E shtune, 20.04.2024, 05:47 AM (GMT+1)

Editorial

Engjëll Koliqi: Ringjallja - Ngadhnjimi i dashurisë ndaj të keqes

E shtune, 03.04.2010, 04:00 PM


MESAZHI I OPTIMIZMIT TË PASHKËVE:

 

RINGJALLJA – NGADHNJIMI I DASHURISË NDAJ TË KEQES

 

Jezu Krishti ngjallet

dhe ngjitet në qiell, te Ati.

Ngadhnjen jeta mbi vdekjen

Ngadhnjen dashuria mbi urrejtjen

dhe mirësia mbi të keqen

 

Shkruan: Engjëll KOLIQI

 

Qytet i Vatikanit, fundmarsi 2010

 

Këto ditë të Javës së Madhe, Kisha Katolike Univerzale përkujton mundimet e Jezu Krishtit – siç thuhet në shkrimet e shenjta – për ta shpëtuar njerëzimin nga mëkati i rrjedhshëm, që doli nga Adami dhe Eva. Siç shkruajnë ungjilltarët (Luka, Mateu, Gjoni e Marku), sipas parashikimit të profetëve Krishti (zot e njeri) kishte pranuar mundimet deri me vdekje në kryq, për ta shpëtuar njerëzimin nga mëkati. Prandaj, duke nisur ndjenjat e vërteta të njerëzisë, mund të themi se kjo është Java e Dashurisë, sepse nuk ka dashuri më të madhe se gatishmëria e Zotit Krisht që të flijojë jetën tokësore për shpëtim dhe shelbim të njerëzimit mbarë. Në të tretën ditë pas vdekjes – thotë dogma biblike, pra në Ditën e Pashkëve, Ai ishte ringjallur, duke simbolizuar kështu ngadhnjimin e jetës mbi vdekjen, ngadhnjimin e dritës mbi errësirën dhe fitoren e mirësisë dhe të dashurisë ndaj të keqes.

 

Grave të devotshme, që në mëngjesin e së Dielës së Pashkëve kishin shkuar të luten pranë varrit të Tij, zëri i Zotit u kishte thënë: “Pse e kërkoni të gjallin ndër të vdekurit? Ai s’është këtu! U ngjall!” (Luka, 24, 5-6). “U ngjall ashtu siç pat thënë” (Mateu, 28,6). Lum kush beson pa parë u kishte thënë Ai vetë apostujve në Ditën e Rrëshajve, duke e thirrë Shën Tomën, i cili kishte shprehur mosbesim ndaj ringjalljes, që t’i vëjë gishtërinjtë në varrët e Tij, shenjat e të cilave vëreheshin ende, siç shkruajnë ungjilltarët.

 

Këto ditë përkujtimore të mundimeve, të vdekjes dhe të ringjalljes së Jezu Krishtit, në Selinë e Shenjtë, si zakonisht kanë filluar të dielën e kaluar, pra të Dielën e Larit. Të Enjten e Madhe Papa Benedikti XVI do ua lajë këmbët 12 besimtarëve të zgjedhur, sikurse Krishti që ua kishte larë apostujve, me simbolikën për pastrimin e njerëzimit nga mëkatet dhe pajtimin me Zotin. Sikurse riti i Darkës së Mbrame, të Enjten e Madhe, poashtu edhe riti i Udhës së Kryqit, të Premten e Madhe në amfiteatrin antik të Romës “Colosseo” udhëhiqen nga Ati i Shenjtë Benedikti XVI, i cili do t’u prij edhe Meshës së Mesnatës të shtunën dhe asaj solemne të së Dielës së Pashkëve, me ç’rast në mesditë do e kumtojë Mesazhin e Ringjalljes, megjithë Bekimi Apostullik “Urbi et Orbi”.

 

 Në ceremonitë e Meshës së Mesnatës, me rindezjen e qiriut mbi zjarr, do të shpallet ringjallja e Krishtit, si ngadhnjim i jetës mbi vdekjen. Me dritën e qiriut do të shpallet ngadhnjimi i dritës mbi errësirën dhe fitorja e mirësisë dhe e dashurisë mbi të keqen. Porosia e gjithëhershme e Atit të Shenjt, me rastin e Pashkëve është: - Me kulturë të lartë jete dhe me dashuri ta mundim logjikën e vdekjes dhe urrejtjen dhe t’ia rikthejmë njerëzimit mbarë paqen dhe lumturinë! Vetëm me dashuri të mirëfilltë ndaj njëri-tjetrit do të mund të na garantohet një ardhmëri të dëshirueshme dhe e vlefshme ne dhe pasardhësve tanë – porositë njerëzimin Papa në Mesazhin e Optimizmit të Pashkëve, që të Dielen e ardhshme do t’ia drejtojë njerëzimit mbarë – besimtarë e jobesimtarë, anekënd botës.

 

Le ta ndërlidhim këtë simbolikë edhe me historinë, me fatin dhe me ardhmërinë e kombit tonë, që vit pas viti, shekull pas shekulli – brez pas brezi, ka përjetuar shtypje me dhunë e me urrejtje, shumë mëkate mbi kurriz e mbi supe, shumë padrejtësi..... Le të marshojmë pas dritës së shpresës drejt ringjalljes sonë kombëtare dhe drejt një jete të plotkuptimshme, të liruar nga mëkatet, nga vuajtjet, nga dhuna, nga shtypjet, nga urrejtja dhe le të jetojmë deri në amshim, megjithë kohën dhe historinë mbushur me drejtësi, me liri, me dashuri, me respekt, me solidaritet – që sot e deri në amshim. Sidomos duhet të ringjallemi në këtë përvjetor superjubilat të 100 Vjetorit të Lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – të Lumturuarës Nënë Tereza. T’i lutemi Zotit të përbashkët, secili në mënyrën e vet dhe me ritet e fesë së tij, që edhe kombi ynë të përjetojë një ringjallje të vërtetë, por le t’i lutemi që ringjallja të vijë për njerëzimin mbarë dhe që në vend të shekujve të përgjakshëm, historisë le t’i vijnë shekuj me lule e me bukuri ngjyrash të ylberit!!! Edhe me këtë rast, duke mos njohur urrejtjen, le të jemi shembull tipik i kultivimit dhe dhurimit të dashurisë së mirëfilltë njerëzore, duke përmbushur njëkohësisht të gjitha aspiratat tona kombëtare dhe jetësore.

 

 Gëzuar për shumë mot Pashkët të gjithë besimtarëve!



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora