E premte, 29.03.2024, 12:47 PM (GMT)

Faleminderit

Mustafa Kruja mes Thamusit dhe Derridás

E shtune, 03.11.2007, 09:30 PM


Nga Ledi Shamku-Shkreli

Pjesë nga dorëshkrimi origjinal i Mustafa Krujës - marrë nga dosja e tij "Nji studim analitik - Gjuha e Frang Bardhit dhe Shqipja Moderne”

Për herë të parë, një Mustafa Kruja me anën e panjohur të gjuhëtarit Dritat smbrapsin hijet

Pjesë nga dorëshkrimi origjinal i Mustafa Krujës - marrë nga dosja e tij "Nji studim analitik - Gjuha e Frang Bardhit dhe Shqipja Moderne”
Pas fjalorit të Gazullit, fjalorit toskërisht të Panos Tases, të cilët janë pjesë e kolanës "Excipere", Ledi Shamku-Shkreli, na sjell një tjetër zbulim me një figurë unikale për nga kontributi në gjuhësinë shqipe, Mustafa Kruja. I anatemuar nga hijet që ndjekin dhe sot personalitetin e tij si politikan dhe qeveritar kuisling në mesin e Luftës së Dytë Botërore, na zbulohet sot me gjithë dritat që gjuhëtarja Shamku-Shkreli i vë në dukje në parathënien që po botojmë, e cila i prin librit të Krujës Ç'na mëson Frangu i Bardhë me fjalorin e tij i cili del në qarkullim javës që vjen. Metoda shkencore me të cilën operon Kruja e cila ka në thelb përqasjen e shqipes së vjetër të shkruar me shqipen e shkruar moderne, është një metodë avangardë deri në vitet 50 jo vetëm për qarkun e studiuesve shqiptarë, por edhe më gjerë. Prandaj gjuhëtarja Shkreli ndalet në këtë pjesë në një moment kyç të kontributit të Krujës, edhe të kontributit avangardë që e vendos atë në aradhën e filologëve filozofë që do të shfaqeshin në Evropë pas viteve pesëdhjetë, si Jacques Derrida.
Mustafa Kruja mes Thamusit dhe Derridás
Një ngatërresë domethënëse
Duke gatitur për shtyp daktiloshkrimin e Mustafa Krujës, Ç'na mëson Frangu i Bardhë me fjalorin e tij, rashë pré e një hutimi apo ngatërrese, e cila shkaktoi tek unë një mbresë aq të thellë sa vendosa t'ua bëj me dije edhe lexuesve të këtij studimi. Dikund në tekst, në rrjedhën landore ku transkriptimi i Bardhit ndërpritet heraherës nga rravgimet gjuhësore të M. Krujës, u gjenda përballë një shkapërcimi argumentash; kalohej menjëherë nga ligjëresa e Bardhit në arsyetimet e vetë Krujës. Në pamje t'parë, prej këtij pështjellimi, qe gati e pamundur të ndahej qartë ku mbaronte Bardhi e ku fillonte Kruja. Kështu m'u krijua përshtypja se ky i fundit, veç transkriptimit në alfabetin e sotëm, në studimin e tij kish kryer edhe përshtatjen e gjuhës së Bardhit në stadin e Shqipes Moderne, pra të fillimshekullit XX. Pas krahasimit të anastatikut të Dictionarium Latino-Epiroticum me daktiloshkrimin e Krujës, konfirmova sërish se Bardhi në këtë punim vetëm sa ish transkriptuar, dmth sa qe përshtatur në grafo-formë; lënda shenjuese mbetej po ajo, besnike me origjinalin. Por, duke vërejtur numrat rendorë të faqeve, vihej re se daktiloshkrimit i mungonte një fletë (të cilën ma dërguan më pas). Kjo mungesë pra u bë shkaku i hamendjes.
Me t'u ftilluar ndërdyzjet, tek unë mbeti mbresa e pohimit se kish qenë krejt e thjeshtë të pandehej shqipja e shek. XVII si shqipe e gjysmës së parë të shek. XX!
E përkthyer në rrafsh filozofik, kjo ngatërresë e rastësishme don të thotë se pas një rrugëtimi treqindvjeçar shqipja pat mbetur thuajse e njëjta në thelb, pos ndonjë lekseme a trajtëformimi të veçantë. Ndërsa sot, një autor si M. Kruja, vetëm pesëdhjetë vjet larg nesh, lypet përshtatur a më saktë "përkthyer" në shqipen e tashme, si pasojë e vështirësive të konsiderueshme për ta pranuar ligjërimin e tij. Ndonëse shkruan shumë pranë kodit zyrtar të viteve '30-'40, ai ka jo vetëm një numër fjalësh që sot nuk kuptohen, pasi janë zmbrapsur në fondin e fjalëve të rralla (vëjyem etj.), por edhe fjalë të leksikut aktiv, kumtet e të cilave janë shterrë nuancash, dhe kanë pësuar brenda një kohe shumë të shkurtër rrëshqitje dhe zhvendojse semantike të tipit horizontal e vertikal.
Kur pra, kur ka ndodhur kjo rupturë, kjo trandje tektonike në gjuhën shqipe, e cila korpusin e sotëm, të tjetërsuar dhe të shkundur, e ka larguar nga formacioni i vjetër e i qenësishëm? Deri te Kruja, pra deri në gjysmën e parë të shek. XX, vijimësia është mëse e dukshme e në binarë evolutivë. E duhet patur parasysh se këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një idiolekt të M. Krujës, të cilin ndokush mund ta konsiderojë si tejet konservativ ngaqë shkruesi gjendej i mërguar jashtë kufijve të Shqipërisë, pasi kështu shkruante jo vetëm një pjesë e mirë e zyrtarëve dhe intelektualëve, por edhe krejt elita e re e ahershme e shkencave filologjike shqiptare.
Kur lind gjuhësia shqiptare?
Le të shohim këtu tri fragmente nga vepra e tre gjuhëlavruesve të njohur.
"Mâ mbë tjetërët anë kujtova, e me dyy mâ mirë me nkëthyem gjâkafshë se asgjâ, përse, ndë mos ngënjehem, me ndjetë se ndër t'errëtit, e pakë dritë vëjen e kushton shumë".
Me këto fjalë e çel Frangu i Bardhë fjalorin e vet latin-shqip të vjetit 1635. E këto fjalë të tij të prunjta, por ngulmuese e besëplota, kanë po atë shije e bartin po atë kumt sikundër edhe fjalët e Justin Rrotës, shkruar plot tre shekuj pas Frangut t´Bardhë, me të cilat ai nis njërën prej veprave t'veta studimore mbi shqipen: "Vishtirsí gjithnduersh na topiten, por s'na thyen. Të bâjm shka të mundemi, thojshim; âsht kot të presim të pajisemi me të gjitha mjetet e duhuna, mbassi nevoja e detyrës na ngushton të shpejtojm. Tjerët mbas nesh nder kohë mâ të mira e me gatime mâ të gjata, kanë për të plotësue zgavrrat e kanë per të permirsue të metat".
Pas luftës, në vitet Pesëdhjetë një shkencëtar laik, Mustafa Kruja, kreu këtë studim që po i botohet veç sot, dhe e paraqiti atë me këto radhë: "Në këtë vepër të përvûtë shqiptare, kënduesi s'ka për të gjetun vetëm nji listë alfabetike të thatë të fjalëvet shqipe të Frangut të Bardhë (kund nja 2500), por diça edhe mâ tepër, qi kam shpresë se mund t'i sjellë nji dobi praktike studimit të gjuhës s'onë përgjithsisht. Kjo shpresë e jo tjetër qe edhe arsyeja qi më sht?ni me i a h?më ksaj munde".
Ky fill citimesh, që në historinë e shqipes së shkruar vjen e shpështillet ndër shekuj, ve në dyshim krejt edukimin akademik lidhur me ecurinë e gjuhësisë shqipe si shkencë me një objekt të vetin. Kjo, pasi për katër a pesë dekada radhaz është bërë e ditur se mendimi i mirfilltë shkencor mbi shqipen nis pas Çlirimit; e që aty zinin fill edhe gjuhëtarët! Të mëparshmit, pikërisht se figura poliedrike, pra edhe me përshfaqje të tjera veç gjuhësisë, janë përmendur deri më tash në mënyrë të cunguar, pra si rapsodë a thjesht dashamirë të shqipes. Kështu d. N. Mjedja paraqitet thjesht si poet, M. Kruja vetëm si politikan kuisling, De Rada si patriot-romantik etj. etj. E në këtë sërenditje të denatyruar e të mangët as që përmendet M. Camaj, studiuesi i shtresëzimeve historike të shqipes dhe poaq hartues i një gramatike të mirëfilltë, sikundër nuk përmendet asfare roli i K. Gurakuqit, didakt, kurator i "Visareve të Kombit", studiues në lëmë të kulturës së gjuhës, hartues gramatikash e gjithaq i një fjalori të shqipes mbetur ende dorëshkrim.
Muri i trashë i mjegullës, i cili nuk ka më asnjë arsye të qenësishme për të ekzistuar, pengon dhe deformon vetëdijen e shqiptarëve ashtu siç mund ta dëmtojë atë çdo falsifikim tjetër i historisë, gjuhës apo kulturës identitare. Ky mur, i ngritur dikur me ngut nga shtysa mirfilli ideologjike, zëvendësoi de jure diakroninë e vërtetë të fakteve dhe etapave tona evolutive. E gjatë kohës që muri monolitizohej, ideologjia e përdori sakaq opus-in e saj për të murosur brenda tij, me ndihmën e terrorit politik, patosit të fryrë kombëtarist dhe vënies së damkës antikombëtare, të gjithë ata lavrues të Mendimit të Lirë të cilët e ndanin këtë të fundit nga dogma. Njëri syresh autor i këtij punimi, është dhe Mustafa Kruja; figurë sa kontroverse aq dhe e pastudiuar, për të cilin - pa u rrekur këtu t'i qasemi si politikan, pasi punë historianësh kjo - sa i takon gjuhësisë shqiptare, mund të thuhet plotgojë se qe ndër mendjet avangarde të saj. Duke e cilësuar Krujën si mjeshtër gjuhe, një patriark tjetër i traditës sonë, Z. Valentini, dy dekada pas vdekjes së tij, shkruan se: "tjera herë pata rasë me folë për M. Krujën si nieri kulture përgjithsisht. Tash rasa më bje të flas për një ânë të veçantë, medjé për ânën kryesore në të cillën ai përmblidhte gjith kulturën, ndoshta edhe gjithë virtytet e shpirtit të vet: gjuhësija". Nuk mund të mos vërehet fakti se Z.Valentini e cilëson frytin e mjeshtrisë gjuhësore të Mustafa Krujës si produkt të shpirtit e të dijes. Me fjalë të tjera ai ia njeh opus-it të tij tiparet e njinjishme të një produkti prej humanistësh.
Mustafa Kruja dhe Instituti i Studimeve Shqiptare
Pa mëtuar të analizojmë impenjimin e Krujës si shtetar, nuk mund të mos lemë pa përmendur faktin se në punë të gjuhës ai do të përdorte tërë ndikimin e tij për ta rritur nivelin përfaqësues të albanologjisë shqiptare. Duke koaguluar përpjekjet e një sërë albanistësh të shquar, shqiptarë e të huaj, si E. Koliqi, N. Resuli, C. Tagliavini, M. Bartoli, G. Devoto, K. Gurakuqi etj., M. Kruja nxiti krijimin e një institucioni të specializuar në këtë limer. Kështu, në prill të 1940-ës me kontributin personal të tij krijohet Instituti i Studimeve Shqiptare (Istituto di Studi Albanesi) i fondacionit "Skanderbeg". Kruja qe jo vetëm themelues por edhe president i këtij Instituti. Presioni i lëvizjes intelektuale shqiptare gdhendi në statut qëllimin për pasurimin e kulturës kombëtare "sipas mendësisë dhe traditave më të mira etnike". Ky institut mëtoi të ndërtohej mbi trashëgiminë morale dhe ideale të Kongresit të Manastirit dhe të përftonte trashëgiminë e iniciativave kulturore që patën lindur në Shqipërinë e fillimshekullit të njëzetë. Qysh në krye të punës Kruja u paravendoi studiuesve të Institutit problematikat më të rëndësishme që shtroheshin në lëmë të albanologjisë asokohe, problematika të cilat ende sot, në disa aspekte, vijojnë të mbeten tejet aktuale. Iniciativa e parë e ndërmarrë nga Instituti qe përgatitja e Leksikonit të Madh të Gjuhës Shqipe megjithë vështirësitë e skajme që një ndërmarrje e tillë paraqiste në raport me kohën dhe momentin historik që kalonte vendi.
Faza e parë e studimeve realizoi përmbledhjen dhe sistemimin analitik të materialit të leksikut themelor të përftuar deri m'atëherë nga "Bashkimi", Montalto, Jungg, Busetti, Leotti dhe të tjerë. Kjo punë e madhe, realizuar sipas metodologjive të përparuara të kohës, madje duke gërshetuar kriteret selektive me ato komparative, u ndoq nga hartimi i një korpusi madhor të dhënash me plot 200.000 skeda të mëvetësishme.
Ndër objektivat kryesore që Kruja përcaktoi ishte puna për modernizimin e terminologjisë publiko-institucionale të organizmave shtetërore në Shqipëri, terminologji që do shërbente si një vehikul me ndikim të drejtpërdrejtë në aftësimin e Shqipen Zyrtare (që po përballej me standardet e shoqërive me burokraci të zhvilluar). Nëpërmjet Institutit të Studimeve Shqiptare, Kruja ndërmori iniciativa për të përcaktuar në bazë të vetë natyrës së shqipes neologjizmat që u referoheshin kërkesave të një organizimi shoqëror në përparim e sipër.
Jo më pak i rëndësishëm qe kontributi i M. Krujës në organizimin e një sistemi bashkëpunimi kombëtar, i cili kërkonte pjesëmarrjen e gjithë bashkive të vendit për të përcaktuar dhe zgjidhur përfundimisht toponomastikën shqiptare.
Porse në gjeratoret e terrëta të historisë shqiptare humbi një punë e vyer përgatitore që ky Institut, më pas nën drejtimin e Koliqit, pati bërë për botimin e Fjalorit Shkollor - me mbështetje të Ministrisë së Arsimit Publik - baza e të cilit ishte pikërisht në Fjalorin e Gjuhës Shqipe të punuar nga M. Kruja. E jo vetëm kaq, por edhe ky Fjalor (me mbi 40 mijë lema në fjalës, me një sërë spjegimesh etimologjike, e me mbi 2500 fletë të daktiloshkruara) fatkeqësisht rezulton i humbur edhe sot pas gjashtë dekadash.
Bëhet fjalë për një vepër madhore kombëtare hartuar prej njeriut që A. Xhuvani e vendos pa mëdyshje "në radhën e parë leksikografësh të shquem të Shqipes".
Pionier dhe farkues i gramatologjisë shqiptare
Një aspekt i rëndësishëm që përshkon tej e tej gjithë studimin e Krujës është metoda gramatologjike që ai ndjek, metodë krejt e pazakontë për kohën. Madje ajo i paraprin edhe formulimeve të gramatologjisë strukturaliste të cilat do mpikseshin në Shtetet e Bashkuara vetëm aty nga mesi i viteve Gjashtëdhjetë. Ndalojmë pak te kjo metodë.
Në njërin nga Dialogët e Platonit zhvillohet një arsyetim qe i kushtohet dy madhësive më të rëndësishme të ligjërimit njerëzor, gjuhës së folur dhe gjuhës së shkruar. Fabula e këtij dialogu ndërtohet mbi polemikën mes Fedrit dhe Sokratit ku i pari rreshton të mirat e gjuhës së shkruar, ndërsa i dyti, Sokrati, e kundërshton me këtë rrëfim: Kur hyu egjyptas Theuth shkoi te mbreti Thamus t'i tregonte zbulimet e tij për t'ua mësuar ato mandej egjyptasve, mbreti e pyeti edhe mbi dobinë e zbulimit të shkrimit. "Ky o mbret do t'i bëjë egjyptasit më të ditur e më të aftë për të mbajtur mend - tha Theuthi - pasi do të shërbejë si bar i kujtesës e i diturisë". Por Thamusi u përgjigj: "O Theuth mendjehollë, ti je át i shkrimit ndaj i shtyrë nga dashuria, na dëftove pikërisht të kundërtën e vlerës së tij; mba vesh, prej këtij zbulimi do të përftohet harresë në shpirtrat e atyre që do ta nxënë, sepse duke i zënë besë shkrimit ata do të mësohen të mbajnë mend së jashtmi e përmes shenjash të huaja e jo së brendmi e prej vetiu. Pra ti nuk ke gjetur barin e kujtesës, por atë që evokon kujtesën; e mandej, ti u tejçon dishepujve të tu vetëm shfaqjen e dijes e jo të vërtetën…Dhe do jetë tejet e vështirë të flasësh me ta pasi do të bëhen thjesht njohës opinionesh, nëvendse të ditur e të urtë".
Simbolika, e këtij dialogu mes hyut dhe mbretit, u mor e u rimor shpesh në gjithë rravgimet teorike që lidheshin me gjuhën si mjet, duke u bërë shkas për lindjen e mjaft shkollave të mendimit filologjiko-gjuhësor. Ndër më kryesoret përmenden Gramatikanët e Port-Royalit, Gramatika e Krahasuar, Shkolla e Junggrammatiker, Strukturalizmi i Saussurit, Nativizmi i Chomskyt etj. etj. Të gjitha këto shkolla ishin rreshtuar në dy kampe të përkundërta: Gjuhë e Shkruar - Gjuhë e Folur. Kështu debati shkencor mbi gjuhën që nga antikiteti e deri nga vitet '60 të shek. XX vërtet bazohej edhe mbi gjuhën e folur edhe mbi gjuhën e shkruar, porse këto përftesa diamezike shqyrtoheshin thuajse gjithnjë veçmas. Për pasojë në historikun e mendimit gjuhësor vijimisht është alternuar objekti i mësipërm i studimit, i cili sikundër shihet te Platoni, nis me gjuhën e folur. Ky ndërrim turnesh afërmendsh do të shkaktonte një dozë të ndjeshme artificializmi në përfundimet shkencore, pasi në realitet dualizmi Gjuhë e Folur – Gjuhë e Shkruar nuk është zhvilluar asnjëherë shkëputazi. Publikimi i tezave të Saussurit në fillim të shek. XX, për herë të parë sugjeroi që këto përftesa të vëzhgoheshin në lidhje me njëra-tjetrën dhe ky dualizëm të merrej njëherazi në shqyrtim, duke përcaktuar përparësitë dhe faktorët mbështetës të secilit element. Atbotë Saussure pozicionohej më fort si logocentrist, pasi të tillë e përcaktonte edhe koha. Por ndonëse Saussure e nxori në pah këtë qasje metafizike ndaj ligjërimeve, ai nuk mbërriti të ofrojë një zgjidhje praktike. Vijuesi kritik i strukturalizmit, Jacques Derridà, aty nga fundi i viteve Gjashtëdhjetë, mori në shqyrtim pikërisht këto dy aspekte: logocentrizmin dhe metafizikën studimore të ligjërimeve. Nuk është vendi të ndalemi në arsyetimet e Derridàs, por mjafton të thuhet se dy nga tezat e tij, neogramatologjia e gjuhës së shkruar dhe dekonstruksionizmi, i kanë shërbyer dijes mbi gjuhën si një shtysë e re metodike.
Po ç'lidhje ka dekonstruksionizmi me këtë punim të M. Krujës?
Sipas shënimeve të Derridàs rezulton se ky term është marrë nga një shprehje e Heideggerit, "Destruktion", e cila do kuptuar si destrukturim (déstructuration) e jo si shkatërrim (déstruction). Me fjalë të tjera destrukturimi nënkupton marrjen njëherazi në shqyrtim të niveleve të ndryshme ku është shtresëzuar kultura. Vetëm se ky shqyrtim nuk ka për qëllim të rindërtojë, por të pikasë ndryshimet dhe shtresat ku kanë ngjarë këto ndryshime. Në këtë kuptim dekonstruksionizmi është diçka që lind, zhvillohet dhe mbetet brenda sistemit, ndaj dhe rezultatet e tij janë pozitive (të brendshme). Dhe si të tilla, ato janë edhe të dhënat më të besueshme që mund të përdoren më tej nga studimet analitiko-krahasimtare sikundër ky punim i M. Krujës. Po me të njëjtën metodë dekonstruksioniste Derridà heton edhe dy format e ligjërimit. Ai sugjeron të merret si nistore dëshmia më e sigurt, pra ajo e shkruar, dhe përmes skicave gramatologjike, të pikaset në të çdo prurje e "transkriptuar" nga ligjërimi i folur. Afërmendsh, jo ndaraz dhe për vetveten, por për të kuptuar modifikimet e natyrshme dhe të pashmangshme që ka sjellë në sistemin e shkruar sistemi i folur. Kuptohet vetiu se dekonstruksionizmi në gjuhësi nuk është tjetër veçse përgjithësim metodologjik i asaj çka ndodh me ligjërimin në realitet; më konkretisht, në çdo normë ortografie ka gjithnjë rregulla me natyrë më subjektive se të tjerat, e për pasojë të paqëndrueshme. Pikërisht këto rregulla shkrimore duke u hepuar nën rrafshimet analogjike që imponon gjuha e folur, bëhen shkas që sistemi të dekonstruktohet (më saktë të ripërkufizohet) për të mbërritë në një shkallë të re, në të cilën është fuqizuar vetishëm ndërveprimi mes dy formave ligjërimore. Dhe kështu ndodh ad perpetuum.
Shmangia nga logocentrizmi si dhe studimi i iterit të mësipërm evolutiv të gjuhës së shkruar, që zhvillohet duke marrë me vete kontributin e vijuar të gjuhës së folur, përbëjnë platformën e re metodologjike që Derridà parashtroi më 1967 në De la Grammatologie. Le të kthehemi te Mustafa Kruja dhe metoda e tij e zbatuar qysh në vitin 1955. Këtu bie menjëherë në sy procedura e zgjedhjes së gjuhës së shkruar si objekt i dorës së parë. Kjo nuk konfermohet vetëm nga fakti që ai zgjedh një burim të shkruar të Shqipes së Vjetër, por se vijimisht e përqas atë me të dhëna shkrimore të Shqipes Moderne, të marruna herë nga shtypi e herë nga letërsia e aso kohe. Kjo procedurë qe ndjekur deridiku edhe më parë ndër punimet tona filologjiko-gjuhësore, por kish qenë thjesht e vetëm filologji a përndryshe kish qenë thjesht gramatikëzim i materialeve të vona. Por M. Kruja nuk synon të punojë as si filolog e as si gramatikan. Ai zgjedh të punojë si gramatolog modern ende para Derridás e për më tepër pa parashtruar fillimisht një platformë teorike të kësaj metodologjie. Ç'i dallon atëherë këta dy mendimtarë avangardistë?
Praktikisht, ndonëse i përmbahen parimeve të gramatologjisë, ata ndjekin shtigje të veçanta metodike, si rrjedhojë e shtysave të ndryshme që patën. Si shtysë e Derridás u bë papajtueshmëria e tij me trajtimin metafizik që i bëhej asokohe filozofisë, degë e së cilës është edhe filozofia e ligjërimit. Ndërsa për Krujën objekti, e për pasojë edhe metoda e tij e punës, u diktuan përsëdrejti nga gjendja konkrete e gjuhës së shqipe dhe e kulturës së saj shkrimore. Për shqipen - e cila fillimisht qe lavruar aq sa të formonte një qark letrar (duke sendërtuar gramatikat e fjalorët e vet), por që më pas kish rrëshqitur drejt primitivizmit (Saussure: sauvage) prej ndeshtrashave historike, e mandej prapë kish dalë nga stadi sauvage duke rinisur të lavrohej vrullshëm – për shqipen pra, ishte jetik rindërtimi i zinxhirit të saj evolutiv. Marrja në konsideratë e këtij zinxhiri nga politikat gjuhësore do të ishte ajo procedurë pune e cila mundej t'ia ruante Shqipes Moderne thellësinë historike të një gjuhe që nuk shkëputet nga vetvetja, por ruan gjithsesi në trup të vet shenjat e kohës.
Duke e parë në këtë dritë, studimi analitik i M. Krujës është një përpjekje e madhe dhe e vështirë për të argjinuar nga njëra anë primitivizimin e mëtejmë të shqipes, dhe nga ana tjetër për të shmangur rrezikun e tjetërsimit të saj nga vetvetja – tash që shqipja bëhej gjuhë shteti. Ky funksion i fundit, për çdo gjuhë, pra edhe për shqipen don të thotë se gjuha shndërrohet edhe në mjet shkollimi, pra merr përdorim masiv. Si e tillë, një gjuhë nuk mund të jetë më sauvage; ajo rregullarizohet. Por nëse ky rregullarizim (normim) nuk i ruan lidhjet organike me zhvillimin historik të krejt lëndës gjuhësore, ai e largon bashkësinë e përdoruesve nga trashëgimia e vet kulturore; pra e varfëron këtë bashkësi në identitetin kulturor dhe historik të saj. Ruajtja nga këto dy pasoja qe dhe misioni i vështirë që mori përsipër M. Kruja. Në këtë pikë, mund të pohojmë se mendësia e tij dhe procedurat praktike janë të njinjishme me ato që ndoqi kleri katolik në përgjithsësi e ai françeskan në veçanti, në të gjitha punimet me natyrë albanologjike.
Si përfundim, vlerësimi i fortë për gramatikën e afron M. Krujën për nga Derridá. Ndërsa njohja e traditës vernakulare të shqipes dhe vetëdija e tij misionare (për rilidhjen e fijeve të këputura me këtë traditë) e tërheqin atë për nga Thamusi. Simbolikisht Mustafa Kruja qëndron mes Thamusit dhe Derridás.
Si ta ketë përfunduar shqyrtimin e këtij studimi, cilido lexues i vëmendshëm do të jetë në gjendje t'i gjegjet titullit pyetës: Ç'na mëson Frangu i Bardhë me fjalorin e tij. E kjo përgjigje është thelbi i kumtit shkencor të krejt analizës së M. Krujës: në çdo gjuhë, pra edhe në shqipe, e ardhmja përcaktohet nga e shkuara historike. Dhe inovacionet e saj jo rrallë qëllon të jenë në thelb asgjamangut përveçse konservacione.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora