E enjte, 18.04.2024, 06:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Flet shkrimtari dhe poeti Viron Kona

E merkure, 31.03.2010, 09:56 PM


Flet shkrimtari dhe poeti  Viron Kona

 

Të bësh art, gjithnjë është e vështirë

 

Në komunizëm, shkrimtari ngjasonte më shumë me një rrobaqepës

 

“Eh, more Bubulino! është vlerësuar si libri më i mirë nga UNICEF

 

Nga Albert Zholi

 

Kush është Viron Kona?

Ka lindur në qytetin e Vlorës më 24. 06. 1950. Studimet e larta i ka mbaruar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi. Ka kryer punë të ndryshme në administratën e lartë shtetërore dhe, më pas, në arsim si, mësues,  drejtues në disa shkolla 9 - vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit, redaktor në gazetën “Mësuesi”, aktualisht specialist në MASH. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë nga viti 1981, anëtar i Këshillit Kombëtar të Librit, fitues i 7 çmimeve në gjininë e tregimit dhe novelës. Libri “Eh, more Bubulino!” është shpallur  libri më i mirë i vitit 2006. Nga krijimtaria letrare mund të përmendim vëllimet me tregime dhe romane për fëmijë dhe të rritur: “Etje që shuhej”,  “Pëllumbat”,  “Mos m`i zbukuroni plagët”,  “Pulëbardhat përbindëshe”,  “Ujkonja”,  “Bubulinoja çamarrok”, “Dëshira e fshehtë e

 Bubulinos”, “Pyesni Bubulinon”, “Eh, more Bubulino”!, “E fshehta  e pyllit”, “Dardi”, “Dardi në gadishullin e vetëtimave”, “Të çuditshmit”, “Bubulinoja dhe Dardi në kryeqytetin e amantëve të lashtë”, - libri i parë; “Bubulinoja dhe Dardi në kryeqytetin e amantëve të lashtë”, - libri i dytë;  “Dëgjoma zemrën, Budapest”!, “Drithërimat e yjeve”, “28 djem plus një vajzë”, “Delfini i dy deteve” drejt aventurave të reja”, “Një udhëtim i çuditshëm”,”Yje mbi Bosfor”, “Kontrolli i befasishëm i një inspektori”. Ka në  botim vëllimet:“Kthehuni ndonjëherë nga shkolla juaj”,  “Aventura në Korab”, etj....

 

-Kur keni shkruar për herë të parë dhe çfarë keni shkruar, poezi apo prozë?

 

-Në fillim të gjithë nisin me poezi, (në të vërtetë janë krijime midis vjershës dhe bejtes, mjaftojnë që ato të rimojnë). Shpesh krijuesit e vegjël, krijimet e tyre ua lexojnë shokëve apo shoqeve. U dukën të mrekullueshme! Kanë ëndrra dhe dëshira, por u mungon teknika dhe aftësia e të shkruarit. Paralelisht shkruajnë edhe prozë, nisur kjo, edhe nga temat e hartimeve që japin mësuesit. Kreshniku, një nga nxënësit e mi që e vlerësoja “të dobët” në mësime, kur i dhashë klasës temën: “Letër babait tim në emigracion”, Kreshniku shkroi hartimin më të bukur.

S`mund të them se cila ishte e para në “krijimet” e mia: poezia apo proza. Di që, kam botuar në “Zërin e Rinisë” një tregim që më shumë ishte reportazh, por unë ngulmoja dhe doja që ai  të titullohej: tregim. Pra, më pëlqente të bëhesha shkrimtar. Një ëndërr e shumë fëmijëve dhe e natyrshme. Nëpërmjet shkrimeve letrare, ata duan t`i transmetojnë të tjerëve ndjenjat, historitë dhe mendime e veta.

 

-Kush ju  ka zbuluar si talent në fushën e letërsisë?

 

-Nuk shpresoj se do t`ju kënaq me përgjigjen. Një krijues, natyrisht që ka nevojë për mbështetje dhe përkrahje, por tek e fundit ai bëhet i tillë, sepse, ka dëshirën, vullnetin e madh dhe aftësinë e veçantë krijuese që t`i bëj gjërat që ëndërron. Duhet të ëndërrosh, të punosh vendosmërisht dhe të guxosh. Ky, mendoj se është çelësi që hap derën e krijimtarisë. Pastaj, edhe duhet të lexosh shumë. Leximi të nxit dhe t`i, pasi ke lexuar diçka të bukur, mund të ndodh që të thuash me vete: “Po, edhe unë e kam këtë mendim”. Po, por është tjetri që e ka shkruar, madje e ka shkruar shumë bukur dhe të bën të mos e lëshosh librin nga dora…Më kujtohet, isha në klasë të gjashtë atëherë, nisa të  lexojë “Kontin e Montekristos”. U fsheha diku tek disa kallama prapa shtëpisë dhe, atë ditë nuk shkova në shkollë, ngaqë doja ta mbaroja së lexuari librin. Ndërkohë që, shoku im, Vasili u ngjir së thirruri emrin tim që të dilja dhe të shkoja në shkollë me të. Edhe prindërit po më kërkonin, madje, ishin merakosur, por unë vijoja të lexoja, teksa, jeta dhe bota disi aventurore  e Kontit të Montekristos ishin  aq të bukura dhe, nuk kishin fund…

 

- A ishte e vështirë të shkruaj në sistemin komunist pasi ideologjizmat e pengonin lirinë e fjalës.?

 

-Çdo kohë ka karakteristikat dhe veçoritë e veta. Atëherë, e kishim  vështirë të mendonim ndryshe, pasi ishim të indoktrinuar me atë ideologji, që kishte në themel pronën shoqërore dhe, kuptohet që edhe kultura, letërsia dhe artet i binin asaj kambane, ndërkohë që  emri Parti, ishte si një gardhë që të rrethonte nga të gjitha anët dhe s`guxoje të mendoje se ç`kishte pas tij.

 

-Vështirë?

 

 -Të bësh art, gjithnjë është e vështirë. Kërkohet vullnet i jashtëzakonshëm, por, ai që është me të vërtetë këmbëngulës dhe i talentuar, gjithsesi, ecën. Është e vërtetë se, në botë kanë kaluar pa u ndjerë dhe pa mundur të tregojnë talentin e tyre miliona njerëz për 1001 arsye. Nuk them që në sistemin që lamë pas  s`kishte mendje të ndritura, por në përgjithësi atëherë e pasqyronim jetën dhe njeriun në art ashtu siç e kërkonte koha dhe ideologjia e saj. Shkrimtari ngjasonte më shumë me një rrobaqepës, që duhej të qepte kostumin sipas një modeli fiks dhe, sipas konfigurimit të atij regjimi. Gjërat ishin bardhë e zi, edhe për shkrimtarët, edhe për artistët në përgjithësi. Edhe në se nuk të pengonin autoritetet zyrtare të shkruaje dhe të botoje siç mendoje, përsëri kishte shumë fanatikë, letra-shkrues dhe ekstremistë që, vëzhgonin, hetonin apo qëmtonin gjithë zell  krijimet letrare, duke kërkuar atje shfaqjet dhe ndikimet e  huaja borgjeze revizioniste. Gjithsesi, në atë kohë u rritën dhe vezulluan ndritshëm  edhe artistë e shkrimtarë të përmasave të mëdha si Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Nuk mendoj se ishte meritë e kohës që, ata, patën një krijimtari të madhe, por ishte talenti i fuqishëm i tyre që i bëri të tillë. Padyshim që edhe sfondi, lexuesi, ka pasur meritë në inkurajimin e tyre. Nuk di sa shkon krahasimi, por, edhe krijuesi ka nevojë për mbështetjen e publikut, ndodh si me skuadrën e futbollit që, duke pasur përkrahjen e  tifozëve të vetë, merr vrull dhe guxim të ri për të përballuar me sukses edhe skuadra të mëdha. Apo këngëtari, duke marrë duartrokitjet përgëzuese të publikut, arin të nxjerrë në pah nivelet dhe cilësitë e tija më të mira artistike. Për t`ju përgjigjur me gjerë pyetjes suaj, mendoj se, për krijimtarinë nuk është shumë përcaktuese koha kur krijon, madje, mund të duket disi e çuditshme, por, pikërisht në kohët më të vështira, sidomos në periudha kthesash historike, kanë lindur edhe mendjet më të ndritura të njerëzimit. Mjafton të sjellim këtu në kujtesën e lexuesve rilindësit, si ata botëror por edhe ata shqiptarë. Rilindësit italianë,  i çelën portat e Rilindjes në errësirën obskurantiste të Mesjetës. Nuk ishin “kohët e arta” që bën Mikelanxhelon, Leonardon, Danten, Shekspirin e qindra të tjerë, përkundrazi, ishin ata që u dhanë ngjyrime të arta dhe vezullime kohëve kur jetuan e krijuan. Inkuizicioni ishte në kulmin  tij kur krijonte Mikelanxhelo në Itali, Volteri dhe Didëroi në Francë, Françesko Goja dhe Servantesi në Spanjë, Shekspiri në Angli, apo, kur gjenia krijuese e Kopernikut, Brunos, Galileos bëri të mundura ato zbulime të jashtëzakonshme shkencore që mbeten edhe sot si yje që i dhanë dritë asaj kohe kur ata jetuan, por japin rrezatime të forta dhe të shkëlqyeshme edhe sot. Mendjet e ndritura e sfidojnë kohën, madje ata shndërrohen në pishtarë dhe udhërrëfyes për kohët. Sigurisht ata ishin gjeneralët e arteve, krijimtarisë, letërsisë dhe shkencës, por them se artistët dhe krijimtaria nuk bëhen duke jetuar në pupla. Artisti dhe krijuesi duhet të jenë qytetarë, por edhe luftëtarë të guximshëm të kohës së tyre, duke marrë mbi vete edhe rreziqe e përgjegjësi. Rruga e artistit dhe krijuesit asnjëherë nuk është e shtruar, përkundrazi ai ecën në një rrugë me gjemba, në një rrugë të vështirë dhe të mundimshme, në të cilën mund të marrësh guximin dhe të ecësh nëse  ke pasione, shtysa, mendime dhe ide të forta krijuese. Sikurse shprehet me të drejtë Bjelinski, shkrimtari nuk duhet të thotë asnjëherë: “O perëndi, përse linda kaq vonë!” U zgjata paksa në këtë përgjigje, por, siç

 thotë Berndard Shou, “Fjalët janë si qershitë, merr një dhe kap dy”.

 

Libri juaj i parë dhe emocionet që keni ndjerë?

 

Libri im i parë është “Etje që shuhej”, një vëllim me tregime, i shtëpisë botuese me emrin madh: “Naim Frashëri” me redaktor shkrimtarin e talentuar Zija Çela, i cili u botua në 4000 mijë kopje. Atë ditë që mora 5 kopjet e para të librit isha shumë i gëzuar. Si unë s`kishte njeri tjetër! Takova një të njohurin tim:

-Dukesh i lumtur, - më tha ai me dashamirësi, - me siguri, me ty ka ndodhur diçka shumë e gëzueshme!

-Po, - iu përgjigja dhe i zgjata librin.

Ai më uroi me gjithë zemër, pastaj, si të donte të më mbante me këmbë në tokë që të mos fluturoja, më tha: - E di? Në këto çaste që ne po flasim, në botë janë botuar dhjetëra mijëra libra....

Mbeta dhe ndjeva djersë mbi ballë. Sigurisht e kuptova se s`mund të kalëroja me Pegasin fluturues, vetëm sepse paskësha botuar një libër..!

Gjithsesi, “Etje që shuhej”, iu bë propagandë në televizion, u publikua në qendër të Tiranës dhe, për atë libër, u shkrua në gazetat “Drita”, “Nëntori”,”Ylli” etj. Tregime të veçanta të  librit, u deklamuan edhe nga aktorë të teatrit. “Etje që shuhej”, për shumë lexues, mbase me kohë  është shndërruar në një gjethe të zverdhur vjeshte, po, për mua mbetet një libër mjaft i dashur. Guxo e shaja nënës,  fëmijën e saj!

 

- Cili është libri juaj që është mirëpritur më shumë nga kritika?

 

-Mendoj se është romani “Drithërimat e Yjeve” dhe libri për fëmijë “Eh, more Bubulino”! Për romanin “Drithërimat e yjeve” që flet për jetën e një intelektuali në emigracion, janë shkruar kaq shumë shkrime nga studiues dhe lexues, saqë ato  e kalojnë numrin e faqeve të vetë romanit. “Drithërimat e yjeve” është botuar dhe ribotuar tri herë me një tirazh rreth 15 mijë kopje, është shitur edhe brenda vendit, edhe jashtë tij. Kurse, libri për fëmijë “Eh, more Bubulino! është vlerësuar si libri më i mirë i vitit 2006 nga një Juri e ngritur posaçërisht, por e veçantë është se, UNICEF që dha këtë çmim, anketoi rreth 800 fëmijë në Tiranë, të cilët e  përzgjodhën dhe e votuan Bubulinon, si personazhin e tyre më të dashur.

 

- Përse u dhatë përfundimisht pas  letërsisë për fëmijë?

 

-Unë vazhdoj të shkruaj edhe për fëmijë, por edhe për të rritur. Në  rreth 25 libra që kam botuar gjer më sot, thuajse gjysma janë për fëmijë dhe gjysma për të rritur, kam parasysh këtu edhe të rinjtë adoleshentë.

 

-Deri më tashmë, indiferentizmi ndaj librit, vinte si rezultat i varfërisë, apo tendencës që kanë sot njerëzit për t’ju përshtatur tregut të lirë të punës sipas prirjeve dhe aftësive individuale duke menduar se libri nuk ka atë forcë që të ndikoj në ekonominë individuale (pra mbarimi i shkollës nuk ka atë rëndësi për punësim përpara aftësive praktike për profesione teknike)?

 

-Sot lexohet, por, gjithsesi, duhet të kesh para që të blesh libra të mirë dhe t`i lexosh, pasi ata janë të shtrenjtë për masën e gjerë. Ata që kanë para, zakonisht nuk e kanë mendjen tek libri, por sesi të bëjnë para të tjera. Më kujtohet, kur isha drejtor i gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë (1999 - 2004), përpara hyrjes së shkollës vinte çdo mëngjes një burrë  me një kazan të madh, të mbushur plot e përplot me fara luledielli. Kur mbaronte mësimi dhe kthehesha për në shtëpi, kazanin e shikoja krejt bosh. Zemërohesha me vete që, nxënësit pëlqenin më shumë t`i harxhonin paratë duke përtypur fara luledielli, ndërsa shpenzonin fare pak për të blerë  libra në libraritë e shumta që kishim rreth e qark. Mbase, çështja e librit është çështje edukate. Varet sa, edhe prindi e inkurajon fëmijën të lexojë. Kur i jep ca para në kohën e shkollimit, le t`i thotë që të blejë edhe një libër më shumë dhe, të pi një kafe apo paketë cigare më pak. Kuptohet, frytet e librit dhe frytet e duhanit janë dy  gjëra krejt të ndryshme...

 

-Libri dhe shteti. Kultura dhe njerëzit e kulturës. Cili është mendimi juaj për Ministrinë e Kulturës, sa ju ka mbështetur ju si shkrimtar? A i ka ndihmuar ajo krijuesit? Roli i saj a ka qenë me një strategji të caktuar në interes të kulturës kombëtare dhe të artistëve, shkrimtarëve? Cili është vizioni juaj për këtë Ministri duke pasur parasysh se vetëm një popull me kulturë, mund të zhvillohet shpejt, mund të ruaj traditat e trashëguara në shekuj ?

 

-Një shtet i mirë vë dijen, arsimin dhe kulturën në plan të parë. Të tjerat, janë rrjedhim i tyre. Anglezi Tomi  Bler, në objektivat e tij të para disa viteve, kur zgjidhej dhe rizgjidhej kryeministër i Anglisë, thoshte: Objekti i parë: arsim; objektivi i dytë: arsim; objektivi i tretë: arsim.

Me sa mbaj mend unë, këtu tek ne, disa nga  ministrat e kulturës, më shumë kohë, energji dhe investim zyrtar, kanë shpenzuar për të larguar nga detyra kryetarin e federatës shqiptare të sporteve, sesa janë marrë me librin dhe me kulturën. Ato çmime që ndahen, mirë bëjnë që i ndajnë, por ato janë një pjesëz e vockël e punës me librin. Kjo ministri në pamje, ngjason me një kartolinë të bukur për vitin e Ri. Ka vërtetë një pamje të bukur! Tek e shoh sesi vezullon, më shkon mendja se do të jetë nga godinat më të bukura të ministrive të kulturës së botës. Kjo, sigurisht që është gjë e mirë, por do të ishte akoma më mirë  që, pamja e saj, të përkojë edhe me një përmbajtje po aq të bukur, pra, edhe me atë çfarë ajo bën për kulturën, artin dhe letërsinë.

 

-A ishte i drejtë vendimi i qeverisë për marrjen e Godinës së Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve dhe kthimin e saj në Ministri ? A nuk e meritojnë shkrimtarët një godinë për t`u mbledhur dhe diskutuar?

 

Natyrisht që, krijuesit shqiptarë  kanë nevojë për një godinë të vetën, të mblidhen, të bashkëbisedojnë e diskutojnë, zhvillojnë veprimtari krijuese etj. Kjo nuk varet prej tyre. Prej tyre varet krijimtaria, forca e të shkruarit në rastin e shkrimtarit. Do të thosha, pa më keqkuptuar askush se, kur shkruante Shekspiri, Balzaku, Hygoi, etj. nuk kishin ndonjë lloj godine të posaçme për t`u mbledhur. Ata, vetë krijonin klubet e tyre dhe atje debatonin e diskutonin. Mbaj mend nga leximet që, Bjelinski shprehet se,  mjediset e shumta ku ata diskutonin për letërsinë, qytetërimin e përparimin e shoqërisë, shpesh ishin ato dhomëzat e universitetit apo klubet ku ata shkonin e pinin çaj. Një shkrimtar është si një luftëtar, që e tregon veten në betejë, një kapiten që e tregon veten duke drejtuar anijen në stuhi, një alpinist që përballon vështirësi të shumta për t`iu ngjitur majës së malit, një maratonomak që përshkon kilometra të tëra me vrap për të dhënë lajmin e fitores. Nuk ka shumë nevojë për komoditete e kushte ekstra shkrimtari. Xhek Londoni shkruante në kushte jashtëzakonisht të vështira, Balzaku shkruante pa pushim gjithë natën, Shekspiri i shkruante veprat duke udhëtuar me teatrin e tij, Homeri e shkruante “Iliadën” duke qenë  një aed shëtitës. Duket më e bukur dhe më interesante uniforma e grisur dhe e bërë copë e një gjenerali që kthehet nga beteja fitimtar, sepse, i shërbeu popullit të tij, sesa uniforma e ndritur dhe me kopsa të  shkëlqyera e një gjenerali që udhëheq paradën në kohë paqeje. Edhe shkrimtari është një luftëtar. Natyrisht, do ishte mirë ta kishim edhe godinën tonë të shkrimtarëve, por çështja është se, si edhe për të tjera gjëra, s`do t`ia di kush! Punë e madhe. Shkrimtarët përsëri do shkruajnë, krijimtaria do të rrjedhë si lumi që ndjek udhën e vetë dhe s`ka

 forcë që ta ndalë...

 

-Ju vazhdoni të aktivizoheni në aktivitete shoqërore, vazhdoni të shkruani me qindra faqe apo të bëni, libra. Cili ka qenë dhe është motive kryesor i jetës suaj?

 

Shpesh, pyetjeve që më bëjnë lexuesit e vegjël në takimet e shumta që kam me ta, u përgjigjem: “Nuk ndahem nga kjo botë, pa shkruar edhe librin e 100-të”. Sigurisht ky është një “kufi” i motivimit tim, nëse mund të shprehem kështu. Motivi im është letërsia. Sot jetoj dhe mbaj familjen prej katër vetë, vetëm me një rogë minimale, pra jetojmë në vështirësi të mëdha ekonomike. Një ditë, një biznesmenë që hapi një shkollë private, më ofroi detyrën e  drejtorit, duke më thënë:

“-Rrogën caktoje vetë, por dëshiroj të më plotësosh  një kërkesë.

-Cila është kërkesa? - e pyeta

-Të mos shkruash libra, por të merresh vetëm me drejtimin e shkollës, - më tha prerë ai.

Nuk pranova. Dikush mund të më thotë se bëre një budallallëk. Mbase. Por, nuk mendoj të lë letërsinë vetëm sepse do të kem një komoditet disi më të mirë material. Librat i shkruaj duke filluar nga ora 03 e mëngjesit dhe s`ndjej lodhje. Sapo shkon ora 03, unë jam përpara kompjuterit. Ndonjëherë, edhe më përpara, por jo pas kësaj ore..

 

 -Cilat janë problemet e shoqërisë shqiptare sot në këndvështrimin tuaj?

 

-Ka shumë probleme dhe secili i sheh në mënyra të ndryshme. Mendoj se ne kemi ende shumë nevojë për një emancipim  më të madh. Duhet të kuptojmë se, po nuk ndihmuam veten, nuk ka për të na ndihmuar askush. Kam dëgjuar plot njerëz që thonë: - Po të isha emigrant, do të bëja çdo lloj pune, kurse këtu, rri e pi kafe gjithë ditën. Ndërkohë, mendjet e njerëzve i ka zaptuar, i ka futur në “zgjedhë si qetë”,  ajo që quhet politikë. Në të vërtetë, politika, lindi si art i drejtimit të shtetit, por me sa shohë, tek ne ajo nuk është art drejtimi, por është thjeshtë një zallamahi dhe allishverish. Politikanë, jo rrallë,  nuk bëhen njerëzit e ditur dhe të kulturuar, por ata që kanë të mprehtë nuhatjen për t`u pasuruar, për t`u veshur me pushtet dhe për të marrë lavdi të pamerituar. Kjo situatë duhet të ndryshojë.  Në këto afro 20 vite demokraci, Europa ka pasur plot kohë të na ndihmojë dhe s`ka përse të bëj “Pilatin” me ne. Ndihem keq, kur mendoj se një popull vital dhe shumëvlerësh si yni, që arrin të nxjerrë nga gjiri i tij margaritarë të artë si Nënë Tereza, si Ferid Murati, si Ismail Kadare etj, mbetet në fund të listës për gjithçka. Nuk e kuptoj këtë ngurrim të Europës. Në të vërtetë, Europa na do, por na do si  fëmijë të prapë, që sipas mendësisë që ajo ka krijuar, hapin  telashe e ngatërresa. Në të vërtetë, copëtimin e kombit tonë, Evropa e ka bërë dhe s`duhej tani të luaj shenjtin që vetëm moralizon, këshillon e kushtëzon pambarimisht. Detyrohen shqiptarët të largohen nga atdheu i tyre, në mënyrë të paligjshme diku mes të ftohtit të dimrit në male, diku duke kaluar lumenj dhe dete, diku poshtë trenave apo gomarëve siç bëri dikur Odiseu, që, u largua nga shpella e Qikllopit Polifem, duke  u fshehur poshtë barkut të një dashi të madh. Këtu mbeten njerëzit që kërkojnë ta tregojnë veten qytetarë të vërtetë e të ndershëm dhe që presin pambarimisht radhën, me durim e shpresa të venitura...!?

 

-Cilat janë problemet e shoqërisë shqiptare sot në këndvështrimin tuaj?

 

Ka ende një mentalitet të vjetruar. Është më lehtë të lëvizësh një mal, sesa të lëvizësh mendimin. Njerëzit mendojnë fiks dhe mendimi duket i ngurtësuar. Kanë një bindje dhe nuk lëshojnë asnjë hap. Mbaj mend, në një fshat të Vlorës, pas një mbledhje plot grindje e shere, kur njerëzit nuk po arrinin dot të gjenin fjalën, një fshatar u ngrit dhe më tha: “Kot lodhesh more djalë! Këtyre, po t`u mbledhësh mendjet dhe t`i hedhësh në fushën e fshatit, do të ngrihen natën dhe, secili, prapë mendjen e tij do të marrë!”

 

-Mendimi juaj për debatin Qose-Kadare?

 

-Lisat e mëdhenj lëshojnë dhe hije të mëdha. Njerëzit i përkrahin apo i kundërshtojnë përgjithësisht sipas interesave dhe gjendjeve social politike apo shijeve letrare. Por, mendoj se, njerëzit e mëdhenj duhet t`i respektojmë edhe në “grindjet” e tyre. Ata e kanë merituar këtë privilegj. Ne, të tjerët, mendoj se duhet t`i dëgjojmë më shumë sesa t`i anatemojmë. Sigurisht, secili ka mendimin e vetë, por, në se e ka, le ta shprehë atë,  jo duke iu kundërvënë njërit apo tjetrit. Unë i respektoj të dy këto figura dhe kësisoj respektoj edhe mendimet tyre. Cili është mendimi im? Po të më bëhet një pyetje konkrete, edhe mund ta shprehë, por, nuk besoj se do të thosha ndonjë gjë më të mençur sesa ata dy lisa të mëdhenj, që janë krenari e kulturës shqiptare.

 

-Mendimi juaj për bashkëjetesën dhe familjen e sotme shqiptare pasi ka shumë divorce...?

 

-Divorcet janë shprehje e lirisë së njeriut të çliruar dhe të emancipuar. Natyrisht, nuk jam për divorcet e pamoralshme dhe pa detyrime reciproke mes çiftit. Por, jam i mendimit se, familja është e shenjtë dhe, ndonëse numri i divorceve është i madh, familja nuk ka për t`u shkatërruar. Një divorc, i arsyeshëm, e forcon familjen. Ndryshe, mund të  ndodh që, familja është e kalbur nga brenda, dhe përsëri qëndron në këmbë për forcë zakoni apo “për sy të botës.” Nuk mund të jetë e qëndrueshme, ajo familje ku, burri, fjala vjen,  përdorë dhunën  fizike ndaj gruas. Mund të ndodh që, edhe një shuplakë apo fyerje, e lëkund apo deri dhe e shkatërron  shenjtërinë e familjes.

 

-Kriza ekonomike botërore a ndihet aktualisht dhe tek libri?

 

-Libri, si produkt financiar ka qenë gjithnjë në krizë. Kështu, me mundim, kanë botuar edhe gjenitë e letërsisë. E cili prej tyre e pati të lehtë këtë rrugë? Padyshim që, kriza e vështirëson jetën e librit, por jo vetëm kriza ekonomike, por sidomos ajo shpirtërore e njeriut, kur raporti mes të vërtetës dhe gënjeshtrës është në favor të kësaj të fundit. Njerëzit nuk gjykojnë atë që është i pasur, por atë që e ka vënë pasurinë në rrugë të pandershme. Nuk gjykojnë thjeshtë paaftësinë, por mashtrimin e fshehur…

 

-Mendimi juaj për politikën e sotme shqiptare?

 

-Nganjëherë, më duket se, ata që janë politikanë, nuk dinë as vetë se çfarë duan dhe çfarë kërkojnë. Dhe, në vijim të mendimit, sjellë ndërmend këtu, një histori anekdotike: “Kur mbaroi loja e parë e futbollit, e pyetën një trajner futbolli se, cili nga lojtarët i kishte pëlqyer më shumë. Dhe ai tha:

-X.- si.

-Po ai, ishte më i dobëti në fushë, - iu përgjigjën të habitur ata që e dëgjuan.

-E keni gabim, - u tha trajneri, - sepse, lojtari që cilësova si më të mirin,  kur  merr topin në këmbë, as vetë nuk e di se nga do ta gjuajë. Kështu, ai i huton kundërshtarët dhe bëhet i rrezikshëm për skuadrën tjetër. Më krijohet përshtypja se, merren me politikë mjaft nga ata që s`kanë lexuar një libër,  ata që kanë në ëndërr “ngjyrën e  verdhë të floririt” dhe jo botën e madhe, të gjerë dhe të thellë të njerëzve. S`di pse në këto çaste, më vjen ndërmend një thënie e mençur: “E vetmja gjë, që i duhet të keqes të triumfojë, është që, njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora