Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vladimir Arsenijeviç: Ne sllavët dhe shqiptarët

| E shtune, 03.11.2007, 12:58 PM |


Nga Vladimir Arsenijeviç*
 
Për të gjithë ish-jugosllavët, dhe sidomos për serbët, shqiptarët e Kosovës ishin dikur "zezakët tanë". Sot, ata portretizohen si armiqtë e betuar të Serbisë - një mit që përdoret paturpësisht nga politikanë nacionalistë, edhe gjatë negociatave që po zhvillohen tashmë për statusin e Kosovës. Nëse dikush në Evropën Perëndimore do pyesë se si ndodhi ky transformim, unë po ju përgjigjem, se e kam parë e dëgjuar se si ndodhi kjo gjë në vendin tim.

Ish-Jugosllavia ishte një shtet me diversitet etnik dhe kulturor. Marshalli Tito e quante këtë diversitetin e "melting pot"-it jugosllav. Në realitet nuk ishte asnjëherë aq i këndshëm. Pas vdekjes së Titos, diversiteti i vendit u instrumentalizua në mënyrë tragjike; populli u nda në bazë të etnive dhe kulturave në grupe që ekonomikisht i përkisnin një hierarkie, nga më të begatët deri tek më të varfrit. Kështu, Jugosllavia pas Titos u bë një shtet vertikal evropian.

Në majë të vertikales ishte Sllovenia, republika më e përparuar ekonomikisht. Duke zbritur drejt jugut vinte Kroacia, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia në qendër dhe Mali i Zi e Maqedonia në jug fare, zona që ishin kronikisht "të dobëta". "Sa më në jug, aq më keq" ("Sto juznije, to tuznije") thoshte një proverb popullor, që reflektonte shkallën që ndërtoi racizmi origjinal jugosllav. Kështu, sllovenët shikonin me përçmim fshatarët kroatë; kroatët e transferonin urrejtjen tek serbët, të cilët bënin të tyren dhe kënaqeshin duke u tallur me maqedonët dhe malazezët. Boshnjakët, nga ana tjetër, vuanin përçmimin e të gjithë të tjerëve në kurriz të tyre. Por, në fund fare të shkallës ishin shqiptarët që jetonin në provincën jugore të Kosovës. Gjuhën nuk e kishin sllave. Ishin më të varfër se ne të tjerët. Kulturën e kishin të çuditshme. Dhe përballë llojeve të ndryshme të sllavëve të jugut, grupi etnik më jugor i shqiptarëve u dënua të luajë rolin e të përjashtuarve absolutë. Ne jugosllavët mendimet për shqiptarët i bazonim pothuajse gjithmonë në klishe ofensive. Zakonisht ata i quanim me përçmim "Siptar" apo "shiptarë". Kur nuk i urrenim haptazi, thjesht mendonim se ata nuk e meritonin as të urreheshin. Edhe në rastin më të mirë, nuk patëm kurrë një dialog mes "nesh" dhe "atyre". Por, ashtu siç jugosllavët e kohës së Titos nuk e vunë re ekzistencën e shqiptarëve, ashtu edhe sot, racizmi kulturor i atëhershëm duket i padëmshëm përballë dhunës e masakrave që Serbët iu shkaktuan shqiptarëve të Kosovës, në fund të shekullit të shkuar.

Urrejtja ndaj shqiptarëve u rrit sidomos gjatë viteve kur nacionalizmi pati rritje në secilën republikë të ish-Jugosllavisë, dhe mori përmasa tiranike me ardhjen në pushtet të Slobodan Millosheviçit. Gjatë viteve '90, politikanët dhe media filluan ta përdorin hapur termin "shiptar" në mënyrë derogative, një përcaktim që nxiti paranojën publike ndaj shqiptarëve. Gjithmonë e më shumë njerëzit filluan të flisnin për shqiptarët a thua se e vetmja arsye e ekzistencës së tyre ishte për të na sulmuar ne serbëve.

Një nga legjendat që vërdallosej gjatë pushtetit të Millosheviçit ishte kjo: "Njëherë e një kohë kishte më pak shqiptarë se serbë në Kosovë. Me kalimin e viteve (si pasojë e një mrekullie të pashpjeguar kurrë!) shqiptarët erdhën në Kosovën nga Shqipëria dhe u vendosën këtu, në tokën tonë". Në sytë tanë, ata kishin cilësi kafshërore, përfshi këtu vendosmërinë e bletëve dhe aftësitë riprodhuese të lepujve. Aftësia e tyre për t'u shumuar na dhanë drithërima tmerri.

Në të njëjtën kohë, s'mund të ishe serb krenar po nuk pate zhvilluar dhe predikuar urrejtjen tënde për "shiptarët". E kështu propaganda mediatike e epokës "Sllobo" i bëri shqiptarët armiqtë historikë të serbëve, aq shumë, sa pa këta armiq ekzistenca e vetë serbëve do ishte praktikisht e pamendueshme. Çfarë do ishte Batman pa Joker-in? Kështu dhe shqiptarët nuk ishin më kllounë zbavitës, po ata u transformuan në djaj të tmerrshëm, të pandalshëm në misionin e tyre për të na marrë territorin historik të fushës së Kosovës, "djepin e kulturës sonë", që na përkiste si e drejtë historike! I vendosur për të zgjidhur inatin me shqiptarët një herë e përgjithmonë, Millosheviçi bëri gati një plan fantastik. Policia dhe ushtria serbe, të ndihmuar nga media, do të lejoheshin të diskriminonin e turpëronin shqiptarët pa teklif. Shqiptarët mund të hiqeshin nga puna e arrestoheshin, atyre mund t'ju merrej prona e t'ju shkatërrohej fshati. Në mënyrë krejt të papërgjegjshme, presidenti ia nisi me dhunë dhe shkatërrim nga Kosova, dhe e përhapi këtë në gjithë territorin jugosllav. Pas Dejtonit, pati një pushim të vogël, por në 1999-ën, ai u kthye përsëri aty ku filloi gjithçka, në Kosovë.

Por Kosova caktoi dhe fundin e Millosheviçit pas 13 vjetësh pushtet. Kur NATO bombardoi Serbinë në fund të Marsit të 1999-ës, shteti serb humbi kontrollin e provincës kosovare. Mijëra serbë dhe romë u larguan nga Kosova dhe shpresa, sado e vogël, se shqiptarë e serbë mund të jetonin bashkë në një të ardhme të afërt mori fund. Loja e Millosheviçi nga ana tjetër, përfundoi me një epilog në Gjykatën e Krimeve të Luftës në Hagë. Ama, edhe atëherë, Millosheviçi arriti të shpëtonte nga përgjegjësia, duke vdekur pas një ataku në zemër. Duke i ikur drejtësisë, ai na la ne serbëve me rëndesën e fajit. Nëse e pranojmë apo jo, ne qytetarët e Serbisë kemi në kurriz peshën e fajit dhe turpit.

Para disa vjetësh, media serbe raportoi vazhdimisht mbi një traktor frigoriferik nga i cili ishin depozituar në liqenin Peruçac, gra, pleq dhe fëmijë të vrarë. Kufoma gjysëm të degraduara dolën në ekranet tona, ndërsa po nxirreshin nga uji, të shoqëruara nga rrëfimi i shoferit që ishte udhëzuar të transportonte të vdekurit nga Kosova, për të fshehur krimin. Një reportazh tregonte një njeri që po lahej tek liqeni, ndërsa trupat e vdekur po nxirreshin prej ujit. Kur reporteri e pyeti nëse ky fakt e bezdiste, njeriu i thjeshtë tundi kokën, e duke buzëqeshur tha: "Të them të drejtën, nuk i besoj të gjitha këto". Një sekondë më pas, u hodh përsëri në ujë.

Ti mund të mendosh se ai njeri ishte i çmendur. Por, e kundërta është e vërtetë. Reagimi i tij është krejtësisht i kuptueshëm. Qytetarët serbë kanë pësuar një dhjetëvjeçar shpëlarje truri nga politikanë e media bashkë, një dekadë që na tregon sesi gënjeshtrat e vazhdueshme mund t'i bëjnë njerëzit që t'i besojnë gënjeshtrat që kanë shpikur vetë. Njeriu që po lahej, thjesht përdori aftësinë që kishte 10 vjet që po e mësonte.

Mohimi është një nga cilësirat e reja serbe. Është kaq e re, saqë nuk kemi fjalë tonën për këtë, por na duhet të përdorim fjalën angleze, "denial". Ky mohim themelor, kjo ftohtësi përballë dhimbjes njerëzore, kjo paaftësi për të treguar të paktën një keqardhje rudimentare për tjetrin, tregon se ne si shoqëri jemi në "no man's land". Nganjëherë duket sikur nuk deshëm t'i largoheshim rrumpallës të së kaluarës. Çështja e statusit të Kosovës, dhe po aq e rëndësishme, ajo e marrëdhënieve tona me shqiptarët e Kosovës, janë dy çështjet më deçizive të kohës, që mund të përdoren si matëse të pjekurisë tonë politike. Arsyet pse ne nuk kemi aftësinë për t'i përballur ato në mënyrë konstruktive janë më të thella.

Shoqëria e sotme serbe është e lodhur nga politika, nga luftërat e humbura, nga varfëria kronike dhe nga ndjenjat se ne si serbë duhet të ndihemi ose viktimat ose fajtorët. Shoqëria serbe sot ka frikë nga ndryshimi dhe eviton përgjegjësitë. E thënë ndryshe, ngjarjet e kohëve të fundit kanë siguruar se opinioni ynë për shqiptarët e Kosovës nuk do ndryshojë për dhjetëra vjet. Përçmimit tradicional i është shtuar tani dhe revolta e të humburit, e cila bashkë me vetë-mëshirën mbështet idenë mistike se ne kemi të drejtë automatikisht. Në rrethe të caktuara, humbja e paevitueshme e Kosovës shihet si diçka apokaliptike. Jo para shumë kohësh Beogradi ishte plot me postera që deklaronin "Nuk ka Serbi pa Kosovë!" Ama, kushdo që e thotë këtë është duke gënjyer, dhe shumë prej nesh e dinë këtë sepse mbi të gjitha, po bëhet gjithnjë e më evidente se statusi i Kosovës është diçka margjinale përsa i përket jetës së përditshme të një qytetari serb. Shumë qytetarë serbë, e sidomos të rinjtë, të zhgënjyer nga të gjitha krahët kanë vendosur të mos besojnë më në asgjë, tamam si ai njeriu i thjeshtë që po lahej tek liqeni.

Po ç'mund të presësh nga një brez që është rritur mes luftës e shkatërrimit, ushqyer me politika të hapura urrejtjeje, e mohuar vizat për të parë vende dhe kultura të tjera? Fatkeqësisht, s'mund të presësh shumë. Të rinjtë tanë kanë filluar të urrejnë përsëri, shpesh me kënaqësi të madhe. Sondazhe gjimnazistësh të bëjnë të të ngrihen qimet e kokës - dhe përputhen me impresionet e krijuara në jetën e përditshme. Mbi 30 për qind e nxënësve në fillore, mendojnë se ata "nuk duhet të bëhen shokë me shqiptarët, e as t'i vizitojnë." Pothuajse 1/3 e të rinjve mendojnë se kinezët - i vetmi grup relativisht i madh i të huajve në Serbi - duhet të mos kenë leje rezidence, edhe nëse ata nuk e kanë shkelur ligjin. Një në tre adoleshentë meshkuj, dhe një në dy adoleshente femra i shohin me përçmim homoseksualët dhe të infektuarit me HIV.

Të shikosh se si shoqëria bashkëkohore serbe ka arritur të deformojë mendimet dhe emocionet e të rinjve, të bën të dridhesh. Mbase zgjidhja është të presim e të jemi të durueshëm. Mbase, mundet thjesht të shpresojmë se, një brez i ri do rritet në rrethana më paqësore e më të shëndetshme. Mbase e vetmja gjë që na mbetet të besojmë, është se nipërit e mbesat tona do jenë fëmijët tanë të vërtetë.

*Autori është shkrimtar i lindur në Pula, Kroaci, në vitin 1965. Romanet e tij kanë fituar disa çmime e janë përkthyer në disa gjuhë të botës. Ai jeton në Beograd.

Përktheu Penar Musaraj (peshkupauje.com)

Titulli është i redaksisë së "Shekullit"