E premte, 26.04.2024, 12:05 AM (GMT+1)

Speciale

Ukshin Zajmi: Në 100 vjetorin e Kongresit të Dytë të Manastirit

E shtune, 03.04.2010, 03:59 PM


Në 100 vjetorin e Kongresit të Dytë të Manastirit

 

Tubim për vetëdijësim kombëtar

 

Në Kongresin e Dytë të Manastirit, ashtu si në ato të mëparshmet, u mbajtën edhe mbledhje të fshehta, në të cilat u diskutuan çështje të tilla politike, siç ishin forcimi i komiteteve të fshehta dhe masat që duheshin marrë për përgatitjen e një kryengritjeje të përgjithshme.

 

Nga Ukshin Zajmi

 

Rrethanat e krijuara shoqërore në fund te shekullit te  XIX dhe në fillim të shekullit XX, bënë një kthesë të madhe edhe në vetëdijen e inteligjencës shqiptare që ishte e shpërndare nëpër  botë.Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit si dhe apetitet e fqinjëve te popullit shqiptarë për të coptuar e ndarë territoret e popullit më të lashtë të Ballkanit, bënë qe intelektualët shqiptarë kudo që vepronin të punonin me një shpejtësi dhe zgjuarsi te veçantë për të zgjuar vetëdijen e heshtur të shqiptarëve, për të krijuar konturat e para të kombësisë shqiptare dhe për të përcaktuar zonat ku ata jetojnë si trojet e fundit që kanë mbetur pa u grabitur nga fqinjët.

 

Pos Lidhjës Shqiptare të Prizrenit, që përcaktoi çartë nevojën për angazhim e veprim të shpejtë dhe energjik për përcaktimin kombëtar e territorial të shqiptarëve, për vetëdijësimin e ngritjes shoqërore e kulurore dhe për vuarjen e themeleve të një shoqërie unike shqiptare, edhe Kongresi i Manastirit që përcaktoi alfabetin shqiptarë dhe kongresi i Elbasanit që nxiti përshpejtimin e hapjes së shkollave shqipe, nxiti reaksione të forta nga Porta e Perandorisë otomane, nga Kisha ortodokse greke dhe nga fqinjët e shqiptarëve. Ata shfrytëzuan të gjitha metodat barbare për të ndërprerë këto aktivitete shqiptare, më qëllim që, shqiptarët ende te sillen vërdallë nëpër mjegullën e krijuar për të humbur identitetin e vet.

 

Në këtë kontekst rreziku për shkombëtarizimit dhe aneksimi të territoreve të Shqipërisë nga shtetet fqinje, nga Serbia, Greqia e Bullgaria shtoi aktivitetin e inteligjencës shqiptare. Serbia, duke ndjekur një politikë shoviniste, synonte të pushtojë Kosovën, të cilën e pagëzoi me emrin “Stara Serbia”, ndërsa qarqet politike të Greqisë përpiqen me të gjitha mjetet, duke përdorur klerikët ortodoksë konservatorë e progrekë, shkollat e mësuesit grekomanë, të asimilojnë shqiptarët e krishterë dhe të aneksojnë territoret e Shqipërisë së Jugut. Kështu këta klerikë fanatikë e grekomanë, të nxitur nga Greqia, mallkojnë e shkishërojnë banorët e fshatrave Progër, Negovan e Bellkamen sepse çojnë fëmijët në shkollat shqipe, ndërsa bandat e andartëve grekë, të paguar nga Athina, vrasin atdhetarët më të dalluar që përhapin mësimin e shkrimin shqip. 

 

Me një ligj kundër gjuhës dhe kulturës shqipe që ka lëshuar sulltani i Perandorisë osmane më 31 maj të vitit 1779, Abdul Hamiti II, përcaktohej saktë marrja në mbrojtje nga ana e turqve e kulturës dhe gjuhës greke, dhe se duhej luftuar gjuha shqipe. Më 1909-n, qeveria turke, në bashkëpunim me kishën greke dhe sllavët, mbylli të gjitha shkollat shqipe, dhe dha urdhër të prerë të shuhen në zjarr të gjitha librat, dokumentet dhe letërsia shqipe.

 

Porta ndërmori edhe shumë ekspedita ndëshkuese kundër shqiptarëve. Në intervistën që i dha më 20 shtator 1909 gazetës “Le Progrès de Salonique” (“Përparimi i Selanikut”), Xhavit Pasha deklaroi se qëllimi i ekspeditës ishte “të likuidonte disa rebelë shqiptarë”.

 

Në këtë gjendje të acaruar të marrëdhënieve shqiptaro-turke, kur konflikti me xhonturqit për çështjet e kulturës shqiptare kishte arritur kulmin e tij, atdhetarët shqiptarë mblodhën një kuvend tjetër kombëtar, Kongresin e Dytë të Manastirit. Ky tubim u thirr me nismën e klubit “Bashkimi” të Manastirit dhe i zhvilloi punimet nga 2-3 prill të vitit 1910.

 

Ndryshe nga kongreset e mëparshme kombëtare, në këtë kuvend pati një numër mjaft të madh delegatësh nga qytetet e vilajeteve të Kosovës dhe të Manastirit, nga Peja, Gjakova, Gjilani, Mitrovica, Vuçiterna, Shkupi, Tetova, Dibra, Struga, Ohri etj. Midis delegatëve ishin Dervish Hima, Fehim Zavalani, Petro Nini Luarasi, Hysni Curri, Ferit Ypi, Bedri Pejani, Qamil Shkupi, Gjergj Qiriazi, Bejtullah Gjilani, Themistokli Germenji, Tefik Panariti, Hajdar Blloshmi, Abdullah Efendiu (nga Struga), Qazim Iliaz Dibra, Rexhep Mitrovica, Xhafer Kolonja etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Bedri Pejani, ndërsa sekretarë Ferit Ypi dhe Petro Nini Luarasi.

 

Dervish Hima, që mbajti edhe fjalën e hapjes në Kongres, foli “për nevojat e zhvillimit të arsimit, të përhapjes së diturisë dhe të përparimit të kombit shqiptar”. Ai dhe delegatët e tjerë, si Ferit Ypi, Tefik Panariti etj., kritikuan Komitetin Qendror “Bashkim e Përparim”, i cili, në kundërshtim me premtimet që u kishte bërë shqiptarëve, po u mohonte të drejtën e arsimit kombëtar dhe të përdorimit të lirë të gjuhës shqipe, ndërhynte egërsisht në çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, që ishte një e drejtë e natyrshme e njerëzore si për çdo popull.

 

Aktet kryesore të Kongresit të Dytë të Manastirit ishin Programi prej 10 pikash dhe një Promemorje prej 4 pikash, që iu dërgua qeverisë turke. Në këto dokumente parashikoheshin masa të rëndësishme për zhvillimin e arsimit kombëtar, për mbrojtjen e alfabetit të shqipes, për botimin e librave dhe të teksteve shkollore shqipe. Për këtë qëllim do të ngrihej pranë klubit qendror një komision arsimor-kulturor, që në program quhej Akademi, i cili do të merrej me botimin e teksteve shkollore, të veprave letrare dhe të një fjalori shqip-turqisht e anasjelltas. Parashikohej të hapej në Shkup një shkollë normale me konvikt, e ngjashme me atë të Elbasanit, dhe të themelohej këtu një gazetë e re në shqip dhe në turqisht, me anën e së cilës do të informoheshin shqiptarët dhe opinioni publik evropian për ngjarjet e rëndësishme që po zhvilloheshin në këtë vilajet.

 

Në Promemorjen prej katër pikash, që iu dërgua Portës së Lartë, parashtroheshin këto kërkesa: të jepej liri e plotë për mësimin e gjuhës shqipe, në përputhje me të drejtat kushtetuese; të mënjanoheshin të gjitha pengesat që nxirrnin autoritetet shtetërore për zhvillimin e lirë të kombit shqiptar dhe veçanërisht të mos lejohej asnjë lloj ndërhyrjeje në mënyrën e mësimit të gjuhës kombëtare (shqipe), duke ua lënë të drejtën e zgjedhjes së alfabetit të shqipes, siç qe vendosur në Kongresin e Dibrës, mësuesve (shqiptarë); të caktohej nga qeveria një subvencion për shkollat e të krishterëve shqiptarë, për t’i shkëputur ato nga ndikimi i Greqisë dhe t’i kërkohej Patrikanës nga qeveria që të lejonte përdorimin e gjuhës shqipe gjatë predikimit në kisha. Promemorja ngarkonte klubin qendror shqiptar që të këshillohej me Shejhylislamin rreth “dëmit” që gjoja i shkaktohej fesë myslimane nga përdorimi i alfabetit latin për mësimin e shqipes.

 

Në Kongresin e Dytë të Manastirit, ashtu si në ato të mëparshmet, u mbajtën edhe mbledhje të fshehta, në të cilat u diskutuan çështje të tilla politike, siç ishin forcimi i komiteteve të fshehta dhe masat që duheshin marrë për përgatitjen e një kryengritjeje të përgjithshme. Por, ndërsa në komitetet e fshehta u mor vendim që të zgjeroheshin e forcoheshin më tej, për përgatitjen e kryengritjes së përgjithshme nuk u mor ndonjë masë. Kjo çështje u la të diskutohej e të vendosej në kongresin e ardhshëm. Sipas të dhënave të bashkëkohësve, në mbledhjet e fshehta u hartua edhe një program politik, të cilin ata e quanin platformë “të autonomisë së Shqipërisë”, ku, përveç të tjerave, parashikohej njohja zyrtare e kombit shqiptar, mësimi i gjuhës shqipe në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe njohja e saj si gjuhë zyrtare. Megjithatë, ky program nuk u përfshi në asnjërin nga dy aktet e shpallura botërisht të Kongresit.

 

Nga e gjithë kjo që u tha, shihet se intelektualët shqiptarë të kohës së Rilindjës bënë gjithë at që ishte në mundësitë e veta për të sensibilizuar çështjen kombëtare e për të krijuar rrethana favorizuese për njohjen e kombit shqiptar si një identitet me rrjedhshmëri shekullore ne trojet e sotme. Andaj, shënimi i përvjetorit të 100-të këtij kongresi do të ishte një domosdo kohe, jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por edhe në të gjitha trojet shqiptare.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora