E shtune, 20.04.2024, 11:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Mbretëresha e Rumanisë dhe respekti i saj ndaj kombit shqiptar

E premte, 02.04.2010, 09:59 PM


Elisabeta de Wied (Carmen Sylva) me burrin e saj, mbreti Carol I
Elisabeta de Wied (Carmen Sylva) me burrin e saj, mbreti Carol I
Mbretëresha e Rumanisë dhe respekti i saj ndaj kombit shqiptar

 

Nga Baki Ymeri

 

Elisabeta de Wied (1843-1916), është emri me të cilin ka qenë e njohur mbretëresha Elisabeta e parë e Rumanisë, bashkëshortja e mbretit Carol I (1839-1914), mbret rumun me prejardhje gjermane që i përkiste dinastisë Hohenzollern. Karli i Parë (Carol I) ishte mbret besnik, dashamir ekskursionesh, pjesmarrës në luftërat ruso-turke të Plevnës, nënshkrues i Kushtetutës së parë të Rumanisë më 1866. U zgjodh mbret më 1881 dhe e drejtoi Mbretërinë rumune në kohën e Nikolla Naços, deri sa vdiq, më 1914. Dinastia e pasardhësve të tij zgjati deri më 1947. Emri i bashkëshortes së tij është Elisabeth Pauline Ottilie Luise zu Wied,  e lindur më 29 dhjetor 1843 në Neuwied të Gjermanisë. Vdiq në Rumani më 18 shkurt 1916, ndërsa kurmi i saj prehet pranë kurmit të bashkëshortit të vet në manastirin mesjetar, në Curtea de Arges. Elisabeta ka qenë patrone e arteve, themeluese e disa instituteve mirëbërëse, poete, eseiste, shkrimtare. Ajo është e njohur poashtu, përmes emrit Principesa Elisabeth von Wied. Si poete dhe patrone e arteve mbante pseudonimin Carmen Sylva, ndërsa si themeluese e instituteve mirëbërëse populli e pat pagëzuar si  Mamaja e të plagosurve. Cili është kontributi i saj për kombin shqiptar? Pikësëpari meriton të përmendim faktin se mbreti, respektivisht princi i parë shqiptar, Princ Widi, ishte nipi i mbretëreshës rumunë Elisabeta de Wied

Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Princi Wilhelm zu Wied dhe e shoqja gjatë arritjes në Shqipëri (7 mars 1914)
Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Princi Wilhelm zu Wied dhe e shoqja gjatë arritjes në Shqipëri (7 mars 1914)
Carmen Sylva është autore e një broshure për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Vepra mban titullin Cili është Ay, botuar në Bukuresht, më 1914, në një sipërfaqe tipografike prej 10 faqesh, e përkthyer në gjuhën shqipe prej Asdrenit. Sipas saj, „Kjo është Shqipëria paqësore prej së cilës u mëndua Mbreti të japë një udhëheqës të zotin edhe një mprojtës mendar popullit shqipëtar aqë të vuarshim. Shqipëtarët kanë mjaft të drejtë për një pushim pas aqë trazimeve. Pasi ata u mprojtën që nga majët e malevet kundrë Romanëve që u derthnë në vënt të tyre, ata e mbajtnë hovin ndë aqë shekulla me luftë kundrë Turqve, të cilët kurrë s’mundnë t’i kllasin nënë zgjedhë” (fq. 8-9).  Dhe më tej: „Thohet se Shqipëtarët janë popull m’i vjetër i Europës. Pellasgët, gjuha e tyre s’ka afërim me gjuhën Latine apo me gjuhërat Sllave. Besnikëria e tyre ësht’ e famëshme që në kohët e vjetra. Në gjithë vëndet tona (në Rumani),  kemi patur gjithmonë vetëm Shqipëtarë, ruajtës të shtëpive, të bankave  si mprojtje edhe vigjëllim. Kurrë s’munt të jetë Shqipëtari tradhëtor. Fjala e tij e dhënë, besa, është një gjë e shënjtë, e pa trazuarshme. Ashpërsia e vetijavet te atdheu i motshëm i burrave është shum’ e madhe, edhe për këtë Shqipëtarët meritojnë të kenë në ballë të tyre një jetë familiare aqë të bukur edhe të shënjtë” (fq.9).

            Në bazë të kësaj broshure, faksimili i së cilës i jepet për herë të parë shtypit shqiptar, kuptojmë se mbretëresha e Rumanisë ka qenë një dashamire e madhe të Shqipërisë.  Sipas Flamurit të Shqipërisë, Carmen Sylva u shua më 18 shkurt 1916. „Hidhërimni tregohesh në fytyrat e gjith popullit, i cili s’desh të mbesonte gjëmën e madhe, vdekjen e mbretëreshës me të cilën ishin lidhur ato kujtime të ëmbla... Vdekja e papritur shtivi në zi jo vetëm popullin Rumun...Neve Shqipëtarët marim pjesë në helmin e përgjithshëm edhe ndjejmë fellë humbjen e madhe jo vetëm se na lidhin ligë dinastie, por se humbasim një mik të math, një pronjëse të vërtetë një që ndjevi me gjith fuqiën për neve Shqipëtarët. Me përunjësi të fellë i lutemi fuqimadhit të presë në mbretërien qiellore ku paqja dhe gëzimi mbretëron, më fisniken e grave”.

 

SOFIA E SHQIPËRISË

Kur më 7 mars 1914 çifti princëror zu Wied po zbarkonte në Durrës duke shkelur për herë të parë tokën shqiptare, nuk e dinte që qëndrimi i familjes katëranëtarëshe në atë vend të turbullt do të zgjaste vetëm 184 ditë.

 

         Ajo do të ishte bërë një mbretëreshë e mirë po t'i kishin dhënë shansin. Albanologia e njohur Edit Durham ka parasysh me këtë fjali princeshën Sophie von Schoenburg-Waldenburg, të shoqen e princit prusian Wilhelm zu Wied, që në Gjermani ende njihet me emrin Wilhelmi I i Shqipërisë. Më 7 mars të vitit 1914, pra 95 vjet më parë, Sofia erdhi në Shqipëri në krah të të shoqit Wilhelm zu Wied. Kur më 7 mars të vitit 1914 çifti princëror zu Wied do të zbarkonte në Durrës duke shkelur për herë të parë tokën shqiptare, nuk e dinte që qëndrimi i familjes katëranëtarëshe në atë vend të turbullt do të zgjaste vetëm 184 ditë. Por ata e dinin që më parë që "aventura shqiptare" nuk do të ishte e lehtë. Edhe vetë perandori Wilhelm II, që sundonte atë kohë në Gjermani, e kishte paralajmëruar princin prusian të cilin e kishin kushëri të dytë "që të mos turpërohej duke u ulur në fronin e saposhpikur të Shqipërisë."

Por siç konstaton historiani nga Glahau Roby Joachim Goetze, shtysën kryesore për këtë "aventurë" Wied-i e kishte marrë nga e shoqja: "Wilhelm zu Wied me siguri që do të mjaftohej me karrierën e zakonshme për aristokratët e asaj kohe, pra të bëhej gjeneral për shtetin. Por mbretëresha e Rumanisë kishte plane ambicioze dhe e shtyu të shoqin mbretin rumun Karol që Wilhelm zu Wied të konkurronte për fronin shqiptar. Në këtë vendim rolin kryesor e pati Sophie që ishte tepër euforike", thotë Goetze. Goetze është muzeolog dhe anëtar i kryesisë së Shoqatës Artis Causa e.V., që e ka selinë në kështjellën Valdenburg, rezidencën prindërore të princeshës Sophie. Pikërisht në këtë kështjellë në vitin 1906 aristokratja asokohe 21 vjeçare u martua me princin Wilhelm zu Wied me kumbare tezen e këtij të fundit, mbretëreshën Elisabeta të Rumanisë, e cila njihet edhe si shkrimtare nën emrin Carmen Silva: "Carmen Silva pa tek Sophie një njeri të jashtëzakonshëm dhe donte patjetër ta fuste në familje. Prandaj edhe rregulloi martesën me nipin e saj Wilhelm zu Wied", thotë Goetze.

Pas martesës çifti i ri shkon në Berlin, ku Sophie von Schoenburg Waldburg manifeston talentin e saj si organizatore aktivitetesh kulturore: "Duke ndjekur shembullin e Carmen Silvës ajo krijoi në Berlin një rreth artistik, një sallon muzikor ku mbështeste artistë të rinj të talentuar, po ku merrnin pjesë edhe muzikantë të njohur si Engelbert Huberding, Max Reger, Max Bruch apo Charles-Marie Widor." Pikërisht kjo damë sallonesh u caktua të bëhej princesha e Shqipërisë në vitin 1914: Për të ky ishte një shans i madh në jetë. Por siç doli më vonë, llogaria e saj kishte qenë e gabuar. Sophie e njihte Shqipërinë nga librat: "Më parë kishte qenë në Pocdam një delegacion, që i kishte mësuar asaj se si të sillej në Shqipëri: Mundësisht të mos kalëronte, të mos shfaqej shpesh në publik dhe të mos vishte fustane dekolte. Por ajo, si një grua moderne evropiane, për fat të keq nuk iu përmbajt këtyre rregullave."

Kur Sophie vjen në Shqipëri, më 7 mars të vitit 1914, ajo kujtonte se do të ndërtonte aty sallonet letrare, me të cilat ishte mësuar në Berlin. "Ajo ngriti një komitet ku kishte ftuar gratë e bejlerëve më të rëndësishëm. Në këtë takim erdhi vetëm një bejlereshë, e ve, të tjerat nuk lejoheshin të dilnin nga shtëpitë", tregon Goetze. Një shembull ky për të ilustruar se çfarë dallimi ekzistonte mes princeshës dhe vendit të saj. 184 ditë zgjati qendrimi i familjes princërore në vilën e ndërtuar enkas për ta në Durrës, kjo edhe falë intrigave të Esat Pashë Toptanit, asokohe ministër i brendshëm, që më vonë u bë një nga armiqtë më të mëdhenj të princeshës.  "Ajo ka lexuar shumë libra të dobët", citohet të ketë thënë për princeshën Sophie kryeministri i mëvonshëm i Shqipërisë.

Ndërsa princ Wied-i deri në fund të jetës nuk hoqi dorë nga pretendimi për fronin shqiptar, që i kishte kushtuar gjithë pasurinë, Sophie von Schoenburg Waldenburg e kuptoi shumë shpejt që nga Shqipëria nuk do të kishte asgjë dhe iu kthye sërish jetës kulturore. Për një kohë të gjatë pas kthimit të saj në kështjellën prindërore në Waldenburg ajo ishte parë të vërtitej me dy truproje shqiptare të veshura në kostume popullore që i drejtoheshin asaj me "lartmadhëria juaj". "Ndoshta në frëngjisht," mendon Goetze sepse sado që u përpoq, Sophie nuk arriti të mësonte shqip." Në vitin 1920 ajo shkroi dhe një operë për Skënderbeun. Për fat të keq Lufta e Dytë Botërore nuk ruajti asnjë gjurmë nga ky libret. Sophie von Albanien vdiq në vitin 1936 në moshën 51 vjeçare në Valdenburg. (Anila Shuka)

Elisabeth of Romania, Carmen Sylva
Elisabeth of Romania, Carmen Sylva

Hyrja e Mbretit Carol I në Bukuresht (10 Maj 1866)
Hyrja e Mbretit Carol I në Bukuresht (10 Maj 1866)
Mbreti Carol I me Elisabetën e Tij
Mbreti Carol I me Elisabetën e Tij
Princ Vidi më 1914 në një kartolinë të vjetër shqiptare
Princ Vidi më 1914 në një kartolinë të vjetër shqiptare
Elisabeth von Rumanien (Carmen Sylva)
Elisabeth von Rumanien (Carmen Sylva)
Suita mbretërore (stampe)
Suita mbretërore (stampe)
Wilhel de Wied me Princeshen Sofia në broshurën Cili ësht' Ay
Wilhel de Wied me Princeshen Sofia në broshurën Cili ësht' Ay
Mbreti i Rumanise, Carol I
Mbreti i Rumanise, Carol I


(Vota: 14 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora