E shtune, 20.04.2024, 01:59 PM (GMT+1)

Faleminderit

Mustafa Kruja, dija dhe vetëdija në veprën postum

E marte, 06.11.2007, 12:15 AM


Shkreli: Më thoni një personalitet tonin për të cilin nuk ka rezerva e hije. Shoqëria shqiptare bashkëkohore, përsa mund të duket e fortë, vuan nga një sindromë nekrofilie, apo sikurse thoshte me shaka i ndjeri padër Zef “ky vênd i han të dekunit e vet”.

Jo rastësisht për ballinën e këtij libri u zgjodh grafika e njohur e A. Dyrerit, “Ndërtimi i perspektivës” - 1525, e cila për vizionin tonë përçon po atë kumt që përçon edhe vepra e Mustafa Krujës “Nji studim analitik - gjuha e Frang Bardhit dhe Shqipja Moderne”. Me pak fjalë paraqitjet diturore gjithnjë janë bërë nëpërmjet matjesh në vend dhe ndjekjes së atyre fijeve karakteristike që lidhin objektin e gjuhës me përshfaqjet e këtij objekti në rrjedhë të kohëve.
Në vitin 1955 Mustafa Kruja, shkruante në emigrim “Nji studim analitik – Ç’na mëson Frangu i Bardhë me Fjalorin e vet”, ku siç thotë që në krye autori “kënduesi s’ka për të gjetun vetëm nji listë alfabetike të thatë të fjalëvet shqipe të Frangut të Bardhë (kund nja 2500), por diça edhe mâ tepër, qi kam shpresë se mund t’i sjellë nji dobi praktike studimit të gjuhës s’onë përgjithsisht”. Botohet si vepër postum pas gjysmë shekulli nën kujdesin e Ledi Shamku-Shkrelit. Lënda i ra në dorë gjuhëtares nga trashëgimtarë të Krujës, më saktë nga Bashkim Merlika, i cili kish përgatitur dosjen me materialet të tjera shoqëruese dhe në bazë të tyre Shkreli, nëpërmjet kolanës “Excipere” të Botimeve Çabej, na e paraqet me titullin “Gjuha e Frang Bardhit dhe Shqipja Moderne” dhe pajisur me një studim hyrës të sajin. Vepra ka në fokus të parën vepër gjuhësore në shqip “Dictionarium” i Frang Bardhit (1635), dhe Kruja shënon që bëhet fjalë për “nji studim krahashimtar ndërmjet gjuhës së Bardhit e shqipes qi flitet e shkruhet sod nga pikpamja gramatikore”. Bashkë me këtë vepër dhe deri para saj, në vitet ’30-’40, ai kishte sjellë ndërkohë edhe një risi metodike në shkencat tona filologjiko-gjuhësore, thelbi teorik i së cilës ka qenë sipas Shkrelit “sinkron me atë të bashkëkohësve të vet në Europë e Shtetet e Bashkuara - Fishman, Martinet, Benveniste, Bartoli, Migliorini etj.”

Përtej interesit të mirëfilltë shkencor ndër etimologë dhe historianë të gjuhës që pret të ngjallë botimi për herë të parë, “Nji studim analitik – Gjuha e Frang Bardhit dhe Shqipja Moderne”, i shërben kujtdo që do të dijë më shumë rreth gjuhës shqipe.

Intervista

Para se të na shpjegoni me fjalë të tjera këtë vepër të Mustafa Krujës, mos duhet bërë më parë një hyrje për këtë njeri që deri tani njihet vetëm si politikan kuisling?

Po, keni të drejtë. Ndofta vërtet figura e Mustafa Krujës apo Merlikës sikundër e kemi dëgjuar shpesh në të kaluarën është e lidhur me rolin e tij përkrahës ndaj Italisë së Musolinit. Kjo periudhë e jetës së Krujës, e nxitur fort edhe nga propaganda komuniste, hodhi një hije të paarsyeshme mbi krejt veprën morale dhe materiale të këtij personaliteti shqiptar. Me pak fjalë po sintetizoj këtu rrjedhën e jetës së tij. Kur qe 23 vjeç, përfundoi studimet për shkenca politike në Universitetin “Mylkije” të Stambollit më 1910. Qe pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës dhe njëri prej nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë; prefekt në Vlorë, sekretar i parë i qeverisë së I. Qemalit dhe inspektor arsimi në Elbasan. Më 1914 përkrahu Ëiedin dhe një vit më pas u arrestua nga E. Toptani e u burgos në Itali. Pas lirimit më 1917, punoi në Romë si kryeredaktor i gazetës “Kuvendi”, deri në mbajtjen e Kuvendit të Durrësit ku u emërua ministër i Postë-Telegrafave gjer më 1919. Deputet në vitet 1921-1922, u largua mandej në Jugosllavi si organizator i kryengritjes së marsit 1922. U rikthye në atdhe në qershor 1924 dhe u emërua nga F. Noli prefekt në Shkodër. Me riardhjen e Zogut emigroi në Zarë të Dalmacisë (Itali) iu kushtua fort studimeve gjuhësore bashkëkohore duke interferuar me figurat më të mëdha të linguistikës europiane. Si Kryeministër i vendit u angazhua për nxjerrjen në pah të shqiptarisë nën kurorën italiane dhe ndër të tjera themeloi Institutin e Studimeve Shqiptare duke e shndërruar atë në një pol të rëndësishëm të studimeve albanologjike. Në mbarim të Luftës emigroi për të mos u kthyer më për së gjalli në Shqipërinë e kërrusur nga komunizmi.

Cila është historia e veprës që pa më në fund dritën e botimit ndërsa autori vetë na paraqitet për herë të parë, për shumë nga ata që s’e dinin, si gjuhëtar. Si ratë në gjurmë të daktiloshkrimit të tij “Ç’na mëson Frangu i Bardhë me fjalorin e vet”?

Ishte një rastësi fatlume (për mua) që pasardhësit e familjes së Krujës, nëpërmjet miqve të tyre kishin rënë në kontakt me disa libra të gjerdanit Excipere që unë drejtoj. Ishte poashtu fatlum fakti që bijtë e M. Krujës vijonin ta ruanin ndjeshmërinë ndaj filologjisë shqipe, ushqyer me siguri nga ai vetë. Dhe këta dy faktorë bënë që midis nesh të krijohej ajo frymë e domosdoshme afiniteti për të besuar në seriozitetin e një ndërmarrjeje të tillë. Ende sot e kam parasysh momentin kur ata hynë në studion time me dosjen “Ç’na mëson Frangu i Bardhë me fjalorin e vet”. E habitur nga shqipja e ambël që fliste z. Merlika anipse ish rritur e plakur larg Shqipërie, unë e dëgjoja atë burrë tek kumtonte me një të folme të lartë krutane e plot me prestigj të harruar aristokratik. Ishte prestigji i mbramë i një epoke e cila në Shqipërinë tonë ish “mohuar” para gjysmë shekulli. Më pas, n’ato orë të gjata ditë-netësh kur punoja me daktiloshkrimin, m’u bë se kështu, po kështu pat folur edhe vetë Mustafa Kruja. E sa herë që prej vetiu më vinte të flisja me të për arsyetime filologjike apo gjuhësore, besoja se përgjigja e tij do të kish pasë po atë tingullim e prestigj.

Pse mendoni që duhet “përkthyer” në shqipen e sotshme gjuha e tij, sadoqë shumë pranë kodit zyrtar të viteve ‘30-‘40?

Nuk mendoj që gjuhë e tij, sikundër ajo e Fishtës apo Camajt, duhen përkthyer, marrë kjo ad literam. Ajo ku unë ngulmoj është se shqipfolësit kanë nevojë jetike të marrin në shkollë një kulturë gjuhësore të gjerë. Është turp për shkollën tonë, për filologjinë tonë, për linguistikën tonë, të mohojë ende sot, në kushtet e një demokratizimi të thellë të jetës, pjesë të tëra të vetëdijes sonë kombëtare ku gjuha, siç dihet, te ne luan rol parësor. Nxënësve e studentëve u duhen mësuar mirë regjistrat e Koineve themelore të shqipes, njësoj sikurse u mësohen me ngulm matematika dhe algjebra në të gjitha përdorimet e tyre. Mos harrojmë se në Europën perëndimore, në shkollat e mesme mësohet me detyrim edhe greqishtja e lashtë. Ime bijë duhet ta lexojë publicistikën e Anton Harapit me të njëjtën lehtësi siç lexon atë të Fan Nolit. Ky është turpi që ne linguistët bartim akoma mbi supet tona. Dhe këtë peshë turpi ndoshta do ta lehtësonte disi një mea culpa nga ana e institucioneve përgjegjëse.

Ju thoni se në Shqipërinë e viteve ‘30-‘40 kishte gjuhëtarë si Kruja që operonin në lëmin e shqipes me metoda që filozofë të gjuhës si Derrida i zbatuan në vitet ‘60. Ku qëndron ky dimension avant-guard i Mustafa Krujës?

Në botë njihen rastet e prekursorëve, të cilët u paraprijnë avangardave. Në këtë kuptim Kruja ishte një prekursor, një pararendës. Ndonëse ai nuk ishte i rreshtuar në debatin linguistik që bëhej në revistat e specializuara të kohës e ndonëse nuk kishte një katedër nëpërmjet së cilës të krijonte një shkollë mendimi dhe idhtarë të tij, rruga dhe metoda që ai ndoqi shpunë në përfundime të përafërta e shpesh më efikase se ato në të cilat dekonstruksionistët do të arrinin në vitet ‘70, përhapur fjala vjen me tekste programatike si “L’écriture et la différence”.

Por nëse ata arritën në përfundimet e tyre nëpëmjet një procesi kërkimtarie të gjatë universitare, Kruja u diktua nga nevoja praktike, të cilat shqipja i kishte vënë krejt papritur për zgjidhje në tryezën e linguistëve. Nga një gjendje në prag të primitivizimit, siç kish qenë, ajo duhej të shndërrohej në gjuhë të një shteti kombëtar. Duke njohur shumë mirë “kurthet” në të cilat kish rënë një pjesë e gjuhëtarëve italianë në periudhën midis dy luftrave, puna e të cilëvekarakterizohej nga purizmi i skajmë dhe prirja për neologjizma diturore ngjyruar në latinizma prej shekujsh të vdekura, pra jo nga italishtja popullore, Kruja zgjodhi të plotësonte kodin gjenetik të Shqipes Moderne (edhe për regjistrin burokratik) me leksema dhe stilema që ende gjëllinin në të folmet e krahinave të ndryshme të Shqipërisë, gjithë duke iu përmbajtur gjuhësisë funksionaliste, dmth garancisë për një kumt semantikisht të pandotur e të mirëpërcaktuar. Dhe këtë e realizoi veçse përmes prirjes së tij vetjake për të ndjekur një metodë dekonstruksioniste.

Sipas çfarë parimesh besonte Kruja se funksiononte gjuha shqipe? Dhe sa i shërbejnë gjuhësisë sot tezat e tij?

Shumë thjesht. Atë që besonte edhe Fishta, Gjeçovi, Gazulli, Xhuvani, Rrota, e madje edhe Çabej; pra si për çdo gjuhë të kësaj bote, edhe për shqipen tonë parimet kryesore që përcaktojnë gjithë ekzistencën e saj janë: Analogjia dhe Eufonia.

Kështu, në bazë të këtyre parimeve, si dje ashtu edhe sot shqipja duam apo s’duam ne, vijon të drejtohet nga këto dy forca kryesore. Ajo që bën gjuhëtari, siç theksonte edhe Xhuvani në vitet Pesëdhjetë, kur Kruja në mërgim shkruante këtë punim, ajo që bën gjuhëtari pra është gjetja e atij ekuilibri delikat midis gjendjes vulgare të gjuhës dhe prirjeve për intelektualizim të saj. Gjetja e këtij ekuilibri kërkon, përveç studimeve, edhe vetëdijen; vetëdije e cila padyshim karakterizonte M. Krujën.

Ju e rendisni këtë figurë ndër ata humanistë që ëndrrat gjuhësore i lidhin me ëndrrën e progresit. Mos ky pohim me rastin e daljes se librit ka për t’u pritur me shumë rezerva nga ata që deri më sot e njohin këtë figurë vetëm nga hijet e historisë?

Relativizimi i figurave historike sot është jo vetëm një prirje e përbotshme (sot ka nga ata që Bonapartin e shohin si kriminel), por edhe një sport shqiptar! Më thoni një personalitet tonin për të cilin nuk ka rezerva e hije. Shoqëria shqiptare bashkëkohore, përsa mund të duket e fortë, vuan nga një sindromë nekrofilie, apo sikurse thoshte me shaka i ndjeri padër Zef “ky vênd i han të dekunit e vet”.

Ç’vend zë kjo vepër në fondin e Exciperes?

Natyrisht vend nderi. Është volumi i dymbëdhjetë i gjerdanit Excipere dhe përveç vlerës që vetë libri paraqet, së shpejti do të pasohet nga një tjetër vepër madhore albanologjike siç është Fjalori Etimologjik i shqipes i Gustav Meyerit. Por nga sa duket feeling-u me veprën e M. Krujës do të zgjasë gjatë pasi tani kam në dorë “Germat –A- dhe –B-” të Fjalorit të tij enigmatik.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora