E enjte, 28.03.2024, 05:34 PM (GMT)

Kulturë

Tregime nga Biser Mehmeti

E merkure, 31.03.2010, 08:46 PM


BISER MEHMETI

 

 

COPËTIMI I SHPIRTIT

 

    Në xhamin e ndotur të dritarës së vogël paprimtas u shfaq  një mëngjes i hidhur, me fytyrë të mërzitur e me sy të pikëlluar sa që dyshohej se së shpjeti do të ndërronte jetë.

    “Edhe mëngjesi më nuk është siç ka qenë dikur! Vjen për pak çaste e menjëherë pendohet që ka ardhur e pastaj bën vetvrasje në mënyrë të qetë!”

Fliste me veten e tij me një zë të qetë derisa e vështronte hijen në mur, e cila gjithnjë dridhej nga shtypja e ajtrit të ftohtë. Nga sytë e vagëlluar i rrjedhte një lumë me zjarr, me një zjarr të furishëm që s’mund të fikej as pas vdekjes. Mundohej ta gëlltiste një send të padukshëm që kushedi kur i kishte mbetur në gurmaz. Derisa e gëlldiste me vështirësi të madhe sendi i mprehtë ia prente ngadalë organet e brendshme duke i shkaktuar dhembje nëpër gjithë trupin.

    “Më parë pranoj të vdes se sa ta gëlltis këtë send të mallkuasr!” i tha vetvetes i nevrikosur. Një drithërimë e fuqishme ia përshkoi gjithë trupin e dërrmuar. Djersë të ftohta filluan t’i rrjedhin nëpër ballin e regjur. Filloi të dridhet nga ethet dhe zjarrmia. Dridhjet iu  ndalen vetëm pasi të gjitha organet iu ngrinë. Trupi i tij ishte shndërruar në një statujë të gjallë, e cila zinte një vend të parëndësishëm në hapësirë.

    “Duhet ta gëlltisesh patjetër! Vetë e fute në gojë e tash erdhi koha ta gëlltisesh!” i thoshte një zë i ashpër që vinte përtej mosqeniesë. Ata tinguj të furishëmn e godisnin në kokë si të ishiin gurë të mëdhenj që lëshohen nga qielli. Zëri i zhveshur nga zanoret qëndronte para tij si ti ishte një kufomë e vjetër, të cilën koha s’ka forcë ta dekompozon.

    “Më mirë pranoj të vdes se sa ta gëlltis!” iu përgjigj sërish vetvetes ose dikujt tjetër që e vështronte me përbuzje përtej një kohës së perënduar. Ajo kohë e mallkuar qëndronte e varur në një kornizë në një skaj të hapësirës. Një parzierje e gjërave reale dhe ireale që ndodhën në brendësinë e mendjes ,zuri të krijonte një gjendje plot angështi. Ishte një gjendje e amulltë, gjatë së cilës kishte bindje se gjysma e trupit kishte zënë të vdiste para shumë kohe dhe se ky proces tashmë kishte marrë fund.

    “Me gjysmën e turpit e kam të vështirë të arrij në fund të jetës!” mendoi me vetveten derisa një dorë e padukshme dhe e rëndë e mbërtheu me gozhda.

Me sytë e mendjes e shihte trupin e vet të përgjysmuar si zhvarriej në një rrugë të boshatius nga qeniet e gjalla. Dukur u ndal sikur para tij të shtrihej një vdekje adimenzionale e cila prej lindjes e përcjellte si një hije e gjallë.

    “Ku dreqin mund të më shpie kjo rrugë?!” e pyeti vetveten. Disa çaste shpresoi se vetvetja do t’i  përgjigjej. Mirëpo vonë heroi se vetvetja i mungonte, madje ajo gjithnjë i kishte munguar. Pahetueshëm i ishte shkëputur nga tupi i tij e tash bënte jetë të pavarur në një skaj të botës.

“Të gjitha rrugët më shpiejnë atje ku s’dua  të jem!” i tha vetvetës ,e cila në atë çast gjendej shumë larg tij dhe sigurisht bënte një jetë tjetër më të lumtur.

    Dëshiroi të ecte, të shkonte dikah, vetëm të mos qëndronte në vend i ngursour. Mirëpo ndjenjat ogurzeza ia paralizuan gjymtrët. E tmerronte frika e paqartë, e cila i thoshte: kudo  që ta hedhësh hapin  do të shkellësh mbi trupin tënd të vdekur!

“Mjaft e ushqeva shpirtin me helmin që ma prodhonte shpirti im! Mjaft jetova mbi krahët e durimit. Dikur fijet e durimit u këpuiten si fije bari...”

Edhe më tutje deshi të fliste me një njeri të dashur që duhej të ishte pranë tij, por sa herë kishte nevojë për të ai mungonte. Mungesa e asaj krijese të dashur i sjellte një trishtim të madh. Dëshironte ta zbrazte lumin e mllefit që i ishte mbledhur si një ortek në shpirt... “Njëqind herë të rashë në gjunj e pastaj t’u luta si fëmijë duke të të këshilluar: largoje mjegullën nga sytë se ajo të ka vërbuar! Mos e ushqe shprtin me trillime të panovjshme. Mos i bën katikule vetvetës! Një ditë gabimi në jetë do të të shkel si një rrotë e rëndë prej çeliku...

    U lëshua në kthedrat e heshtjes së kobshme. Pështyu tri e më shumë herë me një pëpbuzje të pakuptimtë mbi rrugën e pluhrosur. I ngjau sikur pështyma i ra mbi fytyrën e vet të ngrysur. Me gishtat e tharë e fshiu pështymën që s’ishte fare nga fytyra. Çdo gjë i nënshtrohej një transforimi të çuditshëm, të cilin s’ishte në gjendje ta zbërthente. Të gjitha ndjenjat i ishin arratisur nga trupi dhe mendja. Më nuk ndjenjta as nuk përjetonte asgjë. Veten e krahasonte me një trup të ngurtë që zë një vend të parëndësishëm në një peizazh të pikturuar keq.

“Ka ardur koha që ta ndaj zemrën në dy pjesë! Pjesa e zemrës që do të më takoj mua do të vazhdon të prodhojë një helm  të rëndë me të cilin do ta ushqej shpirtin tim derisa ta takoj fytyrën e vdekjes”

    Filloi t’i vështronte mjegullat me përgjerim thuase kërkonte shpëtim prej tyre. Në qiell dikush kishte krijuar një peizazh të pajetë, i cili ta shtonte disponimin për të trokitur në dyert e ferrit sa më parë. Në asnjë skaj të tij, aty ku ishte ndezur një zjarr i madh, me shikim zuri të kërkonte një krijsë të çmueshme,të cilën kurrë s’e kishte pasur. Edhe pse i kishte sytë, madje shihte fare mirë, sërish e gllabëronte mendja  se ishte vërbuar! Çdo gjë që e rrethonte kishte bindje se është pjellë e medjes së dërrmuar...

    “E tërë jeta është vetëm një zvarritje e mundimshme!” i thoshte vetvetës me zë të dëshpëruar.

Një pjesë e trupit të leqendisur vazhdonte të jetonte, kurse pjesa tjetër kishte vdekur. Kishte vdekur përgjithmonë...

    Në mendjen e dërrmuar iu shfaq pa dëshirën e tij një pikturë e vjetër që e kishte mbuluar pluhuri i harresës. Në atë pikturë kishte zënë vend një fytyrë e heshtur, e mbërthyer nga një gazavaj i çuditshëm. Sytë e zhytur në vegime gjithnjë e akuzonin për gjëa banale, të cilat i ngjallnin neveri të përzier me trishtim e që e bënin të vjellte...

    “Sa më shumë që më donte aq më shumë i shtohej urrejtja e sa më shumë që më urrente aq më shumë i shtohej dashuria! Shpirti i saj ishte i mbushur me sadizëm, i cili aktrivizohej sa herë që dashuria arrinte shkallën më të lartë... Ditë për ditë e copëtonte shpirtin derisa e ndau në dy pjesë... I ngjau sikur ishte kredhur në një humnerë të mbushur me pikëllim, nga e cila s’mund të dilte as pas vdekjes. Duke e ndjekur një hija e tejdukshme ngadalë iu qas dritares së ndotur nga insektet. Mëngjesi qëndronte i varur në një skaj të xhamave të pistë dhe dukej sikur tri herë kishte bërë vetvrasje.

    “Ky s’është mëngjesi i zakonshëm!Është një mëngjes i trilluar që kërkon të më mbyt... Eh, dikur sa shumë që i kam adhuruar mëngjeset! I kam adhuruar deri në çmenduri! E doja marrëzisht agimin, lindjen e diellit e përjetoja si një rilindje të shpirtit... E tash?!...Në zemër ndjeu peshën e rëndë të një shkëmbi, i cili e pengonte të lëvizte normalisht.

    “Gjatë gjithë jetës jam denuar ta barti këtë guri e kur të vdes do të ma ngulin te koka mbi varr” i tha vetvetës i dëshpëruar. E zuri kokën me duart që i dridheshin. Filloi ta shtërngonte fuqishëm. Një parandjenjë e kobshme i thoshte se së shpejti edhe koka do t’i shkëputej nga trupi...”Po,po! Edhe trupi do të më pëlcet si zemra!...

    U shtri në shtratin e fortë edhe pse e dinte se nuk mund të gjente qetësi shpirtërore. I ngjau sikur u mbyll në një varr të ngushtë, nga i cili s’do të dilte kurrë. U mundua çdo gjë ta mbulonte me velin e harresës së përjetshme. Mirëpo para syve të vagëlluar parakalonin do mendime me trajtë të përgjysmuar. Mbi të gjitha mbizotëronte një fytyrë e tejdukshme, e cila e akuzonte për do gjëra banale dhe mjaft neveritëse, nga të cila villte. Në fund ia shpallte aktakuzën, e cila e denonte me burg të përjetshme për vrasjen e qindra njerëzve, të cilët kanë jetuar njëqind vjet para lindjes së tij... Në një imazh të vjtër i bëhej sikur ia kallte varrin, në të cilin gjendej një kohë të gjatë. Pas kësaj e dehur nga lumturia dilte e kërcente nëpër një fushë të boshatiusr. Klithte e çirrej me një zë të tmerrshëm, derisa vdekja i përbirohej nëpër sy...

  

MUNGESA TOTALE

  

    Duhej të kishte qenë mesi i natës kur  një ankth i vjetër më zgjoi nga një gjumë i trillua.  Hija e ankthit vazhdoi të më mbështillej nëpër mendje si të ishte një gjarpër i ngordhur. Të gjitha organet e brendshme kishin zënë të tkurreshin, kurse mushkëritë të fryheshin nga mungesa e ajrit. U ngrita në këmbët që më dridheshin nga disa parandjenja të kobshme. Çdo gjë që më rrethonte më dukej e mbështjell në velin e një misteri që më mbyste përdhunshum. Edhe vevetja më nuk ishte ajo që kishte qenë dje. Për çdo ditë diçka shkëputej tinëzisht nga jeta ime. “Pse u ngreite?!” m’u bë sikur më pyeti dikush që dukej sikur më vështronte përtej mosqenies. Vonë e kuptova se një pyetje të këtillë për çdo ditë ia parashtroja vetvetës, e cila gjitnjë mungonte. Ajo, në vend që të më përgjigjej, i zgurdullonte sytë e ndryshkur, të cilët ishin të mbushur me merimanga. Desha t’i them: hapi sytë e vështroje botën në të cilën çdo gjë mungon, madje edhe vdekja! Mirëpo urat që  dikur na kishin lidhur në mes veti ishin shembur përgjithmonë... Desha të shtrihem në shtratin e vjetër për ta vazhduar atë proces të kotë derisa të vdisja. Në atë çast përtej errësirës u shfaq një zë me një trajtëë të përgjysmuar: përse  duhet të shtrihesh në arkivol kur ende s’ke vdekur?! Po unë jam denuar të jetoj e vdekje të mos kem, të zvarritem nëpër një rrugë që s’më shpie askud. Ajo është një rrugë që gjithnjë sillet nëpër një rreth të mbyllur. Çdo ditë e jetës sime është një përsëritje e neveritshme, e mbushur me ankth e monotoni, pa të cilat jeta nuk mund të ekzistonte. Ngritem në mëngjes me gjysmë shpirti, ngase gjithnjë më torturon frika se mëngjesi nuk do të shfaqet kurrë! Pastaj mendjen fillon të ma turturon obsesioni tjetër: si të gremisi ditën derisa të shfaqet mbrëmja, e cila mund të mos vie fare! E në mbrëmje sërish rishfaqet e njejta ndjenjë torturuese: si të dal në mëngjes, i cili shpesh mungon. E tërë jeta shndërrohet në një turturë rutinore, e cila është bërë pjesë përbërse e jetës...

    Fillova të sorollatem nëpër hapësirën e zbrazët të dhomës së errët. Hapësira, si prej nteti, zuri të tkurret ngadalë, të zhduket  nga sytë e mendjes e pastaj të shndërrohet në mosqenie. Disa çaste u zvarrita kuturu nëpër hapësirën që nuk ekzistonte fare. Kërkoja të gjëja mëngjesin, por ai mungonte. Fillova të rrëshqas nëpër rrathët e kohes, e cila më mbështillej si gjarpër nëpër sy e nëpër mendje. Paprimtas ndjeva se në jetën time ishte grumbulluar një sasi e madhe e kohës, e cila më rëndonte si të ishte një kodër e madhe. Nuk dija ç’të bëja me kohën e tepërt, si ta mbysja dhe të shpëtoja nga turturat e saja. Si për inat ajo zgjatej si të ishte një masë plastike. Një ndjenjë ogurzezë hynte në mes meje dhe kohës e pastaj ushqehej me copat e shpirtit tim... Duhej të vinte mëngjesi sa më parë e pastaj të dilja nga dhoma e ngushtë, në të cilën mungonte ajri,drita, të nxehtit dhe çdo gjë tjetër. Mirëpo s’dija ku të shkoja. S’kisha asnjë vend ku mund ta mbysja ditën, e cila shtrihej para meje si të ishte një kufomë e vjetër. Disa çaste e sfilita mendjen me gjëra të koha, me gjëra banale dhe mjaft neveritëse. I shtërngova tëmthat me duart që më dridheshin. Nga brendësia e kokës me bëhej sikur mundohej të dilte një masë e lëngështë, e cila ishte grumbulluar prej fëmijërisë. Një ndjenjë e kobshme më nxiste të arratisesha nga koha, e cila kishte ardhur gabimisht në jetën time dhe së cilës nuk i takoja fare. Mirëpo, koha e mllefosur më ishte ngjitur për shpirti si rrëshirë dhe nuk më shkëputej dot as pas vdekjes. Atëherë hetova se të gjitha objektet që më rrethonin i nënshtroheshin një mungesës totale, një mungesës që  të çmendte tri  herë e herën e katërt të shpinte te varret. Mungasa e mëngjesi më kishte shkaktuar një qarje të madhe në mendje dhe në shpirt. Duke e vështruar errësirën si zgërdhihej me trajtën time hetova se mungesa e gjërave filloi të rritet si të ishte një lule e hidhur që duhej të mbinte mbi varrin tim pasi ta takohja vdekjen relative. Pas pak ajo zuri të rebelohet si të ishte një kalë i harbuar. Brenda trupit ndjeva etjen si zuri të zgjohet nga një ankth i vjetër e pastaj të ndezte të gjitha organet. Me sytë e mendjes e shihja vetveten si shndërrohesha në shkrumb e hi,të cilin pastaj era e barte me vete. Mungesa e ujit po më çmente pamëshirshëm Një  pikë ujë mori kuptimin e jetës. Duke e përqëndruar mendjen tek etja që lëvizte nëpër trup si të ishte një gjarpër i ngordhur, fyti m’u mbyll, kurse buzët më zunë një gisht e më shumë shkrumb. Shpirti i etur filloi një luftë të mundishme për jetë a vdekje. Në imazh e pashë shpirtin me njëqind e më shumë plagë si kullonte gjak e qelb. Kur i hapa qepallat e lodhura vërejta se ende më mbështjellte si një qefin i vjetër errësira e frikshme. Ishte një errësirë e gjallë që mundohej të ushqehej me trupin tim. Ajo filloi të hynte ngadalë në gojë, në hundë, në sy dhe në veshë. Pesha e trupit bëhej e rëndë dhe i shëmbëllente një shkëmbit të vjetër që s’mund të lëvizë nga vendi. Errësira që gjithnjë dendësohej më krijonte bidnjen se gjendesha në një skaj të ferrit. Përetj velit të trashë të errisërës i shihja njëqind e më shumë palë sy  të zgurdullluar, të cilët më vështronin me frikë e trishtim. Ndjenja e frikës së paqartë filloi të m’i  tkurrte të gjitha organet e trupit. Më kaploi një trill i marrë: të shndërrohesh në një krijesë mikroorganike, e cila jeton me ndjenja të vdekura. S’e dija si ta mposhtja ndjenjën e mungesës së ditës së re, e cila ushqehej me organet e brendshme. Ajo tinëzisht më kishte bër të vetin, kështu që tash duhet t’u nënshtrohesha tekave të saja. Nga ethet e shqetësimit zemra kishte zënë të pëlciste. Në vende të saj gjendej një gur i vogël, i cili së shpejti do të pëlciste nga mungesa e gjakut... Diçka më thoshte se më mungonte koha për të jetuar dhe për të vdekur. Para pak çastesh kisha pasur kohë të tepërt dhe të panevojshme, kurse tash ajo më mungonte. Jeta jashtë kohës mori një kuptim tjetër që i shëmbëllente një ankthit të gjithanshëm. Më kapluan  ethet e dyshit të vdekjes së shpejt. Ajo kishte marrë trajtë konkrete dhe qëndronte ulur kpëmbëkryq. Çdo gjë mungonte, vetëm ajo ishte preznte. Qëndroja indiferent ndaj të gjitha proceseve. I ngjaja një statujës së vjetër, të cilën dikush e harron në një fushë të braktisur. Edhe shpresa se çdo gjë është vetëm ankth më braktisi. Çdo gjë vazhdonte të arrtisej nga jeta ime. Dikur edhe vetvetja më tha”Lamtumirë përgjithmonë!” Mbeta lakuriq në mes të jetë dhe vdekjes... Në atë katrahurë të rrëmbyeshme ndjeva zorrët si filluan të ekzekutojnë një melodi të pikllueshme. S’kisha ç’të haja përveç të ushqehesha me errësirën e thellë. Jo, i thashë një qenies së vdekur që bënte roje panë meje, një denim të këtillë s’e kam merituar as nga Zoti e as nga Njeriu. I zhytur në kthedrat e ndjenjave rebele fillova të qeshi marrëzisht me gjërat që mungonin...

    Qëndroja në krahët e shpresës dhe pritjes së kotë. Ëndërroja të agonte mëngjesi ,i cili do të më lironte nga ato gjëra që po më mbysnin. Një zë përtej mosqenies më tha: mëngjesi s’mund të vie pa u mbuluar trupi yt me dhe! U shtrina në shtratin e vjetër, aty ku dikur prindërit e dashur kishin dhënë shpirt. Koha ishte lidhur nyje dhe s’lëvizte fare. Dëshirja të evuloja me natyrën dhe me gjërat që më rrethonin. Mirëpo, isha denuar që ta gremisja jetën duke u marrë me gjëra të tepërta e krejtësisht të panevojshme.

 

IMAZHI MONOTON

  

    Gjatë tërë kohës sa zgjaste mëngjesi, i cili vinte i dërrmuar nga në rrugë e gjatë nuk kishte guxim as dëshirë t’i hapte qepallat, të cilat nga brenda i digjeshin fëlakë. I mbante të mbyllura me duar, ngase dyshonte se ato brefasisht mund t’i hapeshin pa iu bindur vullnetit të tij. Derisa qëndronte në krahet e pritjes vështronte një imazh monoton, një imazh të vjetëruar dhe tepër të ndryshkur. Në hapësirën e rrëpirtë të atij imazhi të ngurtësuar kishte zënë vend në përrua i thellë, i cili e përshkonte hapësirën e tejdukshme nëpërmes. Nëpër rrjedhën e ujit të rrëmbyeshën notonin do shpend ma pamje ekzotike, por që në sytë e tyre të mëdhenj hetohej një uri e stërkequr, e cila ua shkatërronte lumturinë...

    Edhe pasi fashitej mëngjesi, i cili tërhiqej me përtesë të madhe duke u zvarritur me këmbë të lidhura nyje nëpër një rrugë të mbushur me lisa të prerë e cunga të kalbur, sërish vazhdonte t’i mbante qepallat e mbyllura me duart që i dridheshin nga një frikë e paqartë. Nuk kishte guxim as vullnet t’i pohonte vetvetes se mëngjesi ishte tërhjekur me vështirësi të madhe si të ishte një ushtri që është mposhtur keq e tash nuk dëshironte të kthehet në vendlindje e turpëruar. I kredhur në një heshtje të trashur, e cila e kafshonte nëpër gjithë trupin si të ishte një bishë e egër, fillonte ngadalë të vajtonte duke derdhur lot si gurra. Dëneste për  mëngjesin që e kishte vrarë dikush e pastaj qëndronte i varur  me një gozhdë të ndryshkur një një skaj të errët të dhomës së të ishte një rrobe e vejetër që nuk i hynë në punë askujt. Lotët që i shkonin rrëke nëpër fytyrën e regjur nga koha e tërbuar kurrrë nuk guxonte t’i fshinte, i lente të thaheshin për një kohë të gjatë, kurse në fytyrë krijohej pastaj një vrragë e tejdukshme, e cila i shkaktonte dhembje të reja... Edhe kur rrinte zgjuar, edhe kur flinte i mbërthyer nga një ankth i vjetër, derën e dhomës së ngushtë, në të cilën mungonte ajri dhe çdo gjë tjetër, vazhdmishte e lente hapur. Dikur e kaploi trilli që ajo derë kurrë nuk kishte qenë e mbyllur, madje as që guxonte ndonjëherë ta mbyllte! Kishte bindje të fuqishme, nga e cila nuk mund të lirohej edhe po të donte, se përtej mosqenie do të vinte një njeri i dashur, të cilin kurrë në jetë nuk e kishte takuar, madje as trajtën nuk ia dinte çfarë e kishte. Ai do të vinte me një sopatë të mprehë në krah dhe pa folur asnjë fjalë do ta copëtonte atë imazh monoton, në të cilin jeta e tij tretej kot së koti. Mirëpo, me kalimin e kohës filloi të kredhej në humnerën e zhgënjimit dhe të dëshpërimit. Një zë i vdekur me tinguj poashtu monoton i thoshte se kot po e ushqen shpirtin e dërrmuar me katikule, të cila më nuk je në gjendje t’i honepsësh... Në derën e hapur askush as nuk hynte, as nuk dilte. Me sytë e vagëlluar të mendjes së sfilitur i dukej sikur e shihte duke hyrë një mërzi të mplakur, e cila pastaj sorollatej nëpër hapësirën e mugët. Më vonë ajo i shtrinte krahët e gjymtë dhe e përqafonte me mallëngjim të shfrenuar, duke i dhuruar një ftohtësi  që e ngrinte të tërin. Kur shfaqej një mbrëmje e stërkequr, e cila ishte e mbarsur me do ëndrra të shkapërderdhura, të cilat nuk kishin as trajtë,as formë të definuar, mërzia ngadalë e në heshtje të kobshme kredhej në një humnerë të mbushur me një gjumë të rrejshëm.Pastaj nga ai gjumë i paqenë nuk mund të zgjohej pa trokitur në derën e hapur mëngjesi i matufosur, i cili mezi e gjente rrugën për të hyrë breenda. Ai mëngjes mjaft i mplakur hynte pa e ftuar askush e pastaj si një buf i verbër i zgurdullonte sytë e mëdhnj e të mbushur me gjak e qelb. Me çdo kusht kërkonte të gjente një shteg për t’u zhdukur nga ajo hapësirë e boshatisur. Sorollatej disa çaste e pastaj e hapte dritarën e thyer dhe nga aty rrrëshqiste si të ishte një gjarpër i ngordhur. Zhdukej pa lën gjurmë sikur të mos kishte ekzsituar kurrë. Aty kah mesdita me sytë e vagëlluar e shihte një kohë të sëmurë, e cila sikur në çdo çast do të vdiste. Ajo qëndronte në prag të derës. Vështronte me përtesë të madhe me sy të nxjerrë do gjëra që mungonin brenda. Pastaj kthehej mbrapa me hapa të ndrojtur... Mundohej të ngritej nga shtrati i vjetër e pastaj ta luste kohën që të mos hynte brenda, sepse gjithnjë i shkaktonte dhembje në shpirt, pastaj ia vërbonte te dy sytë. Mirëpo i mungonte forca trupore. Diçka i thoshte se kot do ta luste kohën, sepse ajo nuk e kuptonte gjuhën e tij...

    I kredhur në vorbullën e atij imazhi monoton me gishtat e thatë i shprishte flokët e thinjura, të cilat, për çudi, i rriteshin shumë shpejt. Kishte raste kur në mbërmje i prente, kurse në mëngjes i rriteshin më shumë se sa i kishte pasur në mbrëmje! Ato lëshonin një zhurmë të thekshme që i shëmbëllente fëshfëritjes së  erës kur i tund gjethet e thara. Një mendje e tërbuar i thoshte se flokët e tija nuk ishin nga qimet, por nga dheu i shkrifët. Gjatë kësaj kohe i ngjante sikur ato kundërmonin aromën e varrit të hapur, në të cilin dekompozohej trupit i tij për së gjalli... Rrallë, shumë  rrallë merrrte një trohë guxim që as vetë nuk e dinte nga i vinte dhe e sfidonte nostalgjinë e stërkequr nga mosha e gremisur, e cila i dukej sikur ia sjellte të gjitha fatkeqësitë e jetës. Kohëve të fundit kishte zënë ta torturonte pa mëshirë një enigmë e mistershme, e cila i varej në mendje si të ishte guri i varrit: pse nostalgjia  për kohën e shkuar e vështronte me përbuzje nga një skaj i atij imazhi monoton?! Ajo ia zgurdullonte dy sy të mbushur me dhembje, në thellësinë e të cilëve lodronte si një kalë i habaur një trishtim i vjetër. Në fillim, kur u takua me trajtën e nostalgjisë që skërmitej si një shpirt i keq, kishte kërkuar mëshirë prej saj. Mirëpo ajo  as që kishte dashur të dëgjonte për përgjërimet e tija të stërgjatura. Një mendje e fjetur i kishte thënë: kot përulesh, sepse nostalgjia është e shurdhër si nata e amshueshme! Kur durimi e braktisi pa“ lamtumirën e fundit” i tha vetes me zë agresiv: do të kacafytem me nostalgjinë e le të del ku të del, ma keq nuk ka ku shkon! Kuturisi kështu edhe pse frikësohej se ajo mund të gjindosej edhe më shumë. Me thonjtë e gishtave të tharë filloi ta gërvishte lëkurën e regjur të nostalgjisë, e cila i shëmbëllente hënës që është gati të perëndon e më të mos lind. Nga dhembja  e më shumë nga zemërimi nostagjia filloi të egërsohet si një bishë e plagosur. Nga dhembje e më shumë nga inati nostalgjia pamëshirshëm zuri t’ia shkatërron të gjitha organet e brendshme. Mendimet iu ngatëtrruan aq keq sa që më nuk ishte në gjendje ta gjente fillin e tyre. Me trupin e mbushur me njëqind e më shumë plagë, të cilat rrjedhnin gjak rrëke, u  rrëzua si një lis i prerë në një skaj të dhomës së ngushtë. I ngjau sikur zuri të vdiste ngadalë në një qetësi të qartur. Në kokë i shkrepi një trill i marrë që zuri ta torturonte pa mëshirë: kush do ta varroste trupin e tij të vdekur?! Përtej mosqenies i dëgjonte krrokamt e thekshme të korbave, të cilat sikur e kërkonin trupin e tij të dekompozuar... Një zë i paqartë i thoshte : kot qëndron në shkretëtirën e pritjes! Askush nuk ka për të ardhur për të të varrosur!.. Me hapa të ndojtur zuri të zvarritej nëpër hapësirën e atij imazhi monoton, mbi të cilin ishte shtrirë një errësirë e vdekur. Nuk e dinte nga shkonte e as nga vinte. Diçka e pazakonshme kishte ndodhur në jetën e tij, e cila as nuk dukej, as nuk zhdukej. Jeta e tij së bashku me kohën qëndronin pezull, mbi një hapësirë të ngurtë, të mbushur me zbrazëtirë dhe kotësi të paanë.  Me sy të vagëlluar në atë imazh monoton e mjaft neveritës i shihte do gjëra të paqena, të cilat i trillonte mendje e sfilitur. Befas ndjeu se djersë të ftohta akull ia përshkonin fytyrën dhe gjithë trupin e dërrmuar. Gjakonte të arrtisej nga hapësira e atij imazhi që po e mbyste ngadalë e në heshtje, por në të gjitha anët ai ishte rrethuar me mure të forta dhe të larta, të cilët kurrë nuk mund t’i kapërcente. .. E vetmja mënyrë për t’u arratisur nga ky imazh i stërkequr është të shtrihem e të flej, kurse në gjumë do të harroj çdo gjë! i tha vetvetes me zë të heshtur që pastaj ushtonte nëpër hapësirën e dhomës së ngushtë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora