E enjte, 28.03.2024, 07:29 PM (GMT)

Mendime

Viktor Kadeli: Qoft mallkue kush qet ngatrrime...

E shtune, 03.11.2007, 12:27 PM


Qoft mallkue kush qet ngatrrime...

...Nder k’ta vllazën shoq me shoq
Kush i ndan me flak’ e shkrime
Ç’ka Zoti vet përpoq.
Dom Ndre Mjeda

Nga Viktor Kadeli

Shumë kush mund të thotë se pse ky titull.

Dy janë arsyet që do t’i shtjelloj gjatë faqeve në vazhdim. Arsyeja e parë merr shkas nga akuzat e disa kundërshtarëve të Berishës gjatë viteve 1992 – 1997, vite ku më i zellshmi do të ishte publicisti Frrok Çupi. Ndër shumë akuza hedh edhe teorinë e prirjeve të Berishës drejt lidhjeve me fondamentalizmin islamik. Arsyeja e dytë është amaneti i një miku të nderuar, i cili ishte në krahun e kundërt të Frrok Çupit me shokë. Ky mik kishte besim tek doktor Berisha, dhe shprehet se ai nuk ka asgjë të përbashkët me fondamentalizmin.

Në shtator të vitit 1997 ai më jep një këshill në formë amaneti, meqë do vendosesha në Tiranë të vëzhgoja më nga afër Berishën dhe të vërtetoja besimin që ai kishte, se doktori nuk është pjesë e prirjeve fondamentaliste. Duke qenë se kaloi një periudhë e gjatë nga viti 1997 deri më 2006 pata mjaftë kohë për të arritur në një përfundim, se cili kishte të drejtë, Frrok Çupi kur e akuzon për fondamentalizëm apo miku im ( emrin do ta citoj në faqet në vazhdim ), i cili e mohonte një gjë të tillë.

Fillimisht duhet të analizojmë pse Frroku është i ashpër me doktorin. Dihet se arsyet për të urryer dikë janë të shumta, paraqitja fizike, suksesi profesional, suksesi në karrierë apo suksesi në ekonomi.

Këto janë shtysat për të urryer dike, kur ti nuk i ke këto cilësi. Arsyeja tjetër është prishja e një marrëveshje, prishja e një marrëveshje reciproke dhe e fundit kur ai të sulmon dhe mundohet për të të dëmtuar me gjithçka ai mundet. Atëherë cilat nga këto arsye janë ato që e shtyjnë Frrokun drejt një urrejtjeje patologjike për doktorin.

E para, paraqitja fizike e Berishës, aftësia profesionale si mjek dhe suksesi në politikë janë arsye për të nxitur tek ai zilinë, smirën dhe urrejtjen.
Zilia për tjetrin errëson gjykimin dhe shkakton një urrejtje, e cila të çon drejt një krimi të ulët, deri në vrasjen e një njeriu. Kjo e ka zanafillën që me paraardhësit tanë.
Zilia errësoi gjykimin e Kainit dhe e çoi në një veprim të shëmtuar, siç ishte vrasja e vëllait të tij, Abelit. Homeri na tregon se si Agamemnoni nga zilia i merr të dashurën Akilit dhe kjo bëhet shkak për përçarje në kampin grek. Zilia për disa cilësi të jashtëzakonshme, që kishte Aleksandri i Madh e çonte Filipin, të atin drejt një armiqësie me të. Po kështu edhe Demosteni, nga zilia dhe smira për Filipin e më vonë Aleksandrin bëhet i famshëm, duke vjedhë vrer kundër tij (plus paratë që merrte nga Persët ). Suksesi i këtij oratori ishte shkatërrimi i Tebes nga Aleksandri.
Edhe në Romën e lashtë, senati do të bëhej arenë e përgjakshme shpesh herë duke u nisur tek tjetri nga zilia. Sepse suksesi i njërit nxiste urrejtje tek tjetri. Nga zilia për sukseset e Çezarit senatorët nxitën konfliktin mes tij dhe Pompeut.
Janë të shumtë rastet kur zilia të shtyn për të vrarë dhe mund të justifikosh vrasjen e një njeriu. Por futja e një populli në luftë vëllavrasëse i shtyrë nga zilia që ushqen ndaj drejtuesit të shtetit, nuk ka asnjë justifikim. Pra në rastin e Frrokut mendoj se ishte zilia shkaktare që ky i fundit arrin në një urrejtje patologjike, e cila shihet qartë në përmbledhjen e tij: “ E pashë shtetin duke rënë” Frrok Çupi justifikohet në këtë libër se prishja me doktor Berishën i ka zanafillat e saj tek gazeta “ Rilindja Demokratike”, e më pas sulmet e doktorit ndaj tij u thelluan për pesë vite me radhë në periudhat ’91-’97.
Në qoftë se gjithçka personale në armiqësi midis këtyre të dyve është e vërtetë sipas variantit të Frrok Çupit, atëherë unë personalisht do t’i jepja të drejtën që ky t’i bënte një atentat, gjë që është e motivuar, mbasi në fund të fundit vdekja e një njeriu, që të jemi të sinqertë është fatkeqësi vetëm për familjen e tij. Dhe dy herë fatkeqësi në qoftë se ai është në moshë të re, apo e lë familjen në një mjerim ekonomik. Por nuk qëndrojnë justifikimet për të futur një popull në luftë civile për inate personale me kryetarin e shtetit. Dhe ashtu si oratori i madh Demosteni, i cili përveç zilisë për Aleksandrin kishte dhe një motiv, shpërblimin nga Persët.

Ashtu mendoj dhe Frroku, përveç zilisë dhe urrejtjes, duhet të jetë paguar për të na future në luftë civile, ose duhet të mendojmë të kundërtën që ky njeri tepër inteligjent dhe shumë i formuar nga ana kulturore, një kundërshtar shumë i vështirë për tu mposhtur në polemika, na del një naiv absolute, i cili me talentin e tij shfrytëzohet nga të tjerët për të nxitur dhe krijuar një katastrofë kombëtare, si ajo e vitit ogurzi 1997.

Është më se e kuptueshme se edhe një lypsar ka përfitim, kur policia largon lypësin tjetër përballë apo edhe tregtari i një dyqani, i cili i bën llogaritë me një ndjenjë kënaqësie kur falimenton dyqani përballë me të njëjtin mall. Në qoftë se Shqipëria do të degradohej siç u katandis në vitin 1997, askush nuk mendon se këtu kishte ndonjë interes shtetet si Kili, Bolivia apo Tailanda, etj.
Personalisht mendoj me aq nivel sa kam dhe niveli im është i shtresës së thjeshtë të popullsisë, se ’97 ishte produkt i dy faktorëve, politik dhe ekonomikë.
Arsyeja e parë, ajo politike vjen pas marrëveshjes së Dejtonit, do të vinte radha për problemin e Kosovës, do të shtrohej pyetja në kancelaritë ndërkombëtare:
“ A janë të aftë shqiptarët për vetëqeverisje në përgjithësi”. Argumenti se shqiptarët nuk janë të aftë mbrohet me sinqeritet, pasion dhe pa asnjë lloj hipokrizie nga intelektualët dhe historianët e kampit sllavo-grekë që nga mesi i shek XX.
Por kancelarive europiane këto argumente do t’i paraqiteshin që nga viti 1878 e në vazhdim. Në rastin e ’97-ës a ishin të interesuar fqinjët bashkë, apo njëri veçmas nuk mund ta them saktësisht, ose më saktë nuk kam informacio0n bindës për ta mbrojtur.
Por ato patën sukses dhe suksesi i tyre do të ishte tepër i madh në qoftë se Europa dhe Shtetet e Bashkuara do të na kthenin krahët.
Por Zoti është i madh. Ai nëpërmjet anglosaksoneve, të cilëve u detyrohemi që nga 1878, na dhanë edhe kësaj radhe mundësinë për të dalë nga ferri.
Që të jemi konkret, ndihma e anglosaksonëve më 1878 konsiston në atë se ato refuzuan të njohin “Traktatin e Shën Stefanit”, i cili ishte hartuar për të na zhdukur përfundimisht nga vëllerëzit tanë turq, si dhe vëllezërit e mëvonshëm të së majtës shqiptare, rusët.
Ashtu si çdo amerikan thotë: “ N’Zotin na besojmë dhe Zoti e ruajtë Amerikën edhe për ne”.
Shpesh herë në artikujt e tij Frrok Çupi përdor termin “malok”, “verior”, “tropojanë”, “Barish” në vend të Berishës, dhe duke qenë se Berisha prej katër-pesë brezash vjen nga një familje myslimane, Frrok Çupi me mjeshtëri djallëzore këtë fakt të natyrshëm do ta përdorte si argument për të demonizuar Berishën dhe për ta paraqitur atë si fondamentalist islamik. Mbasi një argument i tillë Europën dhe Shtetet e Bashkuara i shqetëson pa masë.

Përpos emrit Sali, që është emër mysliman, sot, por në fakt është emër biblik.
Periudhat 16-vjeçare, ’91-’06 vërtetoi se Berisha nuk ka asnjë lidhje me fondamentalizmin. Frrok Çupit i bie detyra e vështirë për të pranuar se ka marrë shpërblim për dezinformim dhe denigrim të qëllimshëm dhe në qoftë se nuk ka marrë atëherë ai mbetet një naiv i padjallëzuar që u desh ta paguante me çmimin më të shtrenjtë të mundshmin, me rrënimin e shtetit dhe një prapaktheu të gjatë.

Përveç arsyes politike është edhe ajo ekonomike, e cila mund të cilësohet si karburant i motivimit politik.
Mjafton të hidhet një vështrim rreth atyre që përfituan nga kjo katastrofë. Cilët ishin peshqit e mëdhenj në Shqipëri dhe peshkatarët jashtë Shqipërisë që përfituan?
Duke qenë se nuk kam informacion të mjaftueshëm për të thënë më saktë se kush përfitoi më mbetet tu besoj dy gjërave, fjalëve të popullit të thjeshtë dhe akuzave të ndërsjellta të KPD-së.
Mbas vitit 1997, duke qenë se jetoja në Tiranë, shpesh herë merrja pjesë në mitingjet e organizuara nga doktor Berisha në atë periudhë kur numri i simpatizantëve të PD ishte në minimum.
Në mitingje zakonisht shkoja vetëm dhe meqë nuk kisha njeri të bashkëbisedoja gjatë kohës që Berisha mbante fjalimet e zakonshme me një burrëri të palëkundur, koinçidonte që në 80% të rasteve, në të njëjtën kohë me fillimin e mitingut në xhaminë Et’hem Beu, hoxha bënte faljen mbasdite.
Unë i bëja pyetje vetvetes.
Ky njeri nëse do të ishte fondamentalist siç pretendonte Frroku, duhet të kishte mjekër, pantallona model arab dhe në këtë momente duhet të ishte në xhami duke u falur.

Po në të vërtet ishte e kundërta ai ishte aty në shesh me një pamje burrërore, i rruar gjithmonë dhe me një veshje e paraqitje fizike të ngjashme si një aktor filmash anglosaksonë.
Pra ai ishte aq mysliman, sa ç’është pjesa më e madhe e popullsisë myslimane shqiptare, e cila nuk e ka problem moskryerjen e riteve, ose siç janë pjesa më e madhe e të krishterëve shqiptarë, të cilët nuk kanë shumë problem moskryerjen e riteve.
Pra thënë troç: - Shqiptarët e të dy besimeve, në 90% të rasteve janë liberalë në ekstrem, për sa i përket praktikimit të ritit të besimit.
Pra Berisha mysliman?
Ai mbante fjalim, kur hoxha falej dhe duhej të ishte në xhami, ashtu si unë i krishterë, që në kohën kur jepet mesha dhe kaloj me qindra herë para kishës, tepër rrallë futem brenda për të marrë pjesë në meshë.
Që të jem i sinqertë në shumë raste bëj të kundërtën, sytë në vend që të drejtohen nga kisha mund të drejtohen drejt një femre në mënyrë mëkatare.

Pas disa vitesh arrita në përfundimin të cilin miku im që tani do t’ia përmend emrin, kishte të drejtë dhe ai ishte i nderuari dhe i ndjeri Dom Fran Ilia, Kryeashqipeshkëv i Kishës Metropolitane të Shkodrës.
Në një bisedë ku ishin tre-katër persona, ndër ta edhe unë, njëri i drejtohet:
-Monsinjor ju jeni Kryearqipeshkëv, keni bërë afërsisht 20 vite burg, nuk duhej të dilnit hapur si mbështetës i Berishës në mitingun e organizuar në Pallatin e Sportit në Shkodër (gjatë fushatës elektorale më 31 maj 1997_.
Ai është akuzuar për fondamentalizëm islamik, plus që është malësor dhe nuk është edhe ndonjë familje me emër?
Por Dom Franoja mbasi e dëgjon, me buzë në gaz i bën disa pyetje:
- A mundet një fondamentalist me u krenu më Gjergj Kastriotin e Nënë Terezën.
- A mundet një fondamentalist me u krenu me origjinën e lashtë kombëtare dhe vetëdijen europiane.
- A mundet një fondamentalist, i cili nuk mohon origjinën e fisit të tij, e cila para tre-katër brezash ishte e krishterë.
Sigurisht që jo. Në fakt Berisha krenohet publikisht.
Pastaj drejtohet nga unë: - Viktori asht më i riu nër ne, por Barletin e Fishtën i ka idhuj dhe ka me pranu fjalët e mija, se fisi i Berishës nuk asht i panjoftun.
Ai asht fis që rranjën e ka në Berishë të Pukës.
Dhe asht një nga fiset ma me emër në Shqypni, pamvarësisht se sot asht i përhapun, disa me besimin mysliman e disa me besimin e krishterë.
Disa në Shqipni, Kosovë e Shkup.
Ky fis asht tepër i lashtë, jo se e them unë, por e thotë shkrimtari ma i madh shqiptar, i botuar në latinisht dhe në të gjithë gjuhët e Europës, rekord që nuk është arritur nga asnjë shkrimtar shqiptar deri në ditët e sotme, pra nga humanisti Marin Barleti.

Po citojmë si ma poshtë:
nëpërmjet më fisnikëve, të tjerë të atij vendi dhe kryetrimave të rinisë, ishin dy vëllezër nga familja e lashtë e Berishëve, Dhimitri dhe Nikolla, ndihmën e të cilëve Skënderbeu e kishte të shënuar dendur.
Këta kur dëgjuan për fatkeqësinë e ushtrisë sonë dhe përfundimin e rrethimit të Belgradit ( Beratit ), kur morën vesh pastaj për rebelimin e pabesinë e Moisiut nuk vonuan aspak, por vrapuan fluturimthi për te roja dhe kryeporta e mbretërisë, të trembur se mos roja atje shpërqendrohej nga frika, apo nga që s’kish kush e frenonte dhe se mos vendi mbetej pa mbrojtës, sidomos kur vinin lajme se Sebalia ndodhej ende në Epir.
Dhe kështu këta me plot arsye u kujdesën së pari për të kërkuar ushtarë dhe e rritën rojën dhe u dhanë zemër burrave me fjalë e me vepra, duke u’a shtuar në çdo mënyrë dashurinë për Skënderbeun.

 Këtë përshkrim Barleti do ta fillonte nga faqet 445-447 në librin “ Historia e Skënderbeut” botimi i III, i përkthyer nga Stefan I, Prifti. Tiranë 1983.
Po kështu, në faqet 604-605 Barleti na përshkun pikëllimin e madh të Skënderbeut për kapjen rob nga turqit të tetë figurave kryesore, Moisiu i Dibrës, Gjuric Vladeni, Muzaka i Angjelinës, Gjin Muzaka, Gjon Përlati, Nikoll Berisha, Gjergj Kuka dhe Gjin Maneshi.
Pra nga ky fis i madh që Barleti thotë se është tepër i lashtë do të dalin burra që do të përmenden për luftë, zejtari, tregti, intelektualë apo meshari siç është rasti i Dom Tom Berishës, mik i Bajram Currit.
Apo politikanë në Kosovë, si Kol Berisha, intelektuali si Anton Berisha, përkthyesi i “Epit të Gilgameshit”, fotografi Fadil Berisha, këngëtari Agron Berisha.
Kushdo që do të ishte pjesëtar i një fisi të lashtë do ta kishte për krenari, në qoftë se emri i tij përmendet nga Barleti, siç është rasti i Berishëve, Gazullorët, Malqajt, Skurajt, Kuka, Maneshi etj...
Kjo ishte ajo që tha dom Franoja, që për saktësi unë u detyrova të konsultohem me “Historia e Skënderbeut” të Marin Barletit.
E ndjej veten të çliruar moralisht pasi kreva një amanet që më kishte lënë 9 vjet më parë Dom Frano Ilia.
Asht e natyrshme që një gazetar të ketë bindjet e veta, por duhet të jetë dhe realist dhe i paanshëm.
Por në kemi disa analistë të shquar, ose më saktë që janë shquar si anti-Berishë, ndër ta veçojmë si më të zellshmit, Frrok Çupi e Mustafa Nano.
Përveç këtyre dy ekstremistëve anti-Berishë kemi edhe analistë të tjerë të cilët po fillojnë të marrin fizionominë e analistit të paanshëm dhe objektiv.
Këto janë Andi Bushati, Blendi Fevziu, Fatos Lubonja etj.
Nuk mund të rri pa përmendur edhe një analist tjetër, i cili gabimisht përzihet në gazetari, mbasi ai është erudit i jashtëzakonshëm dhe vendi i tij duhet të jetë Akademia.
Ky është Ardian Klosi, i cili e ka shumë të vështirë të shkëputet nga ndjenja anti-Berishë.
Ka që kanë ndryshuar qëndrim kryekëput, këta janë Preç Zogaj ose Nikollë Lesi.
Në fakt për këtë të fundit e kam shumë të vështirë të jap një përkufizim.
Ndoshta për një përfundimin më të saktë e ka dhënë Edi Rama, në një intervistë në përvjetorin e gazetës “ Koha Jonë”, kur shprehet: “ Tre gjëra janë për mua enigmë, Zoti, seksi dhe Nikollë Lesi”.
Morali i kësaj ese është se kur kemi inate më dikë dhe ky person mund të jetë drejtues shteti apo partie politike, nëse nuk kemi mundësi për ta konkurruar, mund të na lejohen shumë gjëra, të gjitha mjetet djallëzore për të arritur qëllimin.
Në fund të fundit politika është një lavire e bukur që i tërheq të gjithë, edhe ato që janë të tredhur e se shijojnë dot (votuesit), por jo deri sa të arrijmë në një gjendje aq të ulët, siç është nxitja e luftës vëllavrasëse për përfitimin e interesave personale.

viktorkadeli@hotmail.com



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora