Kështu takimi i dytë i Organizatës ilegale ndodhi në Preshevë, në shtëpinë e Marko Gashit, në korrik të vitit 1958, ku moren pjesë shume veprimtarë të devotshëm të këtij rajoni. U bisedua për masovizimin e kësaj organizate. Mirëpo, edhe kjo organizatë u zbulua, veprimtarët u burgosën dhe kështu dështoi edhe një tentim i bashkimit kombëtar.

Pas Lëvizjeve Studentore në Europë më vitin 1966, edhe në Preshevë ndodhën Lëvizje studentore. Kështu u themelua Klubi studentor “Haki Limani” , të cilin e udhëhoqën Akademik Rexhep Ismajli, Riza Halimi, Xhemaledin Salihu, Sabedin Hetemi e të tjerë. Qëllimi i themelimit të Klubit ishte lufta për barazi të Shqiptarëve në Preshevë. Këto ide përparimtare lidhur me shkollimin, punësimin e tjerë filluan të realizohen me ardhjen e Mehmet Jusufit, kryetar komune, më 1969. Në Preshevë ndodhi punësimi i qytetarëve sipas strukturës nacionale të komunës, shkollimi i studentëve dhe ekonomikisht të frymëmarrë Presheva.

Më vonë, më 1968 e 1981, edhe Shqiptarët e Luginës me demonstrata të përbashkëta në Kosovë i përsëritën kërkesat e tyre kombëtare : bashkim me Kosovën, bashkësi territoriale-politike, e cila më së miri do t’i siguronte të drejtat politike, zhvillimin ekonomik, të drejtat kulturore, arsimore, gjuhësore.

 

Plenumi i IV-të i Brioneve i solli Shqiptarëve në ish-Jugosllavi, po edhe Shqiptarëve të Luginës liri dhe të drejta kombëtare, të cilat deri atëherë iu mohuan nga forca paraplenumiane në Serbi. Kështu filloi një frymëmarrje më e lirë, ndër Shqiptarët e Luginës, filoi shkollimi në Universitetin e Prishtinës, por edhe në Universitete të tjera.

Kushtetuta e vitit 1974 i dha Kosovës Autonomi politike, të cilën filluan ta gëzojnë edhe Shqiptarët e Luginës. Mirëpo me këtë gjendje nuk ishin të kënaqur shumë qarqe nacionaliste serbe, me ardhjen e regjimit të Millosheviqit u hoq kjo Autonomi Kosovës, më 1989 dhe me këtë filluan edhe vitet e mundishme të Kosovës, por edhe të Shqiptarëve të Luginës nën sundimin e regjimit të Millosheviqit.

 

Në dekadën e fundit të shekullit 20 filloi përhapja e pluralizmit demokratik në shtetet europiane, në Ballkan, në ish-Jugosllavi, kështu që edhe Shqiptarët e Luginës i kapi kjo valë e pluralizmit demokratik, u organizuan politikisht, formuan partitë e tyre politike, për ta organizua popullin politikisht dhe nëpërmjet të programeve dhe qëllimeve partiake dhe politike të kërkojnë të drejta individuale dhe kolektive kombëtare për Shqiptarët si dhe për ta internacionalizuar çështjen e pazgjidhur kombëtare të Shqiptarëvë të Luginës së Preshevës.Kështu në Luginë u themeluan shumë parti politike, të cilat në vend se ta unifikojnë luftën politike, ato çështjen e pazgjidhur të Shqiptarëve aq shumë e parcializuan saqë nuk mbeti mëhallë, familje pa u politizuar, jo për interesa kombëtare, por për interesa të ngushta individuale e familjare.Sipas meje u thya kolektiviteti familjar dhe kombëtar, u prish dhe filloi të çthurret edhe familja shqiptare. Dolën në shesh antivlerat politike, kulturore, arsimore, ekonomike.

 

Mirëpo shpirti i popullit shqiptar është gjithmonë i parahatshëm dhe i pakënaqur me statusin e tij shoqëror e kombëtar, sidomos me regjimin e atëhershëm. Shqiptarë nuk ndejtën këmbëkryq, të prirë nga partitë politikë në Luginë, më 1 dhe 2 mars 1992 organizuan Referendumin Gjithëpopullor në Luginën e Preshevës, me të vetmin qëllim politik e kombëtar, përmirsimi i statusit të tij politik dhe shprehja e lirë e vullnetit politik për të ardhmenë e tyre. Shqiptarët e Luginës, të bashkuar rreth qëllimit politik të Referendumit dolën në mënyrë masovike, për t’u deklarruar në votim : A JENI PER AUTONOMI TERRITORIALE POLITIKE TE SHQIPTAREVE NE PREHSEVE, BUJANOC DHE MEDVEGJE ME TE DREJTE BASHKIMI ME KOSOVEN.

Vullneti i lirë i Shqiptarëve dhe vota e tyre ishte me 98% për këtë deklarim politik në Referendum. Edhepse gjatë formulimit të pyetjes për Referendum pati edhe alternativa të tjera: Autonomi personale, kulturore sipas modelit të Kroatëve, Hungarezëve në Serbi, por dominoi fryma kombëtare dhe në Referendum u shtrua pyetja e përmendur. Më vonë po të njëjtit individë politikë me përgjegjësi, për Referendumin u deklaruan se ky ishte modë aktuale, e jo kapital dhe akt kombëtar edhe i Shqiptarëve të Luginës. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke përkrahur dokumentet e Konferencës së Hagës, Brukselit dhe dokumenteve të tjera aktuale, në formë më demokratike e shprehën kërkesën dhe disponimin e tyre politik lidhur me çështjen e Autonomisë, duke e kuptuar atë si formën kaluese më të përshtatshme demokratike si dhe formë kaluese në drejtim të bashkimit me Kosovën. Duke i pasur parasysh rrethanat e atëhershme aktuale politike në Europë, në botë si dhe në Ballkan e Serbi ishte e kuptueshme që të kërkohet edhe forma e Autonomisë. Mirëpo tashti rrethanat politike ndryshuan, u shpall Pavarësia e Kosovës dhe ndodhi Lufta e UÇPMB-së në Luginë, mbete të kërkohet forma e vetmja demokratike : ribashkimi me Kosovën, pjesë integrale e së cilës ishim sipas të gjitha kritereve relevante etnike, kulturore, terrotiriale, gjuhësore, familjare, ekonomike. Shqiptarët e Preshevës duhet t’i kthehen djepit të tyre të fëmijërisë, Kosovës dhe gjirit të Dardanisë së vjetër, ku ishin edhe më parë, por pa vullnetin e tij politik si dhe pa dëshirën e tyre, në mënyrë arbitrare u futën në familje artificiale.

Ndodhi Lufta e Kosovës, ndodhi Lufta e UÇPMB-së, shumë u internacionalizua çështja e Kosovës, por edhe e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Shqiptarët në Ballkan u vlerësuan element i pastër, i ndershëm, i sinqertë, paqësor dhe i fortë për stabilizimin e Ballkanit.

Marrëveshja e Konçulit, nënshkrimi i palës shqiptare me në krye me UÇPMB-në dhe qeverisë jugosllave e serbe shtroi kërkesa konkrete për të dy palët, derisa pala shqiptare i përmbushi detyrimet, u bë demobilizimi e tjera, ajo pala tjetër, pos policisë multietnike asgjë tjetër nuk përmbushi nga Marrëveshja.

Faktoti politik shqiptar i Luginës i kërkoi palës serbe përmbushjen e detyrimeve, por nuk pati vullnet nga ajo. Disa individë nga klasa politike e Luginës e ngritën shembëlltyrën e Çoviqit, sa që ky u bë politikani më i kërkuar në Serbi, Ballkan e Europë. Gjithëçka varej nga vullneti i tij, u premtua shumë, bile edhe Tv signali, por edhe sot TV Presheva nuk i ka marrë frekuencën për emitim televiziv. Sepse Marrëveshja dhe aktet tjera nuk e obliguan qeverinë serbe, nuk u u ndëshkuan me ligje konkrete për zgjidhjen e Çështjes së Shqiptarëve të Luginës. Një vullnet personal, jo i qeverisë serbe, por i Kariqëve, ndoshta edhe ndonjë tjetri, përmbushi një kërkesë të kahmotshme të Shqiptarëve, për informim në gjuhën shqipe, u hap RTV Presheva. Nuk pati zgjidhje sistemore, shtetërore të kësaj lëmie, mbetet problem i pazgjidhur informimi në gjuhën shqipe.

Shqiptarët e Preshevës me vite e mbajnë pushtetin lokal dhe e qeverisin ate, ashtu siç dijnë dhe dojnë, në Bujanoc për herë të parë Shqiptarët më 2002 e morën pushtetin lokal dhe ende e qeverisin. Është me rëndësi ta qeverisish vetveten. Andaj edhe bëhet luftë e madhe demokratike, ndonjehere edhe pa ferplej, partitë politike konkurojne për këtë pushtet lokal në Preshevë e Bujanoc.

Më vonë, rrethanat politike në Luginë të Preshevës e detyruan klasën politike që të themelojnë edhe Kuvendin e Këshilltarëve Shqiptarë që luajti një rol pozitiv në rrethanat e përmendura aktuale politike në Luginë, u bë njëfarë unifikimi i kërkesavë dhe i shpresave politike të Shqiptarëve të Luginës. Por si duket edhe ky institucionalizim sikur edhe disa të tjera do të harrohet, sepse dalin alternativa të reja politike.

 

Aktualizohet Këshilli Nacional i shqiptarëve të Luginës. Para këtij themelohet Trupi koordinues për Luginën e Preshevës, organ i cili nuk tregoi ndonjë përparësi cilësore në zgjidhjen e çështjes së pazgjidhur të Shqiptarëve, por as që zgjidhi problemet elementare, me të cilat ballafaqoheshin Shqiptarët e Luginës. Për Këshillin Nacional pati debate të ashpra për e kundër, ishte e mira që u diskutua shumë pë Këshillin Nacional të Shqiptarëve të Luginës.

Formimi i Këshillave Nacionale ishte kërkesë e qeverisë serbe, e cila me Ligj e ndëshkoi këtë lëmi. Partitë politike shqiptare u deklaruan disa për po dhe disa pë jo. Sipas meje kërkesat dhe shpresat tona kombëtare për zgjidhjen e çështjes së pazgjidhur të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk duhet të mbështeten në dëshirën dhe vullnetin individual të politikanëve serbë, por në Kushtetute dhe ligje konkrete serbe, sepse këta nesër mund të ndërrohen. Kërkesa dhe shpresa jonë mos të jetë e fundit për Këshillin Nacional si të vetmin organ, i cili do të mundësojë të mira materiale dhe financiare si dhe të mos jenë zhgënjim edhe njëherë në mbështetjen tonë në vullnetin e individëve të klasës politik serbe. Pra, me themelimin e Këshillit Nacional të Shqiptarë në Luginë të Preshevës inagurohen dy qeverisje paralele lokale, pandamë njëra tjetrës, me buxhet vetanak, me administratë vetanake dhe do të bëhet luftë e madhe konkururese për institucionet e Preshevës dhe Bujanocit. Kjo luftë shkatërruese dhe e panevojshme në këtë kohë parajmëlohet nga individë të partive më të mëdha në Preshevë. Pra, edhe njëherë dështuam në unifikimin e kërkesave kombëtare dhe shpresave politike të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.Fakti se Këshilli Nacional siguron Autonomi kulturore, më përkujton Autonominë kulturore që Qeveria Shqiptare më 1912 e gëzoi nga qeveria Otomane Turke.

 

Edhe një herë po e përsëris kërkesën dhe shpresën e vetme të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës : Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992, që ky të aktualizohet në Europe, për ta marrë vesh dhe për t’ia bë të ditur Europës dhe SHBA-ve , kërkesën dhe shpresën e vetme të Shqiptarëve të Luginës së Preshvës :

AUTONOMI TERRITORIALE-POLITIKE PER SHQIPTARET E PRESHEVES, BUJANOCIT DHE MEDVEGJES ME TE DREJTE BASHKIMI ME KOSOVEN.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora