Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florida Meshi: Dua të martohem vetëm me shqiptar

| E shtune, 03.04.2010, 11:24 AM |


Flet këngëtarja Florida Meshi mbi klipin e ri "Me lot malli laj vetminë"

Dua të martohem vetëm me shqiptar

Klipi "Me lot malli laj vetminë", më ka bërë shumë popullore

Në Angli merrja pjesë në ccdo spektakël shqiptar

 

Nga Albert Zholi

 

Pas një periudhe mbi dhjete-vjeçare qëndrimi dhe shkollimi në Angli (Londër) vendos të kthehet në Shqipëri t'i përkushtohet ëndërrës që kishte nisur para shumë vitesh. Ajo kur iku la pas një tufë të madhe dëshirash për muzikën. Shumë kujtime të fëmijërisë në shumë aktivitete artistike të shkollës në qytete të ndryshme të Shqipërisë e tërhoqën zvarrë për t'u kthyer aty ku zemra i rrahte më fort. Pas shkollimit atje mori rrugën e jetës së saj për të zbritur në vitet e hershme për të vazhduar aty ku kish lënë shumë plane përgjysëm. Pas shumë përpjekjeve në rikthimin e zërit të saj në kushtet e nevojshme pët t'u futur në rrugën e muzikës ia doli suksesshëm. Mes shumë sprovave në lokale dhe grumbullimeve artistësh të rinj në vëndin ku ajo qëndroi për shumë vite vjen në shqipëri me klipin e saj të parë me titull "me lot malli laj vetminë". Profilizimi i saj muzikor më shumë popullor dikton dhe vazhdimësinë e muzikën së vërtetë shqiptare. Tani po merret me tre kengët dhe klipet e reja me bashkëpunime të ndryshme duke premtuar shumë shpejt daljen në treg të albumit të saj të parë kryesisht me këngë dhe tekste tërësisht të rinj ku shpreson të jetë një arsye më shumë drejt suksesit.

 

Florida cila ka qenë rrjedhja e jetës suaj dhe pse vendosët të ktheheshit?

 

Unë pasi mbarova shkollën 8-vjeçare këtu në Shqipëri vendosa të largohem në Angli. Kjo dëshirë në fakt ishte si një shkreptimë në qiellin tim pasi më kishin folur vëllezërit dhe motra të cilët jetonin atje që më nxiti të shkoja drejt kësaj ëndërre në atë kohë. Dhe në fakt unë vendosa pa asnjë mëdyshje që të ikja se atë kohë në Shqipëri sapo po trazoheshin problemet e 96-97-ës kështuqë mënduan familjarët të më largonin atje për një jëtë më të qetë. Për mua ishtë shumë e vështirë atje. Më dukej vetja si e humbur dhe shumë herë pendohesha pse kisha emigruar në Angli të cilën e kisha ëndërruar dikur. Isha dhe shumë e vogël vetëm 14 vjeç dhe përshtatja ishte pothuajse e pamundur, pastaj kuptohet dhe diferencimi që bëhej atje t'a shtonte mërzinë dhe mallin për Shqipërinë sidomos për prindërit.

 

Më pas?

 

Pastaj u rregjistrova në shkollë, në kolegj më saktë, ai ishte tre vjeçar dhe në fakt unë e nisa për gjuhë si fillim por arrita të barazohesha me të tjerët shumë më shpejt se e kisha menduar. Aty rinisi e u zgjua ëndërra ime për të vazhduar të merrem me muzikë. U angazhova me grupin artistik të shkollës dhe këndoja këngët e tyre kuptohet. Aty më vlerësuan ç'është e vërteta dhe më pas nisa të frekuentoj dhe organizimet e ndryshme artistike kur më merrnin ata. Sidomos në festat dhe lokalet ku kishte Shqiptarë dhe Kosovarë nisa të shkoj gjithnjë e më shpesh.

 

Në Angli ju lindi dëshira për të lënduar apo ishte e vjetër por e fshëhur nëpër vite dhe pamundësi?

 

Në fakt unë kur kam qenë në shkollë në Shqipëri kam marrë pjesë në aktivitete e shkollës, në festivalet e fëmijëve të shkollave të ndryshme të Tiranës ku kam marrë dhe çmime, po ashtu kam shkuar dhe në Gjirokastër, Berat, Korçë etj me grupin artistik të shkollës. Kjo ka qenë një piknisje drejt muzikës që në fillore mund të them por asnjëherë nuk munda ta kurorëzoj ashtu siç duhej bërë për shumë arsye. Dhe në Angli u mora dhe me kurse muzike më kompozitorë të shumtë kryesisht Kosovarë që të mund të vazhdoja.Por ka qenë shumë e vështirë se atje dhe e huaj dhe pa mbështetje ishte katastrofë sinqerisht dhe kjo më lëndonte pasi mendoja se kurrë nuk do e prekja qiellin e ëndërrës time.

 

Na kujtoni diçka nga jeta juaj pas kolegjit?

 

Pasi mbarova kolegjin vazhdova shkollën e lartë të cilën e mbarova me sukses për të cilën nuk dua të flas pasi është shumë larg muzikës. Unë doja të vzhdoja për muzikë por nuk ia dola dot. Kjo ka mbetur një peng shumë i madh në jetën time. Shkollimi më ndihmoi të punoj por asnjë çast nuk u shkëputa nga muzika, sidomos fundjavës isha e pranishme në çdo festë apo aktivitet që bëhej atje. Dhe në fakt kam patur mbështetje të madhe nga shoqëria pasi kam shumë shoqëri atje, sidomos Kosovare.

 

Po jeta private Juaj ka ndonjë lidhje me këngën, arsyeja e kthimit Tuaj?

 

Jeta ime në Angli vazhdoi normalisht vetëm se atje është shumë më ndryshe. Si marëdhëniet shoqërore dhe dashurore janë të futura në kulturën e hershme të tyre. Atje kam prekur nuancat e lehta të shoqërisë, miqësisë dhe dashurisë. Ndërtova një jetë të qetë dhe të kushtëzuar nga një ëndërr që më kërkonte çdo ditë dhe ajo ishte kënga, pikërisht kënga më bëri të kthehesha duke ditur se këtu ka muzikantë më të mirë që bëjnë vërtetë muzikë të mirë.

 

Cfarë gjetët kur u kthyet?

 

Aaaa, në fakt gjeta shumë ndryshime. Një shoqëri krejt të civilizuar shqiptare që të them të drejtën më pëlqeu ky emancipim që kishin arritur. Më pas nëpër çdo rrugë të Tiranës gjeta momentet e fëmijërisë time, shumë kujtime. Ishin prindërit ato që më pritën dhe mbështetën pasi këtu nuk kisha më askënd nga shoqëria, vetëm njerëzit e fisit dhe ato jo të gjithë pasi dhe ata kishin emigruar gjithandej si unë. Gjeta dhe një ëndërr të thyer që dikur kisha dashur të bëhesha balerinë dhe sia arrita dot. Këtu rigjeta veten time dhe nisa të angazhohem në jetën e përditshme që të mund të përshtatesha.

 

Klipi Juaj i parë, ç'mund të na thoni? Si ndjeheni tani?

 

Unë u ktheva për të nisur rrugën e muzikës dhe sapo erdha kontaktova me muzikantin Bujar Kurti dhe shkrimtaren Helena Halilaj e cila më bëri dhe tekstin e këngës me titull "me lot malli laj vetminë". Më pas Bujari më bëri një muzikë shumë të mire si dhe teksti dhe direkt bëra videoklipin i cili u transmetua shumë shpejt në televizion. Klipi është bërë në Dajt. Kisha shumë emocione, isha shumë e lumtur dhe prisja me padurim të shfaqej sa më shpejt në ekran. Tani ndjehem shumë mirë dhe dua të punoj shumë më shumë se deri çkam bërë. Pa punë dhe pa shkollë për mua jeta është e kotë.

 

Cilën rrymë muzikore do vazhdoni të këndoni?

 

Muzikë popullore, e kam patur qejf që në fëmijëri. E di çfarë unë ende degjoj shpesh këngët e Fatime Sokolit pasi e kam dashur shumë. më pëlqejnë dhe baladat kuptohet që të kenë në përbërje një shtrirje të lëhte popullore, më saktë alternim mes tyre. Kam një idhull si merita Halili apo Celine Dion që më frymëzojnë dhe qetësojnë në max sa herë i dëgjoj.

 

Sa e vlerësoni jetën në Shqipëri, do martoheni këtu apo jo?

 

Unë mundohem ta vlerësoj jetën këtu dhe ta shikoj me sy optimist por nuk e kam prekur tamam që të them një mendim të plotë. Do martohem dhe kurdo që të ndodhë them se do jetë Shqiptar jo se jam raciste por kështu më pëlqen, se di në do martohem këtu apo atje. Unë vlerësoj zgjuarsinë, sinqeritetin dhe përkushtimin e shoqërisë, miqve apo dhe partnerit nësër, janë këto elementë që më bëjnë ta vlerësoj jetën, pse jo dhe në Shqipëri, njerëzit e bëjnë vëndin si në çdo kohë.

 

Si ju kanë pritur miqtë tuaj, mendimet e tyre?

 

Kam patur shumë që më kanë mbështëtur dhe vlerësuar të them të drejtën. Si familja dhe shoqëria e pritën daljen time madje e kishin pritur me kohë. më kanë përgëzuar shumë por ka patur dhe nga ato që më thoni rrije atje se jeta në Angli është e jo këtu, apo dhe shumë të tjerë që kanë mentalitet të theksuar sigurisht që nuk më kanë përgëzuar. Por dua të them se kryesorët, ato më të afërmit më kanë pritur shumë mirë. Kam marrë shumë emaile, smas dhe urime nga to që më bënë të lumtur kuptohet.

 

Planet tuaja muzikore sa e ndjeni tregun e kengës?

 

Tani sapo kam përgatitur dhe tre këngë të reja, jam në bashkëpunim dhe me Indrit Furtunën dhe një teks po me Helenën e cila më ka ndihmuar shumë kur erdha nga Anglia. Ajo ishte ndër të paktët miq që më është gjendur pranë duke më orientuar mbi jetën dhe muzikën.

Dua të bëj me patjetër albumin tim, me këngë dhe tekste kryesisht të rinj pasi aty qëndron dhe ambicja ime drejt suksesit. Kam shumë plane dhe projekte. Dhe në fakt kur isha në Angli fill pas publikimit të klipit të parë pata oferta që të rrija atje pasi unë më përpara kam këndyar shumë në Angli dhe në Zvicër disa herë. Gjithashtu një grup kosovarësh të rinj po bëjnë një film ku dhe mua mu ofrua një rol të cilin e mirëprita. Dua të këndoj dhe në Shqipëri patjetër jo vetëm jashtë. E ndjej shumë tregun e këngës kuptohet pasi ka shumë këngëtare dhe është e vështirë të depërtosh shpejt drejt suksesit. Por shpresoj si gjithmonë.

 

...nesër çfarë prisni?

 

Me dëshirë do kisha dashur shumë më shumë miq, shokë dhe dashamirës. Patjetër që pres vlerësim dhe mbështetje në rrugën time. Pres suksesin ta ndjej dhe ta transmetoj vetëm nëpërmjet muzikës dhe zërit tim në lokale, festivale apo dhe në organizime të tjera. Dua që kën\gët e mia të pëlqehen dhe të mirpriten nga publiku, të dëgjohen në radio, televizione etj. Pres që albumi im të jetë gjithndej nesër, të jem dhe unë aty ku kam dashur gjithmonë.